
Intervistë me Nertila Markun, ish-zëdhënësen e shtypit në FRD. I përgjigjet pyetjeve të Prustit për të na rrëfyer librat, muzikën, shkrimtarët, piktorët dhe shumëçka tjetër që e bën jetën edhe më të bukur sipas saj
Luela Myftari
Ajo është e re, por është e njohur në radhët e shkrimtarëve, edhe pse është diplomuar për Diplomaci. Ndoshta kjo e fundit e ka ndihmuar atë që të dijë ta menaxhojë mirë e më mirë karrierën e saj. Ajo njihet më së shumti publikisht si zëdhënësja e shtypit në FRD. Aktualisht, është juriste dhe koordinatore e një shoqate për veriun dhe verilindjen e Shqipërisë. Më herët ka punuar në televizione lokale të qytetit të lindjes si spikere dhe vazhdon ende të marrë pjesë gjithmonë në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sociale në veri, tashmë më së shumti si organizatore. Sa e përfshirë në politike, po edhe aq e larguar, Nertila do t’i përgjigjet sot Pyetësorit të Prustit. E reja nga Lezha ka vetëm dhjetë ditë që ka sjellë në jetë një vajzë, por është gjithnjë e gatshme të na përgjigjet.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Nëse do të më pyesnit para dhjetë ditëve, ndoshta do të thoja se me bëjnë të zgjohem ëndrrat. Ka dhjetë ditë që ëndrrat e mia, janë zëvendësuar me një emër, me një njeri që sapo ka ardhur në jetë: Celestina, vajza ime.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Dje me mikeshën time të ngushtë, Brunën. Në fakt, nuk ka ditë që nuk qesh me shpirt me të.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Thonë se është dinamizmi. Tashmë e besoj edhe vetë. Kjo gjë shfaqet si në karakterin tim, ashtu edhe në dialogët e romaneve të mia. Më pëlqen ekspresiviteti në të menduar, vepruar e jetuar.
Defekti juaj kryesor?
Defektet preferoj t’i marr më së shumti si reflektim i asaj ç’ka përcjell negativisht tek të tjerët, më shumë sesa tek vetja, prandaj mendoj që ky defekt është skepticizmi im. Ndoshta kjo lidhet edhe me faktin se jam rritur në një shoqëri si kjo shqiptarja, që zhgënjimet janë në modë. Këtu nuk flas vetëm për pritshmëri personale, por më së shumti në raport me çdo fenomen që artikulohet si vendimtar për të ardhmen e shoqërisë sonë.
Me çfarë gabimesh tregoheni më tolerante?
Pa dyshim që kjo varet nga dëmi moral që shkakton, megjithatë besoj se gjithnjë kam qenë me tolerante ndaj atyre ku pendimi vjen shpejt dhe natyrshëm. Është e qartë që për shkak të surprizave të jetës, në disa raste duhet të bëhemi “martirë”, por gjithsesi në qoftë se në mes përfshihen persona të zemrës, rrethi i tolerancës merr trajta të gjera. Ky rreth ngushtohet gjithnjë e më shumë kur të lëndojnë personat e zemrës.
Me cilët personalitete identifikoheni më shumë?
Kryesisht, me shkrimtarët e lëvizjeve feministe, si Dora Montefiore apo Clara Zetkin. Miqtë e mi që kanë jetuar në kohën e komunizmit në Shqipëri (ndoshta për të me bërë qejfin) thonë që kam edhe një ngjashmëri të dukshme me shkrimtaren, disidenten dhe kryetaren e parë femër të një partie politike në Shqipëri, Musine Kokalari.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Deri më tani kam udhëtuar kryesisht në ishuj për pushime ose seminare, por në një të ardhme të shpejtë do të doja të bëja një udhëtim në Afrikë.
Shkrimtari juaj më i dashur?
Jam rritur në Lezhë, në qytetin që cilësohet si qyteti i “kurorës” së poeteve. Menjëherë emri i At Gjergj Fishtës e kujton se idhulli yt nuk ka nevojë të kërkohet më larg. Krenaria dhe ushqimi shpirtëror është rritur më tej me emrin e Ndoc Gjetjes. Ndërkohë që, ndër shkrimtarët botërorë citoj: Dostojevskin. Interesantja është se këtë shkrimtar e kam lexuar për herë të parë vetëm pasi më thanë miq të mi shkrimtarë e poetë, që kisha “dorën e tij” në fabulat e romaneve që kam botuar vetë.
Kompozitori juaj i preferuar?
Antonio Vivaldi. Në notat e tij ka një burim të pashtershëm për ta ndier reflektimin si mikun më të mirë që të nxjerr nga boshllëku i pesimizmit.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Komunikimin. Kam lexuar shpesh intervista ku femrat e cilësojnë sinqeritetin si virtytin më të lartë të një burri. Në kohët e sotme ai lloj sinqeriteti që presim ne femrat, vetë nga natyra njerëzore dhe nga orientimi material i botës, nuk mund të favorizohet. Pra, është si të kërkosh idealen në një botë ku pikërisht idealet janë thyer. E ndërkohë, komunikimi është kanali me të cilin arrihet në balancën më të mirë të mundshme mes të gjitha virtyteve.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një femër?
Integritetin. Me dhimbje konstatoj se ngjarjet e viteve të fundit në Shqipëri që kanë lidhje me dhunën ndaj gruas, mungesën e meritokracisë, dhunimin e barazisë gjinore, janë tregues të vazhdimësisë së gjatë të këtij fenomeni. Duket sikur femrat e “lejojnë” vetë të ndodhë kjo gjë. Duket sikur tashmë ato janë të bindura se kjo gjë s’mund të ndryshojë dhe prandaj sakrifikojnë integritetin e tyre personal dhe shoqëror për t’i shpëtuar të keqes më të madhe. Shoh një kompromis konstant mes dhurimit të lirisë në këmbim të një jetë të qetë, ku dëshirat e tyre, janë privilegje në duart e shoqërisë maskiliste shqiptare.
Cila është kënga që ju mbetet në mendje sa herë e dëgjoni?
Më pëlqejnë tej mase këngët italiane. Do të veçoja këngën,“La mia storia tra le dita”. Teksti dhe muzika me japin një sensacion që të thotë se në çdo humbje dashuria kalon përmes kufijve të dhimbjes. Por gjithsesi, nuk ka piedestal që nuk pranon dashurinë si mbretëreshën e fitoreve më të mëdha në jetë.
Libri që ju ka lënë mbresë të pashlyeshme?
Në fakt, ka disa vite që jam orientuar në leximin e librave të cilët kanë lidhje me dy degët e mia të studimeve, Diplomaci dhe Drejtësi. Në radhët e tyre ka pasur dhe libra biografikë, në të cilën vihet në dukje dhe ana emocionale dhe jeta e panjohur e liderëve botërorë. Në këtë linje do të vlerësoja librin “Në oborrin e Carit të Kuq”. Një libër rreth njëmijë faqe, mbi jetën te Stalinit. Në fushën e drejtësisë përmend “Për të mos vdekur nga mafia” nga Pietro Grasso dhe Alberto La Volpe.
Filmi që ju ka lënë mbresë të thellë?
“I etur për hakmarrje”. Nuk ka shumë kohë që e kam parë dhe realisht e kujtoj shpesh. Zbulimi i një vrasjeje të trefishtë adoleshentësh, e cila i kujton më shumë se kurrë një hetuesi në karrierë, se lidhja shpirtërore me viktimat është çelësi i suksesit në vendosjen e drejtësisë. Janë këto lloj filmash që tërheqin më shumë vëmendjen time pasi që e vogël më ka pëlqyer inkuadrimi psikologjik i botës gangrene.
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Toleranca me shumë njerëz në të shkuarën. Kur një femër ka disa ambicie që padyshim në bazë kanë aftësi të caktuara, do të përballet me shumë pengesa. Aq më tepër nëse jeton në një shoqëri maskiliste. Për shkak se unë kam besuar se pritshmëritë e një femre në shoqërinë shqiptare kërkojnë durim, ka ndodhur që të lëshoj pe, duke mos kthyer kokën pas shpinës, ku thikat kishin zënë radhën.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Absolutisht, mosmirënjohjen, hipokrizinë dhe zilinë.
Cila është motoja juaj?
“Në jetë nuk duhet të kufizosh sfidat, por kufijtë”
Po të ndodhte të takonit Zotit, çfarë do t’i thonit?
Je shume tolerant me burrat shqiptare!
Çfarë do t’ju pëlqente t’ju thoshte Ai?
Do t’ju shtoj vullnetin dhe forcën grave shqiptare që të vleresojnë më shumë arsyen për të cilën i kam bekuar.
Në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Pafundësisht e lumtur dhe përulësisht mirënjohëse Zotit që më bëri nënë.
Suksesi sipas Nertilës
Në romanet e saj tematika është femra. Më saktë, në bazë të fabulës së tyre është bota e krimit të organizuar mbi pasqyrën e trinomit Drejtësi-Femër- Politikë. Ajo ka përfunduar studimet për Diplomaci, por kjo përgjigje nuk është aspak diplomatike. Është e thjeshtë ashtu siç e njohin të gjithë Nertilën. E pyesim se çfarë konsideron ajo si sukseset më të mëdha në jetën e saj dhe ajo na përgjigjet. “Në përgjithësi njerëzit janë të prirur të konsiderojnë si suksese arritjet profesionale dhe materiale. Nëse do të përgjigjesha deri në moshën 16-vjeçare në këtë drejtim, do të thoja që konsideroj sukses vendet e para të fituara në konkurset e krijimtarisë dhe interpretimit letrar. Nëse do të më pyesnin për tre vjet më tutje do të thoja, të qenit zëdhënëse, drejtuese Departamentit të Medias dhe kryetare e Forumit Rinor në një parti politike historike në Shqipëri, në një moshë 20-vjeçare. Dhe në moshën 22-vjeçare botimin e librit tim të parë. Këto nga ana materiale. Ndërkohë që, unë gjithnjë kam besuar se suksesi më i madh për një njeri është kontributi që ai jep në mbarëvajtjen e shoqërisë, komunitetit apo rrethit ku jeton. Në këtë aspekt them se suksesin më të madh nuk e kam arritur akoma, por deri tani ky sukses mbetet mesazhi i librave që kam botuar. Nuk mund të mos e mbyll këtë përgjigje duke thënë se nuk parashikoj sukses më të madh sesa të jem një nënë e denjë për fëmijët e mi”, thotë ajo për gazetën “Shekulli”.


Leave a Reply