“Të them të drejtën nuk u shqetësova shumë, sepse kisha shpresë se do të jetoja”
Operacioni doli me sukses, por pavarësisht kësaj, që nga ajo kohë dhembjet kanë qenë shoqërueset e saj në çdo moment
Rrëfimi i infermieres 68-vjeçare, e cila vuan prej tetë vitesh nga tumori
Ilda Hoxha
“E dua jetën, por edhe nga vdekja nuk kam frikë”. Me këto fjalë e nis rrëfimin Gjylfere Shira, nëna 68-vjeçare, e cila prej 8 vitesh jeton me sëmundjen e kancerit. Njeriu e kupton sa e shtrenjtë është jeta, sa e rëndësishme është ajo vetëm në momentin që merr vesh se i ka mbetur pak për të jetuar, tregon ajo. Gjylfere Shira është 68 vjeçe dhe që prej vitit 2006 është diagnostikuar me sëmundjen e kancerit. Që nga ajo ditë, zonja rron me shpresën për të jetuar sa më shumë. Nënë Gjylferja tregon se zbulimi i kësaj sëmundjeje të rëndë ka qenë fare rastësisht. “Erdhi vajza në shtëpinë time dhe më tha që kishte probleme me stomakun dhe do të shkonte të bënte një skopi. Meqë po ikte vajza, shkova dhe unë me të, pasi kisha pasur shqetësime prej kohësh. Pasi bëra skopinë, mjeku më këshilloi që të shkoja menjëherë te një gastrolog. Në atë moment filluan edhe dyshimet e mia. Mendoja që kisha diçka shqetësuese, por nuk më kishte shkuar në mendje që kisha kancer”, rrëfen ajo. Pas këtij momenti, nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe reflektimesh mbi jetën për Gjylferen. Që nga ai çast për të nuk kishte më as ditë të qeta dhe as gjumë të qetë. Ajo tregon se ana psikologjike ka një ndikim shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut. Kur mësoi se kishte kancer, jeta e saj ndryshoi. Ndonëse thotë se nuk është shqetësuar në momentin që ka mësuar rreth sëmundjes, nuk lë pa përmendur edhe se dëshira për jetën në ato momente u bë më e madhe. “Të them të drejtën nuk u shqetësova shumë, sepse kisha shpresë se do të jetoja. Natën e parë u shqetësova disi dhe nuk më zinte gjumi. Mendova të pi valium për të fjetur, por i dhashë kurajë vetes dhe rezistova. Vetëm nata e parë, më pas e kisha të pamundur ta largoja nga mendja dhe përdor valium, sepse është e vetmja mënyrë për të fjetur, pasi nuk e bëj dot më gjumin e qetë”, thekson ajo. Më tej, ajo rrëfen se iu nënshtrua një sërë analizash dhe mjekimesh pasi mori vesh lajmin e hidhur. Nga ai moment, nisi edhe periudha e vështirë për të, por duhet theksuar se kuraja dhe trimëria e kësaj zonje është e jashtëzakonshme. Për shkak të sëmundjes së rëndë, Gjylferja, në atë kohë 60 vjeçe, iu nënshtrua një operacioni. Sipas saj, operacioni doli me sukses, por, pavarësisht kësaj, që nga ajo kohë dhembjet kanë qenë shoqërueset e saj në çdo moment. “Rashë shumë nga pesha. Në fillim kam qenë 80 kilogramë dhe për një periudhë të shkurtër kohe zbrita në 44 kilogramë. Ishte një periudhë delikate. Përveç kësaj, më filluan edhe probleme të tjera si anoreksi, kollë, dhembje të forta në stomak, por po mbijetoj. Edhe pse kam 8 vjet që jetoj me kancer, përpiqem të jem e fortë. E pres vdekjen në çdo moment”, thotë 68-vjeçarja. Gjylferja me profesion ka qenë infermiere. Prej 38 vitesh ka shërbyer në Spitalin e Kukësit, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. “E doja shumë profesionin tim, isha shumë e dhënë pas punës dhe them që e kam mbyllur me sukses”, flet me krenari Gjylfere Shira.Për shkak të profesionit të saj, i është dashur që të punojë edhe në zona jo fort të përshtatshme. Nëna 68-vjeçare thotë se ka punuar rreth 8 vite pranë një zone industriale. “Ishte një zonë me ofiçina mekanike, gurore, ambient me pluhur. Tymrat mbizotëronin në çdo cep dhe për një kohë të gjatë, për tetë vjet, kam shërbyer si infermiere pranë këtij ambienti”, shpjegon ajo.
Familja

Gjylfere Shira jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat në Tiranë. Ajo tregon se herë pas here merret edhe me ndonjë punë në shtëpi, por nuk lë pa përmendur se pothuajse çdo ditë gatuan drekën dhe darkën për familjen e saj. Për të, lumturia më e madhe janë nipërit dhe mbesat, të cilët tregon se i ka rritur vetë. Përpos kësaj, Gjylferja është një njeri social. “Dal me mikeshat, komunikoj me njerëz, më pëlqen të bëj një jetë aktive”, tregon ajo. Jeton, ushqehet, kurohet me pensionin e saj dhe të bashkëshortit, pasi dy vajzat e saj janë të papuna. “Vështirë e kemi për të përballuar jetesën. Sikur të mos më mjaftonte sëmundja, më shqetëson fakti që dy vajzat janë të papuna, ndonëse kanë mbaruar fakultetin”, rrëfen ajo.
Mjeku
Mjeku Henrik Zotaj shpjegon se pacientja e tij, zonja Shira, është diagnostikuar me kancer në stomak. Prej dy vitesh ajo trajtohet nga Shërbimi Onkologjik në banesë. “Ka bërë dy cikle kimioterapie, ka nisur një të tretë, por nuk ka arritur ta përballojë dhe e ka ndërprerë. Fiziku i dobët ka qenë një ndër arsyet kryesore që është ndërprerë kimioterapia. Zonja ka një kurajë të madhe, që e bën të dallojë nga pacientët e tjerë. Mënyra kryesore e trajtimit ka qenë përdorimi i qetësuesve për të lehtësuar dhembjet. Këto dy vjet, pacientja ka shkuar shumë mirë, duke marrë parasysh faktin se si shkojnë pacientët që ndiqen në shërbimin tonë. Ka pasur periudha që është ndier jo mirë, ka zënë shtratin, ka qenë e lodhur, me dhembje, por stafi ka shkuar në banesë dhe ka bërë trajtimin e saj”, – thotë mjeku Henrik Zotaj.
Kujdesi paliativ
Pacientët shërbim të mundësuar nga shteti
Mungesa e qendrave të shërbimit paliativ në vendin tonë vijon të mbetet një problem, fakt ky i pranuar edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë. Gjatë një vizite në një prej spitaleve private ku ofrohet ky shërbim në qytetin e Korçës, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se pacientët do të marrin shërbim të kujdesit paliativ, që mundësohet nga shtetit. “Brenda javës së ardhshme, në Kuvend do të miratohet edhe ligji për kujdesin paliativ. Në ligj është krijuar hapësira që ky shërbim të mund të ofrohet edhe në bashkëpunim me institucione jopublike”, u shpreh Beqaj. Nga ana tjetër, ministri ka theksuar se numri i të prekurve nga sëmundjet tumorale, është në rritje. Sipas tij, kjo ka sjellë edhe një vëmendje më të madhe të qeverisë ndaj këtyre personave duke shtuar buxhetin e përcaktuar për këta të sëmurë. Përpos kësaj, ai theksoi se shumë shpejt shërbimi paliativ do të ofrohet edhe në tre qytete të Shqipërisë. Kujdesi paliativ ka të bëjë me fazën më të rëndë të sëmundjes, me lehtësimin e dhembjeve të pacientit në ambientet e shtëpisë, pasi janë kryer ndërhyrjet apo kurat mjekësore në spital. Shërbimi është ofruar deri më tani vetëm nëpërmjet qendrave jopublike apo shoqatave të ndryshme dhe shumë pak në spitale publike.
Situata
Virusi Ebola, masa në Portin e Durrësit
Përhapja e shpejtë dhe me përmasa të mëdha e virusit Ebola ka vënë në lëvizje edhe autoritetet në Portin e Durrësit, të cilët kanë marrë një sërë masash për të parandaluar këtë rrezik. Mjeku i portit, Indrit Kalaja, tha për gazetën “Shqip” se më të vëzhguar janë ekuipazhet e anijeve, të cilët lundrojnë dhe ndalojnë në portet e Afrikës për përpunim a furnizim, pasi ky është dhe kontinenti nga ku po importohet virusi i frikshëm. Ekipi i epidemiologëve të portit detar ka forcuar kontrollet dhe ka marrë masa për të ndërgjegjësuar udhëtarët e marinarët mbi Ebolën. Në vende të ndryshme, në terminalin e udhëtarëve dhe portit janë afishuar materiale me informacione mbi virusin vdekjeprurës. Ndërkohë një autoambulancë është vënë në dispozicion, në rast konstatimi të personave të prekur nga virusi Ebola. Ekipi portual, përveçse jep informacion mbi gjendjen e lundrimit, është i detyruar të bëjë edhe verifikimin e gjendjes së personave, të cilët zbresin në Portin e Durrësit. Deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë, por Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Rreth një muaj më parë, një anije shqiptare, që kishte ndaluar në një prej porteve në Afrikë, iu nënshtrua kontrolleve, por fatmirësisht asnjë rast nuk rezultoi pozitiv.
V.Q
Gazeta Shqip


Leave a Reply