
Një numër i panjohur personash po mbahen peng nga një person i armatosur ne qendër te Sydneyt
Një person i armatosur po mban peng që nga mëngjesi i së hënës një numër të panjohur personash në një kafene në qendër të qytetit Sydney të Australisë. Pamjet televizive shfaqën tre veta me duar të mbështetura ne dritare, ndërsa pranë tyre shihej një flamur i zi me mbishkrime arabe.
Pesë veta janë parë duke u larguar nga kafeneja ku po mbahen pengjet, ndërsa nuk është e qartë nëse janë liruar nga pengmarrësi apo kanë arritur të ikin prej andej.
Mediet thanë se pengmarrësi po kërkon të bisedojë me kryeministrin australian Tony Abbott, por policia nuk deshi të komentojë për këtë çështje.
Kryeministri u tha gazetarëve më herët se aktet e tilla synojnë frikësimin e njerëzve prandaj ai u bëri thirrje të gjithë australianëve të kryejnë punët e tyre si çdo ditë tjetër.
Një zëdhënëse e policisë tha se negociatorët e policisë kanë vënë kontakt me pengmarrësin, por ende nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë motivet e kësaj krize.
Policia ka refuzuar të vlerësojë situatën si ngjarje me prapavijë terroriste.
Kafeneja ku po zhvillohet kriza e pengjeve është në zemër të qarkut tregtar e financiar të Sydneyt
Zeri i Amerikes


Leave a Reply