
Para së gjithash, është shumë e rëndësishme të krijohet një ide e qartë dhe një kuptim i saktë rreth pedofilisë, në mënyrë që procesi i identifikimit të kësaj dukurie të jetë i shpejtë dhe i qartë. Psikologët në përgjithësi e përkufizojnë pedofilinë si një interes seksual të vazhdueshëm kundrejt fëmijëve para-adoleshentë, të reflektuar në mendime, fantazi, nevojë, eksitim seksual, dhe sjellje insistive. Në formën më të fortë, pedofilia reflekton një preferencë seksuale ekskluzive për fëmijët para-adoleshent dhe nuk ka asnjë interes seksual kundrejt të rriturve. Një element kyç në këtë përkufizim është mosha dhe statusi i pubertitetit të fëmijës në interes. Kontaktet seksuale me pas-adoleshentë janë të ndaluara nga ligji në shume vende të botës, por këto ndalime ndryshojnë nga vendi në vend dhe janë të bazuara në kritere moshore të përcaktuara nga ligji. Për më tepër është shumë e rëndësishme për t’u theksuar se, konceptimi i preferencës seksuale kundrejt fëmijëve para-adoleshentë si një çrregullim mendor dhe si një akt për t’u dënuar varet sidomos nga kultura, vlerat, frekuencat statistikore, normat dhe sjelljet e një vendi të caktuar. Shumë interesant në eksplorimin e këtij fenomeni, dhe në mënyrën sesi njerëzit e perceptojnë apo kuptojnë atë, është edhe faktori kohë. Jo gjithmonë, dhe jo në çdo kohë, akti i kryerjes së marrëdhënies seksuale me të mitur është konsideruar deviant.

Pedofili jo vetëm mashkull…
Shumica e të dhënave rreth pedofilisë janë rreth meshkujve dhe shumë pak studime janë marrë me femrat, ndoshta sepse meshkujt kanë më shumë probabilitet për të qenë të tërhequr seksualisht nga të miturit. Por kjo nuk do të thotë që gratë-pedofile nuk ekzistojnë, por që numri i tyre është në minorancë në krahasim me meshkujt. Në lidhje me ketë, disa psikologë zhvilluan një sondazh me 546 gra në universitet rreth eksperiencave të tyre seksuale me fëmijë që ishin të paktën 5 vjet më të rinj se to. 4% e këtyre grave pranuan që e kishin përjetuar një eksperiencë të tillë; 92% e këtyre eksperiencave përmbanin kontakt fizik, më së shumti puthje dhe prekje. Mosha mesatare e femrës në kohën e aktit seksual ishte 15 vjeç dhe ajo e fëmijës ishte 6 vjeç. 13% e këtyre grave thanë që nuk ishin ato që filluan eksperiencën. Shumica e fëmijëve (69%) ishin të afërmit e abuzueses dhe asnjë nga këto incidente nuk u zbuluan nga policia apo autoritete të tjera.
Pedofilia, si ta kuptojmë e çfarë mund të bëjmë rreth saj [sa për rikujtesë e para se të dalë nga kujtesa kolektike e popullit tonë]
(Teksti i plotë i intervistës për të përjavshmen e Revistës “Klan”
nga:
Etion Parruca, M.A.
Këshillues në Psikoterapi Pozitive
Trajner & Këshillues për Zhvillimin Psiko-social të Fëmijëve/MGS
Master në Studime të Avancuara Evropiane e Ndërkombëtare)
Pyetje – Cili ështe profili psikologjik i një personi potencial për të kryer një krim të tillë?
Në rradhë të parë, faleminderit për intervistën, e cila më jep mundësinë të ndaj reflektimet e mia si specialist në fushën e shëndetit psiko-social dhe duke u bazuar edhe në punën time kërkimore të mëparshme në fushën e krimeve dhe abuzimit seksual me të miturit.
Besoj është e nevojshme të bëj një sqarim për lexuesit, kur flasim për termin ‘pedofili’. Si një diagnozë mjekësore, pedofilia është një çrregullim mendor që haset tek personat 16 vjeç e lart, të cilët karakterizohen nga një interes seksual parësor e ekskluziv ndaj fëmijëve të moshës së parapubertetit ose pubertetit të hershëm. Pra, objekti i synuar janë fëmijë përgjithësisht të moshës 11 vjeç e më të vegjël, megjithëse kriteret specifikë të diagnozës për këtë çrregullim mund ta shtrijnë kufirin moshor për parapubertetin deri në moshën 13 vjeç (shih DSM IV-TR, ICD-10). Në vijim të artikullit, do përdoret vetëm termi ‘i mitur’ ose ‘fëmijë’ për të përgjithësuar moshën e klasifikuar si objekt të pedofilisë.
Sipas këtyre standarteve ndërkombëtare të sëmundjeve, ku klasifikohen edhe çrregullimet mendore, një adoleshent që është 16 vjeç ose më i madh, i cili është të paktën pesë vite më i madh se fëmija ndaj të cilit ka tërheqje seksuale, mund të diagnostikohet si rast pedofilie. Pra, personi, kryesisht madhor në moshë, karakterizohet nga një tërheqje dhe interes seksual i tillë, që është i vazhdueshëm e të qëndrueshëm në kohë, për të paktën gjashtë muaj. Puna kërkimet tregon që pedofilia mund të haset si te meshkujt, ashtu edhe tek femrat, por është më e theksuar tek meshkujt. Raste mund të gjenden edhe mes personave të afërt e familjarë të të miturit.
Duke qenë një çrregulllim afektiv seksual, mund të kuptohet që kemi të bëjmë me rast pedofilie, kur personi, për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, fantazon dhe ndjen kënaqësi seksuale nga këto fantazi seksuale të orientuara ndaj të miturve, përjeton impulse seksuale në prani apo distancë të të miturve dhe/ose i materializon dëshirat seksuale nëpërmjet abuzimit seksual me të miturin. Por nuk është kusht i domosdoshëm që personi me çrregullimin e pedofilisë të kryejë akte abuzimi seksual me të miturin dhe kështu, klasifikohet si i tillë edhe nëse ushqen fantazi dhe përjeton tërheqje seksuale ndaj të miturit. Në këtë klasifikim futen edhe persona të cilët mbledhin dhe shohin materiale pornografike me të miturit.
Në profilin psikologjik, studimet (Cohen et al, 2002) tregojnë që personat e karakterizuar nga çrregullimi i pedofilisë kanë vetëvlerësim të ulët, aftësi sociale të varfra, marrëdhënie ndërpersonale të dëmtuara, sjellje të forta agresivo-pasive (sjellje agresive të paverbalizuara dhe pa motiv të qartë), si dhe koncept të dëmtuar të vetes. Pra, këta persona paraqesin shenja çrregullimesh psikologjike e psikiatrike, ku patologjia është e lidhur qoftë me motivimin për sjellje pedofilike, ashtu edhe me paaftësinë për të ndaluar një sjellje të tillë.
Nga një këndvështrim i Psikoterapisë Pozitive, kapacitete parësore që janë aftësi e nevoja emocionale njëkohësisht, të tilla si: dhembshuria, dashuria, afeksioni, durimi, empatia, vetëbesimi, besimi në një forcë/moral hyjnor, etj., janë të pazhvilluara, të dëmtuara, jo-ekzistuese, apo të nënshtruara dhe të kushtëzuara ndaj impulsit seksual dhe si rezultat personi nuk ndalet përpara “viktimës”. Kapacitete dytësore që janë norma sociale njëkohëshisht, të tilla si: drejtësia, mirësjellja e sinqeriteti janë të pazhvilluaara dhe janë të kushtëzuara në shprehjen e impulsit seksual gjithashtu.
Pyetje – Cilat janë arsyet që e çojnë një person të kryejë akte pedofilie, e deri në vrasje? Pra, nëse bazohemi në një studim psikologjik të këtij “tipi”, çfarë e bën atë të kryejë këto veprime?
Siç shihet edhe më lart, arsyet e sakta të pedofilisë nuk janë përcaktuar në mënyrë përfundimtare nga studiuesit dhe klinika e kësaj patologjie. Prej sugjerimeve të studimeve, pedofilia mund të ketë një korrelacion me disa anormalitete bio-neurologjike të ndryshme dhe shpesh mund të bashkëekzistojë me çrregullime të tjera të personalitetit dhe patologji psikologjike. Këto anormalitete e çrregullime, duke mbetur të patrajtuara nga specialistët e shëndetit mendor e psiko-social, mund të thellohen me kalimin e kohës gjatë dhe pas adoleshencës. Në thelb, personi pedofil, edhe pse ka logjikë e arsye (por shpesh këto aftësi mendore janë të cënuara, për arsye të dëmtimeve neurologjike dhe në mungesë të një strukture të shëndetshme të personalitetit) nuk arrin t‘i frenojë apo t’i bëjë ballë impulseve seksuale ndaj të miturve. Në perceptimin e mungesës së një ambienti social të pasigurt për të miturin dhe dëmtimit të konceptit personal mbi jetën, personi pedofil shfrytëzon çdo rast për të kënaqur impulset dhe orekset e tij seksuale.
Në rastet më ekstreme, të cilat përfundojnë me vrasjen e të miturit, shkaku mund të shihet tek denoncimi shoqëror apo ligjor, qoftë i perceptuar ose real, që fëmija i abuzuar mund të ndërmarrë në të ardhmen e afërt apo të largët ndaj abuzuesit pedofil; pra, kur abuzuesi ndihet i kërcënuar ndaj ekspozimit të akteve të tij. Duke qenë i vetëdijshëm që fantazitë dhe aktet pedofilike janë shoqërisht, moralisht e ligjërisht të ndaluara, kryerja e akteve të tilla prej tij bëhet në një mënyrë të fshehtë e mjedis larg vëmendjes së publikut. Ai kryesisht përpiqet të ndërtojë besimin me të miturin dhe të krijojë një “lidhje dashurie” në rast se synon ta shfrytëzojë për një periudhë të gjatë, duke e manipuluar fëmijën mendërisht, në sensin që ajo që po bëjnë është një “sekret i bukur e i veçantë” mes tyre dhe që ai sekret duhet të ruhet. Në raste të tjera, kërcënimi për dëmtimin apo vrasjen e vetë fëmijës apo personave të afërt të tij, mund të jetë gjithashtu një formë trysnie që fëmija të mos tregojë, ashtu siç mund të përdoret edhe manipulimi i sensit të fajit të fëmijës, ku abuzuesi pedofil krijon një skenar të tillë që e bën të miturin të besojë që prindërit dhe shoqëria do ta konsiderojnë gjithmonë fajtor për faktin që është angazhuar në diçka të turpshme me një të rritur. Pra, këto janë instrumente, ndër të tjerë, të dhunës psikologjike që ushtrohet mbi të miturin, që ai të mos tregojë për abuzimin që po vuan. Studimet tregojnë që abuzuesi mund të jetë edhe një familjar, i afërt apo i largët. Në rrjedhojën ekstreme – akti i vrasjes – ndërmerret në momentin kur abuzuesi pedofil ndjen se i mituri ka ndërmend të tregojë për abuzimin që ka vuajtur ose kur i mituri tenton të arratiset prej abuzuesit të tij.
Pyetje – Në cilat shoqëri vërehet fenomeni i pedofilisë? Nëse flasim për shoqërinë shqiptare, a jemi një shoqëri e ndërgjegjësuar ndaj këtyre fenomeneve?
Si një dukuri e përfshirë në krimin e abuzimit seksual me të miturit, pedofilia është e vërejtshme në të gjitha vendet dhe kulturat botërore, por është e pamundur të përcaktohet në shifra. Sipas një studimi (Seto MC, 2009) të bazuar në ShBA, pedofilia vlerësohet të jetë në më pak se 5% të popullsisë së meshkujve të rritur dhe një studim tjetër (Cohen, 2002) vlerëson se raporti mes meshkujve dhe femrave me sjellje pedofilie është 10 me 1. Raportet botërore që vlerësojnë abuzimin seksual me të miturit japin shifra të ndryshme në vite të ndryshme; kjo për shkaqe të ndryshme si: numri i rasteve të denoncuara e të ndjekura penalisht, statistikat e sakta të referimit në qendra të përkujdesit shëndetësor e social, si dhe vetë ndërgjegjësimit dhe denoncimit të abuzimit nga vetë shoqëria. Raportet ndërkombëtare të përvitshme tregojnë për një numër të lartë kërkese nga vendet perëndimore për materiale që ofrojnë shërbime e favore seksuale me/nga të mitur (duke përfshirë edhe pornografinë), si dhe raste të abuzimit me fëmijë të përfshirë në krimin e trafikimit njerëzor, por kjo nuk përjashton shoqëritë dhe kulturat lindore dhe hemisferin jugor. Pra, është një dukuri globale, e ushqyer nga një përqendrim i madh në kënaqësinë seksuale dhe mungesën e informacionit dhe ndërgjegjësimit të mjaftueshëm nga shoqëria.
Nëse flasim për shoqërinë shqiptare, besoj se nuk jemi të ndërgjegjësuar plotësisht ndaj kësaj dukurie. Keqkuptimet fillojnë që në përkufizimin e saj e deri në qëndrime kulturore, që nganjëherë e ushqejnë dukurinë e pedofilisë.
Pyetje – Si duhet të reagojë shoqëria ndaj këtij fenomeni? Po shteti, qeveria? Si mund të zgjidhet, për të parandaluar raste të tjera?
Duke e parë nga këndvështrimi moral e ligjor, ndjej që reagimi i shoqërisë shqiptare, nëse i referohemi rastit kriminal të ditëve të fundit apo edhe rasteve të mëparshme, e ka denoncuar ashpër dukurinë dhe ka shprehur një indinjatë të shëndetshme, duke e ngritur zërin në rrjetet sociale të komunikimit apo mjediset shoqërore e familjare. Edhe pse ‘paniku shoqëror’ është i natyrshëm në raste të tilla, ku media luan rolin e vet, shoqëria (dhe këtu e kam fjalën për të rriturit e prindërit) nuk duhet të kalojnë në ekstremin e mbylljes së fëmijëve në shtëpi apo moslejimit të tyre për të dalë me shoqërinë e tyre, apo për të shkuar në shkollë nga frika se rrugës mund të rrëmbehen nga një pedofil. Shoqëria shqiptare duhet të reflektojë më shumë mbi faktorët socialë e kulturorë që mund të ushqejnë praktikat pedofilike dhe këtu e kam fjalën për sjellje tipike të familjarëve dhe miqve të të miturit, të cilat mund të tregojnë prirje pedofilike, por që në kulturën shqiptare mund të maskohen nën petkun e “dashurisë dhe afeksionit”. Prindërit sidomos, duhet të jenë të vëmendshëm ndaj sjelljeve jo-normale të më të rriturve që mund të tregojnë interes seksual ndaj fëmijës së tyre, ku prindërit duhet të lexojnë gjuhën e trupit dhe nën-mesazhet verbale të të rriturve që mund të dyshohet se kanë interes seksual. Në këto raste, në varësi të rrethanave dhe afrimitetit, ndihma e nevojshme ligjore e psikologjike duhet kërkuar. Gjithashtu, nuk rekomandohet që prindërit t’i lejojnë fëmijët e tyre të kenë profile në rrjetet sociale, ku nga vëzhgimet tregohet që fëmijët mund të bien pre e “miqve” pedofilë, pa e kuptuar. Në raste kur prindi e lejon, ai duhet të monitorojë kontaktin dhe rrjetin e miqësisë së fëmijës së vet dhe mbi të gjitha, të ndërtojë një marrëdhënie mirëbesimi ku mund të bisedojnë hapur me njëri-tjetrin për komunikimin që fëmija ka me miqtë e mikeshat e tij on-line.
Ndër disa masa që shteti dhe institucionet e tij ligjvënëse, ligjzbatuese e ekzekutive duhet të vazhdojnë të ndërmarrin, krahas vullnetit pozitiv, janë: përafrimi i legjislacionit dhe dhe procedurave operacionale me ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së dhe ta trajtojnë dukurinë në tre aspekte: parandalues, mbrojtës dhe përndjekës.
Në aspektin parandalues, pushteti qendror duhet të mobilizojë në terren burime të mjaftueshme financiare, materiale e njerëzore. Ndër burimet njerëzore duhet të ketë: (1) specialistë të shërbimeve psiko-sociale (psikologë këshillimi, shkollorë e klinikë, si dhe punonjës socialë e psikoterapeutë) që i ndërgjegjësojnë vazhdimisht fëmijët në shkolla e qendra sociale/komunitare mbi dukurinë e abuzimit seksual me të miturit dhe si të mbrohen; (2) punonjës të rendit të specializuar në dukurinë e pedofilisë dhe krimin seksual on-line, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me komunitetin dhe specialistët e shërbimeve psiko-sociale për të identifikuar raste potenciale pedofilësh dhe fëmijë të shënjestruar prej tyre (kjo përfshin edhe monitorimin e profileve të rrjeteve sociale apo hapësirave në internet që mbledhin, ruajnë e shpërndajnë materiale pornografike, përfshirë të mitur, ku duhet të procedohet në mbylljen e këtyre profileve/hapësirave dhe identifikimin e të tjerave me të cilat ata ishin lidhur.
Në aspektin mbrojtës, masat lidhen me mbrojtjen dhe rehabilitimin tërësor të fëmijës së abuzuar seksualisht, ku përfshihet ndihma mjekësore, psikologjike, sociale e juridike falas (kjo e fundit në rastin e përndjekjes penale të abuzuesit).
Në aspektin përndjekës, masat përfshijnë vullnetin ligjzbatues të organeve që garantojnë rendin dhe drejtësinë, si dhe forcimin dhe plotësimin e legjislacionit, duke u bazuar në standartet ndërkombëtare dhe të BE-së. Përveç masave ndaluese me burgim afatgjatë në institucionet përkatëse, për personat e klasifikuar si pedofilë në bazë të raporit psiko-mjekësor, paralelisht duhet garantuar shërbimi psikoterapeutik e mjekësor i vazhdueshëm e sistematik, duke u bazuar në metodat dhe terapitë bashkëkohore të efektshme, për të mundësuar rehabilitimin psiko-social në periudhë afatgjatë të personit. Në varësi të moshës kur krimi është kryer, shkallës së çrregullimit të pedofilisë dhe akteve të dhunës apo abuzimit të kryera para se të ndalohej personi pedofil, në mënyrën e mësipërme i shërbehet edhe parandalimit të abuzimeve potenciale prej personit në të ardhmen, pasi ai përfundon periudhën e dënimit/izolimit.
Pyetje – Sa faj ka familja ose shoqëria në këto situata? Pra, mos vallë familja nuk tregohet e vëmendshme mjaftueshëm ndaj fëmijëve?
Mendoj që nuk duhet të fajësojmë familjen apo shoqërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Familja apo shoqëria rreth të miturit që është potencialisht objekt i abuzimit dhe dhunës seksuale dhe për rrjedhojë edhe vrasjes së tij, mund të fajësohet vetëm pasi është ndërgjegjësuar plotësisht dhe i njeh shenjat dalluese të një personi me prirje pedofilie. Patjetër që vëmendja e familjes duhet të fokusohet edhe tek rrjeti social, real apo virtual, që fëmija mund të ketë, por mbi të gjitha duhet ta edukojë fëmijën mbi dukurinë dhe si ta mbrojë veten nga njerëz të huaj apo të njohur, që mund të kenë një interes pervers ndaj fëmijës. Neglizhenca e prindërve në këtë drejtim, shpeshherë e vetëdijshme, duhet të fajësohet. Siç u përmend edhe më lart, rastet e pedofilisë mund të ndodhin edhe brenda familjes apo rrethit familjar dhe në këto raste njëri prind apo të dy duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave treguese të personave me prirje e sjellje pedofilike. Nuk duhet ushqyer kultura dhe elementë kulturorë që e bëjnë të miturin objekt të sensualitetit apo seksualitetit të të rriturit.
Mesazhi im i fundit për të gjithë lexuesit , ku dikush pas leximit të këtij shkrimi mund të ndërgjegjësohet se njeh një person me prirje pedofilie: kërkoni ndihmë pa pritur! Arma më e mirë në mbrojtjen e fëmijës suaj është të jeni vetë te informuar mbi dukurinë, të keni një marrëdhënie të fortë miqësie e afeksioni me fëmijën tuaj: kjo do i mbajë rreziqet larg.
Pedofilia nuk shërohet me ashpërsimin e ligjeve, e vetmja zgjidhje mbetet parandalimi
Genta Kaloçi, psikologe kriminaliste e cila ka punuar në burgun e Vaqarrit dhe në Para-Burgun 302 në Tiranë tregon përmes një interviste përvojën e saj të punës me të dënuar për veprën penale të pedofilisë. “Unë kam analizuar personalitetin e personit që ka shkaktuar dëmin, jo viktimën. Përvoja ime e punës ka qenë me autorin e veprës penale, por përmes bisedave me ta, kam kuptuar më shumë edhe për pozicionin e fëmijëve, se si bien pre e abuzimeve seksuale”. Më tej ajo tregon në intervistë se si ndikon çekuilibrimi emocional tek ata, dëshirat në luftë me ndjenjat e fajit, të cilat nuk arrijnë t’i frenojnë…
-Pedofilët që keni takuar në burgje, thatë që kanë çekuilibër emocional. Ky çekuilibër u vjen në kushtet e humbjes së lirisë apo janë të tillë ndërsa kryejnë veprën penale?
Nuk është çekuilibër i krijuar nga izolimi…
-Nga bisedat me të dënuarit për pedofili, çfarë ke mësuar? Si i afrojnë fëmijët?
Këta individë zakonisht kanë marrëdhënie pune në ambiente ku ka fëmijë, si shkolla, vende sportive etj. Ata kërkojnë të jenë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët, midis të cilëve studiojnë dhe zgjedhin viktimën.
-Çfarë karakteristikash dalluese kanë personat pedofilë?
Janë të komunikueshëm, përpiqen të fitojnë besimin e fëmijës, sidomos të atyre fëmijëve që u ka munguar dashuria. Zakonisht i gënjejnë duke u shoqëruar me ta, duke u zbuluar dëshirat apo interesat që kanë. U premtojnë karrierë në sport apo art, por kjo varet sipas rastit. Pedofili fokusohet tek interesat e një fëmije sepse ato janë karremi. Janë persona që madje hyjnë në shtëpi, janë miq të familjes dhe fëmija është nën presionin se po të flasë, nuk do ta besojnë.
-A keni konstatuar që të kenë pasur një fëmijëri të keqe këta persona? Çfarë roli kanë luajtur kushtet social-kulturore të rritjes?
Po, rrethanat familjare ku janë rritur, kanë qenë baza e sjelljeve të mëvonshme. Nuk është e thënë të kenë pësuar dhunë seksuale, por kanë qenë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës në familje si rrahja e nënës, dhuna verbale etj. Dikush është rritur në familje me prindër përdorues të alkoolizuar. Duke njohur rrethanat jetësore të një pedofili, mund të kuptojmë për rrjedhim edhe rrethanat e rrezikut të një fëmije për të qenë viktimë, pasi edhe statistikisht këta persona kanë probabilitet më të lartë që në moshë të rritur të ushtrojnë dhunën që në fëmijëri është ushtruar ndaj tyre. Sjellja njerëzore mësohet përmes imitimit dhe fëmija modelet që merr, zbaton.
-Ngacmimi seksual i fëmijëve është një fenomen vetëm mashkullor, apo edhe femëror?
Rastet dominante janë meshkuj, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e abuzimit nga femrat. Legjislacioni (edhe botëror) parashikon në fakt autorin e veprës si mashkull.
– Shpesh prindërit që kanë fëmijë meshkuj, ndjehen më të qetë. Por, a janë fëmijët meshkuj në fakt, më pak të rrezikuar se fëmijët femra?
Kjo qetësi është e gabuar. Të dyja gjinitë janë njësoj të rrezikuara, si fëmijët djem edhe fëmijët vajza. Statistikat nuk krijojnë diferenca. Këta persona nuk zgjedhin seksin e fëmijës, shpesh abuzojnë me fëmijë të të dyja gjinive. Zgjedhjen nuk e bëjnë mbi këtë bazë, por mbi baza të tjera. Ata piketojnë fëmijë që janë të anashkaluar, fëmijë që janë të neglizhuar, që nuk e kanë jetën të mbushur me aktivitete dhe rriten në një klimë familjare ku ka presion, por jo komunikim.
-A provojnë ndjenja faji, turbullime shpirtërore pedofilët, sipas rasteve që keni parë?
Po, edhe provojnë ndjenja faji pas aktit. Ata të lënë të kuptosh, se provojnë ndjenja pendimi dhe kjo u jep një çekuilibër emocional, por nuk i ndalon që të përsërisin veprën. Ata janë zakonisht përsëritës. Dhe kjo gjë nuk shërohet as me ashpërsimin e ligjeve, siç tregojnë studimet sidomos në Angli dhe Amerikë. E vetmja gjë, mbetet parandalimi.
-Ju thatë se zgjedhin punë që janë të lidhura me mjedise të frekuentuara nga fëmijët. Konkretisht?
Zakonisht janë roje shkollash, instruktorë fëmijësh, mund të jenë mësues apo trajnerë të tyre. Faji nuk është i profesionit, por profesioni mund të rrisë shanset e një pedofili për të arritur qëllimet e tij.
-Deri në cilën moshë të rritjes kufizohet marrëdhënia seksuale si marrëdhënie pedofilie?
Deri në 14 vjeç konsiderohet marrëdhënie pedofilie me fëmijë, ndërsa 14-18 vjeç konsiderohet marrëdhënie pedofilie me të mitur.
-Konstatojmë se ndjeshmëria e publikut është për marrëdhëniet me moshat deri në 14 vjeç dhe mbi këtë moshë, bie ndjeshëm. Gati-gati opinioni nuk i shikon si pedofili marrëdhëniet me adoleshentë, megjithëse ligji i parashikon të dyja rastet. Si shpjegohet kjo?
Kjo ndjeshmëri shpjegohet nga njëra anë me faktin se tradicionalisht në zona dhe në grupime të caktuara të popullsisë janë konsideruar normale martesat në moshat 14-18 vjeç. Të kujtojmë se vajza 20 vjeçe quhej e mbetur. Nga ana tjetër, është masivizuar mosha kur nisin marrëdhëniet seksuale dhe brenda kësaj dukurie, përfshihen edhe rastet e pedofilisë. Por duhet bërë dallimi se jo çdo marrëdhënie në moshën e pubertetit është pedofili. Pedofilia është marrëdhënie mes një të rrituri me një minoren, ndërsa mes dy moshatarësh nuk është e tillë.
-Doni të thoni se nuk janë njësoj pasojat e një marrëdhënieje që nis në pubertet kur ndodh mes moshatarësh dhe mes personash me diferencë moshe?
Sigurisht që nuk janë njësoj. Marrëdhënia seksuale duhet të fillojë mes dy personave që janë afërsisht moshatarë sepse kalimi nga njëra moshë në tjetrën bëhet kështu në mënyrë harmonike. Të dy,si djali si vajza, piqen bashkë dhe mësojnë bashkë për ndjesitë e tyre. Kjo marrëdhënie kalon pa sjellë çrregullime të identitetit seksual. Ndërsa marrëdhënia e një minoreni me një person me diferencë moshe është abuzive, sepse nuk kanë të njëjtin kod komunikimi. I rrituri abuzon me eksperiencën e tij seksuale, me statusin shoqëror dhe ekonomik etj.
-Marrëdhëniet seksuale në pubertet janë shtuar, por rrallë ka denoncime për këtë grupmoshë (përjashto përdhunimet). Pse nuk raportohen sipas jush?
Nuk raportohen sepse të miturit në këtë moshë i pranojnë këto marrëdhënie kundrejt shkëmbimit të përfitimeve të ndryshme. Është një brez me dëshira e nevoja dhe kur ndeshet me pamundësinë, kërkon alternativa. Shkaqet e pedofilisë sidomos në grupmoshën e pubertetit, gjejnë terren në kushtet e varfërisë.
-A është pedofili marrëdhënia e dashurisë mes mësuesit dhe nxënëses gjimnaziste?
Nëse ky mësues pavarësisht nga afeksioni, ka shfaqur interes seksual për nxënësen në shkollë të mesme, nëse nuk ka konsumuar veprën e pedofilisë, ka konsumuar veprën e ngacmimit seksual. Mësuesit duhet të jenë korrektë jo vetëm me nxënësit nën 18 vjeç, por edhe më tej, për shkak të misionit dhe natyrës së punës. Por këto raste nuk mund të diagnostikohen dot, nëse nuk vijnë denoncime nga nxënësja apo prindërit e saj.
Psikologia: Bumi i denoncimeve, fëmijët nën trysninë e pyetjeve në familje
Ngjarja ndodh, policia vepron, përcjell komunikatën, media krijon përmes publikimit, efektin sensibilizues, qytetarët marrin zemër për të denoncuar rastet e mbajtura fshehur dhe kjo kalon prapë në media. Shkak-pasojë dhe jemi përpara një situate që ka pushtuar vëmendjen e publikut, ka prodhuar vëmendje të shtuar të strukturave të rendit, por edhe polemika. Një grua tha: “Nuk guxon të hapësh televizorin se ke frikë çfarë ka brenda”. Për këtë situatë bumerangu, psikologia Genta Kaloçi thotë: “Jemi në një situatë të gjithanshme presioni, ku trysnia më e madhe bie mbi fëmijët. Ata janë vënë në fokus, janë nën trysninë e lajmeve por edhe të pyetjeve me të cilat po përballen në shtëpi. Natyrisht që krimi nuk duhet mbajtur i fshehur. Duhet dalë nga mentaliteti i guackës së njollës apo të turpit për familjen dhe fëmijën. Por gjithë ky çlirim i të folurit ka edhe anën tjetër të medaljes, ka rrezikun e ekzagjerimit dhe të trillit. Jo çdo denoncim mund të jetë i vërtetë. Konstatojmë si psikologë që ka plasur një valë denoncimesh shumë e madhe. Nga frika e shtuar, prindërit tani duke dashur t’i mbrojnë fëmijët, janë duke ushtruar presion. Ky është efekti ‘bumerang’. Fëmija është shumë i brishtë dhe reagon në mënyra të paparashikueshme dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si pyeten fëmijët nga prindërit…”
Porosi për prindërit
Mos i lini fëmijët të flasin me të huajt
Mësojini të mos pranojnë dhurata nga të huajt
Mos i lini fëmijëve hapësira të lira pa aktivitete të programuara
Mësojuni fëmijëve të mos u japin numrin e tyre të celularit të panjohurve
Mos u jepni akses në rrjetet sociale të internetit sepse ndodh të abuzohen
Në qendrat e internetit mos i lini vetëm, shoqërojini
http://www.sot.com.al
Pedofilia, si të mbroni fëmijët
Dr. Fahri Drevinja, mr sci neuropsikiatër
Pedofilia është veprimtari erotike me fëmijët. Sipas kritereve diagnostike, pedofili duhet të jetë më i vjetër pesë vite se sa viktima. Ndërsa mosha e tyre mund të lëviz nga 16-65 vjeç. Orientimi seksual i këtyre personave mund të jetë hetero dhe homoseksual; dominojnë heteroseksualët. Të dhënat flasin që pedofilët meshkuj homoseksual zgjedhin fëmijët më të rritur, kurse ata heteroseksual, më tepër vajzat 8-12 vjeç.
Nga aktivitetet me fëmijët, janë lojërat pjesërisht lakuriq, i shikojnë dhe ledhatojnë. Fëmijët janë më shpesh nga rrethi i tyre. Sa i përket çrregullimeve mendore, personat me retardime mendore, me skizofreni, të dehur ose persona me ndryshime psikoorganike, mund të kryejnë vepra seksuale me fëmijët, mirëpo këto janë shumë raste të rralla. Numri më i madh i pedofilëve heteroseksual është i martuar, kurse homoseksualet rrallë që ndonjëri qëllon i martuar.
Pedofilia kohët e fundit edhe tek banorët e Kosovës ka zgjuar kureshtjen dhe shqetësimet? Kush e solli, a ka qenë këtu, a ka pasur ose s’ka pas më parë, a ka qenë më e fshehur, ose ka qenë “pa pasoja”, më e butë derisa s’ka dëgjuar njeri për të?!
Jo, pedofilinë nuk e solli askush tek ne, pedofilia gjendet në të gjitha vendet dhe kombet e botës, ku më shumë, ku më pak. Beletristika botërore është e mbushur me raste markante dhe trishtuese të bastardëve pedofil, që kanë goditur mendjen e njerëzve. Në Evropë janë të njohura rastet në seri të pedofilëve si në Angli, Francë dhe Shtetet e Beneluksit. Këto raste nga popullata priten me frikë, me tronditje të jashtëzakonshme shpirtërore, bëjnë shumë jehonë, krijojnë mosdurim në rrethin ku punojnë dhe jetojnë.
Mendoj, që këtë jehonë, trishtim, stres dhe traumë për popullatën e bëjnë zmadhimet, shtrembërimet nga personat që nuk kanë njohuri për këtë dukuri. Fëmijët, në fillim të ngjarjes edhe mund të jenë kurioz ose të mashtruar, mirëpo më vonë mund të pësojnë tronditje të rëndë psikike.
Mendoj, që këtë jehonë, trishtim, stres dhe traumë për popullatën e bëjnë zmadhimet, shtrembërimet nga personat që nuk kanë njohuri për këtë dukuri. Fëmijët, në fillim të ngjarjes edhe mund të jenë kurioz ose të mashtruar, mirëpo më vonë mund të pësojnë tronditje të rëndë psikike.
Ndikim shumë të keq kanë edhe afrimi, qasjet e lehta në uebsajtet e ndryshme të cilat janë të mbushura me pornografi të fëmijëve. Kështu që një parapëlqim i cili mund të jetë i fjetur ose një predisponim i cili nuk është në plan të parë nga këto shikime, ekcitime, përjetime, mund të jetë iniciale për fillim të sjelljes pedofilie.
Disa nga ato sjellje mund të lakmohen, mund të provohen dhe nëse paraqesin “kënaqësi”, mund të pranohen. Këto veprime mund të kryhen kryesisht nga personat emocionalisht jo stabil, me stigmate të çrregullimit të personalitetit, personat me sjellje të papjekur, ekstravagant, me stile të veçanta të kënaqjes së epsheve.
Sa i përket rëndësisë së veprimeve pedofilike në psikiatrinë forenzike, ato kanë një rëndësi të veçantë. Sidomos pedofilët e dhunshëm dhe ata që e vrasin viktimën. Këta persona duhet gjithsesi të ekzaminohen dhe të vërtetohen çrregullimet, eventualisht deformimet-abnormalitet e epsheve seksuale.
Në literaturë nuk ka karakteristika të prototipit të personit pedofil, ekzistojnë karakteristikat e përgjithshme sikurse që janë person submisiv, të dashur për fëmijën, mjaft suptil në sjelljet me ta, të butë. Mbi 70%, e tyre kanë lidhje të ndryshme me fëmijët, janë arsimtarë, edukatorë, kujdestarë, mbikëqyrës; gjysh që kujdeset për fëmijët, etj.
Atyre u pëlqen që t’i prekin fëmijët, pastaj t’ua mësojnë zhargonin e ndyrë të shprehjeve, i ledhatojnë, iu blejnë gjëra të vogla të kënaqësisë fëmijërore; lodra, sheqerka etj. Nëse personi pedofil manifeston edhe agresion
,që quhet sadizëm-kënaqje duke munduar ose mbytur viktimën, atëherë personi ka çrregullim organik të personalitetit. Këto çrregullime, më shumë u përkasin personave të rritur ose më të moshuar.
Vitin e kaluar në klinikën e psikiatrisë në Prishtinë, janë ekzaminuar dy raste, njëri për pedofili me vrasje dhe tjetri për abuzim seksual. Që të dy janë përballur me gjykatën dhe kanë marrë dënimet e merituara. Por, nuk mjaftojnë dënimet e tyre. Ata duhet trajtuar, duhet punuar me ta në aspektin psikiatrik, psikologjik, social, në mënyrë që ata të mësohen, të vetëdijesohen dhe ta kuptojnë që “pasioni i tyre” është i ndaluar dhe mjaft i rrezikshëm.
Rëndësia qëndron në ndaljen, zvogëlimin e kësaj ”kënaqësie”, e cila është mjaft irrituese dhe e dënueshme. Është vështirë të çrrënjoset, sepse pohohet që nuk është e mësuar, por e lindur. Mirëpo, puna jonë sistemore e planifikuar në të gjitha aspektet, është sensibilizimi dhe vetëdijesimi i të gjithë prindërve. Porosia e thjesht: mbani nën kontroll fëmijët. Një bashkëpunim i mirë me fëmijët do të ketë efekte pozitive, sepse fëmija nuk fsheh, është kureshtar, nuk mban gjatë fjalën, mund të harrojë dhe flet.
Këtu mund të ndërpritet hallka e motivacionit edhe veprimit të pedofilit dhe nëse konstatojmë se bëhet fjalë për pedofili, duhet patjetër të informohen organet e rendit. Nëse edhe më thellë është goditur sfera epshore, atëherë trajtimi tek psikiatri është i domosdoshëm. Aplikohen antiandrogjen dhe antidepresiv.
Veprimet e pedofilit te fëmija, një kohë të gjatë do të kenë pasoja në të gjitha fazat e pjekurisë së personalitetit të tij. Teoria psikodinamike u jep dimension mjaft të rëndësishëm përjetimeve fëmijërore të individit për pjekurinë dhe ecjen e shëndosh nëpër sfidat e jetës të çdo personi. Me përjetimet në fëmijëri shpjegohen shumica e çrregullimeve mendore neurotike, të cilat i kanë rrënjët në abuzime ose përjetimet e vështira. Ato dikur suprimohen dhe harrohen, mirëpo në situata të ngjashme zgjohen, paraqiten prapë dhe personi mund të bie në gjendje të krizave disociative, konverzive, regresion, etj. /Telegrafi/
Burimi – Facebook


Leave a Reply