
(Skicë) Nga Mimoza Cekici Rista –
Ashtu na gjeti ajo mbrëmje duke shëtitur buzë liqenit në Pogradec me vajzën e vëllait, Valentinën e vogël, një vogëlushe ëngjëllore me ngjyrën e liqenit në sy dhe me bardhësinë e shkumës së valës në fytyrë…
Mbi kokat tona yjet shtonin ndriçimin e nenonëve të qytetit.. Duke i shtrënguar atë dorën njomëzake i pëshpëris ëmbël : O Ylli i halles…!
Ajo ngriti kokën dhe po vështronte yjet…
–Halla, yll është nëna dhe na sheh nga lart thote mami… Ndërsa babi thotë Ylli që ndrin më shumë netëve është gjyshi dhe ai çdo natë na përshëndet e na përqafon nga larg dhe lutet për ne!
Po unë cili yll jam?!?- m’u drejtua mbesa.
Atë çast me shkiti një lot si të ishte meteor dhe si të mbante peshën e mendimit tim ra përdhe…
Shtanga me pyetjen e kësaj fëmijë qe ende nuk ishte bërë 5 vjeçe… -Ti o shpirt i hallës, je Ylli i sabahut..
Janë të vegjël, sa ty ata yje por edhe se nata është në të ikur dhe dita ka filluar të agojë ata ndrijnë shume!- i thashë duke e përkëdhelur dhe duke e puthur në ballë tek rinte e ulur në prehërin tim… Më dëgjonte me vëmëndje dhe mu lut që një natë do rrinim e do prisnim agimin bashkë që të shikonim yllin e sabahut…
Nuk di se çfarë bluante në botën e saj shpirtërore mbesa ime e vogël, mbase donte të shikonte shkëlqimin e saj…
–Po-i thashë-do të kalojmë një natë të pagjumë buzë liqenit,e do presim derisa të shfaqen ata yjet e vegjel te ndritur si syçkat e tua!… Ndërsa vazhdonim ashtu ngjitur si një trup i vetëm, shikimin e tresnim tek yjet që xixëllonin lart në qiell, duke kuvenduar heshtur me to…
Unë me mall për njerëzit që më mungojnë, e mbesa me atë mënyrën e vet të pafajësisë fëmijërore…
I premtova asaj se një natë të tërë do e kalonim së bashku duke kuvenduar me yjet buzë liqenit, por një herë tjetër, kur ajo të rritet dhe ca….
Atëherë, dialogu i saj me yjet e me zhurmën e valëve të liqenit do të jetë ndryshe!….


Leave a Reply