
“Ajo nuk di të humbasë”
Entela Resuli
-Një takim me Enin të bën mirë. Ka një forcë të brendshme që të imponon ta dëgjosh dhe të bind në ato që thotë. Forca e shikimit dhe e fjalës vepron shumë tek Eni. E veshur në të bardha deri në të detaje, të përcjell një ndjenjë pastërtie me të cilën biseda fillon lirshëm. Jo për shkak të veshjes më shumë, por për shkak të karakterit të vetë Enit. Juristen Çobani muajin e fundit e kemi parë çdo të diel në ekranin e televizionit “Klan”, në një situatë të “sikletshme”, në një program që ka në thelb problemet familjare dhe shoqërore. Eni sot është mysafirja jonë në SH.F, për të na folur më shumë për rrugën e saj drejtë avokatisë, të qenit nën e një djali 14-vjeçar dhe dashuria që ka për televizionin. Në këtë bisedë, ajo na ka treguar edhe për disa “sekrete” të suksesit edhe faktin që… nuk ka humbur asnjë çështje deri mw tani, ku ajo vetë ka qenë avokate.
Eni, zgjoheni herët në mëngjes?
Zgjohem shumë herët. Kam një ditë shumë të vrullshme, një jetë familjare, së cilës i përkushtohem totalisht. Ndoshta edhe jam mësuar, ora gjashtë për mua është normale, po ndenja pak më shumë mërzitem.
Po si fillon në ditë…?
Fillon, sigurisht, me atë që besoj se të gjitha gratë bëjnë në një ambient familjar, përkushtimi ndaj fëmijës, pasi kam një djalë, të cilin duhet ta bëj gati për në shkollë. Pas kësaj fillojnë edhe gjithë përgatitjet e mia dhe unë zakonisht në orën 9:00 jam patjetër diku në angazhimet që më kërkon dita. Pastaj, fundi i ditës është i paparashikueshëm.
A keni një raport të afërt me kafen e mëngjesit?
Po, personalisht përgatis një kafe në mëngjes, të cilin e pi në shtëpi dhe kjo pasohet me të tjera gjatë takimeve të ditës.
Ju jeni një juriste aktive në media, çfarë të bën të jesh kaq prezente?
Kjo ka të bëjë pak edhe me karakterin dhe përmbajtjen time si person. Jam rritur në një familje intelektuale. Im atë është profesor i shkencave gjuhësore dhe ime më është profesoreshë në lëndën e Biologji-Kimisë. Më është dashur gjithmonë të jem në një nivel komunikimi, pasioni, përgjegjshmërie me ta. Pra, përgjegjshmëria ka qenë e lidhur që në fëmijërinë time të hershme dhe më pas është rritur me mua.
Në ç’kuptim është rritur?
Është rritur sigurisht, pasi juristin në thelb unë e quaj një humanist të madh dhe më pas një profesionist të mirë. Kjo punë më ka bërë që të jem e dobishme, ose të ndihem e dobishme për shoqërinë dhe komunitetin. Sigurisht, nuk kam hequr nga vëmendja ime profesionin, ku nëpërmjet tij, unë kam dashur që ta sjell këtë dobishmëri edhe në media, edhe në shoqëri, edhe në jetën sociale. Dua të ndihem e nevojshme dhe e ndërgjegjshme për atë çka kam marrë përsipër. Besoj, secili nga ne e ka një motivim, i imi është që të jem sa më humane, e njerëzishme dhe e komunikueshme me njerëzit që më rrethojnë.
Si ka qenë fëmijëria juaj?
Ka qenë e mrekullueshme të them të drejtën, pavarësisht se ka përkuar në një periudhë e të vështirë. Fëmijëria dhe rinia është gjithmonë një nga pjesët më të bukura të jetës. Mund të flas për një fëmijëri të bukur, me pasione të veçanta dhe më prindër të devotshëm.
Ku flisni për pasione të veçanta në fëmijëri, për çfarë e keni fjalën?
Ju njihni vetëm pjesën e fundit të jetës sime, por në fakt pasionet e mia kanë filluar herët. Në fëmijërinë time, që në klasë të parë fillore kam filluar të studioj muzikë. Kështu që, tetë vitet e parë të studimit unë i kam për violinë. Ndoshta, kjo është dashuria ime e hershme me artin, të cilën të them të drejtën nuk kam rreshtur ta kem. Më pas vazhdova gjimnaz të përgjithshëm, kjo ishte një shtysë e prindërve të mi, të cilët e kuptuan që unë nuk do të isha një yll në art, ndoshta do të gjeja një fushë tjetër ku unë mund të jepja më shumë. Më pas, studimet e mia vazhduan për drejtësi dhe që realisht ka qenë një përputhje e shkëlqyer, profesioni i juristes dhe pak art.
Po bashkëshortin tuaj, ku e keni njohur?
Pasi kisha përfunduar studimet, që kanë qenë një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë në Itali, për shkak të një burse të fituar gjatë studimeve këtu për rezultatet e shkëlqyera që kam pasur. Njohja më të erdhi pikërisht në momentin e përfundimit të këtyre studimeve, kur unë sapo isha emëruar pedagoge në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ka qenë një njohje rastësore, nëpërmjet miqve të përbashkët. Unë as që e mendoja në atë kohë, pasi sapo kisha filluar punën dhe të them të drejtën isha e përkushtuar për të krijuar një emër me ato ambiciet e një të sapodiplomuare.
Ai çfarë profesioni ka?
Ai është inxhinier dhe jurist. Kanë qenë vite të vrullshme, bëhet fjalë për ’96, ’97, ’98. Të vrullshme edhe për sa i përket ndjenjave të mia. E pas kësaj kohe ne përfunduam të dy në martesë. Unë them që shkencat ekzakte shkojnë me ato juridike.
Sa vjeç është djali?
Është 14 vjeç.
Si i keni raportet me të?
Unë besoj se, jam një nënë e përkushtuar, por do të jetë ai që do të më vlerësojë mua, më pas kur të rritet. Mundohem të gjej kohën e mundshme dhe më të madhe që t’i përkushtohem. Qenia prind është një motivim i jashtëzakonshëm, pa të cilin të them të drejtën nuk do ta kuptoja jetën time.
Nuk ke menduar t’i dhurosh një motër?
E kam menduar shpesh në fakt, nuk është se e kam lenë pa menduar dhe pa dashur ta kem. Unë jam pak e idesë që, nëse gjërat vijnë, në rregull, nëse nuk vijnë, lëri të rrinë aty rehat në qetësinë e tyre. Unë gjithmonë e mirëpres, besoj se jam ende në kohë…
Është e habitshme se si një juriste arrin të komunikojë kaq mirë në ekran. Si i keni marrëdhëniet me televizionin?
Të them të drejtën, edhe media ka qenë një dashuri e ime e hershme. Ka një informacion të munguar pasi dua, që nëpërmjet këtij rrëfimi ta rizgjoj në vëmendjen e publikut se që në vitin 2000 nëpërmjet një televizioni privat unë kam realizuar një emision, për ato kohë shumë i rëndësishëm, por që sot gjendet në ato arkivat e televizionit. Që aty besoj se ka filluar kjo marrëdhënie, me kamerën dhe komunikimin me publikun.
Ndihesh mirë në Televizion?
Tepër komode. Kam një kënaqësi shumë të madhe sepse më duket që është pikërisht ekrani filtri më i mirë për të përçuar tek njerëzit informacionin që duhet për fusha të ndryshme.
Suksesi është dashuria për profesionin
Ju kemi parë të shfaqeni tek “E diela shqiptare” në një rubrike që ka në qendër problemet familjare dhe ato të komunitetit, si arritët deri aty?
Ka qenë një iniciativë e përbashkët e televizionit “Klan” dhe e imja. E kam gjetur shumë mirë veten aty në një staf profesional dhe shumë bashkëpunëtor. Do të doja që mendimet më të thelluar për këtë, më mirë se sa i jep publiku nuk mund t’i jap unë. Ai emision shfaq realitetin e prekshëm shqiptar, të cilën jo të tërë janë në gjendje të përcjellin nëpërmjet televizionit.
Duke u nisur nga eksperienca juaj, çfarë e bën një njeri të suksesshëm?
E para dashuria për profesionin. Nëse diçka e do, besoj jep më të mirën dhe transmeton tek të tjerët më të mirën tënde të mundshme. Ky besoj është çelësi. Por mbi të gjitha është puna dhe përkushtimi. Nëse je njeri që punon, ke dëshirë dhe vullnet, vjen një ditë që patjetër prova jote profesionale do të dalë e suksesshme. Suksesi kërkon punë. Nuk ka sukses të menjëhershëm. Duhet të provohesh nga shoqëria, por të provosh edhe veten.
Ju çfarë raporti keni më të?
Kam qenë njeri deri diku me fat, jo vetëm për shkak të punës, por edhe asaj familjare. Ndihem e angazhuar dhe kjo për mua është frymëzim dhe lumturi. Por që njeriu asnjëherë nuk kënaqet, por pretendon nga vetja edhe më shumë.
Keni kohë të lirë?
Shumë pak, tani së fundi dhe e shtuna, edhe e diela ime është zënë.
Gatuani?
Gatuaj, jo se kam gatuar gjatë gjithë jetës sime bashkëshortore, por kohët e fundit i jam futur kuzhinës. T’ju them të drejtën, i them vetes: “Si e kam lënë këtë gjë pa bërë?” Është edhe ajo një ndër kënaqësitë e mia, bërja e recetave të reja, e dëshirës së familjarëve. Më thonë që gatuaj mirë.
Udhëtoni shpesh?
Udhëtoj, është një mënyrat më të bukura të relaksit për mua dhe mirëpres çdo ofertë për rrugë… Vendi im i preferuar është Venecia. Kam një lidhje të veçantë më atë qytet edhe për shkak të studimeve e i rikthehem shpesh Italisë, kam nostalgji për të.
Keni mbajtur ndonjëherë dietë?
Mbaj. Por fiziku im ka të bëjë shumë me fëmijërinë time. Ne vijmë familjarisht të tillë, të paktën nga ana e babit. Por unë jam një natyrë që jam ndier mirë me veten, kjo nuk ka ndikuar aspak në objektivat profesionale dhe familjare.
Dukeni natyrë mjaft pozitive, nga ju buron gjithë kjo energji?
Nuk ke pse të mendosh keq dhe të bësh keq. Unë jam një njeri që çfarëdo gjëje të re të shoh rreth meje, jam e para që them e gëzofsh, apo sa e mirë je, bravo! Kjo më vjen shumë natyrshëm dhe nuk e bëj për ndonjë interes personal. Këtë e ndiej që më ka bërë edhe mua mirë. Kështu që edhe ky është një motivim i përditshëm.
Në rastet që keni pasur si avokate, si keni dalë?
Në të gjitha rastet që kam marrë, më ka ndjekur një fat i mirë, sepse nuk kam asnjë rast deri më sot të humbur, por i kam të gjitha të fituara.
Për sa çështje bëhet fjalë?
T’ju them të drejtën nuk i kam numëruar, por tek 60 apo 70 raste, të gjitha të fituara. Në
fillim violina..
Eni Çobani sot është me profesion juriste, por në fëmijërinë e saj nga klasa e parë deri në të tetën ka studiuar për violinë. Ajo i ka bazat e muzikës dhe shpeshherë e merr atë në dorë, sa për të nxjerrë mallin. Prindërit nuk ishin të bindur që ajo do të shkëlqente në fushën e muzikës dhe e drejtuan t’i ndriçonte ylli i suk
Do të doja dhe një vajzë
Ajo është njohur me bashkëshortin e saj inxhinier, kur sapo kishte nisur karrierën e saj akademike. Ishin vite të vrullshme për Shqipërinë (‘96 ’97 ’98), por edhe për ndjenjat e saj. Eni, sot është nënë e një djali 14 vjeç. Nuk është se nuk i ka lenë pa e menduar që djali t’i “dhurojë” një motër, po për Çobanin gjërat vijnë në kohën e tyre, ajo nuk mendon se është vonë për këtë gjë.
Kur diçka përfundon, mos u kthe, për ty fillon një gjë tjetër…
Eni është pjesë e spektaklit “E diela shqiptare” me një rubrikë të vetën, që ka të bëjë me problematikat në familje dhe në komunitet. Roli i saj është të zbusë situatat dhe të japë mundësi për zgjidhje më të “buta” . Kur e pyesim Enin se cilat janë problematikat e shoqërisë sonë sot, ajo pohon se: “Problematikat janë të ndryshme, duke filluar nga ato të brendshmet familjare. Të gjitha janë momente, të cilat ne duhet t’i përcjellim me zemërgjerësi, me mendje të hapur, janë gjera që ndodhin në jetë. Gjithçka që mbaron duhet pranuar që mbaron dhe duhet të fillojë pastaj një gjë tjetër më e bukur, në të cilën ti mund ta gjesh veten më mirë se sa më parë. Pastaj problemi tjetër janë fëmijët, ata nuk duhet të pësojnë traumat e familjes. Një çift duhet të mendojë për shëndetin mendor të fëmijëve të tyre. Probleme në komunitet ka pafund. “Nuk do të mjaftonte një gazetë për t’i përmendur” shprehet Çobani.


Leave a Reply