
10:32 Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 80 trupa, mjete zjarrfikëse, ekskavatorë dhe 10 mijë thasë rëre në Laç, për t’u përballur me situatën alarmante të shkaktuar nga përmbytjet. Ndërsa Ministria e Brendshme ka urdhëruar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave, pas vlerësimit të situatës kaotike.
Në zonë ka shkuar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, të cilët po ndjekin nga afër situatën.
Ndërhyra fillestare do të jetë në nënstacion dhe më tej do të vendosen thasët me rërë për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, janë ngritur në gadishmëri repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA në Tiranë, Shkodër e Fier.
Ministria e Brendshme po vlerëson situatën në vend për të ndërhyrë dhe për të dhënë ndihmën ndaj personave në rrezik. Sallat e emergjencave 129 janë në gadishmëri me shërbim të shtuar.

Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli dhe Çela dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, vazhdojnë inspektimin në gjithë zonat e përmbytura duke marrë masat për sigurimin e jetëve të njerëzve.
10:15
Dy persona kanë humbur jetën, si pasojë e përmbytjeve në Laç. Mësohet se Gjon Kola 62 vjeç, drejtor i shkollës së mesme në Laç dhe vajza e tij, janë aksidentuar, pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal. Trupi i Kolës është nxjerrë i vdekura nga makina, ndërsa trupin e vajzës së tij e kanë marrë shirat.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:30, në hyrje të qytetit të Laçit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, nga ku ka nxjerrë trupin e 62-vjeçarit, i cili kishte mbetur i bllokuar në automjet. Ndërkohë pu punohet për gjetjen e trupit të vajzës.
Përmbytjet përfshijnë edhe në qytete të tjera
Situata e jashtëzakonshme e përmbytjeve ka përfshirë edhe qytetin e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës etj., ku stuhitë e fuqishme të shiut dhe rreshjet e dendura gjatë pasdites së të martës paralizuan vendin.
Reshje të dendura shiu dhe era e fortë ka goditur Tiranën, ku në zonën e Porcelanit është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa niveli i ujit në rrugë arrin në disa centimetra, duke vështirsuar qarkullimin. Po ashtu, Lumi i Lanës ka dalë nga shtrati dhe rrugët janë bërë të pakalueshme.
Reshjet e shiut në Shkodër kanë përmbytur rrugët lagjet e bizneset, për shkak të kanalizimeve nëntokësore të bllokuara, që nuk mundësojnë tërheqjen e ujit.
Moti i keq nuk ka kursyer as qytetin bregdetar të Durrësit. Në qytet dhe në Shkozet janë regjistruar përmbytje të mëdha, ndërsa në zonën e Kodër Vilës ka patur edhe rrëshqitje toke. Ndërsa dalja e anijeve të peshkimit në det është pezulluar për shkak të dallgëve që në det të hapur arrijnë deri në 6 ballë edhe si pasojë e erës së fortë.
Reshjet kanë përfshirë edhe rrethin e Kurbinit dhe të Krujës, ku në katet e para të disa banesave dhe lokaleve uji është futur brenda duke shkaktuar dëme materiale. E njëjta situatë problematike është regjistruar në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Gazeta Shekulli


Leave a Reply