
20:03 – Kristiano Ronaldo ka fituar për herë të tretë në karrierën e tij “Topin e Artë”, përballë dy rivalëve Manuel Nojer dhe Lionel Mesi.
Triumfi i tij ishte parashikuar edhe nga kompanitë e basteve, por gjithashtu edhe nga një pjesë e mirë e gazetarëve sportivë.
Pas shpalljes fitues, Ronaldo falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe votuar.
“Unë po shoh nënën time, familjen time. Do doja të falënderoja të gjithë ata që votuan për mua; trajnerin tim, shokët e mi futbollistë dhe presidentin e klubit tim”, tha Ronaldo.
“Ka qenë një vit i paharrueshëm. Të fitosh një trofe të tillë, një trofe të këtij lloji, është diçka unike dhe gjithçka që mund të them është që dua të vazhdoj të punoj fort siç kam bërë deri tani, duke u përpjekur të marr sa më shumë tituj, individual dhe si skuadër, për mamanë time, për babanë tim i cili është atje (sipër) duke më parë dhe për djalin tim”.
Ronaldo kishte marrë 37.66 për qind të votave, krahasuar me Lionel Mesin që kishte 15.76 për qind dhe Manuel Nojer me 15.72.
18:44- Skuadra e Vitit:
Formacioni: 4-3-3: Manuel Nojer; Filip Lahm, Serxhio Ramos, David Luis, Tiago Silva; Andres Injesta, Toni Kros, Angel Di Maria; Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Arjan Roben.
-Trajneri i Viti: Joakim Lëv
Tekniku i Gjermanisë u shpall trajneri më i mirë i vitit 2014 dhe kjo sigurisht falë triumfit në Kupën e Botës në Brazil. Ai fitoi në këtë garë përballë trajnerit të Atletikos së Madridit dhe atij të Realit të Madridit, Karlo Ançeloti.
– Çmimi “Puskas”: Hames Rodrigues
Sulmuesi i Kolumbisë dhe Realit të Madridit fitoi çmimin për golin më të mirë të vitit. Rivalët e tij ishin sulmuesja e kombëtares irlandeze për femrat Stephanie Roche dhe sulmuesi i Holandës, Robi van Persi.
Futbollistja e vitit: Nadine Kessler
Sulmuesja e Volfsburgut dhe Gjermanisë ka bërë një sezon fantastik duke fituar Botërorin për femra.
– Çmimin presidencial të FIFA-s e fitoi Hiroshi Kagawa, ish-futbollisti japonez dhe aktualisht një ndër gazetarët e futbollit më me ndikimi në botë dhe Japoni.
– Trajneri i Vitit për futbollin e femrave shpallet Ralf Kellermann, trajneri i skuadrës së femrave të Volfsburgut.
– Çmimi i FIFA-s “Fair Play”: Vullnetarët e FIFA
Ky çmim shkon për të gjithë mbështetësit dhe punonjësi e FIFA-s që bënë të mundur organizimin e Kupës së Botës në Brazil
17:53 – “Topi i Artë” nis me surpriza, Mesi: S’e di ku do të jem vitin tjetër
Lionel Mesi ka zgjedhur pikërisht ceremoninë gala të “Topit të Artë” në Zyrih për të folur për të ardhmen e tij.
Teksa është pyetur nga gazetarët për të ardhmen e tij gjatë daljes së përbashkët në prag të dhënies së “Topit të Artë”, argjentinasi ka lënë të nënkuptohet se nuk do të ishte keq një eksperiencë e re.
“Nuk jam i sigurt se ku do të jem vitin e ardhshëm. Në botën e futbollit shumë gjëra mund të ndryshojnë brenda natës”, tha Mesi.
I përbetuar se do ta mbyllë karrierën e tij tek Barcelona, kjo deklaratë e tij mund të ketë shkaktuar një “tërmet” tek drejtuesit e klubit katalanas.
17:11 – Mesi: Ronaldo, i jashtëzakonshëm
Ronaldo: Do doja t’i kisha në skuadër
Kur kanë mbetur edhe më pak se tre orë nga ceremonia gala e FIFA-s në Zyrih për dhënien e “Topit të Artë”, dy rivalët historikë, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi këtë vit kanë zgjedhur të bëjnë paqe.
Pavarësisht se në fushën e blertë janë rivalë , “Pleshti” nuk ka nguruar t’i thurë elozhe Ronaldos para gazetarëve gjatë një prezantimi të përbashkët.
Mesi i ka befasuar të pranishmit duke thënë se Ronaldo kishte një vit të jashtëzakonshëm dhe është një lojtar i shkëlqyer.
“Në çdo vit ne kemi objektive të njëjta. Dëshirojmë të triumfojmë në çdo garë që jemi duke luajtur. Ajo që ka bërë Ronaldo gjatë këtij sezoni ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Ai kishte një vit të jashtëzakonshëm”, tha lojtari argjentinas dhe katër herë fituesi i “Topit të Artë”.
Në anën tjetër, Kristiano Ronaldo e ka shprehur në një mënyrë tjetër konsideratën që ka për Mesin, duke thënë se çdo gjë që e bën futbollin më të bukur është e mirë dhe e rëndësishme.
“Gjithçka që e bën futbollin të jetë më i bukur është e mirë dhe e rëndësishme. Do të ishte një gjë e shkëlqyer nëse unë, Nojeri dhe Mesi do të ishim pjesë e një skuadre. Do doja që këta dy rivalë të sotëm të bashkohen me skuadrën time”, tha Ronaldo.
Edhe gardiani i portës gjermane kishte vetëm fjalë të mirë për rivalët e tij. Për Nojerin, Ronaldo ishte lojtari kyç i sukseseve të Realit sezonin e shkuar.
“Konfirmoj atë që tha Mesi, ai ka pasur një vit spektakolar. Ai ishte një lojtar kyç në të gjitha fitoret e Real Madridit. Në theln, ai ishte vendimtari i ndeshjeve. Përveç golave të shënuar, ai ka ofruar shumë asistime. Është një lojtar i klasit botëror dhe ne të gjithë e dimë këtë”, tha Nojer.
Shekulli


Leave a Reply