
Bujar Abedinaj PhD Candidate
Akademia e Forcave të Armatosura
Shënim: Ky punim është prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare “Tranzicioni dhe shoqëria, një qasje ndërdisiplinore”, organizuar nga Albanian University në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Tetovës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Shkodrës dhe Institutin Shqiptar të Sociologjisë, mbajtur në 6 qershor 2014 në mjediset e Albanian University.
Referenca: Abedinaj, B. Përzgjedhja inteligjente në pluralizëm (Intelligent selection in pluralism). International Conference. “Transition and society, an interdisciplinary approach”, Book of Proceedings. Albanian University Press, Tiranë, dhjetor 2014. [ISBN: 978-9928-127-47-1],f. 272-278.
Përmbledhje
Punimi nis nga premisa se zgjidhjet inteligjente janë një proces përzgjedhjeje, që rrjedh nga etimologjia latine e fjalës ‘intelligence’. Me kalimin në pluralizëm, shqiptarët ditën çfarë të braktisnin nga ideologjia mbizotëruese e periudhës komuniste, por ishin të papërgatitur se si dhe çfarë mund të përzgjidhnin midis “100 luleve dhe 100 shkollave” të pluralizmit.
Por përzgjedhja në nivelin e shkollave dhe teorive është diçka që mund të kryhet vetëm nga elitat, të cilat, më pas, u kuptua se na kishin munguar. Prandaj koha thirri në skenë universitetet e reja, aty ku mund të lindnin idetë. Ndoshta një grimcë e tillë ideje është edhe ajo çfarë synohet të përcillet me këtë punim.
Qëllimi i kësaj teme është të paraqesë një teknikë të përgjithshme të përzgjedhjes inteligjente midis elementeve të teorive dhe shkollave të ndryshme në fushat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të organizimit të brendshëm të shtetit dhe shoqërisë. Metoda e përdorur manovron me koncepte të gjera, ndërsa përfundimet synojnë të qëndrojnë sa më në përgjithësi, duke u distancuar nga pretendimi për zbatimin e tyre në çdo rast konkret.
Si konkluzion, përzgjedhja inteligjente nuk u adresohet teorive të veçanta, duke fetishizuar, ose duke u radikalizuar pas njërës apo tjetrës, por elementeve të veçanta brenda tyre, diku më tepër dhe diku më pak, kaq nga kjo dhe aq nga ajo, ose tani këtu dhe me vonë atje. Kjo përzgjedhje është puna e elitave që mbështesin vendim-marrësit e politikë-bërësit, por që më parë, këto elita duhet të formohen nga Universitetet.
Fjalë çelës: Teori, inteligjencë, marrëdhënie ndërkombëtare, analizë, sistem, ndikim.
INTELLIGENT SELECTION IN PLURALISM
Abstract
This article starts from premise that intelligent solutions are a selection process that derives from the etymology of the Latin word ‘intelligence’. Passing in pluralism, the Albanians knew what to abandon from the dominating ideology of communist period, but they were unprepared about how and what to select among “100 flowers and 100 schools” of pluralism.
But selection in the level of schools and theories is something can be performed only by the elites, which, with the passing of time, was understood that was missing. Therefore, it was time for the new universities which could rise new ideas. Perhaps, such a tiny idea is even the one that this article aims to conduct.
The intent of this work is to present a general technique of the intelligent solutions among the elements of different theories and schools in the areas of international relations and state and society internal organization. The method used handles broad concepts while the conclusions aim at standing mainly general, keeping off the pretence of their application in any concrete case.
As a conclusion, intelligent selection is not addressed to specific theories, by fetishizing or radicalizing after one or another, but to specific elements within them, somewhere more and somewhere less, some from this one and some from that one, or now here and later there. This selection is the work of the elites that support the decision makers and policy makers, but that, in the first place, these elites are to be formed by the universities.
Keywords: Theory, intelligence, international relations, analysis, system, influence.
Në vend të hyrjes
Gjatë konceptimit të këtij punimi, lidhjet me realitetin bazohen te pragmatizmi i përfundimeve, pavarësisht nivelit të abstragimit. Ndërsa koncepti bazë ka të bëjë me përmbajtjen e fjalës ‘inteligjencë’, sipas Taylor(2007), kjo fjalë është me origjinë latine dhe ka rrjedhur nga bashkimi i parashtesës “inter” (midis) me fjalën “leger” (ndërmjet). Kuptimi i “leger” lidhej me “mbledhjen e frutave dhe perimeve”, ndërsa fjala “inter” lidhej me përzgjedhjen midis tyre. Me kalimin e kohës, këto dy fjalë u kombinuan në një të vetme, dhe gradualisht kuptimi i inteligjencës evoluoi duke treguar aftësitë dhe prirjet e nevojshme për të bërë zgjedhje të mençura dhe të frytshme. Por megjithë evoluimet dhe diferencimet e mëvonshme sipas fushave të shkencave të veçanta, në brendësi të fjalës ‘inteligjencë’ thelbi ka mbetur i njëjtë. Pra, ‘inteligjenca’ është thjesht një çështje përzgjedhjeje – një lloj përzgjedhje e mençur e informacionit të domosdoshëm për të arritur një synim ose përparësi që informacioni i zakonshëm nuk e mbështet.
Pikërisht kjo lloj aftësie mendoj se ka qenë e mangët për elitën e re politike shqiptare, gjatë periudhës që mbajti përgjegjësinë e ndryshimit të sistemit nga monizmi në pluralizëm dhe drejt demokracisë, në fillim të viteve1990, por edhe më pas deri në ditët tona, pasi nuk ka treguar efektivitetin e duhur për mbushjen racionale të zbrazëtisë ideore nga mohimi i ideologjisë sunduese të kohës.
Këtu vlen të theksohet se një vlerësim i tillë vjen vetëm pas eksperiencës dhe nivelit të njohurive të arritura gjatë këtij tranzicioni, përfshirë dhe ato të marra në auditorët e Universiteteve të reja, të çelura më pas. Ndaj, ajo çfarë mendoj se mund të korrigjohet tani, identifikohet në vijim përmes një reflektimi të evoluar, se si do mund të kishim vepruar nga fillimi nëse do procedonim me njohuritë që kemi tani për raportet e shtetit midis “brenda” dhe “jashtë”.
Përzgjedhja e elementeve midis teorive në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare
Autori Robert “Robin” H. Dorff, trajton nga pozitat e strategjistit diferencat ndërmjet dy shkollave konkurruese mbi sjelljen në sistemin ndërkombëtar, realizmit dhe idealizmit, duke i quajtur këto dy shkolla më tepër si dy grupe të rëndësishme hamendësimi (ose dy shkolla mendimi), sesa si të vërteta përfundimtare, që ndihmojnë realisht për t’u udhëhequr në praktikë. Nisur nga këto vlerësime, “baza e shpjegimeve” buron nga diçka e hamendësuar, prej të cilave ne dallojmë atë “çfarë pranojmë e mendojmë” (Dorff, 2009), duke “përzgjedhur” sa nga realizmi dhe nga idealizmi, më tepër nga realizmi sesa nga idealizmi – ose anasjelltas, apo sot nga realizmi dhe nesër nga idealizmi – ose anasjelltas.
Qëllimi i kësaj përzgjedhjeje ka të bëjë me interesat. Te përkufizimi i këtyre interesave qëndron edhe përplasja më e madhe mes realistëve dhe idealistëve, por kjo nuk është punë e analistëve. Sipas Dorff (2009), “për analistin strategjik të interesuar për politikën aktuale, fokusi duhet të jetë në ndërveprimin ndërmjet niveleve të analizës”, duke nënkuptuar kryerjen e analizave në të tria nivelet. Por gjithsesi, duke u kujdesur gjithmonë për natyrën e hamendësive që bëhen, si dhe për pasojat që mund të kenë ato në analizën lidhur me sjelljen e shtetit-komb, në mënyrë që çfarëdolloj përfundimi publik të mos dëmtojë vendin e origjinës së analizës.
Objektet kryesore në të tria nivelet e analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare prej nga stafet e ndryshme të mbështetjes mund të nxjerrin përfundime të dobishme, mund të formulohen si vijon:
Analiza në nivelin e sistemit ndërkombëtar shqyrton sjelljen e shteteve për shkak të karakteristikave që shfaq sistemi. Për këtë qëllim shërben teoria e balancës së fuqisë, fokusi i së cilës është shpërndarja e fuqisë në sistemin ndërkombëtar. Karakteristikat e këtij sistemi, “…nënkuptojnë që çdo shtet ka një qëllim themelor që është ai i mbijetesës dhe duhet të jetë mbrojtës i sigurisë dhe pavarësisë së tij. Asnjë aktor tjetër në sistemin ndërkombëtar nuk do të kujdeset apo të ruajë një shtet të dhënë, një rol ky që zbatohet për individët (shtetasit e vet) nga qeveritë në shumicën e sistemeve politike të vendeve të veçanta” (Dorff, 2009).
Analiza në Nivelin e shtetit- komb (nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare) nuk është një analizë e brendshme në vetvete, por një analizë e atyre faktorëve të brendshëm që mund të përbëjnë diferencën në mënyrat e sjelljes së shteteve kombe në raportet me njëri-tjetrin. Një nga qasjet kryesore, sipas Dorff-it, e vë theksin te natyra e sistemit politik, ku regjimet politike autoritare priren t’i zgjidhin problemet duke hyrë në luftë me shtetet e tjera, ndërsa demokracitë nuk luftojnë kundër njëra-tjetrës, por përpiqen që t’i zgjidhin problemet me mënyra të tjera më paqësore.
Pra interesi i analizës së këtij niveli, nga pikëpamja strategjike, fokusohet thjesht te mundësia e hyrjes në luftë të shtetit të dhënë me shtetet e tjera në sistem, pa pasur ndonjë “kokëçarje” lidhur me atë se çfarë bëhet brenda vetë shtetit, kur ky i fundit as i ka mundësitë dhe as i shkon ‘ndërmend’ të hyjë në luftë me ndonjë shtet tjetër, pavarësisht formës së qeverisjes.
Me fjalë të tjera, kjo qasje mendoj se anashkalon faktin që, përveç luftës, ka edhe plot mënyra të tjera joluftarake që mund ta rrënojnë ose dështojnë plotësisht një vend, shtet ose komb, ndoshta shumë më keq edhe se sa vetë lufta. Një rrjedhë e tillë ngjarjesh mund të “vjedhë” kohë, pasi demokracitë nuk kanë arsye serioze për t’u shqetësuar, derisa problemet te vendi tjetër të kenë mbërritur te pragu i shpërthimit.
Analiza në nivelin individual (nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare) fokusohet kryesisht te njerëzit që marrin vendime, sepse ata përcaktojnë modelin e sjelljes ndërmjet shteteve. Për këtë arsye, kanë rëndësi perceptimet, këndvështrimet dhe pikëpamjet e aktorëve kyç (si e shohin ata botën, si I shohin ata qëllimet dhe motivimet e aktorëve të tjerë në sistem, etj.) (Dorff, 2009).
Më tej, Dorff vazhdon: “Nëse ju kërkoni të dini se përse një shtet–komb sillet në një mënyrë të caktuar, është e nevojshme që të shtroni pyetje të tilla si: Kush janë vendimmarrësit më të rëndësishëm, cilat janë motivimet, perceptimet e këndvështrimet e tyre, dhe çfarë përpiqen të arrijnë ata? Çfarë lloj vendimi është marrë? Çfarë lloj procesi (veprimi) kërkohet për marrjen e vendimit?” (Dorff, 2009).
“Në fund të fundit, shkruan Dorff, qëllimi është shpjegimi përse shtetet–kombe ndjekin kurse të caktuara veprimi dhe çfarë duhet bërë për të ndaluar veprimet që janë të dëmshme për interesat tona ose për të inkurajuar veprimet që konsiderohen të dobishme” (Dorff, 2009).
Domethënë, për të kuptuar kursin e veprimit të shteteve të tjera, çdo aktor serioz shtetëror (përmes instrumenteve të veta) përpiqet të depërtojë më thellë te perceptimet, motivet, këndvështrimet, pikëpamjet, synimet, procesi (cikli) i vendim-marrjes etj., që shoqërojnë liderët ose vendim-marrësit e shteteve të tjera.
Qëllimi i këtyre njohurive është, as më shumë e as më pak, por që këta liderë (të shteteve të tjera) të mos ndërmarrin veprime të dëmshme për interesat e vendit ‘tonë’, (edhe sikur veprime të tilla të jenë në interesin e vendit të ‘tyre’ – B. A.), si dhe të nxisim veprimet e tyre, që janë të dobishme për interesin e vendit tonë, (edhe nëse veprimet e tyre mund të mos jenë të favorshme për interesat e vendit të vet – B. A.) (Dorff, 2009).
Duke menduar në mënyrë të anasjelltë, prej këtej rrjedh domosdoshmëria e disa sistemeve të masave mbrojtëse dhe të sigurisë ndaj udhëheqësve tanë, që duhet të monitorohen nga shërbimet tona të sigurisë dhe inteligjencës. Por, sa më të mëdha të jenë kërkesat ndaj shërbimeve përgjegjëse, aq më thelbësore duhet të jenë edhe vetë kufizimet (ligjore) ndaj privatësisë vetjake dhe familjare të udhëheqësve, në respekt të përgjegjësisë së tyre si persona të rëndësishëm shtetërorë dhe publikë.
Pa dashur të ndalemi te ndonjë mangësi në këtë drejtim, le të përmendim se cilat mund të jenë këto sisteme:
• Sistemi i kujdesit dhe sigurisë sociale, shëndetësore, mendore dhe psikologjike të udhëheqësit;
• Sistemi i verifikimit, certifikimit dhe kontrollit të sigurisë lidhur me objektet dhe informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” në disponim të udhëheqësit;
• Sistemi i sigurimit nga influencat e jashtme të vendim-marrjes individuale të udhëheqësit, ose në kuadrin e vendim-marrjeve kolegjiale;
• Sistemi i sigurimit të furnizimit me informacionin e duhur, që mbështet vendim-marrjen e suksesshme të udhëheqësit.
Përzgjedhja e elementëve midis teorive, që përcaktojnë organizimin e brendshëm të shtetit dhe shoqërisë
Mënyrat dhe sistemet e ndryshme të organizimit, për çdo fazë zhvillimi, janë përcaktuar sipas mënyrave dhe sistemeve të ndryshme të mendimit (apo të të menduarit), mbi bazën e përvojave dhe njohurive të grumbulluara nga mënyrat dhe sistemet e mëparshme rreth këtyre organizimeve. Por, ndërsa njohuritë mund të ndahen dhe përhapen më shpejt, përvojat zakonisht janë lëndore dhe mbesin të lidhura fort me mjediset ku janë prodhuar dhe njerëzit që i kanë përfituar. Për rrjedhojë, ndarja e njohurive jo kurdoherë mund të funksionojë me sukses edhe si një ndarje përvoje.
Për shembull, për shekuj me radhë ka dominuar qasja mekaniste, ku qasja bazë e shkencës mbështetej në logjikën lineare, sipas së cilës një fenomen mund të kuptohej nëse e tëra ndahej në pjesë dhe studimi i pavarur i pjesëve të veçanta do të jepte si shumatore të thjeshtë kuptimin e së tërës. Pra, me këtë sistem të menduari janë organizuar edhe strukturat për një kohë të gjatë.
Mirëpo kjo mënyrë të menduari u vu në pikëpyetje qysh në fillim të viteve 1950, kur në vendet e qytetëruara po fitonte përherë e më tepër terren qasja sistemike, që në Shqipëri, me pak përjashtime, ende nuk po gjen zbatim as sot. Pra, mendoj se në fillim duhet që Ministria e Arsimit, akademitë, universitetet, institutet dhe qendrat e studimeve të identifikojnë rrugën që ka ndjekur bota e qytetëruar nga qasja sistemike deri në ditët tona, duke përzgjedhur, përkthyer, botuar dhe përhapur gjithë literaturën përfaqësuese të domosdoshme sipas fushave.
Shkurtimisht, le të përmendim disa nga fushat dhe fazat e këtij zhvillimi. Sipas Allen & Cunningam (2010), pas qasjes lineare, kemi qasjen sistemike dhe diskutimet mbi sistemet e hapura dhe sistemet e mbyllura – vitet 1950; hulumtimin dhe analizën e sistemeve (kryesisht të mbyllura) – vitet 1960; sistemet e analizës së sistemeve dhe inxhinierimi i sistemeve – vitet 1980; sistemet e sistemeve dhe nën-sistemet, menaxhimi i njohurive dhe organizatat që “mësojnë” – vitet 1990. Ndërsa aktualisht, sipas Waltz (2003), kemi qasjen jo-lineare me ndryshimet e vazhdueshme, përtëritjen jo lineare, përtëritjen e gjithë konceptit të biznesit – shekulli XXI.
Pak a shumë, në përshtatje me fazat më sipër, kanë evoluar edhe nëndegë të veçanta në sferën e shërbimeve të inteligjencës, ku për shembull cikli tradicional i inteligjencës, sipas Kent, (Curt, 2008) është zëvendësuar me ciklin e inteligjencës në “kohë reale” sipas Clark, (Clarc, 2008), i qendërzuar rreth objektit. Pas kalimit nga epoka industriale në epokën informative, cikli i inteligjencës ka pësuar sërish ndryshime të tjera. Tashmë presupozohet të kemi vendosjen përballë njëra-tjetrës të rrjetit tonë misionar – i përbërë nga klientët, grumbulluesit, përpunuesit dhe analistët, nga njëra anë, dhe rrjeti kundërshtar – të përbërë nga personat, vendet, sendet, dhe organizatat, nga ana tjetër. Presupozohet se rrjeti ynë modelon rrjetin kundërshtar, por modelon edhe vetveten. Pastaj modelon edhe mënyrën se si rrjeti ynë i krijon modelet. Një tjetër modelim i domosdoshëm është edhe modelimi i ciklit të vendim-marrjes (Bodnar, 2003).
Probleme të tjera kanë të bëjnë me evoluimin deri në ditët tona të veprimtarive nga inteligjenca e jashtme në inteligjencën e brendshme dhe kundërinteligjencën, si dhe me “largimin” e konceptit të inteligjencës nga strukturat që e prodhojnë – drejt produktit informativ që mbështet vendimet (Abedinaj, 2013.) Në këtë mënyrë, fakti se si është dhe si funksionon modeli i ciklit të vendim-marrjes në sistemin tonë, së bashku me teknologjinë e “pluhurizimit” të informacionit (inteligjent) që mbështet vendimet, janë dy instrumentet kryesore që mund të bëjnë dallimin nga suksesi te dështimi.
Pra, varësisht nga këto modele operojnë edhe format e ndryshme të influencës, ndikimit. Sofistikimi i mënyrave dhe i teknikave të ndikimit në ditët tona është i jashtëzakonshëm, aq sa edhe vendimet më të gabuara mund të perceptohen si vendime në interesin tonë më të mirë dhe e kundërta, vendimet e drejta mund të perceptohen si vendime në interesin tonë më të keq.
Ndërkohë, me përsosjen e formave të ndryshme të ndikimit, janë ulur së tepërmi edhe kostot e veprimit në raport me përfitimin për subjektin ndikues. Në epokën e informacionit nuk ka nevojë për marrëveshje afatgjata me funksionim të përhershëm, mjafton një “mirëkuptim” momental, ku të sigurohet ‘vota’ e duhur (numri i domosdoshëm), në momentin e duhur (atëherë kur ‘votohet’), në segmentin e duhur (të ciklit të vendim-marrjes) dhe për rastin e duhur (të vendim-marrjes për çështjen me interes.)
Me fjalë të tjera, kushte të përshtatshme për suksesin e ndikimit të jashtëm, në vlerësimin tim, mund të jenë: prodhimi dhe modifikimi i “elitave” me sjellje dhe reagime të parashikueshme përkundrejt ngacmimeve të caktuara, që mund të ushtrohen lehtësisht; studimi i profileve personale dhe psikologjike të personave me interes në ciklin e vendim-marrjes dhe identifikimi i masave dhe mënyrave të ndikimit mbi ta; ndërhyrjet në segmente të caktuara dhe të shkëputura të vendim-marrjes, pa qenë nevoja e kompromiseve afat-gjata me vendim-marrësit kryesorë; modifikimi i një vendim-marrjeje të caktuar me minimumin e ndërhyrjeve dhe kostove, duke ndërhyrë në pjesë të veçanta të sistemit vendim-marrës për rastin e caktuar, pa prekur gjithë sistemin; modifikimi i një kompleksi vendim-marrjesh, duke ndërhyrë vetëm te ndonjëra nga vendim-marrjet kyçe të sistemit, etj.
Ndërsa masat e kundërpërgjigjes, në vlerësimin tim, mund të jenë: studimi dhe formimi i një profili të caktuar personal dhe psikologjik, edukimi me norma të larta etike dhe certifikimi i zyrtarëve në ciklin e vendim-marrjes; ndëshkimi veçmas i çdo rasti të shkëputur me kufizime dhe shtrëngime të balancuara, pa pritur rreshtimin e një vargu shkeljesh; parashikimi i mundësive të anulimit dhe korrigjimit të vendim-marrjes së gabuar së bashku me shlyerjen dhe dëmshpërblimin e kostove; zbatimi dhe copëzimi i procedurave të vendim-marrjeve kolegjiale; parashikimi i përgjegjësive për votën individuale edhe në rastin e vendim-marrjeve kolegjiale; vlerësimi i sanksioneve jo nga veprimi i veçantë si i tillë në vetvete, por nga rëndësia/pasoja e tij në hallkën e ndikuar te ciklii vendim-marrjes, etj.
Sa i përket çështjes se çfarë duhet përzgjedhur nga teoritë e sistemeve të ndryshme të mendimit, apo të të menduarit, parimi i përgjithshëm do të mbetej ai i paraqitur edhe më herët gjatë këtij punimi, pra përzgjedhja e elementeve të veçantë brenda tyre – sipas interesit të sistemit tonë dhe pa u indoktrinuar posaçërisht pas njërës apo tjetrës teori. Por, në kushtet kur mendoj se kemi mbetur pas jo një, por disa fazave zhvillimi, atëherë përzgjedhja jonë mund të shtrihet në elementet në teoritë përfaqësuese përgjatë gjithë këtyre fazave, duke mënjanuar elementet që janë korrigjuar nga njëra fazë në fazën tjetër, si dhe duke përfshirë elemente të tjera që do kishin qenë më me dobi nga pikëpamja e fazës pararendëse.
Një problem tjetër është implementimi i normave dhe modeleve të përparuara, ose të përzgjedhura pa kujdes, në një mjedis të prapambetur. Kështu, për shembull, implementimi i modelit të organizatave që “njohin”, pra që vetë-mbijetojnë për të ndjekur qëllimin sipas misionit, duke mos u harmonizuar me mjedisin relativisht të prapambetur mund të “tërhiqen zvarrë” në mesin e dobësive ose të dështojnë keqas, por edhe mund të mbijetojnë duke dhunuar mjedisin, duke mbuluar shkeljet dhe “spastruar” gjurmët.
Ky model organizimi presupozohet të sigurojë mbijetesën e organizatave, njëlloj si qeniet biologjike që ndjekin “qëllimin” e tyre deri në fundin e ciklit të jetës së vet. Por qenia e këtyre organizatave duhet të përfshijë harmoninë e tyre me mjedisin rrethues, në mënyrë të tillë që ta sigurojë qëndrueshmërinë e vet brenda këtij konteksti. Për shembull, megjithëse embrioni gjenetik në trupin e një njeriu është i njëjti te çdo organ i veçantë, nga zhvillimi i këtij embrioni mundësohet rritja dhe zhvillimi i organeve relativisht tepër të ndryshme nga njëra-tjetra, pa prekur harmoninë e sistemit epror.
Prandaj, nuk mund të pretendohet sukses nga implementimi i ndonjë modeli të përparuar te ndonjë organizatë e veçantë në mesin e një mjedisi të prapambetur, pa reformuar në një farë mënyre edhe organizatat e tjera që plotësojnë këtë mjedis. Për këtë nevojiten aftësitë përzgjedhëse nga stafet teknike të mbështetjes, gjithashtu të formuara dhe të përzgjedhura me kujdes, që zotërojnë eksperiencën dhe njohuritë e duhura në fushat kufitare, por dhe fushat e tjera, që ndërveprojnë lidhur me sistemin.
Disa përfundime
Identifikimi i mangësive të vlerësuara në kuadrin e këtij punimi nuk do ishte i mundur pa përfshirë gjithë përvojën dhe njohuritë e formuara gjatë periudhës 24 vjeçare të këtij tranzicioni, si rezultat. Ndaj ajo çfarë mund të korrigjohet, paraqitet në vijim përmes një reflektimi të evoluar, se si do mund të kishim vepruar nga fillimi nëse do procedonim me njohuritë që kemi tani. Këto njohuri mund të renditen si vijon:
1) Pavarësisht diskutimeve rreth teorive të ndryshme në pluralizëm, çdo përfaqësues serioz i ndonjë vendi, normalisht, kujdeset që me përfundimet e veta publike të mos dëmtojë, në ndonjë mënyrë, vendin e origjinës së analizës. Prandaj, jo çdo lloj teorie mund të merret si plotësisht e mirëqenë dhe jo çdo lloj njohurie mund të dhurohet apo të shpërndahet falas në “eter”.
Për këtë arsye, shteti duhet të kujdeset për të identifikuar literaturën e dobishme dhe për të tërhequr botimet dhe njohuritë e duhura, duke plotësuar boshllëqet që mund të lihen eventualisht nga privatët.
Ndërsa më specifikisht, për shkak të prapambetjes së theksuar që vlerësohet se ka vendi lidhur me përvojat dhe njohuritë e ndryshme në fushën e organizimit nga vitet 1950 e këtej, Ministria e Arsimit dhe institucionet e arsimit të lartë publik e privat duhet të identifikojnë rrugën që ka ndjekur bota e qytetëruar gjatë kësaj periudhe dhe të përzgjedhin, të botojnë, të përkthejnë dhe të përhapin gjithë literaturën e domosdoshme, veçanërisht sipas fushave të përmendura shprehimisht në këtë drejtim.
2) Nëse nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare, analiza në nivelin e shtetit-komb fokusohet kryesisht te mundësia nëse një shtet mund të hyjë në luftë me shtetet e tjera në sistem, pa pasur ndonjë kokëçarje lidhur me atë se çfarë bëhet brenda vetë shtetit, atëherë në material theksohet se kjo qasje anashkalon faktin që përveç luftës, ka edhe plot mënyra të tjera jo luftarake që mund ta rrënojnë ose dështojnë plotësisht një shtet. Në këto kushte, rekomandohet që të “kurohet” sadopak e drejta e këtyre udhëheqësve për të qenë më të përgjegjshëm në drejtimin eshtetit; po ashtu, të “kurohen” edhe të drejtat e individit në rolin e tyre ndaj personave që zgjedhin t’i udhëheqin.
Në këtë kuadër, është ndalur veçmas te analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare në nivelin individual, në lidhje me perceptimet, motivet, këndvështrimet, pikëpamjet, synimet, procesin (ciklin) e vendim-marrjes etj., që shoqërojnë liderët ose vendim-marrësit e shteteve të tjera. Mbi këtë bazë, nisur nga një vlerësim i anasjelltë, në material rekomandohen tematikisht disa sisteme të masave mbrojtëse lidhur me sigurinë e udhëheqësve tanë.
3) Ndërsa njohuritë mund të ndahen dhe përhapen më shpejt, përvojat zakonisht janë lëndore dhe të lidhura fort me mjediset ku janë prodhuar dhe njerëzit që i kanë përfituar. Prandaj ndarja e njohurive jo kurdoherë mund të funksionojë me sukses edhe si një ndarje përvoje. Në këto kushte, nuk mund të pretendohet sukses nga implementimi i ndonjë modeli të përparuar te ndonjë organizatë e veçantë në mesin e një mjedisi të prapambetur pa reformuar në një farë mënyre edhe organizatat e tjera që plotësojnë këtë mjedis.
4) Materiali ndalet posaçërisht te modeli i ciklit të vendim-marrjes dhe teknologjia e “pluhurizimit” të informacionit që mbështet vendimet, duke i vlerësuar ato si dy instrumente kryesore që mund të bëjnë dallimin nga suksesi te dështimi. Këto dy instrumente lidhen me sofistikimin e jashtëzakonshëm në ditët tona të mënyrave dhe teknikave të ndryshme të influencës/ndikimit të jashtëm. Mbi këtë bazë, në material jepen disa vlerësime se cilat mund të jenë disa nga kushtet e përshtatshme për suksesin e ndikimit të jashtëm dhe cilat mund të jenë disa nga masat e përgjigjes sonë për ta mbrojtur ciklin e vendim-marrjes nga ndikime të tilla.
Si konkluzion, pavarësisht nxjerrjes së këtyre rekomandimeve nga vlerësimi i mangësive gjatë një tranzicioni që shpresohet se po lemë pas, vënia e tyre në jetë do mundësonte një shkëputje cilësore nga gjendja ekzistuese dhe do të siguronte përparimin drejt të ardhmes, si një shtet i qëndrueshëm me struktura të konsoliduara.
Bibliografi
1. Abedinaj, B. Inteligjenca dhe kundërinteligjenca për sigurimin kombëtar. Revista ushtarake, mars, 2013;(1/2013) : 47, 54.
2. Allen, Charles D. and Cunningham, Glenn K. Systems Thinking in Campaign Design. The U.S. Army War College Guide to National Security Issues. In “Theory of War and Strategy”, Vol I, [ISBN:1-58487-450-3], 2010, pp. 253-254.
3. Bodnar, John W. Warning Analysis for the Information Age: Rethinking the Intelligence Process. Joint Military Intelligence College, Center for Strategic Intelligence Research, Washington DC, [Library of Congress Control Number: 2003114408; ISBN: 09656195-8-3], 2003, pp. 73, 85, 123, 147.
4. Clark, Robert M. Intelligence Analysis: A Target Centric Approach, Chapter 1. The Intelligence Process, 2008, available at <http://athena7.com/intelligence_analysis_chap1.htm>, accessed 20 April 2014.
5. Curt. The ‘how to’ of intelligence – evolution of the intelligence cycle, 2008, available at<http://www.51lunwen.com/download/country/australia/711%20The%20%A1%AEhow%20to%A1%AF%20of%20intelligence.pdf>, accessed 23 April 2014.
6. Dorff, Robert “Robin” H. Disa metoda e koncepte bazë për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në “Guidë për politikën dhe strategjinë e sigurisë kombëtare”, Vëll. II, Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, versioni elektronik, 2009, pp. 239 – 256 : 250,255, 256, 245, 248, 249, 250.
7. Taylor, Stan A. Definitions and theories of counterintelligence. In “Strategic Intelligence”, Vol. 4: “Counterintelligence and counterterrorism: Defending the nation against hostile forces.” [ISBN: 0-275-98946-1 (vol. 4); ISSN:1932-3492], 2007, pp. 1 – 2.
8. Waltz. Knowledge Management and Intelligence, 2003, available at <http://www.artechhouse.com/uploads/public/documents/chapters/waltz_ch1.pdf>, accessed 16 May 2014.
9. Historiku i “Albanian University”, gjendet në <http://www.albanianuniversity.al/al/universiteti/historiku>, aksesuar, më 20 Maj 2014.
10. Wikipedia (Enciklopedia Elektronike Online), available at <http://en.wikipedia.org/wiki/Main_Page>,accessed 20 May 2014.
Burimi – Facebook


Leave a Reply