
Nga Arben MECAj
Është e katërta herë në këto 24 vjet që ambienti shqiptar është futur ne vorbullën e hapjes se dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në vitet ’90 e merrja me seriozitet këtë çështje, dhe kisha arsye.
Ne fundvitin ’90, në brendësi të lëvizjes demokratike, syri të kapte individë që në Qytetin Studenti klasifikoheshin me nofkën “kaleca”. Fillimisht ata i shihje në sheshe, e me vonë në tribuna dhe akoma me vonë në kryesira. Kujtoj një rast kur një person absolutisht i identifikuar si “strukturë shërbimi” u implementua pranë Degës Tiranës (atë kohë kryesia e PD-së dhe ajo e Tiranës funksiononin tek rruga Fortuzi). U ndesha me “aksionet” e tij si “figurë” e PD-së tek Ndërmarrja Gjeologjike apo ish-Kombinati i Tekstileve Kombinat. Çështja u bë shumë problematike prej mënyrës se si vepronte ky individ. Origjina e tij “si sigurims” u trajtua në Kryesinë e madhe të PD-së (Komisioni nismëtar themelues), por çuditërisht ai, jo vetëm nuk u spostua, por u afrua shumë pranë “Udhëheqjes”. Sot ,ku ndodhet Ai ? Në Udhëheqje.

Ndërkaq, fitorja e 22 marsit ’92 u përjetua me emocione dhe eufori ne rradhët e PD-së në rrethe dhe qendër. Parlamenti shqiptar prej 140 deputetesh u dominua prej PD-së me 67.7 %. Kujtoj ditët e para – debate për krimet e komunizmit dhe të prokurorëve “komunistë”. Binte ne sy “pasioni deri në irritim” i disave që me “zhurmë” dominonin mbledhjet e Grupit Parlamentar. Kaloi pak,vetëm pak kohë, dhe “arma kriminale e sigurimit” gati u harrua si tematikë. Kur ajo hapej, dallohej një vello gri nervozizmi mbi Grup.
Ishte kjo kohë, kur bashkëpunoja shumë ngushtë me Azemin. Për arsye nga më të ndryshmet, merrja informacione të “klasifikuara” mbi strukturën e Grupit. E tmerrshme! Një masë e konsiderueshme e tyre, rezultonin ish-bashkëpunëtorë te ish-Sigurimit. Por më e tmerrshme, bazuar mbi protokolle vëzhgimi dhe me dosje aktive jo pak rezultonin në marrëdhënie me shërbimet e huaja Lindore.
Është kjo periudha kur u njoha me dy Platformat e ish-Sigurimit. Për këto Platforma do të flas më me detaje më vonë. Por në këtë moment ka interes të theksoj paraprakisht se Sigurimi Shqiptar ka zhvilluar aktivitetin e tij në periudhën pas vitit 1950 ( periudha post-Koci XOXE) deri ne vitin 1991 mbështetur kryesisht në dy Dokumente me atribute ligjore (por jo ligje) të cilësuara “Platforma”. Kanë ekzistuar dhe Udhëzime apo Dokumente tepër të klasifikuara me të cilat njiheshin dhe operonin vetëm instancat e hierarkisë së lartë të Partisë dhe Qeverisjes lokale e qendrore. Për karakterin e aktivitetit (sekret), Sigurimi Shqiptar nuk ka funksionuar mbi Ligje të miratuara në Kuvend apo akte Publike. Bazën ligjore te aktivitetit të ish-Sigurimit e formatonin akte të dala nga Komiteti Qendror me firma të Kupolës Politike shqiptare – Kapo, Shehu, Aliaj dhe Hoxha.

Posacërisht për aktivitetin e Sigurimit te Shtetit në terren,organizimin,strukturën,punën operative, objektin mënyrën dhe grupet shoqërore ku zhvillohej puna operative, kanë ekzistuar dy Platforma që udhëhoqën Sigurimin e Shtetit në dy periudha esenciale të zhvillimeve politike në Shqipëri. Platforma e Parë e krijuar nën protektoratin e Mehmet Shehut (e quajtur dhe Platforma e Mehmetit), me kohëzgjatje deri në vitet 1972-1975, Platforma e dytë me protektor Ramiz Alinë (e quajtur dhe Platforma e Ramizit) pas kësaj periudhe. Cili ishte ndryshimi ndërmjet tyre? Për këtë do shpjegoj më poshtë.
Historia, Prapaskenat politike, Dështimi i “Pastërtisë së Figurave” në Shqipëri
Në vitin ‘96 iniciohet një Ligj për hapjen e dosjeve bashkangjitur me Lustracionin. Është koha kur Berisha aplikon një strategji:
Së pari, për të spastruar Grupin Parlamentar nga individë të dalë nga lëvizja e dhjetorit në Tiranë e Rrethe, por që me qëndrimet e tyre (dhe pse me histori të dyshimta në marrëdhënie e Sigurimin e Shtetit) nuk premtonin “bindje”.
Së dyti, per goditjen e figurave qendrore potente aktive të PS-së. Ne emër të lustracionit, ligji programon përjashtimin nga politika (drejtimin e PS) dhe të disa individëve me përfaqësim dhe forcë të madhe politike në PS, individë që konsolidonin unitetin në PS, individë që nën këndvështrimin e Berishës, nëse përjashtoheshin nga politika, do të dëmtonin rëndë strukturën organizative dhe radhët e shtrënguara të PS-së.
U ndërtua një Komision.“Komisioni Mezini” u quajt. Funksionoi pranë Ministrisë së Rendit. Me mandat ligjor dhe politik por dhe material arkivor absolut, në mënyrë që të identifikonte dhe përjashtonte nga politika çdo individ që kishte lidhje rrjeti apo pozicione drejtuese administrative në organin e Sigurimit të Shtetit. Në finale, dhjetëra kundërshtarë politikë brenda dhe jashtë PD-së e PS-së, apo dhe PSD e PDNJ-së, u përjashtuan nga angazhimi politik. Çuditërisht në kryesinë e PD-së dhe në struktura organizative e Hierarkinë e saj politike, nuk ndodhi asgjë.

E çuditshme në kuptim të korrektesës ligjore dhe morale sot, por natyrisht e qartë për këdo nga ne, që në atë kohë ishim politikisht të angazhuar dhe posedonim një informacion të mjaftueshëm mbi strategjinë politike të Berishës, dhe përmbajtjen strukturore të PD-së në marrëdhënie me Sigurimin Shqiptar. Hapja e dosjeve në këtë periudhë u shfrytëzua si instrument për “fuqizimin” e familjes dhe përjashtimin e kundërshtarit politik.
Ky proces jo vetëm qe në asnjë akt të tij nuk i kontriboi misionit fisnik të pastrimit të politikës shqiptare, por për më keq ai “certifikoi” në politikën Shqiptare individë të njohur publikisht si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, dhe akoma me keq kontigjente shërbimesh jo partnere me aktivitet të dokumentuar antishqiptar.
Komisioni “Mezini” DESHTOI në misionin e tij moral dhe ligjor.
Pikërisht ky dështim në thelbin e Gjësë (do të thonin juristët) bëri që në ‘97 në skenë të dalë përsëri çështja e Ish- Sigurimit Shqiptar. Më 18 gusht të 1997, Parlamenti vendos një modifikim ligjor, duke riformatuar Komisionin e Pastërtisë dhe Kryetarin. Dhe ky komision (Bezhani tashmë ), posedonte tagër të plotë ligjor për “pastrimin” e politikës”, Por ky Komision që ligjërisht kishte mandat absolut veprimi dhe hulumtimi të pakufizuar në arkivat e Ish-Sigurimit : DËSHTOI !
Në finale te tij, u rifutën në politikë, tashmë me “moral të certifikuar”, të gjithë Ish-at e Ish-Organigramës të Sigurimit, Ish-at e Rrjetit të Informatorëve të Sigurimit, si dhe të gjithë “Ata Isha” që në këtë kohë SHIK-u i riaktivizoi nga Ish-rrjeti i Informatorëve të Sigurimit. Fatkeqësisht dhe për të keqen tonë të madhe dhe kontigjente aktivë të Shërbimeve jo Partnerë.
Ndërkohë kur komisioni “Mezini” e kishte fundin e qartë, sepse ai drejtohej në çdo qelizë të tij nga Berisha, dhe ishte ndërtuar qartësisht në shërbim të objeksioneve politike të Tij (Berishës) , Komisioni “Bezhani” dhe sot e kësaj dite, për opinionin nuk është e qartë përse dështoi. Në atë kohë pati dhe disa artikuj që hidhnin dyshime mbi dështimin “nga influenca të mëdha politike”, por më tej TERR Informativ.
E ditur është, se pas përfundimit të mandatit ligjor, vetë z.Bezhani shkroi dhe la në arkivën tonë botime në të cilat ai dekonspironte “nën maskim” disa “ agjente” të shërbimeve Jugosllave që kishin mundur t’i “penetronin” rrjetës së Komisioneve. “Agjentë” që në vitet 92-97 kishin ushtruar detyra tepër të rëndësishme në hierarkinë e Gjyqësorit, Legjislativit apo Ekzekutivit Shqiptar. Por ata nuk u publikuan as u “pastruan” nga Politika. Në fakt Bezhani në mënyrën e tij foli, dhe qartë.
Përse nuk foli hapur në publik Bezhani?! Personalisht kam folur gjatë me Bezhanin. Ishte burrë dinjitoz dhe i mençur. Bezhani ne fakt foli, por atje ku duhej.
Nëse lexon më vëmendje librat e tij kupton lehtë se Ai, Bezhani, ishte i shokuar mbi përmasat e penetrimit të Ish-ave në Administratën Politike Ekzekutive apo Legjislative Shqiptare. Kupton se Ai i vetëm nuk mund të vepronte. Sepse nëse ai do të vepronte, përmasat e tërmetit politik do të ishin të paadministrueshme. Ai nuk mund ta mbante mbi supe këtë përgjegjësi. Ai heshti në publik, por foli në paradhoma. Ai me dy botime të tij na tregoi të gjithëve të vërtetën e madhe, Kutinë e Pandorës që Ai me ndërgjegje nuk pranoi ta hapte. Pas tij, politika vazhdoi “e lirë”, me rezultate të tipit “shif e shkruaj”.
A po përsëritet Historia ?! Kush “fshihet”, kush është i interesuari, kush është “i fituari” pas iniciativës sot?

Historia e viteve 2005-2013 vazhdoi me ecejaket e shfrytëzimit politik të kauzës se krimeve të sigurimsave shqiptarë. Në të gjitha rastet konstatohen iniciativa nga PD-ja , me demagogjinë e “Pastertisë së Politikës” por me objekt të vetëm: Lustracionin – që në thelb kishte vetëm një qëllim: nxjerrjen nga politika me ligj të kundërshtarit potent politik. Iniciativat gjithmonë në prag fushatash. Rezultati gjithmonë: ASGJË.
Çështja rikthehet sot me një zhvillim tepër interesant. Iniciativa vjen nga Shoqëria Civile, e mbështetur nga dy deputetë të Rinj, Studentë Dhjetori. Iniciativë e pa pranuar, e refuzuar dhe atakuar politikisht nga PD-ja, e stimuluar në distancë nga PS-ja. Në themel të kësaj iniciative qëndrojnë dy pista të trajtuara gjerësisht deri më sot. Lustracioni dhe Hapja e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Nga biseda në tavolina kam konstatuar se në përgjithësi qytetarët janë të paqartë mbi konceptin e Lustracionit. Këtë koncept e ngatërrojnë me Hapjen e Dosjeve. Lustracioni nënkupton largimin nga politika të ish-punonjësve dhe strukturave legale të Ish-Sigurimsave. Këta individë nuk janë ata që rëndom i cilësojmë SPIUNE, por ata që kanë komanduar, urdhëruar, përdhosur e përdhunuar “Spiunët e rëndomtë”. Këta nuk kanë Dosje Sigurimi.

Zbardhja apo Hapja e Dosjeve është dekonspirimi dhe nxjerrja nga politika te Individëve që formatonin Rrjetin e Bashkëpunëtoreve apo rëndom, të Informatorëve. Këta individë tërhiqeshin në bashkëpunim nga ata sipër, ish-punonjësit e Sigurimit. Bashkëpunëtorët (Informatorët) në fakt ishin syri dhe veshi i Sigurimit në terren. Këta janë ata, që Ne me neveri, i cilësojmë SPIUNE. Kjo kategori ka ato Dosjet, në të cilat gjenden denoncimet, spiunimet, gjëmat që ata i kanë bërë vëllait, motrës, kushëririt komshiut.
Diçka më në detaje mbi dy Platformat e Sigurimit
Natyrisht këto koncepte bëhen të qarta kur lexon Platformat e Ish-Sigurimit Shqiptar. Në këto dokumente me atribute ligjore, jepet informacion i mjaftueshëm per të kuptuar mënyrën e organizimit dhe funksionimin të Ish-Sigurimit.
Në planin organizativ të instrumenteve dhe punës operative të rekrutimit, formatimit apo dokumentimit të aktivitetit operativ të Sigurimit, të dy Platformat janë gati të njëjta. Por në misionin, objektin dhe terrenin e veprimeve operacionale, dy platformat kanë një dallim tepër esencial.
Mbështetur mbi platformën e Mehmetit, Sigurimi organizonte punën operative jo vetëm në popull (në gjirin e klasave te përmbysura dhe reaksionare, dhe kudo ku interceptonte aktivitet anti-parti e anti-shtet), por dhe ne “gjirin” e Partisë. Pra një punonjës Sigurimi kishte mandat të tërhiqte në bashkëpunim dhe një anëtar të Partisë , të ndërtonte punë operative, survejimi apo mbikqyrje me bashkëpunëtore të tjerë dhe ndaj anëtarëve të Partisë. Ndërkohe që, në drejtim vertikal, ngarkohej dhe me ndërtimin e rrjeteve informative dhe në gjirin e organizatave Shoqërore, Shkolla, Institucione shtetërore etj.
Me këtë potencial “ligjor” ,Sigurimi i Koçi Xoxes ( deri në vitet ’50) kontrollonte tërësisht Partinë. Pas goditjes se Xoxes, Sigurimi i Shehut me Platformen e Shehut potencialisht kishte hapësira për kontrollin e strukturave partiake. Zbulimi i “aktiviteteve Armiqësore “ si dhe frika permanente se Sigurimi mund të dominonte armatën e besuar të Hoxhes, Partinë, dhe për pasojë do të paraqiste rrezik potencial për rrëzim nga pushteti, detyroi Enverin të rikonfigurojë veçanërisht këtë mandat të Sigurimit.
Në vitet 1972-1975 , prodhohet Platforma e dytë: Ajo e Ramizit. Kjo Platformë dallonte cilësisht nga e para, pikërisht në objektin e punës operative. Në Platformën e dytë, Sigurimit i ndalohej rreptësisht zhvillimi i punës operative në Organizatat e Partisë. Sigurimi nuk mund të tërhiqte në bashkëpunim asnjë anëtar të Partisë. Dhe nëse do te kishte bashkëpunim ai duhej të ishte Vullnetar, dhe me miratim të sekretarit të parë të Organizatës Bazë në partinë e rrethit. Nderkohë dhe puna operative e zhvilluar ndaj anëtarit të Partisë ose kurorëzohej me arrestim ose e gjithe praktika asgjësohej pa lënë asnjë gjurmë dokumentare.
Pra me miratimin dhe hedhjen në zbatim të platformës së Dytë, të Alisë, Sigurimi ishte thjesht instrument i Partisë, dhe nën kontrollin e saj. Prej viteve 72-75 nuk ka dosje sigurimi Shteti për anëtarë Partie.
Ndërkohë, puna operative, objekti, mënyra e tërheqjes në bashkëpunim etj etj mbeteshin absolutisht të njëjta në të dy Platformat. Në të dy Platformat shprehej qartë dhe taksativisht: Veprimtaria operative e Sigurimit zhvillohet brenda radhëve të Klasave të përmbysura dhe reaksionare, kundërshtareve të partisë e shtetit (Ballit Kombëtar, Kulakëve,Legalitetit dhe klasave të deklasuar) citim nga platformat.
Mbështetur mbi këtë Platformë , pas viteve 1972-1975, Dosje të Ish-Sigurimit të Shtetit, kanë pasur vetëm kontingjente që vinin nga shtresat shoqërore të klasifikuara, reaksionare, të përmbysura, anti-parti dhe anti-shtet.
Natyrisht nuk flas për Dosjet e Përgjimit për individë të dyshuar për aktivitet anti-parti. Jo,po flas për Dosje të individëve të cilët, janë tërhequr në bashkëpunim nga Oficerë të Ish-Sigurimit me metoda detyruese, shtrëngim apo dhe me vullnet të lirë, në shkëmbim të favoreve individuale (shkolla të larta, llogaritare në kooperativa, mësues në qytet, punë të lehta ne terren por dhe “shpëtim nga Burgu i sigurtë “). Këto Dosje kanë pseudonime , kanë çarçafë të tërë denoncimesh per vëllezër motra, baballarë, shokë, komshijë. Pra, po flas për Dosje të individëve të cilët Ne, në bisedat tona i cilësojmë me neveri: SPIUNË!
Beteja per te vërtetën ?!
Mbi këto te vërteta ( Platforma dhe analiza të aktivitetit të Sigurimit të Shtetit) PD-ja e PS-ja në vite aktualisht kanë projektuar dhe aplikuar strategjitë e tyre ne pistën e “Pastërtisë se Figurave”, dhe pse aktualisht aksionin e “udhëheq” Shoqëria Civile.
Rama është i informuar tashmë se kontingjentet e rrjeteve të bashkëpunëtoreve të Ssh-Sigurimit shtrihen në gjirin e “Klasave te Përmbysura Reaksionare..”. Ndërkohë, për të gjithë , natyrisht dhe për Ramën,është e ditur se këto grupime shoqërore, gjenetikisht janë instaluar pranë PD-së. Në këto kushte, nuk do mend e kalem se potencialisht aksioni i Hapjes se Dosjeve ka objekt dhe subjekt të tij kontigjente masive të instaluara në hierarkinë politike në qendër dhe në bazë të PD-së.
Ndërkaq, është po kaq e sigurtë, se vështirë se bashkëpunëtore të Ish-Sigurimit do të gjenden në gjirin e PS-së. Dhe ata të paktë, me aktivitet në gjirin e “armiqve të klasës”, vullnetarizmin në gjykimin e tyre e kanë ofruar “në shërbim të Shtetit” që ata besonin, donin dhe dashuronin. E thënë Shkurt, vështirë se në Dosjet e mundshme të “Bashkëpunëtorëve ish-komunistë” të mund të gjesh dokumenta ku të evidentohet se kanë spiunuar familjaret e tyre. Gjithsesi kujt i plasi për ta në PS. Këta kontingjente në PS nuk përbëjnë fenomen.
Por të tillë, me aktin e hapjes se dosjeve do te gjesh me bollëk ne gjirin e PD-së. Ky fakt si fenomen tipik në PD, në procesin e Hapjes se Dosjeve do të shoqërohej me pasoja te mëdha në imazhin politik të saj (Kjo e vërtetë e tmerronte dhe plakun e mençur Bezhani). Kësaj të vërtete i trembet sot dhe PD-ja. Nuk është i rastit rinovimi tërësor i strukturave të PD-së. Gjithsesi, një fakt nuk e ka konsideruar dhe kjo lëvizje “përjashtuese” e udhëheqjes së sotme të PD-së : Bijtë e kujt janë këta që u emëruan në lidership? Ndoshta këtu gabohem. Koha do të flasë me zërin e së vertetës. Por nëse kam të drejtë, a do të kërkojnë falje Bijtë për Etërit SPIUNE? A do të largohen këta Bij nga politika në emër të Moralit të përfaqësimit? Le të presim, edhe pse pa besim.
Në këto rethana, konstatohet fare thjeshtë se në këtë betejë aktualisht PD-ja është mbërthyer në çark. Këtë betejë, ajo, e ka të humbur në të gjitha pistat. Ajo ,tashmë nuk posedon pushtet ligjvënës që të devijojë me artifica ligjore pasojat. Ajo gjithashtu nuk ka pushtet politik e moral të pengojë Hapjen e Dosjeve.
Në këtë situatë, ajo do të përpiqet të shmangë me çdo kusht debatin për hartimin e ligjit. Ajo, pikërisht në këtë moment mbijetese potenciale, do të tentojë të organizojë aksione politike për të tërhequr vëmendjen nga Hapja e Dosjeve, apo për të nënvleftësuar si “të kaluar kohe” këtë proces.
Në pamundësi për të penguar procesin ajo do të amplifikojë në EXTREMITET pistën e Lustracionit, duke tentuar të penalizojë krahas Punonjësve të Ish-Sigurimit, dhe gjithë administratën e lartë politike, ekzekutive dhe shoqërore të kohës. Të gjithë bashke me të njëjtën ngarkesë ligjore e morale me Bashkëpunëtorët e Rrjetit Informativ (Informatorë, Agjentë, Strehues apo Rezidentë).
Me keqardhje konkludoj se kjo “luftë” do të jetë pa rezultat. Individët, objekt Lustracioni, aktualisht janë të njohur, pa emocione misteri, me këndvështrim e profil të zbardhur në këtë 23-vjeçarë. Referuar Ish-Sigurimin të Shtetit, këta kanë qenë Protektorë, Persekutorë të Bashkëpunëtorëve. Fatkeqësisht për promovuesit e tyre, psikologjia e turmës sot do t’i shohë si dominantë, të fortë, shkurt si Ish-Oficerë të Sigurimit të Shtetit. Mos të gënjejë njeri veten, se sot, opinioni është ngarkuar me urrejtje ndaj funksionareve politike dhe të Sigurimit të para 24 vitesh. Epiteti “kriminelë” të Partisë apo Sigurimit është ai, për të cilat këto kontingjente, të anatemuar nga politika berishiane për 24 vjet, sot e kanë të nevojshme, e kanë për nder të etiketohen. Turma sot ka NEVERI dhe vetëm NEVERI për ata që spiunuan të afërmit.Ngjarjet e zbardhura të këtyre të vërtetave ngacmojnë Turmën. Morali mbi “krimet e Sigurimit Shtetit”, duam apo nuk duam ne, është i dalë boje. PS-ja, si trashegimtare gjenetike e PP-së, aktualisht është në pushtet. Realiteti s’ka nevojë për moral e koment.
Ndërkaq ,Individët objekt i Lustracionit, në këto momente që flasim realisht janë jashtë politike. Në politikë Sot ka dalë skualioni i Bijve të Tyre, dhe me Ligj këtij brezi nuk ke çfarë ju bën. Nga lista e të përjashtuarve të Komisionit Mezini 1995-1996, (si më konservatori në këtë pistë), në politikë është vetëm një: Gramoz RUÇI. A mos do bëhet Ligj vetëm për të?! Çdo përpjekje për të justifikuar Lustracionin në baraspeshë me Hapjen e Dosjeve Sot është jo vetëm demagogji por Dështim i sigurtë.
Faktori RAMA
Mund të ketë jo pak që janë habitur se përse disa zëra në PD, si Halimi, apo Paloka, kundërshtuan dorëzimin e projektligjit nga Doda në Kuvend. Por në fakt ata që dinë mirë të shkuarën, apo kanë përjetuar disa etapa si në rastin tim, nuk habiten aspak sepse e kanë ditur prej vitesh që në PD ka më shumë betejë kundër Hapjes se Dosjeve se tek e majta.
Ndërkaq në përpjekjen e saj për të penguar me çdo kusht Hapjen e Dosjeve, Sot ,PD-ja do te ndeshet me nje fenomen të ri të shtuar ne këtë beteje: Edi Ramën.
Rama është një PS-ist zhveshur nga komplekse të bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit, me nje ego tipike “ për te zënë vend në historinë e Shqipërisë”. Me vendosmëri për t’i hapur me çdo kosto politike Dosjet e Sigurimit. Të dhënat e deritanishme tregojnë se Rama jo vetëm çon pa kthim dhe me çdo kosto deri në fund objektivat e tij, por veçanërisht me Dosjet është dhe më i fituari !
Parë nga të dhënat e deritanishme, në këtë histori të rinisur, procesi padyshim që do të shokojë PD-në. Por, parë në një vështrim më afatgjatë, ky proces do të çlirojë vetë PD-në nga kurthi i “Presionit dhe Sugjestionit të pronarit të DOSJEVE” që e ka mbajtur peng PD-në në vite nën regjinë e Berishës.
Të hapen Dosjet? Lulzim Basha dhe shërbimet jo partnere ne Shqipëri
Dosjet duhet, dhe do të Hapen!
E në këtë proces te Hapjes se Dosjeve, PD-së do t’i duhet të zbardhë dhe anët e errëta të “Jetës në Holandë” të kryetarit të saj Lulzim Basha. Në parantezë është i vetmi politikan në Shqipëri që ka ngritur majat e “olimpit” të politikës Shqiptare, dhe që ka një periudhe kohore të jetës së tij jashtë Shqipërisë të pazbardhur.
Fatkeqësisht, në CV-në e tij ka periudha të jetës të pambuluara as me dokumente dhe as me dorëshkrime. Vite të tëra të “Jetës së tij studentore në Holandë”. E Basha në kuadër të ligjit të transparencës do të ketë detyrime të zbardhë dhe të vërtetën e fshehur në këto vite. Pa këtë të vërtetë, vetë ai, Lulzim Basha, do të jetë “Hija e dyshimit që do të shoqërojë vetë lidershipin e Ri politik të Partisë Demokratike, lidership të zgjedhur dhe emëruar direkt prej Bashës”.
Së fundmi, Agjentura e Sherbimeve te Huaja jo Partnere. Do të pozicionohesha absolutisht i ashpër, jo tolerant dhe agresiv për zbardhjen e neutralizimit të strukturave agjenturore të shërbimeve jo partnere (lindore).

Këto struktura, dje fatkeqesisht dhe sot janë aktive në Shqipëri. Ato nuk janë prodhuar këto 24 vite demokraci. Në pergjithësi ato janë trashëgim i “fjetur” në Dosjet e Ish-Sigurimit .
Ato thjesht prej viteve ‘90 e në proces u orientuan drejt lidershipit politik, duke okupuar në mënyrë të studiuar, financuar, mbështetur e orientuar majat e politikbërjes së shtetit.
Këto struktura fatkeqësisht evidentohen dhe sot (dhe pse objekt i SHIK-ut) diku si llogore, diku si frëngji e diku direkt si armë politike destruktive për stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit Shqiptar. Në këtë gjykim, ato dhe ne këtë moment që lexojmë e shkruajmë janë në aksion, janë aktive, përbëjnë rrezikshmëri immediate në stabilitetin e Shqipërisë. E, në këtë këndvështrim, Dosjet duhet të hapen pa kushte .
Shqipëria duhet të çlirohet përfundimisht nga këta .. TRADHETARE !
http://www.pol-al.com


Leave a Reply