4 zonat e Tiranës, ku do të ngrihet “Las Vegasi” shqiptar
Bashkia e Tiranës ka ngritur dje një grup pune që do të merret me nismën më të fundit, atë të zhvendosjes së lojërave të fatit në periferi të Tiranës. Sipas këtij propozimi planifikohet që kazinotë të jenë të grupuara në një vend, në mënyrë që Bashkia të ketë nën mbikëqyrje monitorimin dhe ruajtjen e sigurisë ndaj tyre.
Zonat
Grupi i punës ngritur në Bashkinë e Tiranës për shqyrtimin e mundësisë së grupimit në një zonë të vetme të lojërave të fatit ka propozuar 4 zona si me të përshtatshmet. Zonat në fjalë janë; Bregu i Lumit, Yzberishti, Uzina e Autotraktorëve dhe zona e Tufinës. Grupi i punës i cili po shqyrton grupimin në një zone të vetme, të të gjithë lojërave të fatit që shtrihen në territorin e bashkisë, kryesohet nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe në përbërje të tij janë dy zv/kryetarët, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtoresha e Tatim-Taksave.
Tatimi
“Grupi i punës ka klasifikuar si zonat më të mundshme për grupimin e lojërave të fatit dhe kazinove, zonën e Bregut të Lumit, Yzberishtin, Uzinën e Autotraktorëve e Tufinën. Grupi i punës do i propozojë Këshillit Bashkiak, vendosjen e një tarife të veçantë, e cila mund të arrijë në 50% të xhiros për lojërat e fatit,” thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës.
Kazinotë
Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 56 njësi qendrore, kazino elektronike dhe baste sportive, të cilat kanë 1012 salla lojërash, si edhe 600 salla lojërash të palicencuara. Me këto masa, Bashkia e Tiranës ka për qëllim të sigurojë një monitorim më të mirë të këtij aktiviteti dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet.
Burimi : Gazeta Tiranaobserver


Leave a Reply