
■Numërimi mbrapsht ka kohë që ka filluar. Edhe 24 orë. Rruga drejt ëndrrës evropiane më në fund u hap. Ka qenë ky motivi që i ka bërë bashkë rrëfenjat e grave të larguara me anijet e tejmbushura 20 vite më parë. Vitore Stefa Leka, njëra prej tyre, ka qenë nismëtarja e bashkimit të këtyre copëzave të historisë. Pritje, lot, dhunë, këto e të tjera peripeci që ndodhnin përditë në kazermat e ushtarëve që përdoreshin për emigrantët, janë tashmë vite larg…
Me disa u pamë, më pas, veç në ëndrra… Përmbledhtas, nëse do t’i bashkonim gjithë të ‘ikurit’ e viteve të para të demokracisë, do ta brohorisnin këtë frazë (ndër të tjera) njëzëri. Në rastin më të mirë, shumë prej të larguarve me ambasadat apo edhe pak më vonë, me mbidyndjet e anijeve të marsit 1991, kanë arritur të shohin të afërm e familjare, vite më vonë. Por shumë syresh nuk janë rigjetur kurrë. Për sa ditë e vite me radhë, nënat e djemve të larguar rrinin me sytë nga deti në pritje të një shenje, të një fjale, që vonoi të vinte. Të lexosh historitë e atyre që i kanë ruajtur fort kujtimet (nëse do mund të harroheshin!), të mbërthen një ndjesi jo e mirë. Përshkrimet e atyre skenave përngjajnë me ngjarje filmash “thriller”, që tek e fundit, vendos edhe të mos i shohësh. Por në këtë rast, nuk mund ta ndalësh leximin pa mësuar fundin e historisë. Përmbledhja e copëzave të jetës “Teutat Shqiptare në Botë”, ka sjellë zërin e shumë grave e nënave që u zvarritën me këmbë e me duar derisa mbërritën në anën tjetër të botës. Atje ku pa menduar, shihnin e mendoni zgjidhjen, por që shpesh qëllonte të ndodhte krejt e kundërta. Janë gra e intelektuale nga mbarë Shqipëria, që risjellin në kujtesë luftën me jetën, që u është dashur të përballojnë 20 vite të shkuar. Çapitjet për të mbijetuar, duke u ushqyer edhe nga kazanët e mbeturinave, nga lëmoshat e cilitdo zemërgjerë. E nëse fati do ju buzëqeshte pak, në këto çapitje do arrinin me zor edhe të shkolloheshin deri sa më në fund të krijonin, të paktën pjesa që rrëfehet në libër, një profil të tyre që më së shumti synon në integrimin e shqiptarëve kudo që janë jashtë atdheut. Nuk është e rastësishme dalja e këtij libri pikërisht në kohën kur Parlamenti Evropian pritet të lëshojë fjalën e fundit për heqjen e vizave të shqiptarëve në vendet e BE-së. Mund të shohim e kuptojmë fare qartë diferencën mes dy skajeve të këtyre 20 viteve. Nëpërmjet përjetimeve e rrëfenjave të këtyre grave, do të mund të prekim të shkuarën e hidhur, por në fund, me gjithë tronditjen që të shkaktojnë ato kujtime, të paktën jemi të sigurt që askush më nuk ka për të ndenjur me ditë e net të tëra, në bordurat e porteve, me sytë nga deti…
Vitore Stefa Leka Peshku i parë dhe i fundit…
Mbaj mend se atë ditë kisha blerë peshk nga ai njëzetlekëshi, por s’kisha vajgur për furnelën. Bidonin e kisha lënë në radhë, që në mëngjes, po vajguri s’kishte ardhur. Shoh Tanin që preu një copë bukë dyzetëshe, e leu me vaj e kripë dhe bënte ca lëvizje të pakontrolluara. Më përqafonte kot, më shikonte në sy në një mënyrë të veçantë. -Një herë që do hanim peshk! -E di atë barsoletën me peshkun- më tha? -Ik o bir se s’ta kam qejfin! -Pa ta thënë s’të lë unë. Më hodhi duart në qafë dhe vazhdoi. -Një peshkatar vajti për të peshkuar. Zuri një peshk të madh e duke u kthyer për shtëpi po mendonte “të kisha një gotë raki do të isha kënaqur sonte me këtë meze të rrallë”. Sapo hyri i thirri gruas: “Laje peshkun, doli darka sonte!”. ‘S’kemi ujë mor burrë, s’ka ardhur çezma gjithë ditën”. “E mirë vër tiganin se e rregulloj unë”. “As vaj e as vajguri nuk ka”. Burri u nxeh dhe shkoi e lëshoi peshkun në det. Peshku i lumtur që shpëtoi shkoi u tregonte këtë peshqve të tjerë. Një peshk tjetër i tha: Thuaj rroftë Partia që re në grackë në këtë shtet, se të ishe kapur gjetkë, tani kushedi në ç’bark do ishe!” -Mos i thuaj këto barcoleta mor bir, – i thashë e trembur, – do hash ndonjë burg për agjitacion e propagandë! -Mirë plake, po iki unë. -Mos u vono, ja sikur erdhi vajguri! M’u hodh dhe më puthi fort. Kur po dilte nga dera u kthye nga unë dhe po më shihte me ca sy që më ngjanë shumë të mëdhenj. Befas u kthye dhe një herë. Më puthi fort dhe u largua. Atë ditë as vajguri nuk erdhi, as Artani që më shihte e më puthte. Qe biseda e fundit me tim bir, i cili po atë natë hyri në Ambasadën Franceze.
* * *
Pasi isha shfryrë mirë aty në bregdet, u ktheva në shtëpi, duke i thënë djalit të vogël se “lali i madh iku që të të sjellë ty gjëra të bukura dhe të na marrë shumë shpejt me vete”. -Mama e Tanit…. M’u përlotën sytë menjëherë. Isha e shkatërruar nga të qarët. -Urdhëro, të keqen nëna! -Kam punuar me Tanin në kantier, e njoh mirë.. Edhe unë do ikja po kam plakën vetëm, të sëmurë! Merre këtë letër dhe këto. ‘Këto’ ishin treqind lekë të vjetra, mbështjellë brenda letrës. Letërprurësi rrinte si i habitur nga dridhjet apo frika ime dhe shtoi: Sa letra e lekë janë gjet sot, që kanë hedh ata!.. Lexova: “Kush ta gjejë këtë letër, i lutem ta çojë në shtëpinë time”. Aty ishte adresa jonë, emri dhe mbiemri i tim biri, si dhe dy fjalë “Mendoj unë për ju! Pas pak shkojmë drejt Francës! Mami, më fal!”
Alida Hisku
Për një paketë cigare..
Alida Hisku
Për një paketë cigare… Kaluan dy javë nga hyrja në Gjermani, në një mal me dëborë, në lindje të saj, na priste kampi i refugjatëve. Ditët e javët kalonin e ne nuk kuptonim se ç’bëhej me ne. Ditët e fundit të atij janari të acartë na degdisën në një tjetër kamp rrethuar me gjemba. Nisën të na bënin analiza, foto e të na merrnin gjurmët e gishtërinjve. Na dukej vetja derra e jo njerëz. Së bashku me djemtë kaluam një muaj në atë vend, më pas përsëri na transferuan në një fshat kufitar, shumë larg. Edhe këtu ishte një kazermë ushtarësh e braktisur, që shfrytëzohej për emigrantët. Kushtet ishin në ekstrem të mbijetesës. Për të nxjerrë pak para për ndonjë cigare a çokollatë, pastroja nevojtoret e kazermës me 350 emigrantë nga e gjithë bota. Do të bëja gjithçka për të mirën e fëmijëve, ndaj mora pjesë në një grevë urie që të fitoja të drejtën e fëmijëve për të ndjekur shkollën. Mbas tri vitesh me luftë e sakrifica munda të dal nga kampi e të vendosem në qytetin aty afër, duke filluar kështu një jetë të thjeshtë e të varfër. Djemtë shkonin në shkollë e unë pastroja gjithë ditën shtëpitë dhe restorantet e gjermanëve. Mbrëmjeve më hipnin djemtë në kurriz për të më fërkuar kockat që më dhembnin shumë. Paguaja qiranë e shtëpisë, ndërsa për të ngrënë shkonim në kishë ose kërkonim në kazanët e mbeturinave. Shtëpinë e mobiluam me plaçkat që gjenim në rrugë… Më 1993 punoja pastruese në një hotel. Aty u njoha me Tomin….
Katerina Koti
Të ikim, të ikim, kjo ishte motoja, po se ku…asnjë s’dinte ta tregonte saktë. Si të gjithë, edhe jeta ime mori formë tjetër! U tjetërsova edhe unë. Po si unë, edhe kolektivi i aktorëve në teatër… Pavarësisht se dukeshim si të ‘privilegjuarit’ e sistemit, por po ju them dhe mendoj se ne artistët, poetët dhe shkrimtarët, e vuanim regjimin më shumë se kushdo, sepse artin e përdornim të telekomanduar dhe e vinim në jetë, sipas udhëzimeve të ‘Partisë’. Ngjarjet nisën të rrokulliseshin me shpejtësi marramendëse, shpejt erdhi Marsi 1991! Anijet e Marsit… Meqë banoja në Durrës, e mora vesh ndër të parat se në mbrëmje niseshin anijet. Lajmi u hap si rrufe dhe u dyndën njerëz jo vetëm nga Durrësi e rrethinat, por nga të gjitha rrethet. Një zë më thoshte: Keti ç’pret! Ik edhe ti!, po një ndjenjë tjetër, më e fortë, s’më bënte të largohesha. Mes turbullirës, konfuzionit dhe hutimit dëgjoja zërat e shokëve të mi, nga sipër anijes: Keti hajde… Ketiii, dhe Keti shpejt, ishte atje me ata. Nisëm rrugën drejt ‘shpresës së madhe’, drejt së panjohurës.
Zamira Bushati
Internim, ‘arratisje’,integrim…
Përmbysja e madhe e sistemit më të egër që ka parë historia shqiptare, sistemit diktatorial, më gjeti në vitin e parë të fakultetit, por kjo nuk më pengoi t’u bashkohesha menjëherë protestave të zhvilluara nga i gjithë populli, pasi vija nga një familje që e kishte provuar në kurriz kërbaçin e pamëshirshëm të gjenocidit komunist. Isha njëkohësisht nga të parat që ju bashkëngjita lëvizjes studentore dhe u bëra menjëherë anëtare e PD-së. Gjatë kësaj kohe jam njohur me Shpëtim Bushatin, me të cilin na bashkonte ideali për të ndihmuar në përmbysjen e këtij sistemi që të dyve na kishte shkatërruar familjet, e atij ca më keq, ia kishin pushkatuar të atin, Shyqyri Bushatin, pa gjyq. Takoheshim kur shtypeshin numrat e parë të gazetës “RD”, në mënyrë të fshehtë, në Poligrafik, pasi komunistët ishin ende në përpëlitjet e fundit. Më pas e kurorëzuam lidhjen tonë. Kujtoj vizitat në shtëpi të shumë politikanëve, largpamësin Ibrahim Rugova, Adem Demaçin, Rexhep Qosen, Sali Berishën, gruan e hekurt, Jozefina Topalli, Bamir Topin etj. Familja jonë priste e përcillte familje të persekutuara, pasi zyrat e shoqatës ‘Liria’ ishin në shtëpinë tonë. E fillova kështu për të bërë një pasqyrë reale të jetës dhe për të thënë që unë nuk ‘ia mbatha’ si shumë të tjerë në ato vitet e eksodit të madh, ku po largoheshin nga i ‘bënin dritë sytë’. Mund të iknim edhe ne që në hapat e para, si bënë shumë nga tanët, të persekutuarit. Më kujtohet një thënie e së ëmës së Shpëtimit, kur tha (ndoshta ajo na frenoi): “Nuk duam të tjera tragjedia, kemi jetuar jetën më mizore të internimit, me apel çdo ditë dhe pa ngopur barkun me bukë, tani ku do shkojmë? Kush po na pret? Shyqyr që u kthyem këtu në Tiranë te shtëpia e të parëve tanë. Po ikët dhe ju, kush do ta bëjë Shqipërinë?!
Nga:ANI JAUPAJ
Gazeta Panorama
Nga Arkivi


Leave a Reply