
Ditë ankthi
(Vazhdon tregimi i nënës sonë Eleni Stefa “Mësuese e Popullit”)
Ikja e Kostaqit në misionin e caktuar për shpëtimin e ushtarakëve amerikanë në mes të atij dimri të egër të vitit 1943 dhe sidomos rreziku, që mbarte ky mision me gjermanët që gjendeshin kudo, për mua në veçanti, por edhe për gjithë pjestarët e tjerë të familjes sonë, ishte një gjendje ankthi shumë e vështirë.Megjithatë kjo mgjarje sikur na bëri më të fortë dhe më të vendosur. Në shtëpi secili mundohej të punonte sa më shumë për të më lehtësuar mua me katër fëmijët e mi, ku më i madhi Alfredoja ishte nëntë vjeç e gjysëm dhe më i vogli Vangjeli ishte vetëm gjashtë muajsh.
Një ndodhi na tronditi shumë në ato ditë ankthi. Pas nja dy tri ditë siç kishte ikur Kostaqi, në mes të natës trokitën me forcë në portën tonë. Të trembur pyetëm se kush ishte dhe zëra prapa saj na kërkuan ta hapim duke na thënë, se ishin dy shokë të Kostaqit.
Më kujtohet si tani, që unë dhe Babai (vjehrrri Vangjeli) zbritëm me vrap poshtë me shpresë, se do të kishim ndonjë lajm nga Kostaqi, por kur hapëm portën na dolën përpara dy fytyra krejt të panjohura. Njëri ishte i armatosur, ndërsa tjetri pyeti: “A është Kostaqi këtu?!”
“I armatosuri” rrotullonte sytë sikur të kontrollonte brenda. Iu thamë, se Kostaqi nuk ishte në shtëpi dhe se ndodhej në Tiranë. Unë u hodha dhe thashë: ”Po ju kush jeni? Jeni nga Berati? Pse thatë, se jini shokë të Kostaqit? Unë nuk ju kam parë ndonjëherë!”
Ai, i cili rrotullonte sytë tha:”Pse i njeh të gjithë shokët e burrit ti?!” Ndërsa tjetri e tërhoqi prej mënge dhe i tha që të shkonin duke na ururar natën e mirë. Mbyllëm portën dhe atë natë nuk na zuri gjumi, por diskutuam deri vonë. Ç’të ishin vallë ata të dy?! Kush i kishte dërguar dhe pse e kërkonin Kostaqin?!
Kjo ngjarje më shtoi më shumë ankthin dhe merakun për disa ditë. Çdo natë diskutonim rreth kësaj ngjarjeje, pastaj të zënë me hallet e tjera që kishte shtëpia dhe me shpresë që çdo gjë do të përfundonte mirë, sikur e harruam atë që ndodhi. Vetëm, që nga Kostaqi nuk kishim asnjë lajm dhe sigurisht që ne prisnim më kot lajme nga ai, sepse e dinim edhe vëtë që s’kishte asnjë mundësi që dikush të na tregonte diçka për gjendjen e tij.
Kaloi kështu një muaj dhe asgjë nuk dinim, se ku ndodhjej i dashuri ynë Kostaq. Po afroheshin Krishtlindjet. Megjithëse ishte kohë lufte mangalemasit, si gjithë qytetarët e Beratit, nuk hiqnin dorë nga përgatitjet sipas mundësive për ta festuar këtë ditë të lindjes së Krishtit. Qëkur isha martuar kjo ishte Krishtlindja e parë, të cilën po e prisja pa Kostaqin. Vallë ku ndodhej ai? A ishte gjallë?! Isha e mërzitur sa s’bëhej dhe me kunatën e vogël Kiton (Krisavgjinë) po bënim përgatitjet për festën kur na ra dera dhe u habitëm edhe ne kur dëgjuam që dikush tha: “Ua, Niqi!” Dolëm me vrap dhe pamë Niqin që po ngjiste shkallët së bashku me të shoqin Taqon dhe djalin e tyre të madh Pirron. U gëzuam pa masë kur i pamë dhe unë ndoshta më shumë se të gjithë, se Niqin e kisha pasur shoqen time, siç e kam thënë dhe më lart.
Taqua kishte ardhur me shërbim, sepse ishte ushtarak dhe në këtë rast për mendimin tim ishte treguar pak kokëkrisur, që kishte “lëvizur” me gruan dhe djalin në atë kohë të vështirë lufte. Ardhja e tyre na solli gëzim, se kështu siku harruam për ca çaste ankthin që na kishte pushtuar, por edhe ata u mërzitën kur mësuan për Kostaqin. “Gjermani është shumë i egër dhe dimri po ashtu, tha Taqua, por le të shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë dhe Kostaqi ynë do të kthehet shëndoshë e mirë!”
Kur i treguam Taqos për ata dy njerëzit e mesnatës, që kërkonin Kostaqin, ai më pyeti, nëse amerikanët do t’i shoqëronin korrierët partizanë dhe nëse dija gjë, se kush e nisi Kostaqin. I thashë për Kahrreman Yllin dhe ai pa menduar fare tha: “Ata të dy që kërkuan Kostaqin kanë qenë ballistë. Kanë dashur të mesojnë ndonjë gjë për amerikanët.” Këto fjalët e tij më shtuan më shumë merakun për tim shoq…
Pasi kaluam bashkë natën e Krishtlindjes, të nesërmen të gjithë së bashku shkuam në kishën e Shën Mëhillit dhe më pas Taqua, Niqi dhe Pirroja u nisën për udhë dhe ne na zuri ankthi, se si ata do të arrinin gjer në Tiranë, se kohë lufte ishte dhe nuk i dihej, por Taqua na qetësoi duke na thënë se do të dërgonte një njeri për të lajmëruar për mbritjen e tyre në Tiranë dhe ashtu u bë. Të nesërmen erdhi një djalë i ri, i cili na tha se zoti Taqo ju bën të fala dhe se arriti shëndoshë e mirë me familjen në Tiranë. Kjo na gëzoi dhe na qetësoi të gjithëve.
Ditët kalonin njëra pas tjetrës, me hallet e shtëpisë, me fëmijët, që faleminderit Zotit dhe kujdesit të jashtëzakonshë m të gjyshërve të tyre dhe Kitos, kunatës sime, të cilën unë e konsideroja njësoj si motrat e mia, gëzonin shëndet të mirë, por gjendja ime shpirtërore ishte e shqetësuar për shkak të luftës. Siç e kam thënë dhe më lart tre nga vëllezërit e mi dhe kunati Kozmai ishin partizanë dhe ja tani u shtua dhe Kostaqi, që nganjëherë më bëhej sikur prisja më kot të kthehej dhe sikur s’do ta shihja më kurrë. Misioni që i ishte ngarkuar ishte tejet i vështirë dhe do të ishte një mrekulli sikur ai të më kthehej gjallë!
Kthimi nga misioni
Janari i vitit 1944 ishte në të dalë dhe u mbushën dy muaj pa asnjë lajm nga im shoq Kostaqi. Ishte mbasdite e 30 janarit, ndaj të ngrysur kur dikush trokiti tri herë në portën tonë. U hodha përpjetë nga gëzimi dhe ngaqë nuk doja ta besoja. Ajo ishte një trokitje e njohur për mua, ndaj vrapova dhe hapa shpejt portën kur para meje u shfaq një burrë me kasketë në kokë dhe unë dëgjoiva zërin aq të dashur për mua, që tha: “ Pse hapet porta pa pyetur se kush është, moj nuse?!” Pastaj u dëgjuan britmat e mia të gëzuara dhe nuk mbaj mend se çfarë i thashë dhe e gjithë shtëpia u ngrit më këmbë. Zërat e të mëdhenjve përziheshin me britmat e gëzuara të Alfredos, Eldës, Vitores, të cilët filluan të këndonin pastaj si në kor: “Erdhi Taçi! Erdhi Taçi!” Nëna e Kostaqit dhe Kitua qanin nga gëzimi, kurse Aldoja, italiani kishte shtangur aty më këmbë dhe shikonte me sy të habitur gjithë atë zallamahi…
U ngjitëm të gjithë lart, përgatitëm ujin që Kostaqi të mund të bënte një banjë dhe të qetësohej. Ai ç’është e vërteta, pasi kishte hequr këpucët, kishte marrë Vangjushin e vogël në krahë dhe të tre fëmijët e të tjerë i mbante përreth dhe me ta filloi të këndonte dhe të lodronte për shtatë palë qefe. Thua, se ishte kthyer nga një kamp pushimi dhe jo nga gjithë ai udhëtim i gjatë.
Kur çdo gjë u qetësua dhe ramë të flinim, ai më tha: “Leni e dashur, mos më pyet shumë, jam shumë i kënaqur që çdo gjë doli me sukses. Amerikanët shpëtuan dhe unë jam i lumtur, se mora falenderime si nga ata, ashtu edhe nga Mehmeti (Mehmet Shehu), të cilin e takova dhe i fala një palë dylbi, që m’i dhanë ata. Lëre, mos më pyet! Kaluam vështirësi dhe rreziqe të mëdha dhe faleminderit Zotit, që më ke pranë! Kemi bërë gati tetëqind e më shumë kilometra më këmbë, duke çarë borën, duke kapërxyer kodra dhe male, me rrezikun që na kanosej nga avionët gjermanë, të cilët na kalonin herëpashere përmbi kokë, por falë mikrpitjes që është një dhunti e rrallë e popullit tonë, falë prakticitetit dhe qëndrushmërisë së amerikanëve, ne ia dolëm mbanë. Mos u çudit pastaj, kur të të them, se korrierët partizanë ishin fare të rinj dhe e bënin punën e tyre në mënyrë të përkryer dhe pa u përkulur nga gjithë ato vështirësi.
Ti e di, që unë u rrita në një shkollë amerikane, i kam njohur nga afër ata, mjafton të kuptosh Fullcin, që edhe ti e ke njohur, por këtu pata rastin t’i njoh amerikanët në vështirësi. Mos harro, se kishim mbi dhjetë femra me vehte dhe ruaj në kujtesë, se me sa vetmohim, ato vazhduan rrugën në ato lloje vështirësish pa u ankuar as edhe njëherë. Më kujtoheshin atëhere gjithmonë fjalët e arta të Fullcit: “Mundohu ta bësh veten dhe Atdheun tënd sa më të nderuar dhe të vlefshëm për të jetuar dhe po qe nevoja të japësh edhe jetën për të!” Kur i shihja ashtu të vendosura dhe të bindura, thoshnja, se kështu i kanë edukuar!”
Duke dëgjuar ç’po më tregonte, unë i thashë Kostaqit: “Sa mirë do të bëje sikur t’i hidhje në letër të gjitha kujtimet e këtyre dy muajve!” “Ke të drejtë, më tha ai, edhe unë kam menduar të shkruaj një libër në një të ardhme, natyrisht kur të mbarojë lufta…”
Kostaqi ishte një demokrat i vërtetë. Ai donte ta shihte Atdheun e tij, Shqipërinë të lirë, të përparuar. Ai donte me gjithë shpirt familjen e tij dhe jetën. Jam e sigurtë, që sikur të mos ia kishin prerë jetën aq barbarisht, në një moshë aq të re, familja jonë do të shtohej çdo dy vjet dhe me siguri do të arrinte në mumërin tetë të fëmijëve, ashtu siç ishte dhe familja e tij: katër vëllezër dhe katër motra!…Ai ma kishte shprehur këtë dhe më thoshte përherë: “Leni, fëmija është gazi i jetës, është lumturia dhe e ardhmja e saj!”
Biseda jonë atë natë vazhdoi deri vonë. Unë e pyeta në veçanti për Vilmën dhe Agnesin, të cilat fjetën në shtëpinë tonë dhe ai më tha, se ato nuk ishin vetëm inferimiere dhe aq, por ato ishin edhe ushtarake të vërteta, të përgatitura për çdo lloj vështirësie. Kështu për Xhensin, siç e thërrisnin shkurt Agnesin, Kostaqi më tha, se ajo, pasi kishte marrë adresat e dy vëllezërve të tij, Telemakut dhe Gjergjit, i kishte premtuar atij, se kur të kthehej në Amerikë do të shkonte t’i takonte ata. “Ndarja, më tha ai, ishte shumë prekëse. Ajo, (Xhensi) më dha shenjat e aviacionit amerikan, që kishte në uniformë dhe më porositi që t’ja jepja Alfredos, sepse sipas saj atij i kishin pëlqyer shumë. I kam në çantë dhe do t’ia jap nesër. Unë u mundova t’iu gjeja ushqim amerikanëve, por nuk ishte e lehtë, sepse vërtet fshatarët ishin të raskapitur sa më s’ka nga lufta, por më tepër nuk kishin besim. Më duhej atëhere t’iu spjegoja atyre, se amerikanët që unë shoqëroja, ishin aleatët tanë në luftë kundër nazifashistëve, pra ishin në krahun tonë.”
Kostaqi pastaj më tregoi, se vetë Presidenti i Sh.B.A., zoti Ruzvelt, interesohej për “ushtarakët e humbur” dhe për këtë ishin vënë në diheni sapo qe vendosur lidhja me shtabin e tyre. Më tregoi, se si afër Gjirokastrës, kishin dërguar dy aeroplanë amerikanë në përpjekje për të shpëtuar amerikanët, se si ishte bombarduar më pas vendi aty nga aeroplanët gjermanë, se si ishin takuar me shumë vendas, të cilët po iknin të fshiheshin nëpër shpella…Pastaj Kostaqi më tha, se tani i kishte ardhur gjumi dhe se do të m’i tregonte shumë gjera të tjera në ditët që do të vinin më pas. Pas pak unë dëgjova frymëmarrjen e tij të qetë…
Të nesërmen shtëpia kishte tjetër pamje. Kishte më shumë gjallëri dhe të gjithë ndiheshin ndryshe. Alfredoja hyri në dhomë i kapadardisur me shenjat e aviacionit amerikan, të cilat Kostaqi ja kishte venë në mbi bluzë në krah dhe në gjoks. Ne duartrokitëm dhe ai shkoi shumë i kënaqur duke u hedhur në krahët e gjyshit të tij, Vangjelit. Na dukej sikur lufta kishte mbaruar dhe hallet tona gjithashtu, por e gjithë kjo kishte qenë e gënjeshtërt.
Kishin kaluatr nja katër ditë nga kthimi i Kostaqit dhe ai nuk kishte dalë fare jashtë shtëpie, ngaqë kërkonte të çmallej më shumë me fëmijët e tij të dashur, kur aty nga ora shtatë e mbrëmjes trokitën në portën tonë. Unë isha në kuzhinë, e cila ndodhej në katin e parë të shtëpisë, ku ishte dhe dhoma e pritjes, kur Kostaqi hapi portën pashë që ishin tre burra, të cilët filluan të flisnin me të. Kostaqi erdhi sipër, mori pallton, mbathi këpucët dhe më tha: “Leni, unë po shkoj deri në Komandë për të sqaruar diçka, lajmëro babanë dhe të tjerët! “ Nga zëri e kuptova që ishte i tronditur dhe që mundohej të mbante vehten. U bëra gati të ngrija zërin dhe t’iu thoshnja ndonjë fjalë atyre që e prisnin poshtë, por ai me atë gjakftohtësinë e tij më tha, se nuk duhej të alarmohesha, se do të kthehej shpejt. Dërgova Alfredin tek tezja e Kostaqit, që të thërriste baba Vangjelin dhe të tjerët, të cilët erdhën menjëherë shumë të merakosur. U spjegova se ç’kishte ngjarë dhe ata u alarmuan të gjithë. Nënë Parashqevia u mblodh sa një grusht në qoshen afër oxhakut dhe filloi të qajë duke thënë:”E zeza unë! Do të ma vrasin djalin, të vetmin që kam në shtëpi!” Kitua mundohej ta qetësonte, ndërsa baba Vangjeli po më pyeste mua, ndoshta për të dhjetën herë: ”O Leni, më thuaj, moj bijë, ç’të bëj?! Ku të vete tani natën?! A t’i shkoj në shtëpi Kadri Beut (Kadri Cakranit)?!”
Unë u mundova ta qetësoj duke i thënë, se ndoshta Kostaqi do të kthehej. Orët po kalonin dhe ne atë natë thuajse e gdhimë duke pritur, të ulur tek dhoma e zjarrit, kështu e quanim dhomën me oxhak, por Kostaqi nuk erdhi…
Të nesërmen baba Vangeli doli pa thënë se ku do të shkonte dhe u kthye nga dreka fare i lëshuar. Në sytë e tij lexohej vetëm dëshpërimi. Pra, mendova, ai s’paska marrë vesh asgjë për Kostaqin! Rreth orës dy të pasdites trokitën në portën tonë dhe kur kjo e fundit u hap u ndodhëm para një të papriture: ishte Taqua me adjutantin e tij, që sapo kishin arritur nga Tirana! Nga e papritura dhe ngaqë na dukej sikur Zoti na kishte dërguar Taqon në ato çaste, ne filluam të flisnim të gjithë në një kohë, kur ai na pyeti se ç’kishte ndodhur. Më në fund baba Vangjeli tha: ”Lini të flasë Leni dhe t’ia spjegojë Taqos, se ajo ishte kur e morën Kostaqin.”
Taqua më dëgjoi me vemendje dhe tha: “Kini të drejtë të mërziteni, por çdo gjë besoj dhe kam shpresë se do të rregullohet, se unë i kam sjellë rrogat Kadri Beut, ndaj po shkoj drejt tek ai dhe të marr vesh se si është kjo punë.”
Pa u çlodhur mirë nga rruga, ai u nis bashkë me adjutantin e tij për tek Kadri Beu. Ne mbetëm në shtëpi të mbështjellë nga një ankth që sa vinte dhe shtohej. Pas nja dy orësh Alfredi që po luante përjashta hyri me vrap dhe thirri me sa zë që kishte: ” Po vijnë, po vjen xhaxhi Taqua me Taçin! (kështu e thërrisnin fëmijët Kostaqin)”
Të gjithë zbritëm shkallët me vrap, si unë, Kitua dhe nënë Parashqevia. Ata hynë pas pak. Kostaqi ishte tmerrësisht i zbehtë dhe njërin sy e kishte të enjtur. U mundua ta fshehë, që të mos e shihnin fëmijët dhe nëna e tij. Në darkë, pasi u vunë fëmijët në gjumë, Taqua na mblodhi të gjithëve rreth tavolinës dhe tha: “Dëgjoni! Jeta e Kostaqit është në rrezik, prandaj do të rri këtu dy ditë me ju. Në këto dy ditë ju dua të gjithëve gati, se do t’ju marr me vehte në Tiranë!”
Këto fjalë ishin si një ultimatum që na ra si një bombë, por nga ana tjetër, përpara jetës së Kostaqit nuk kishte vend për të diskutuar. Kur ramë të flinim Kostaqi më tregoi, se e kishin rahur keq me grushta dhe shkelma, sepse i kërkonin të tregonte, se ku kishin përfunduar amerikanët.
“Isha në një birrucë të tmerrshme, më tha ai, dhe nuk di nëse do të kisha rezistuar po të mos vinte Taqua me Kadri Beun. Ky i fundit më tha, se ç’më duheshin amerikanët mua?! Ç’punë kisha unë me partizanët?!”
Kostaqi i kishte thënë, se ai nuk dinte gjë për çfarë bëhej fjalë, sepse kishte qenë në Tiranë, por Kadri Beu i qe përgjigjur: “Leri këto! E dimë mirë se ku ishe dhe me cilët, por thuaj faleminderit Taqos që të shpëtoi. Tani e dini vetë ju, po të kapëm prapë, unë s’kam ç’të të bëj!”
Prandaj dhe Taqua ngulte këmbë për nisjen tonë familjarisht drejt Tiranës.
Në Tiranë
Përfundimisht ne u gjendëm në Tiranë. Vërtet udhëtuam me frikë në zemër, sepse kishim me vete edhe fëmijët, Kiton, Aldon (italianin) dhe prindërit e Kostaqit, por faleminderit Zotit arritëm pa shumë peripeci deri tek shtëpia e kunatit tjetër Andrea Sahatçiut, në Tiranën e re, ngjitur me distilerinë “Lux”, aty ku sot ngrihet Qendra Kombëtare e Kulturës “Pjetër Arbërori”. Shtëpinë tonë në Berat ia lamë nën kujdestari një mikut tonë Halilit nga Skrapari, i ati i të cilit ishte besnik i familjes Stefa prej disa brezash.
Në Tiranë gjetëm një shtëpi me qera tek rruga e Elbasanit, por kur më vonë aty afër nesh u vendos komanda gjermane , kunati Andrea, që banonte në anën tjetër përkrah hotel “Dajtit”, na ftoi si bujtës në shtëpinë e tij të madhe. Aty kemi kaluar mirë derisa nuk kishte filluar lufta e Tiranës, sigurisht kishte aeroplanë që na kalonin mbi kokë dhe lufta bënte të vetën.
Në fillim edhe lëviznim nga pak për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë, por kur filloi lufta e Tiranës atëhere çdo gjë u bë e vështirë dhe ne kishim marrë masat me rezerva ushqimore. Nazistët gjermanët kishin ngritur një bunker fare pranë shtëpisë dhe ne i kishim porositur fëmijët që të mos lëviznin nga shtëpija, sepse ishte rrezik i madh nga plumbat qorrë, siç quhen, që s’dihet nga të vijnë.
Si zonë, ne u çliruam më parë. Partizanët na erdhën në shtëpi dhe midis tyre ishte dhe vallai im i dytë, Mitaqi (Dhimitri). Ata ishin një grup prej dhjetë vetësh dhe ata i kishte sjellë tek ne im vëlla. Maria, kunata ime doli dhe u tha të bënin një zjarr në oborr dhe mbi të vumë një kusi të madhe, që të bënim hallvë. I ftuam partizanët brenda për t’u larë dhe të ndërronin ndonjë rrobë, por ata thanë, se do të laheshin aty në oborr edhe pse ishte nëntor dhe bënte ftohtë.
Fëmijët i kishin rrethuar me dashuri dhe kurreshtje. Partizanët i merrnin dhe i ngrinin lart, pastaj i lëshonin prapë në tokë. Kur u bë hallva hëngrëm të gjithë bashkë me ta duke uruar njëri tjetrin dhe kur u ndamë thamë vetëm një urim ” Mirëupafshim në Shqipërinë e lirë demokratike!” E putha fort tim vëlla dhe m’u mblodh një lëmsh në fyt. Ai e vure re ngashërimin tim dhe më tha, që të qëndroja e fortë dhe kur e pyeta për dy vëllezërit e tjerë më tha: “Leni, mos ki merak! Janë gjallë kështu si unë. Po t’iu kishte ndodhur gjë do të ishte marrë vesh.”
Shokët po e prisnin dhe ai iku me nxitim…Në darkë erdhi Kostaqi, djali i madh i Andreas dhe na tha, që të kishim kujdes të mos dilnim nga ana tjetër e Tiranës, se atje po bëhej nami! Na shkoi mendja tek Niqi, Taqua dhe fëmijët e tyre.
Të nesërmen në mëngjes, unë dhe Kitua vendosëm të shkonim një herë andej nga Niqi, pa iu thënë gjë të tjerëve. Niqi e kishte shtëpinë tek rruga e Kavajës, përballë Radio “Tiranës”. Ecëm me Kiton deri në një farë vendi, diku afër ministrive dhe dolëm nga prapa, por vumë re, se andej dëgjoheshin pambarim krisma armësh dhe ngriheshin shtëllunga të zeza tymi.
U bëmë merak edhe më tepër dhe filluam të shpejtojmë hapat, por hymë në një rrugicë dhe aty na doli përpara Loni, djali i Frano Lezhës, shtëpia e të cili ishte në një mur me shtëpinë e Niqit. Ai na tha të ktheheshim prapa, sepse gjermanët po digjnin pothuajse të gjithë shtëpitë tek rruga e Kavajës. Na tha, se ata kishin shpëtuar për mrekulli, po ashtu dhe shtëpia ku rrinte Taqua me Niqin dhe fëmijët e tyre. Loni na tregoi, se forcat gjermane ishin çvendosur më andej, por ne na këshilloi të ktheheshim, sepse po rrezikonim shumë.
Ne dëgjuam këshillën e tij dhe morëm rrugën drejt shtëpisë sonë.Kur u kthyem të gjithë na tërhoqën vërrejtjen. Kostaqi kishte dalë të na kërkonte dhe kur më pa më tha:” Po ti je çmendur?! Po për fëmijët a mendon?!”Ai ishte ashtu, i donte shumë fëmijët dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi.
Më 17 Nëntor 1944 Tirana u çlirua. Ne dolëm pas dy ditësh dhe shkuam nga Niqi. “O Zot, i thashë Kostaqit, qenka bërë hataja!” Lana ishte mbushur me gjermanë të vrarë. Rruga e Kavajës, me të vërtetë ishte nxirë nga djegijet e shtëpive. Arritëm tek shtëpia e Niqit dhe u gëzuam që i gjetëm të gjithë shëndoshë e mirë. Prindërit e Taqos nisën të qanin nga gëzimi kur morën vesh, që ishim të gjithë shëndoshë e mirë dhe ne të tjerët. U dëshpëruam shumë kur morëm vesh, se kishin djegur shtëpinë ku banonte Papa Anastasi dhe kishin vrarë atë, një nga dhëndurët e tij, një nip dhe dy nga pjestarët e familjes së tij ishin plagosur. Ne, si unë dhe Kostaqi, u dëshpëruam shumë, sepse Papa Anastasi ishte i ati i Vangjelisë, gruas së Mihal Burdumit, kushëririt të parë të Kostaqit.
Derguar nga Vitore Stefa Leka


Leave a Reply