
Në shenjë nderimi dhe respekti për komunikimin me Ty, dashurinë që na fale, u përula përballë Barbarozës për të ndjerë erën aromatike që ti na e dhurove me aq mirësi dhe plot kuptim. Ti si Ëngjëll m’u shfaqe, si imazh drite me librin në dorë: “Lotët e Rozafës mbi Drin”.
Lamtumirë Rozi, lamtumirë shkrimtare dhe zonjë e bukur. Dhimbshëm e mora lajmin e ikjes tënde në botën e amëshueme, por brenda miqve të tu dhe lexuesve të shumtë ke lënë penën e artë dhe peshën e librave, që me aq dashuri dhe pasion i shkruajte. Ishte kënaqësi të të takoje Ty në shumë aktivitete të rëndësishme të Diasporës, që fjalën tënde e dëgjonim me shumë ëndje. Gjithmonë gjeneratat kanë nevojë për fjalën e më të madhit në moshë, për fjalën e gjeneratës tjetër, vecanërisht kur ato dëgjohen dhe merren si këshilla të vlefshme. Ju jeni një ndër këto gra shkrimtare qëdo të mbaheni gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që u dhe miqësinë dhe dashurinë njerëzore.

Rozi është një pasuri për Diasporën shqiptare, jo vetëm me penën e saj që ka një kontribut të vecantë duke botuar disa libra, artikuj dhe reportazhe mbresëlënëse, por është dhe një grua gjeneroze. Pena e saj solli patriotët dardharë të Korcës, nga e kishte origjinën Rozi dhe që i dhanë aq shumë cështjes kombëtare duke iu bashkuar kauzës së Fan Nolit dhe Faik Konicës. Shkrimtarja Theohari do të ngelet në kujtesën tonë nëpërmjet shkrimeve me mjaft histori interesante emigrantësh të hershëm veçanërisht nga Bostoni ku ajo jetoi dhe shkruajti për vite me radhë. Personalisht më së shumti e kam takuar në aktivitetet që kemi pasur me shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro amerikanë duke qenë të dyja anëtare të saj, ndërsa Rozi është që në themelimin e saj.
Rozi mund të jetë nga ato mike dhe shkrimtare të shoqatës që me dhurimin e lules historike, aromatike përmetare barbarozën, ku unë pata fatin të marrë dhuratë nga dora e saj si sekretare e shoqatës dhe moderatore e programit të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve në Katedralen Shën Gjergji në Boston ku na priti aq miqësisht At Artur Liolini, ta përshëndes gjithmonë dhe të ndjejë aromën e Barbarosës, lule aq e përdorur në krahinat tona ngjitur me Përmetin.
Po sjellë pranë jush një fragment që i kushtohet shkrimtares së mirënjohur Rozit, fragment që është shkëputur nga reportazhi im të botuar në gazetën “Illyria” me temë: Shkrimtarët Shqiptaro–Amerikanë nderojnë Nolin e madh.
…Mjaft emociounues ishte dhe urimi i shkrimtares Rozi Theohari, një urim shumë i veçantë, duke na dhuruar lulen historike, aromatike, Barbarosën, ardhur që nga shekulli i kaluar në Boston. Lulja (Idërsha) Barbarosa është sjellë nga Kosova e Përmetit, më 1911, nga Aretia, vajza e së cilës para se të vdiste ja kishte lënë amanet Rozit, vazon e shtrenjtë të kësaj luleje. Dhuratën më të cmuar, lulen Barbarose e mbajta në duar dhe zemër, për ta mbjellë në New York, lule që s’do të vyshket kurrë. Ndërsa Rozi po më jepte lulen, m’u duk sikur në gjethet e saj prekja shpirtëra, shpirtëra me aromë luleje.
Të pranishmit vazhdonin të duartrokisnin me emocion, kurse Sh.Fejzullahu nga Korca, M.Pira nga Dibra, apo V. Likollari nga Përmeti, lotonin, kujtonin me nostalgji likotë e amvisave të famshme përmetare, liko që vazhdojnë të kundërmojnë nga aroma e Barbarosës.
Në këtë ditë, në Bekimin e Luleve, u bekuan të gjithë shkrimtarët, me lulen simbol të vazhdimësisë dhe të dashurisë reciproke për njeri tjetrin, kushedi c’qëndisma lulesh do të sjellin ata me krijimet e tyre nga kjo ditë historike!
Bostonianja shqiptare foli për qytetin historik Bostonin, të revolucionit amerikan, një qytet me një traditë të pasur kulturore e artistike, qytet i populluar nga grupe etnike të ardhur brez pas brezi nga cdo vend e qoshe e botës. Dhe kur flasim për rrugën historike të këtij qyteti, duhet të përmendim edhe kontributin që kanë dhënë emigrantët shqiptarë në breza të vjetër e të rinj. Bostoni është vendi i parë ku shkarkuan shumica e emigrantëve shqiptarë në fund të shekullit të
19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, duke u shpërndarë më vonë në qytetet e tjera të Massachusettsit, si dhe në shtetet e tjera.
Ajo çmoi së tepërmi dhe punën e At Liolinit duke thënë, se i përndershmi At Liolini, një nga hierarket më të dalluar të Ortodoksisë sonë kombëtare, shquhet jo vetëm si prift predikues brenda përbrenda shërbesës kishtare, por edhe si një veprimtar i zoti i diasporës. Me aftësitë e tij e ka kthyer katedralen e “Shën Gjergjit” në Boston, sa në një tempull besimtarësh, aq edhe në një organizatë kulturore të shqiptaro-amerikanëve…
Në shenjë nderimi dhe respekti për komunikimin me Ty, dashurinë që na fale, u përula përballë Barbarozës për të ndjerë erën aromatike që ti na e dhurove me aq mirësi dhe plot kuptim. Ti m’u shfaqe si imazh drite me librin në dorë “Lotët e Rozafës mbi Drin”.
U prehsh në Paqe, Rozi!
Lamtumirë!

Keze Zylo
Dhjetor, 2014
Staten Island, New York


Leave a Reply