
SHKODËR – Fëmijët e ngujuar të Shkodrës tani e tutje do të mund të ndjekin mësimet e tyre në mënyrë dixhitale, falë mbështetjes së një grupi mësuesish dhe studentësh nga Britania e Madhe.
Në kuadër të nismës të “Ngujojmë gjakmarrjen”, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, u prezantoi programin “School Me’’, nisëm kjo e kompanisë “Thames Online Education” me qendër në Londër. “School Me” është një program dixhital i cili ofron një sistem të gatshëm njohurish dhe konceptesh, si mbështetje për kuptimin dhe thellimin e njohurive shkollore në të gjitha lëndët e ciklit 9 vjeçar.
Nikolla, gjatë një feste të organizuar posaçërisht për fëmijët e ngujuar nga Qëndra Kulturore e Fëmijëve, ka premtuar se do të dërgojë shumë mësues për ‘u mësuar tyre programin. Gjithashtu, këtyre fëmijëve iu janë dhuruar edhe 15 kompjutera.
Premtimi më i rëndësishëm që ministrja Nikolla u bëri fëmijëve të mbyllur në shtëpi e të privuar nga jeta sociale, ishte se së bashku me mijëra qytetarë, do të forconin luftën kundër këtij fenomeni, për ta “ngujuar” vetë gjakmarrjen.
“Sot është një ditë feste dhe ne kemi ardhur për të thyer ca mure, për ta bërë shkollën kudo të pranishme, kudo që ndodhen këta fëmijë, falë teknologjisë por dhe falë pasionit të një grupi mësuesish dhe studentësh nga Britania e Madhe të cilët kanë mundësuar digjitalizimin e gjithë kurrikulës shkollore 9 vjeçare. Është shumë pak, por ne fillimisht po mundësojmë që këta fëmijë të mësojnë në strehën e tyre komunikimin me mësues, me bashkëmoshatarët e tyre për të mundësuar një histori të re të edukimit.
Shumë shpejt studentët e universitetit Luigj Gurakuqi bashkë me Universitetin e Tiranës, bashkë me universitet e tjera të Shqipërisë, me mbështetjen dhe koordinimin e institucioneve shtetërore, duke përfshirë dhe qytetarë, do t’i themi një ‘jo’ të madhe gjakmarrjes, duke nisur një rrugëtim tjetër që ngujon vetë gjakmarrjen dhe jo këta fëmijë të mrekullueshëm.
Ministrja Nikolla, tek sa ju drejtua Marselës, një prej fëmijëve të ngujuar, tha:“Marsel e dashur unë nuk heq dorë nga premtimet e mia, dhe të jap fjalën se do të luftojmë fort gjakmarrjen, pasi tani jemi edhe më shumë. Nuk jam vetëm unë Lindita por janë dhe shumë qytetarë në Shqipëri të cilët po luftojnë këtë fenomen për të vendosur një histori të re duke ngujuar gjakmarrjen dhe jo më ju, fëmijë të mrekullueshëm. Ne do të sjellim tek ju shumë mësues të cilët do t’ju ndihmojnë në përdorimin e këtij programi.”
Në përfundim të aktivitetit, fëmijët e shkollave të Shkodrës dhuruan dhurata për fëmijët e ngujuar, me urimin për një fundviti të paqtë.
(ar.sh/BalkanWeb)


Leave a Reply