
KE dhe 8 vende anëtare në BE diskutuan planet energjetike të bllokut për dekadën e ardhshme
Vendet e Europës Lindore, të varura nga gazi rus, po përpiqen të gjejnë alternativa, pas pezullimit të gazsjellësit që kalon nga Ukraina nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Kryeministrat e Republikës Çeke, Hungarisë, Sllovakisë dhe Polonisë u takuan ditën e martë për të diskutuar për sigurinë energjetike, pas vendimit të Rusisë, më 1 dhjetor për të bllokuar gazsjellësin “South Stream”, pas refuzimit ligjor nga Bashkimi Europian.
Kjo lëvizje ka lënë pjesën më të madhe të Europës juglindore në varësinë e gazit rus që kalon në Ukrainën e përfshirë nga kriza, i cili është kthyer në një shqetësim për rajonin që ka vuajtur mungesat e gazit në periudhën 2006-2009, kur Rusia bllokoi eksportet për ish-satelitët e Bashkimi Sovjetik. Liderët e rajonit janë duke bërë një listë me alternativa, ku futet edhe plani për të marrë gaz nga Azeret. Kryeministri hungarez, Viktor Obran tha se “në 25 vjet, që prej rënies së komunizmit, ne nuk i kemi diversifikuar rrugët e gazit dhe naftës”. Sipas tij, “ky është një gabim i rëndë strategjik” , jo vetëm për Hungarinë, por për gjithë Bashkimin Europian.
Aneksimi rus i Krimesë dhe mbështetja e vazhdueshme për separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës i ka dëmtuar marrëdhëniet e Rusisë me Europën dhe ka shtuar kundërshtitë me “Gazprom”, kompaninë lidere në gazsjellësin “South Stream”. Duke mos pasur shpresa për një fund në këtë konflikt, fokusi po kalon te Korridori Jugor, një seri gazsjellësish që do të sjellin gaz azer në Europë. Kompania “BP” dhe partnerët e tij “Statoil ASA”, “Total SA” dhe “State Oil Co” në Azerbajxhan po planifikojnë të nisin furnizimin me gaz në vitin 2016. Gazi do të përshkojë kufirin e Turqisë me Bashkimin Europian dhe prej andej, përmes Greqisë do të drejtohet për në Shqipëri dhe Itali.
“Korridori Jugor duket më premtues, veçanërisht pas projekteve të planifikuara, si ‘Nabuço’ dhe ‘South Stream’ nuk rezultuan të suksesshme”, tha Agnia Grigas, një zyrtare në Qendrën McKinnon për Çështjet Globale në Kolegjin Oksidental në Los Anxheles. Ndërsa ministri i Jashtëm hungarez, pas takimit me negociatorët nga Greqia, Bullgaria dhe Rumania në Athinë, në fillim të muajit tha se “projekti është realist dhe mund të ekzekutohet brenda një periudhe afatshkurtër”.
Tani, Europa Lindore po kërkon të krijojë lidhje për të lehtësuar kalimin e gazit në rajon. Lidhja e Bullgarisë me Rumaninë do të jetë operacionale në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, sipas ministrit bullgar të Energjisë. Vendi po planifikon të përshpejtojë ndërtimin e një gazsjellësi që e lidh me Greqinë, sipas asaj që tha Kryeministri Boyko Borisov javën e shkuar. Po ashtu, edhe Bullgaria dhe Serbia planifikojnë lidhje. Bullgaria dhe Rumania synojnë të rrisin kërkimet në Detin e Zi, ndërsa Izraeli po punon për të bindur BE-në që të mbështesë gazjellësin që do të marrë gaz nga Qiproja.
Shërbimi i Investitorëve në “Moody’s”, në një raport të publikuar në 8 dhjetor, njoftoi se Europa po studion planet për 24 terminale gazi natyror, me më tepër se 140 milionë metra kubikë me kapacitet të kombinuar. Sllovakia po mbështet propozimin për një gazjellës me një gjatësi 570 kilometra, i cili do të lidhë Ballkanin me Balltikun. Lajmin e njoftoi Kryeministri sllovak, Robert Fico, më 2 dhjetor. Sipas operatorit “Eustream AS”, projekti mund të kushtojë më pak se 750 milionë euro dhe të transportojë 20 miliardë kubikë në vit. Problemi më i madh mbetet gjetja e volumit të mjaftueshëm për të zëvendësuar “South Stream”, i cili do të mundësonte furnizimin me një sasi prej 63 miliardë kubikësh gaz në vit.
Të martën, Komisioni priti tetë vende anëtare, që morën pjesë në “South Stream”, ku u diskutuan planet energjetike të bllokut për dekadën e ardhshme. Borisov njoftoi se Bullgaria dërgoi një delegacion në Bruksel për të bindur KE-në që të vazhdojë bisedimet me Rusinë për ruajtjen e projektit. Ndërsa Orbani i Hungarisë, i bëri thirrje presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker, që Komisioni të përfshijë investimin në një rrjet gazi veri-jug për të përshpejtuar rritjen ekonomike për rajonin.
Ekzekutivi i BE-së, në refuzimet e tij ndaj “South Stream” citoi ligje të prokurorimit publik, por edhe “shthurjen”, që parandalojnë kontrollimin e gazsjellësit nga ofruesi i gazit. Juncker tha se “pengesat nuk janë të pakalueshme”. “Nuk besoj se ‘South Stream’ ka vdekur, thjesht, ai mund të mos ndërtohet në mënryën e planifikuar”, tha Andreas Goldthau, një kërkues në Universitetin Harvard. Sipas tij “ai mund të arrijë të transportojë gaz rus për në Europë, pa kaluar nga Ukraina”.
/ekathimerini/Shekulli Online/L.B./


Leave a Reply