
Nëse jemi të martuar dhe me fëmijë e shohim se çdo ndryshim i bërë në jetën tonë ndikon direkt te fëmijët tanë. Divorci përbën një nga traumat më të rënda për fëmijën. Divorci nuk është thjesht një ndarje e nënës nga babai, por është domosdoshmëria e përshtatjes me ndryshimet e reja që shkakton ai. Prandaj ne duhet t’u qëndrojmë sa më pranë fëmijëve dhe t’i ndihmojmë ato.
Studimet nxjerrin në pah dy mendime të ndryshme; ndërkohë që disa pohojnë se fëmijët marrin plagë që zgjasin për gjithë jetën, pjesa tjetër mendojnë se fëmijët mund të ndikohen pozitivisht nga divorci i prindërve. Fëmijët e ndjejnë menjëherë kur martesa fillon të çalojë apo kur ju mendoni divorcin si zgjidhje të vetme. Madje ata e ndjejnë më shumë se të rriturit.
Në të vërtetë fëmijët mund të jenë një mbështetje e fortë për prindërit në këtë proces. Në shumicën e rasteve bëhen të urtë për të mos i mërzitur prindërit, nuk e shfaqin zemërimin apo dhimbjen e përjetuar brenda vetes. Ata e ngrijnë përkohësisht procesin e tyre të përshtatjes për të mos mërzitur nënën dhe babanë.
Fëmijët fillojnë të shfaqin reagimet e para kur e shohin se prindërit e kanë marrë veten. Tashmë është radha e tyre për të qarë, zemëruar dhe nxjerrë jashtë dhimbjen. Frika më e madhe që kanë fëmijët është mbetja vetëm dhe braktisja e prindërve.
Mesazhi që duhet t’u japim fëmijëve është ky: nëna dhe babai mund të divorcohen nga njëri-tjetri, por asnjëherë nuk ndahen nga fëmijët. Martesa mund të mbarojë, por roli i prindit kurrë. Fjalët dhe veprimet tuaja janë shumë të rëndësishme për t’u dhuruar siguri fëmijëve.
Gjatë procesit të divorcit fëmija priret t’i përshtatet më shumë prindit dhe të bëhet si një prind për nënën dhe babanë e vet. Ndonjëherë kjo gjendje u intereson shumë të rriturve dhe fillojnë t’i nxisin më shumë fëmijët. Mos përdorni fëmijët për të plotësuar nevojat tuaja.
Fëmijët ndihen të vetmuar pas ndarjes së prindërve. Prindit i takon të përkujdeset për fëmijën, të mos e lërë vetëm, ta bëjë të ndihet pjesë e rëndësishme e familjes.
Dhe diçka tjetër që është shumë e rëndësishme: nëna dhe babai duhet ta marrin veten në mënyrë që t’u japin ndihmën e duhur fëmijëve. Prandaj prindi duhet ndoshta të lërë pak mënjanë procesin e rehabilitimit të vetes për t’iu përkushtuar fëmijës dhe për t’i dhënë atij dashurinë e sigurinë e kërkuar.
Fëmijët zemërohen shumë me palën që vendos të braktisë shtëpinë; e fajësojnë atë për mbarimin e lidhjes. Prindërit duhet t’i tregojnë fëmijës se faji i mbarimit të lidhjes i përket të dy palëve.
Fëmijët mund ta shohin veten si shkak të mbarimit të lidhjes dhe për këtë ndihen fajtorë. Por prindi duhet t’i shpjegojë mirë fëmijës se divorci është një problem i cili i përket të rriturve dhe nuk ka asnjë lidhje me fëmijën. Nëse nëna dhe babai mbajnë një lidhje të mirë edhe pas divorcit, i tregojnë fëmijëve mënyrën e kalimit të një procesi të tillë dhe të kontrollimit të ndjenjave.
Mos fajësoni njëri-tjetrin, sepse gjysma e fëmijës është nëna dhe gjysma tjetër babai. Nëse fajësoni njëri-tjetrin është njësoj si të fajësoni fëmijën.
Fëmijët janë edhe më të forte se ç’mendojmë dhe mund të mbajmë mbi supe të vërtetat e servirura. Nëse ju nuk i tregoni fëmijës të vërtetat, atëherë ai do të humbasë besimin te ju.
Fëmijët nuk janë të njëjtë dhe si rrjedhojë kanë nevoja të ndryshme. Çdo fëmijë është një individ më vete. Nevojat apo kërkesat e tyre janë të lidhura me gjininë, pasurinë kulturore, një familje të gjerë, miqtë, mjedisi përreth dhe zgjidhja e martesës së prindërve. Për këtë arsye ju duhet të respektoni individualitetin e tyre.
Aftësitë e përshtatshmërisë së fëmijëve janë më të mira se të të rriturve. Ata do të rriten bashkë me ju duke kaluar procesin e rehabilitimit. Mbështetini dhe motivojini fëmijët gjatë këtij procesi dhe mos harroni se një divorc është më i mirë se një martesë e keqe. /Start/Aisa Kokiçi/


Leave a Reply