Arseola Mulia
Gjykata e Krimeve të Rënda, ka nisur shqyrtimin e dosjes gjyqësore në ngarkim të dy personave nga Saranda të akuzuar për shfrytëzimin e dy femrave për qëllime prostitucioni në Greqi, ndërsa çështja aktualisht është në fazën e marrjes dhe administrimit të provave. Dje duhej të dëshmonte një nga të dëmtuarat, por ajo ka munguar ndërsa pritet që të vijojë dëshminë në seancën e ardhshme. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Martin Buzheri 23 vjeç nga Saranda dhe Elton Zhupa 35 vjeç nga Saranda kishin krijuar një lidhje më qëllim shfrytëzimin për prostitucion të F. K, 17 nga Delvina. Vajza adoleshente jetonte me prindërit dhe motrën në Delvinë, kur ka rënë në kontakt me një nga personat. Gjithçka nisi F. K, ishte lidhur me të pandehurin Martin Buzheri, me të cilin dhe dilnin vazhdimisht së bashku. Ky i fundit 23 vjeçari kishte arritur t’i mbushte mendjen vajzës se e dashuronte dhe se kishte ndërmend të krijonin një marrëdhënie më serioze dhe për këtë duhej që të iknin për të jetuar bashkë në Greqi, për një jetë më të mirë. Adoleshentja që kishte kohë që dilte me Buzherin dhe kishte krijuar besim tek ai pranoi që të iknin së bashku Buzherin. Ata planifikuar për të udhëtuar së bashku dhe më pas për t’u vendosur në Greqi. Sipas hetimeve të prokurorisë mësohet se 23 vjeçari i kishte thënë vajzës që do të udhëtonin të ndihmuar nga një shoku i tij, që do t’i ndihmonte për t’i transportuar me makinë. Ky ishte i pandehuri tjetër Elton Zhupa. Udhëtimi u bë me veturën e këtij të fundit, një mjet me targa AA749 FZ, ndërsa ata kaluan nga pika e kalimit kufitar e Kakavijës në Gjirokastër.
E dëmtuara ka rrëfyer se pasi kishin mbërritur në Greqi, të tre ata kanë shkuar në një apartament, ku jetonte me qera i pandehuri tjetër i kësaj çështjeje, Elton Zhupa dhe një vajzë me emrin Anisa. Po sipas dëshmisë së 17- vjeçares në prokurori edhe kjo fundit shfrytëzohej për qëllim prostitucioni nga Zhupa 35- vjeçar. Sapo janë prezantuar, 17 vjeçares i është propozuar se do të punonte në rrugë si prostitutë dhe fitimet do të kalonin për llogari të të pandehurve Elton Zhupa dhe Martin Buzheri. Shumë shpejt vajza është vënë përballë dhunës psikologjike, fizike dhe seksuale, nga i pandehuri Elton Zhupa. Vajza e trafikuar, dëshmoi në prokurori se ka qëndruar në atë banesë, deri sa situata të neutralizohej dhe në rastin më të parë që i është dhënë, ajo është larguar nga shtëpia duke marrë me vete dhe telefonin e të pandehurit Zhupa. Këtë të fundit ajo e përdori për të komunikuar me “të dashurin” e saj, të pandehurin Martin Buzheri të cilit i ka kërkuar që të takoheshin. Më pas vajza i ka treguar që nuk dëshironte më të vazhdonte të qëndronte në Greqi. Në këtë mënyrë, ata kanë vendosur të kthehen dhe kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës, ku Martin Buzheri është prezantuar si personi me të cilin vajza kishte një lidhje dashurore. Ata kanë vendosur të jetojnë të ndarë nga familja dhe gjatë kësaj kohe, i pandehuri Martin Buzheri e ka detyruat të miturën të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të tjerë kundrejt pagesës, ku përfitimet i kalonin atij. Adoleshentja nuk ka pranuar të vazhdojë më tepër këtë punë dhe ka denoncuar në polici të fejuarin e saj, i cili është arrestuar dhe gjithashtu është arrestuar edhe bashkëpunëtori tjetër i tij. Të pandehurit akuzohen nga prokurori për veprën penale “trafikim i të miturve” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 123/b/3. Të pandehurit janë në paraburgim, dhe çështja në ngarkim të tyre po zhvillohet ne Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku aktualisht, procesi është në fazën e marrjes së provave.
Shekulli


Leave a Reply