Gerasimos Markoras
Përse gënjeshtra miku im, të prish, të dëshpëron?
A, në shumë raste s’ është ajo
një e vërtetë që domosdo
fytyrën kamuflon?!
Mos u beso përrallave, po rritu or të shkretën,
se gjoja një kohë e një herë
bota e shihte si një vlerë
dhe çmonte të vërtetën.
Ndoshta diku nëpër Olimp dhe lakuriq të shtrihet,
por veçse, kur na vjen mbi dhe,
tamam si gratë që rrotull ke
vë makijazh e krihet.
Po˙ lyen flokët, faqet sytë e ngjyen qafë e buzë˙
bëhet një kukull një perri,
vesh dhe një rrobë larë me flori
e ty të duket, shpuzë.
Unë e mbaj mend, se e kam parë njëherë, duke u gdhirë,
tek vij tëhu, hidhej matanë,
hyneshë që ndrin e çmend dynjanë
me maskën mbi fytyrë.
Ndoshta për k’ të i dashur mik, sheh dhe ca deputetë,
tek perëndeshën imitojnë,
dhe njerëzia i kujtojnë,
për maskarenj, ibret.
Po qe se rrena është mëkat që bie vdekjen prore,
siç ti llafos e predikon,
atëhere si guxon e shkon,
në zyra Ministrore?!
Burri e plaku a zonja qoftë, o djalë a çupë që zgjatet,
për një gënjeshtër kanë nevojë
se qysh do rrojnë pa të në gojë,
gjyqtarët, avokatët?!
T’ ish e vërteta e vërtetë, mburojë për qytetarët,
do dëshiroja që ta di
e si i mënçur gjeje ti,
ç’ do bënin gazetarët?!
Ti që më thua se do ngrëç në luftë edhe gjitonin,
kundër gënjeshtrës më çdo anë,
të shohim! – pa dil në mejdan,
fillo me korrupsionin.
Eja ndër vete,miku im! Të iku urtësia˙
e mos e merr me të përpjetë˙
se me pesëdhjetë a njëqind vetë
nuk bëhet Shqipëria!
E ka në gjak njeriu i gjorë, atë mavri mashtrimin,
për të fituar një diçka
gënjen si derri,për hata,
zor se ndërron drejtimin.
Pse vetë sistemi është i tillë, ndan kamjen e lavdinë,
ose të dyja, ndër ca pak,
pastaj si të mos bëjë ortakë?!
këtë të gjithë edinë!
Ndaj çfarë kërkon? Lena rehat më qafsh, për kokën time,
e mos më rri e dërdëllis
se mba mileti në kurris,
gënjeshtra dhe mashtrime.
Se po e binde njerëzinë, ty të të japën votën,
do mbeteshin me barkun bosh
doktorë, zyrtarë edhe sarhoshë,
që do përmbysnin botën!
Kush nuk ka shpirtin poetik, që të lëvdojë beharin,
kush do të mbetet bejtexhi,
i varfër, trokë e hallexhi
le të nderojë Llazarin.
Vlera s’ do kishin, as shkëlqim, biçim reputacioni,
ata që tërë seriozitet
shpjegojnë në klasa gjithë siklet,
çfarë është ekuacioni.
Pa do tu hidhnin në turinj, lapsa edhe defterë,
dhe mund të ngriheshe dikush,
ti bënte kumbulla e rrush
ti quante gomerë.
E sheh ti ore kokëderr, ku djallin përfundon,
dynja jallania pa mashtrim?
Posi, posi, më hiqesh trim:
-Mua, s’ më bëhet vonë!
Atë çka bluan mos efshih shpalle siç e mendon,
sulu si trim në ballë! –
Po pa shih pak a bëhen vallë
ato që predikon?!
Pa shih një pasunar të ri, një laro e qen bir qeni,
që zhveshi pleq edhe jetimë,
si do ti flasësh, që ta dimë,
-Zoti hajdut, qysh jeni?!
E po ta mbajti qasu ca tek ai zot i lumë,
mbushur plot me dekorata
të blerë me para të thata,
dhe i thuaj pak a shumë:
-Porsi varrezë gjoksi të ngjan e syri yt i sosur,
q’ e sheh edhe njëbudalla
çdo kryq kopsitur aty, mba
nga një virtyt varrosur.-
Shko nëpër miq e ndër armiq, merre me të përpjekur,
dhe thuaj, pata fat or mik,
po nuk t’ u futën me kamxhik,
e të të bëjnë të vdekur.
Shqipëruar e përqasur nga
Arqile Garo, Janinë, shtator 2013
Burimi – Facebook


Leave a Reply