Henri Troyat*
Tashmë dyzet e tetë vjeç! …Më 20 shkurt, pas tri ditësh kreshme dhe lutjesh, patriarku Zhob, mblodhi përsëri anëtarët e Zemski Soborit dhe i drejtoi në një procesion me banderola dhe ikona në krye, në kuvendin e Novodieviçit. Ai donte, me anë të këtij manifestimi në masë, të shkulte pranimin formal të Irenës, ish-careshë, dhe të Borisit, ish-regjent. Godunovi dhe e veja e Fedorit i prisnin me një përulësi të krishterë. Të dy u shtangën nga fakti që gjithë ata njerëz të nderuar kishin ardhur për ti bindur. Ata do të donin me gjithë zemër tiu bënin qejfin, por duhej ti bindeshin në radhë të parë ndërgjegjes së tyre. A e kishin bërë me fjalë? Si njëri dhe tjetri qëndruan të shurdhët para argumenteve të patriarkut. Me gjithë nxitjet e Zhobit, të përziera me citime biblike, Boris Godunovi qëndroi i patundur dhe Irena e mbështeti në papërkulshmërinë e tij.
Po të vazhdonte ta shmangte përgjegjësinë monarkike do të ishte jo vetëm gafë, por edhe i pafe. Përpara një Zhobi të shndërruar, që e bekonte dhe e temjaniste, Boris Godunovi pranoi më së fundi të shpallej car. Ai e bëri me zë të lartë, hijerëndë, me thjeshtësi, dhe të gjithë përreth tij, madje edhe motra Irenë, qanë nga mirënjohja. Ajo bëri shenjën e kryqit mbi ballin e të vëllait. Mbetej vetëm tiu jepej lajmi i mirë mijëra moskovitëve të mbledhur në ftohtësinë e mëngjesit para manastirit të Novodieviçit. Populli, i lumtur kur mësoi se urimi i tij ishte plotësuar, shprehu entuziazëm dhe donte ta shihte carin e ri për ta brohoritur më shumë. E papritura e fundit: i rafinuar në artin e të ujdisurit të veprimeve të tij, Boris Godunovi nuk doli para turmës. Ai kërkoi me ngulm ti jepnin dyzet ditë meditimi në vetmi në një heshtje dhe fshehtësi murgu, për tu përgatitur në detyrën që e priste. Zhgënjimi i turmës ishte po aq i madh sa edhe deliri i gëzimit që e parapriu.
Boris Godunovi u kthye në Kremlin më 30 prill. Ai u prit nga patriarku Zhob dhe tërësia e klerikëve të veshur me rasën e festës. Pasi përshkoi me këmbë turin e katedraleve të fortesës antike, ai shtroi një banket për fisnikët e Zemski Soborit, për ti falënderuar mbi besnikërinë dhe bindjen e tyre. Pas kësaj, ai mori përsëri në dorë çështjet e vendit, jo më si regjent, por si car.
Gjatë kohës që punonte për kalimin e pushtetit midis Borisit të djeshëm dhe atij të sotëm, ai mësoi që tartarët e Kanit Krim Guireit (Khan Krim Guirei) po marshonin përsëri drejt Moskës. Pa humbur kohë mblodhi trupat e gatshëm që kishte në vend dhe u drejtua së bashku me to për ti dalë përpara armikut. I vendosur përkohësisht para qytetit të Serpukhovit, në jug të kryeqytetit, ai i priti trupat kundërshtare me vetëbesim. Mirëpo, sapo organizoi kundërsulmin, i erdhën ca zhurma të çuditshme në vesh. Sipas spiunëve që kishte dërguar në zbulim, tartarët ishin në realitet ambasadorët e Kanit, të shoqëruar nga suita e tyre dhe të ngarkuar ti paraqisnin nderimet e tyre carit të ri. Alarm i rremë! Rreziku qe mënjanuar, Borisi u kënaq ti kalonte regjimentet në revistë. Njerëzit e tij ia ditën për nder që veproi aq me shpejtësi përpara rrezikut tartar, megjithëse inekzistent. Por a nuk e kishte imagjinuar ai këtë invazion, për të treguar aftësitë e tij në kundërsulm që me alarmin më të vogël? Vetëm armiqtë e tij guxonin ta pëshpëritnin. Të tjerët donin të besonin në versionin e një monarku të sigurt që kujdesej për gjithçka, parashikonte të gjitha dhe ndoshta mëkatonte nga kujdesi i tepruar, por asnjëherë nga mospërfillja ose mburrja. I informuar për këto thashetheme që e lëndonin, Borisi mendonte me vete që fati i të gjithë sovranëve ishte të kritikoheshin fshehtazi nga një pjesë e shtetasve të tyre. Sidoqoftë, i dukej që prejardhja e tij e pasigurtë e ekspozonte më shumë se këdo tjetër ndaj interpretimeve plot urrejtje dhe se ai nuk mund të ndërmerrte kurrgjë pa qenë i etiketuar me prapamendime kriminele ose thjesht egoiste. Ndoshta, a do ta fitonte këtë besim pasi të ishte kurorëzuar?
I shtyrë disa herë, kurorëzimi i Boris Godunovit do të ishte më madhështori në shkëlqimin e tij bizantin. Data e zgjedhur ishte 1 shtator 1598, dita e parë e vitit sipas kalendarit rus të kohës. Duke ftuar popullin të bashkohej, me këtë rast, në një prehje shpirtërore, kasnecët e ushtrisë lajmëruan në të gjitha kryqëzimet që në kujtim të carit Fedor dhe për të përshëndetur hipjen në fron të carit Boris, do tu akordohej falje të dënuarve të penduar, tregtarët do të paguanin më pak taksa gjatë dy viteve, bujqit gjatë një viti dhe që funksionarëve, civilë dhe ushtarakë, do tiu shtoheshin rrogat. Ky premtim mund të sillte një lehtësim te të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, pasi do të kishin përsëri në krye të shtetit, një sovran të shenjtëruar nga Kisha. Ky gëzim njëherazi kombëtar, fetar dhe me interes, tërhoqi drejt Kremlinit turma të shumta të gëzuara dhe të mallëngjyera. Për të pritur Borisin në katedralen e Dormisionit, patriarku Zhob doli te sheshi, me kapelën e bardhë të peshkopit të ditëve të festave dhe me shkopin episkopat në dorë. Kleriku i lartë i kryeqytetit e rrethoi me një vezullim të praruar. Së bashku ata shkuan drejt nefit, ku një kor me zë të thellë përshëndeti hapat e parë drejt ikonostaseve të perandorit të ardhshëm. Pasi u recitua kredoja (lidhja me Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë si dhe me Kishën në tërësi) dhe u dëgjua një metropolit që lexoi paragrafë nga Bibla përpara sallës së gjunjëzuar nën aromën e temjanit dhe xixëllimës së qirinjve, ai u bë gati me qetësi për ritet e fundit të hipjes solemnisht në fron. Dy priftërinj i paraqitën pallton me jakë peliçeje kunadhe dhe kapelën e Vladimir Monomakut, gjyshi atëror i të cilit mbretëroi mbi Kostandinopojë në shekullin XII, dhe që është kapela tradicionale e carit të Rusisë. Me një lëvizje të prerë, Borisi vuri në kokë kapelën me majë, të stolisur me lëkurë kastori kunadheje. Pastaj, qëndroi i ngurtësuar në shenjë respekti, ndërsa patriarku Zhob i deklaroi, në emër të Shëndritat, që stolia simbolike me të cilën po nderohej i jepej me bekimin e Zotit Jezu Krisht, “mbret i lavdisë”, për ti dhënë atij “pushtetin më të lartë mbi popullin e vet”. Dhënia solemne e skeptrit dhe e rruzullit konkretizoi, në sytë e asamblesë së nemitur nga adhurimi, metamorfozën nga regjent në car autentik. Tani, i ulur në gjunjë para patriarkut, Borisi, me zërin të mbytur nga emocioni por pa ngurruar mbi fjalët, iu përgjërua Zotit ta drejtonte në veprimet e tij për të mirën e Rusisë. Kori buçiti nga një Te Deum që tronditi kubetë e kishës. Ky është momenti më i lartë i vajimit. Boris Godunovi qëndronte ende i gjunjëzuar para patriarkut, ndërkohë që ky i fundit kryente shërbimet fetare, duke i aplikuar lyerje të lehta me vaj të shenjtë mbi sytë, vrimat e hundës, gojës, veshët, duart. Ai u kungua nën dy llojet. Ky sakrament duhej të mbyllte ceremoninë. Por cari i ri i dha një shtytje plot autoritet protokollit. Pasi Zhob e përgëzoi, sipas zakonit, duke i uruar një mbretërim të gjatë dhe të lumtur, ai u kthye drejt turmës dhe mori fjalën gjithë siguri. “Ati im dhe Patriark i madh, – tha ai, – Zoti më është dëshmitar që asnjeri në perandorinë time nuk do të jetë as lypës, as i varfër; jam gati të ndaj me të gjithë edhe këmishën time të fundit.” Duke i bërë fjalët vepra, ai hoqi nga veshja e tij, me një ritual të shkëlqyer, stolitë me gurë të çmuar që i zbukuronin qafën dhe i hodhi, si të kota, në këmbët e tij. Skena ishte teatrale, por qëllimi ishte i sinqertë. Të gjithë, përmes fisnikëve, ishin të bindur. Asnjë sovran, para Boris Godunovit, nuk kishte pasur guximin të përfitonte nga dita e kurorëzimit të tij, për ti mbajtur fjalim popullit të vet dhe ti premtonte lumturinë. Në qoftë se u bë kjo shkelje e rregullit, nuk ishte për krekosje, as për provokim, por ngaqë ai kishte bindjen se, sapo të merrte pushtetin e plotë, do të vepronte më mirë se paraardhësit e tij. As kujtimi i Ivanit të Tmerrshëm, as ai i Fedorit, “i marri te Zoti”, as ai i Dimitri Donskoit, mundësi i tartarëve, nuk i bënin përshtypje deri në atë pikë sa ta nxitnin të dyshonte te vetja e tij. Duke i adhuruar tej mase, ai ndihej krejtësisht i aftë të barazohej dhe madje ti tejkalonte. Vetëm ti jepnin mundësinë të vepronte sipas qejfit të tij, dhe Rusia do të hidhte një hap vendimtar drejt pushtimit të fuqisë dhe të lumturisë.
Duke ndjekur zakonin, Boris Godunovi doli në shesh dhe, i rrethuar nga klerikët, vizitoi kishat e tjera të Kremlinit. Çdo herë, ai përkulej para varrit të carëve të vjetër dhe princave të mëdhenj të Moskës që ishin të varrosur aty. Ai iu kërkonte falje, me vete, që i kishte zëvendësuar, jashtë çdo përligjjeje dinastike.
Në këtë pelegrinazh të përpiktë, ai u shoqërua, hap pas hapi, nga kleriku i lartë dhe elita e fisnikëve. Së fundi, kortezhi i ngadalshëm mbylli endjen e gjatë dhe mori udhën e pallatit. I ndjekur nga shpura e tij, e stolisur për të rënë në sy, cari ngjiti “shkallët e kuqe”, të mëdha. Kur mbërriti në majë, ai u përkul thellësisht, tri herë me radhë, para popullit të mbledhur poshtë. Para syve të tij, shtrihej një det njerëzor, i dehur nga entuziazmi. Qanin, bënin kryqin, thërrisnin emrin e sovranit të ri. Boris Godunovi kishte lot në sy. Ai pati shumë të drejtë që i mbajti pezull shtetasit e tij! Ishte duke i marrë gjërat me ngadalë, në mënyrë që të rrëmbente zemrat. Tani, të gjithë e donin dhe e respektonin. Ishte vetë Rusia që, duke e kurorëzuar, kurorëzonte veten e saj. Por si bëhej që qielli të ishte po aq i kthjellët nesër, sa edhe sot?
*Marrë nga Boris Godunov. Botohet me lejen e botueses
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=118658
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply