
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE NË LONDER 1912-1913
Me fillimin e konfliktit ballkanik cështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Ashtu si edhe më parë, tri ishin fuqitë më të interesuara në këtë cështje: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Por ishin të interesuara secila sipas mënyrës së vet. Dy të parat ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë, por në ndikimin e tyre. Në rrethanat e reja të krijuara nga shembja e sundimit osman në Ballkan, Shqipëria merrte rendesi të vecantë në politikën ballkanike: për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e “sllavizmit” në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik, ndërsa për Italinë, si një bazë për depërtimin e metejshëm drejt Lindjes. Të dy Fuqitë për njëfarë kohe bënë një front të përbashkët, që e fshehte deri-diku rivalitetin e tyre në Shqipëri. Nga ana tjetër Rusia cariste bënte llogaritë e veta. Ajo përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.
Përballë kësaj gjendjeje, kundërveprimi nga ana e Austro-Hungarisë ishte i pashmangshëm. Qeveria e Vjenës grumbulloi përsëri forca të mëdha në kufi me Serbinë, duke e kërcënuar këtë me shpërthimin e një lufte. Të shqetësuara për fatet e “paqes evropiane”, kancelaritë e Fuqive të Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme. Pikërisht gjatë këtyre bisedimeve në prapaskenë u përcaktuan, në vija të përgjithshme, zgjidhjet e kompromisit me anë të lëshimeve reciproke. Kështu, Rusia hoqi dorë nga plani i saj për ndarjen e të gjitha tokave shqiptare ndërmjet aleatëve fitimtarë dhe u pajtua me idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Ajo pranoi gjithashtu të mos ngulte këmbë për daljen tokësore të Serbisë në Adriatik, por të kënaqej vetëm me daljen e saj ekonomike. Nga ana e vet, Austro-Hungaria u bashkua me kërkesën e Rusisë, të përkrahur aktivisht edhe nga Franca, për të krijuar një shtet shqiptar autonom të varur nga Turqia, të cilin ajo e kishte parashikuar qysh më parë si një variant të mundshëm të zgjidhjes së cështjes shqiptare, krahas asaj të pavarësisë. Vec asaj, Vjena premtonte që në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë të merrej parasysh edhe “e drejta e kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë, si shtete fituese në luftë. Në këtë mënyrë, populli shqiptar denohej që më parë të vuante pasojat e një luftë që as e kishte shpallur, as e kishte humbur.
Marrëveshja e arritur ndërmjet dy kundërshtarëve kryesorë në cështjen shqiptare gjatë takimeve paraprake, krijoi mbështetjen për një veprim diplomatik të përbashkët të Gjashtë Fuqive kundër aleatëve ballkankikë. Tani jo vetëm Austro-Hungaria dhe aleatët e saj të Lidhjes Tripalëshe, por edhe Rusia me Fuqitë e tjera të Antantës, filluan të bënin trysni mbi shtetet ballkanike për të rishikuar synimet e tyre. Të ndodhur përballë trysnisë së kombinuar të Fuqive dhe të lëvizjes shqiptare për të mbrojtur truallin kombëtar, aleatët ballkanikë u detyruan të pranonin autonominë e Shqipërisë. Ata deklaruan gjithashtu se do t’i nënshtroheshin vendimit përfundimtar të Fuqive të Mëdha për caktimin e kufijve.Duke e futur ceshtjen shqiptare në kuadrin e marrëveshjes së Fuqive të Mëdha dhe duke e lënë zgjidhjen e saj vetëm në kompetencën e tyre, asnjëra prej Fuqive nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti e zyrtarisht kërkesave telegrafike që Ismail Qemali bëri më 28 nëntor 1912 për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.
Gjetja e një platforme pak a shumë të bashkërënduar për cështjen shqiptare në bisedimet e fshehta bëri të mundur edhe marrëveshjen e Gjashtë Fuqive për mbledhjen e përfaqësuesve të tyre në Londër, e cila do të shqyrtonte problemet kryesore të shtruara nga Lufta Ballkanike. Pesë Fuqitë e Mëdha të kontinentit u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre në Londër, kurse Anglia dërgoi aty ministrin e saj të Jashtëm Eduard Grey. Në Konferencën e Londrës nuk morën pjesë shtetet e interesuara drejtëpërsëdrejti: as aleatët ballkanikë, as Shqipëria. Por të parët kishin të drejtë t’i formulonin zyrtarisht kërkesat e tyre (vecanërisht kërkesat territoriale) në një konferencë tjetër që u mbajt në të njëjtën kohë në Londër, në Konferencën e Paqes ndërmjet shteteve ballkanike fitimtare dhe Turqisë së mundur. Vetëm zëri i Shqipërisë mbetej pa u dëgjuar, sepse formula e pavarësisë vazhdonte të mospërfillej dhe Qeveria e Vlorës mund të vepronte shumë-shumë nga jashtë, pa e angazhuar aspak Konferencën dhe Fuqitë pjesëmarrëse.
Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në Londër, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme të ministrit të Jashtëm anglez. Që në ditën e parë të punimeve të saj, më 17 dhjetor, Konferenca mori në shqyrtim cështjen shqiptare. Cështja u diskutua në dy aspektet e saj kryesore: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve. Mbi bazën e pikëpamjeve të shkëmbyera që më parë Konferenca mori edhe vendimet përkatëse. Për pikën e parë ambasadorët vendosën që “të krijohej” një Shqipëri autonome “nën sovranitetin ose suzeranitetin e sulltanit”, që ajo të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive” dhe të shpallej “asnjanëse”. Ky vendim i Konferencës, ndonëse vuloste dështimin e planeve shoviniste të qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, ishte një hap prapa në krahasim me vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe, përgjithësisht, binte në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, prej nëntorit e këtej. Ndërsa Kuvendi i Vlorës kishte shpallur shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe pavarësinë e saj të plotë, Konferenca e Londrës vendosi ta linte atë ende në kuadrin e Perandorisë, duke i njohur vetëm të drejtën e autonomisë së brendshme.
Vec kësaj, Konferenca e Londrës vendosi të mos përfillte asgjë nga gjithë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e gjalla të vendit. Kështu, ajo ngarkoi Austro-Hungarinë e Italinë, si një lëshim për “interesat e tyre të posacme” në Shqipëri, që të hartonin dhe të paraqitnin një projekt më të hollësishëm të organizimit të shtetit autonom shqiptar.
Në lidhje me kufijtë, në seancën e saj të parë, Konferenca mori vetëm vendime të përgjithshme. Ajo vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kjo kishte të mirën e saj, sepse duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, i mbyllej rruga shtrirjes tokësore të Serbisë drejt Adriatikut. Por kërkesa e vjetër e Serbisë për një “dalje në Adriatik” nuk u hodh krejtësisht poshtë. Ambasadorët i njohën Serbisë të drejtën që të kishte një dalje tregtare në det nëpërmjet një skele shqiptare “të lirë dhe asnjanëse”. Kjo skele do të shfrytëzohej nëpërmjet një hekurudhë ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posacme ndërkombëtare me liri kalimi për të gjitha llojet e mallrave, duke përfshirë edhe materialet e luftës. Ky ishte cungimi i parë që i bëhej sovranitetit tokësor të shtetit të ri shqiptar.
Në seancën e saj të parë Konferenca e Londrës nuk gjeti zgjidhje përfundimtare për asnjë nga aspektet e rëndësishme të cështjes shqiptare. Gjatë punimeve të saj, deri në maj 1913, me disa ndërprerje të diktuara nga rifillimi i Luftës Ballkanike, Konferenca e Londrës u mor gati krejtësisht me cështjen e kufijve të Shqipërisë. Këtu u ndeshën si kërkesat e palëve të interesuara drejtpërsëdrejti, ashtu edhe pikëpamjet e Fuqive që qëndronin prapa tyre.
Që në fund të dhjetorit e në fillim të janarit qeveritë e shteteve aleate të Ballkanit i paraqitën Konferencës pikëpamjet e tyre mbi ndryshimet territoriale, që duhej të bëheshin në Gadishull pas lufte. Mirëpo, krahas këtyre kërkesave të drejta, të mbështetura në parimin e kombësisë, aleatët ballkanikë shfaqën edhe pretendime krejt të tepruara, të nxitura nga lakmitë shoviniste. Këto pretendime preknin, në radhë të parë, toka të banuara nga popullsi shqiptare.
Kështu, Greqia kërkonte, përvec krahinave greke të Thesalisë, edhe viset e Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cënohej nga grupet e vogla grekofone të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsinë vendase. Për aneksimin e këtyre tokave diplomacia greke dhe shtypi shovinist grek zhvilluan një fushatë të gjerë brenda dhe jashtë Greqisë. Qeveria serbe, nga ana tjetër, përfshinte në listën e kërkesave të saj dhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë si më parë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufi të tij me Shqipërinë të caktohej lumi i Matit, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.
Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Aty shtroheshin kërkesat e ligjshme të Shqipërisë. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e aëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën e Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Qeveria e Vlorës paraqiti në këtë memorandum maksimumin e kërkesave të saj tërritoriale për të qenë në gjendje pastaj të ruante një hapësirë e nevojshme për kompromiset e pashmangshme, që do të duhej të bëheshin gjatë traktativave në Konferencë e jashtë saj. Memorandumi përfundonte duke hedhur poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti që kryengritjet e vazhdueshme shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në cështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan.
Ashtu si për cështjen shqiptare në tërësi, edhe për cështjen shqiptare në tërësi, edhe për cështjen e vecante të kufijve të Shqipërisë, lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua kryesisht ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Austro-Hungaria u përpoq t’i fshihte synimet e veta në Ballkan duke dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Monarkia e dyfishtë ishte vetë një konglomerat popujsh e kombësish, që turpëzonte mohimin e parimit të kombësisë. Në të vërtetë, e frikësuar nga vrulli i ri i “nacionalizmit” në popujt e Gadishullit (që mund të kthehej shpejt kundër saj), ajo synonte të përdorte shtetin shqiptar si element të ekuilibrit të ri në Ballkan. Vjena shpejt e bëri të qartë se nuk ishte për një zbatim absolut e pikë për pikë të parimit etnik. Përfaqësuesi i saj në Londër deklaroi në fund të dhjetorit, në një nga seancat e Konferencës, se “tokat e banuara krejtësisht nga popullsi shqiptare nuk duhej t’i shkëputeshin Shqipërisë”, ndërsa krahinat ku shqiptarët mund të përbënin edhe shumicën e popullsisë, mund të ishin objekt i kompromisit ndërmjet Fuqive dhe mund të përdoreshin për të plotësuar aspiratat e shteteve për zgjerim.
Idetë e veta për caktimin e kufijve Austro-Hungaria i konkretizoi në një projekt-hartë të Shqipërisë, që ia paraqiti Konferencën me kërkesën e kësaj të fundit për të pasur si bazë për diskutim. Sipas këtij projekti, në veri vija kufitare kalonte përgjatë Bunës, duke ndjekur drejtimin e vjetër të kufirit të Malit të Zi me Turqinë deri afër Rzhanicës. Prej këtej vazhdonte në trajtë gjysmërrethi dhe, duke kaluar në jug të Gucisë e të Plavës, merrte drejtimin për në afërsitë e Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit që përfshiheshin në Shqipëri. Nga Prizreni kufiri zbriste në jug dhe mbërrinte në malet midis liqenit të Ohrit e liqenit të Prespës, duke i përfshirë qytetet e Dibrës e të Ohrit brenda tokave shqiptare. Më tej, drejt jugut e juglindjes, kufiri linte Korcën e Janinën në anën e Shqipërisë dhe në fund ndiqte rrjedhën e lumit Kalamas për të dalë në detin Jon, në jug të ishullit të Korfuzit. Sic shihet, vetë projekti austro-hungarez largohej nga parimi etnik si në dëm të shqiptarëve, ashtu edhe në dëm të fqinjëve të jugut. Por, sic patën theksuar vetë diplomatët e Austro-Hungarisë, kjo nuk bëhej pa qëllim. Ky variant i duhej Vjenës si një bazë më të përshtatshme për bisedimet dhe për kompromiset e ardhshme në Konferencë, për t pasur sa më shumë “objekte për shkëmbim”.
Një projekt-hartë iu paraqit Konferencës nga Rusia, e cila parashikonte një cungim më të madh të tokave të Shqipërisë. Sipas këtij projketi, vija kufitare në veri nisej nga deti Adriatik, afër degës së Drinit, duke lënë jasht kufijve të shtetit shqiptar Shkodrën dhe gjithë trevën veriore të Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi, pastaj merrte drejtimin për në lindje deri te bashkimi i Drinit të Bardhë me Drinin e Zi, ndiqte rrjedhën e Drinit të Zi duke lënë jashtë të gjitha qytetet e tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit dhe arrinte deri te liqeni i Ohrit. Me tej, kufiri zbriste në jug, gati në vijë të drejtë, kthehej pastaj drejt perëndimit për të dalë në detin Jon te kepi Qefali, duke lënë jashtë Shqipërisë Korcën, Delvinën, Sarandën e gjithë Camërinë.
Konferenca e Londrës nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e cështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik, qoftë edhe në trajtën gjysmake që mori ai në propozimin e Austro-Hungarisë. Prandaj, prej fillimit të janarit, në Konferencë vendin e shkëmbimit të pikëpamjeve në parim rreth kufijve e zunë tratativat e zgjatura në dëm të tërësisë së krahinave shqiptare.
Deri nga fundi i marsit mbledhjet e ambasadorëve u morën më shumë me kufijtë veriorë e verilindorë. Diskutimet kishin pamjen e një ballafaqimi të drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë e të Rusisë, të cilat u grindën për cdo qytet a krahinë shqiptare të veriut. Kjo i vonoi pak, por nuk i pezulloi krejt punimet e Konferencës së Londrës. Në sipërfaqe filloi të dalë gjithnjë cështja e Shkodrës, e cila u bë strumbullari i gjitë cështjes së kufijve në veri. Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca, nga Anglia dhe, në këtë pikë, edhe nga Italia.
Në këto rrethana Austro-Hungaria njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej fare nga Konferenca e Londrës, në qoftë se nuk arrihej marrëveshja për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë. Kjo pati si pasojë të parë që Italia të ndryshonte qëndrim në cështjen e Shkodrës dhe të rreshtohej në anën e Austro-Hungarisë. Por bisedimet treguan se ishte e nevojshme të bëheshin lëshime nga të dyja palët. Rusia bëri të ditur se mund të pajtohej me idenë që Shkodra të lihej brenda Shqipërisë, por kërkonte t’i jepeshin Malit të Zi gjithë liqenin e Shkodrës e Mali i Taraboshit, kurse Serbisë Gjakova, Dibra e Luma. Meqenëse kjo u kundërshtua bashkërisht nga Fuqitë e Tripalëshit, Konferenca e Ambasadorëve mbeti në një pikë të vdekur. Për më se një muaj bisedimet u zhvilluan jashtë Konferencës, por gjithmonë me ndërmjetësinë e ministrit e Jashtëm anglez. Për ta zgjidhur cështjen të dy palët u detyruan të bënin lëshime t reja. Rusia hoqi dorë nga kërkesat për liqenin e Shkodrës, Taraboshin e Lumën, kurse Austro-Hungaria, e shqetësuar për fatin e Shkodrës që rrezikohej të binte në duart e serbo-malazezëve, vendosi të sakrifikonte edhe Gjakovën. Më 22 mars Konferenca u mblodh për të sanksionuar marrëveshjen përfundimtare të Fuqive mbi kufijtë e veriut. Në kundërshtim të hapur me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive vendase, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe tokat e Shqipërisë Lindore (të quajtura Maqedoni Perëndimore).
Kur mund të mendohej se vështirësitë kryesore për kufijtë e veriut u kapërcyen, ndërlikime të reja ndërkombëtare lindën për shkak të kapitullimit të garnizonit turk të Shkodrës nga fundi i prillit. Pushtimi i qytetit nga trupat malazeze shkaktoi një pështjellim të ri në Konferencën e Londrës dhe në kancelaritë evropiane. Me kërkesën e Vjenës, me të cilën u bashkua tani më fort edhe Roma, Fuqitë bënë një përcapje kolektive në Cetinë dhe i deklaruan mbretit Nikolla se pushtimi i Shkodrës nuk do ta zhvleftësonte marrëveshjen e 22 marsit. Por Mali i Zi, ndonëse në fillim të muajit shpalli se do t’i nënshtrohej vullnetit të Fuqive, përsëri ngurronte ta linte Shkodrën.
Pafuqia e Konferencës së Londrës për të siguruar zbatimin e vendimeve mbi kufijtë e Shqipërisë u dha shkas Austro-Hungarisë e Italisë të lidhnin, më 8 maj, një marrëveshje të fshehtë, me anën e së cilës parashikonin mundësinë e pushtimit të Shqipërisë me forcat e tyre të armatosura, duke e ndarë territorin e saj në dy pjesë të barabarta: Austro-Hungaria krahinat mbi lumin Shkumbin, Italia ato në jug të lumit. Lajmet mbi bisedimet e fshehta ndërmjet Vjenës dhe Romës i shtynë Fuqitë e tjera, përfshirë edhe Rusinë, të kapërcenin ngurrimet, të ndërhynin më energjikisht në Cetinë e, po qe nevoja, edhe ushtarakisht në Shkodër për ta mbyllur njëherë e mirë këtë cështje. E trembur, qeveria malazeze vendosi që më në fund, më 14 maj, t’i tërhiqte trupat e saj nga Shkodra.
Konferenca e Londrës filloi të merrej me cështjen e caktimit të kufirit shqiptaro-grek vetëm nga gjysma e dytë e muajit mars, pasi u arrit marrëveshja për kufijtë veriore e verilindorë. Deri në këtë kohë cështja ishte diskutuar jashtë Konferencës, sidomos ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat kishin përcaktuar që më parë qëndrimin e përbashkët që do ta mbanin në Konferencë. Italia merrte rolin kryesor gjatë diskutimit të kufirit në jug. Më 19 mars përfaqësuesi i Italisë paraqiti në Konferencë projektin e bashkërënduar austro-italian. Janina i jepej Greqisë, kurse Korca dhe Gjirokastra i mbeteshin Shqipërisë. Sipas këtij projekti, vija e kufirit do të niste nga liqeni i Prespës dhe do të dilte në detin Jon, në derdhje të lumit Kalamas. Ky propozim ndeshi në kundërshtimin e Fuqive të Antantës, të cilat përkrahnin pikëpamjen greke dhe kërkonin që edhe krahinat e Korcës dhe Gjirokastrës t’i jepeshin Greqisë. Në mënyrë të vecantë, Franca, e përkrahur edhe nga Gjermania, ngulte këmbë që bregdeti përballë ishullit të Korfuzit të përfshihej brenda kufijve të Greqisë.
Mirëpo Italia shikonte këtu rrezikun e krijimit të një baze të madhe detare në ujërat e Kanalit të Korfuzit, gjë që prekte interesat e saj strategjike në këtë zonë. Me nxitjen sidomos të qarqeve ushtarake, qeveria italiane deklaroi se do ta kundërshtonte me cdo mjet daljen e forcave greke në bregun lindor të kanalit, qoftë edhe duke përdorur forcën e armëve. Kjo u bë shkak për një farë tensioni në Konferencë. Por vetë Italia, për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje, propozoi si kufi në bregdet jo derdhjen e lumit Kalama, por Kepin Stilo përballë Korfuzit.
Marrëveshja për kufirin në bregdet u arrit në qershor sipas propozimit të Italisë. Por u deshën edhe dy muaj të tjerë bisedimesh jashtë Konferencës për të zgjidhur kontradiktat lidhur me kufirin në thellësi të vendit (Korca, Gjirokastra) dhe për të realizuar kështu marrëveshjen e plotë për gjithë kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Roma dhe Vjena vendosën të mos bënin më asnjë lëshim dhe njoftuan se i quanin Korcën në lindje dhe kepin Stilo në jugperëndim “shtyllat e Herkulit” të Shqipërisë.
Së fundi, pas mjaft diskutimesh, Konferenca e Ambasadorëve në mbledhjen e 11 gushtit 1913 vendosi që kufiri i Shqipërisë në jug të përfshihte Korcën dhe të dilte në bregdet në Kepin Stilo. Ishulli i Sazanit i mbetej gjithashtu Shqipërisë. Por ky ishte një vendim tepër i përgjithshëm, që linte të papërcaktuara shumë gjëra e midis tyre edhe fatin e Gjirokastrës. Të gjitha këto u lanë të sqaroheshin përfundimisht pas mbarimit të Konferencës , gjatë fazës së caktimit në vend të kufijve të Shqipërisë. Për këtë qëllim Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare, njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Pasi kishte vendosur shkëputjen e krahinave të tëra shqiptare në veri, Konferenca i vuri si kritër pune komisionit kufitar në jug që gjatë caktimit të kufirit në vend t’i përmbahej parimit të kombinuar etnikogjeografik. Me ngritjen e këtyre komisioneve, Konferenca e Ambasadorëve u dha fund punimeve më 12 gusht 1913. Por lufta diplomatike rreth kufijve të Shqipërisë nuk mbaroi me mbylljen e Konferencës, vetëm qendra e saj u zhvendos nga pallatet e kryeqytetit anglez në malet e Shqipërisë.
Gjatë punimeve të saj lidhur me kufijtë e Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve nuk përfilli asnjëherë aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet e tepruara të shteteve ballkanike. Mjafton të përmendet se me kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra (Kosova në veri, Camëria në jug), të cilat, jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokë shumë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare e kishin dhënë kontribut shumë të cmuar në luftën me armë për clirimin e vendit nga zgjedha osmane.
E. Grey, duke folur për caktimin e kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, deklaronte më 12 gusht në Dhomën e Komuneve: “Unë e di fare mirë se kur gjithcka do të bëhet e njohur, kjo (zgjidhje) në shumë pika do të japë shkas për kritika të mëdha nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon cështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhet marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më e rëndësishme në të mirë të paqes së Evropës.
Në këtë mënyrë, vetë ministri i Jashtëm i Anglisë, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, njihte tërthorazi padrejtësinë e vendimit për kufijtë e Shqipërisë dhe përpiqej disi ta justifikonte, duke e paraqitur si një “kurban” i domosdoshëm në altarin e paqes evropiane.
(Marrë nga libri “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi i tretë, f. 18-27)


Leave a Reply