
TIRANE – Gjykata e Apelit Tiranë liroi nga qelia avokatin Bashkim Hoxha, i akuzuar për kërcënimin me mesazhe telefonike ndaj Kryeministrit Edi Rama. Pas 25 ditësh qëndrimi në qeli, Apeli ka ndryshuar masën e tij nga “arrest në burg” në “arrest shtëpiak”. Vendimi është argumentuar me mungesën e rrezikshmërisë së të dyshuarit dhe me probleme të tij shëndetësore. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, avokati Hoxha rrëfen për herë të parë mesazhet e dërguara Kryeministrit më 29 nëntor dhe bisedën telefonike me të.
Akuzoheni nga prokuroria për “keqpërdorim të thirrjeve telefonike” dhe “kanosje për shkak të detyrës” në dëm të Kryeministrit të vendit. Cili është komenti juaj mbi këto akuza?
Unë nuk vij nga bota e krimit, e mashtrimit, e korrupsionit. Ideali im ka qenë demokracia. Unë jam akuzuar për “keqpërdorimin e thirrjeve telefonike” me Kryeministrin dhe “kanosje”. Më datë 28-29 nëntor i kam bërë dy SMS Kryeministrit. Kam vlerësuar 14 tetorin, ngjarjen e dronit në stadiumin e Beogradit. Aty kam ndier kënaqësinë time kombëtare, krenarinë patriotike. E kam ndier dhe e ndiej. Jam fyer kur ka shkuar Kryeministri te Kryeministri serb, që nuk kishte flamur shqiptar. Nuk do ta pranoja si atdhetar shqiptar. Më ngrohu zemra kur Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp me Kryeministrin serb, përmendi faktin historik që Kosova është e pavarur.
Cili ishte teksti i mesazheve përgëzuese që i dërguat Kryeministrit?
Më datë 28 nëntor i kam bërë një mesazh përgëzimi, vlerësues. Duke qenë në Vlorë, ku është busti i Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit. Në orën katër të mëngjesit të datës 29 nëntor kam dërguar një mesazh me tekst të plotë: “Me hartën etnike të shqiptarëve, me flamurin kombëtar, me një banderolë, Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe ju në mes, – duke vlerësuar qëndrimin e tij në konferencën për shtyp, – të bësh një sondazh në gjithë botën dhe të ngulitet në gjithë mendjen e popujve të botës, në majën më të lartë të rruzullit tokësor”. Ky ka qenë mesazhi.
Çfarë ndodhi më tej?
Më vonë i kam bërë një SMS tjetër ku i kam thënë: “Unë jam Bashkim Hoxha, historian, jurist, avokat dhe politikan”. Në orën 10:00 më telefonoi Kryeministri Edi Rama. “Kush je ti more historian, jurist, politikan?”, më tha dhe më ofendoi: “Do të … robt, mor plehrë. Do ta shikosh kush jam unë”, më tha. Në këtë moment unë isha pranë Bankës së Shqipërisë. Pas këtij fjalori, unë i jam përgjigjur me të njëjtin fjalor. Më pas vajta te një miku im. Jam ulur dhe kam menduar. Kam qenë në një depresion psikik të rëndë. Aty kam bërë disa mesazhe, në kushte të tronditjes psikike. Fjalorin që ka përdorur ndaj meje, nuk mbaj mend tjetër. Kam qenë në efekt alkooli.
Si u bë arrestimi juaj?
Më mori në telefon inspektori i zonës dhe më pyeti ku isha. I thashë që do të vij vetë. Shkova te Drejtoria e Policisë. Vepra për të cilën akuzohem është një kundërvajtje penale që ndiqet kryesish nga i dëmtuari akuzues, që në rastin tim është Edi Rama. Prokuroria e Tiranës, nën trysninë politike, despotike, më ka ndaluar në mënyrë të jashtëligjshme. Kryeministri duhet të kishte bërë kallëzim me shkrim që të ndalohesha. Ai përdori të gjitha institucionet e tij. Unë jam përgjigjur si qytetar që nuk largohem. Referuar figurës së personit tim, avokat, ish-kryetar gjykate, ish-mësues historie, ish-drejtor arsimi, unë jam paraqitur në polici me vullnetin tim. Prokuroria ka shmangur dy mesazhet e mia për vlerësimin e Kryeministrit në Beograd dhe në Preshevë. Ka shmangur thirrjen telefonike që më ka bërë Kryeministri mua me fjalor fyes.
Nuk janë paraqitur këto në aktet e prokurorisë në gjykatë?
Jo, nuk janë paraqitur këto akte.
Gjatë seancave gjyqësore keni shfaqur pendesë dhe kërkuar falje për incidentin me Kryeministrin. I qëndroni këtij fakti?
Unë kam kërkuar falje vetëm për fjalorin që kam përdorur karshi tij. Nuk është në etikën time ai fjalor. Unë ndihem i fyer për fjalorin që kam përdorur. Pasi jam qartësuar dhe kam parë mesazhet, jam ndier i fyer për fjalorin që kam përdorur, por jam provokuar prej tij.
Po sot i kërkoni falje Kryeministrit?
Jo, nuk i kërkoj falje. Nuk I kërkoj falje atij njeriu. Ndjesa është kërkuar në gjykatë, në kushte të nevojës së madhe, në kuptimin juridik. Po të kërkojë ai falje, unë kam burrëri t’i kërkoj ndjesë për fjalorin që kam përdorur për familjen e tij. Ai ka përdorur një fjalor prej rrugaçi. Unë kërkoj falje publike për fjalorin që kam përdorur.
Nëse do ta kishit Kryeministrin përballë, do t’i kërkonit falje?
Jo. Nuk i kërkoj.
Nuk druheni për paragjykim të çështjes suaj?
Unë as ndaj vdekjes nuk kam frikë. Do të iki të kërkoj azil politik. Ndihem i kërcënuar dhe i rrezikuar.
Nga kush ndiheni i rrezikuar?
Nga Kryeministri, Ministria e Rendit dhe gjithë stafit të tij. E kam ndier në burg, në gjykatë. Jam ndier i kërcënuar nga personeli i Burgut 313. Unë kam vajtur në Drejtorinë e Policisë me tensionin 22. Kam kërkuar trajtim mjekësor, por nuk më është ofruar. Më kanë trajtuar si një njeri barbar, furbo. Nuk më mjekuan. U kërkoja të shkoja në Spitalin e Burgut, por nuk më lejuan. Nuk më lejuan të komunikoja me familjarët e mi, as në telefon. Merrja përgjigje “jo” për çdo kërkesë. As me avokatin nuk jam takuar. E kam takuar vetëm në gjykatë, duke më mohuar takimin me të më herët, edhe pse ai kishte prokurë nga djemtë e mi. Unë kërkova epikrizën time, por stafi i 313- s nuk ma dha, ndonëse e ka detyrim ligjor.
A keni besim te drejtësia?
Te njerëz të përjetshëm kam, por jo te të gjithë, pasi drejtësia ndodhet nën presion të fortë politik dhe ekonomik.
(er.nu/BalkanWeb)


Leave a Reply