
Ky titull, në fakt, është një nga nëntitujt e një punimi, që prezantova në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të Universitetit “Marin Barleti”, me titull “Demokracia pjesëmarrëse – sfidë e integrimit në BE”, mbajtur në Tiranë më 30 – 31 maj 2013. Punimi titullohej: “Inteligjenca kombëtare: një përqasje me synimin e vendit për integrimin në BE.” Këtu, termi “Inteligjenca kombëtare” nuk lidhet me shërbimet e inteligjencës, por përdoret më tepër në kuadrin e inteligjencës së përgjithshme kolektive, të një popullate, shoqërie, shteti apo kombi.
Me organizatorët e Konferencës u ra dakord që pjesa e parë e shkrimit të tërhiqej nga autori, ndërsa pjesa e dytë u pranua për botim, meqenëse përmbajtja e saj si dhe përfundimet i përgjigjen plotësisht hipotezës së shprehur në titull. Mirëpo, ndërsa procedurat e botimit janë ende në proces (dhe nuk dihet sa mund të zgjasin), koha që po kalon rrezikon të nxjerë jashtë kontekstit dhe nevojave të shoqërisë një pjesë të përmbajtjes. Ndaj duke shpresuar në mirëkuptimin dhe mbështetjen e miqve të mi në Universitetin “Marin Barleti”, dhe duke besuar se veprimi im është në shërbim të interesit publik, po ndaj vetëm pjesën e fundit të shkrimit në proces botimi.
Në kontekst, “Nisma e këtij punimi bazohet te aksioma (dhe besimi im) se BE do ta kapërcejë krizën aktuale (1)1 dhe ideja për Shtetet e Bashkuara të Evropës do të shndërrohet në realitet; mbështetet në përcaktimin e faktorit euroatlantik se vendi i Shqipërisë është në BE dhe frymëzohet nga dëshira popullore e vendit për të qenë pjesë e këtij bashkimi.” Tash le të vijojmë më tej me pjesën e fundit të shkëputur nga shkrimi… (nga Bujar Abedinaj, doktorant pranë Akademisë së FA.)
***
….
4. Inteligjenca e mbijetesës kombëtare
Oferta e duhur e një inteligjence të përgjithshme në mbështetje të politikë-bërjes dhe vendim-marrjeve në drejtimet kryesore, së bashku me udhëheqësit e përgjegjshëm, besoj se nuk do të lejonte kurrsesi që vështirësitë të precipitonin deri në kufijtë kritikë të mbijetesës kombëtare, ku edhe në këtë fazë qeverisja (2) ka një rol për të luajtur dhe është normale të pritet që ajo ta luajë atë.
Por përtej qeverisjes ndodhen njerëzit e thjeshtë, shqiptarët, garancia e fundit, që kanë në dorë të mos e pranojnë dështimin. E kaluara e ka provuar këtë, ndërsa e tashmja po na troket të gjithëve…. Ja disa elementë, që çdokush mund t’i sjellë ndër mend.
Inteligjenca e suksesit të pavarësisë.
Qysh përpara se të shpallej pavarësia patriotët shqiptarë kishin artikuluar një qëllim për formësimin e shtetit. Kështu p.sh., Mithat Frashri shkruante: ““Një popull nuk rron dot pa një ideal, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë. Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm”.(3)
Patjetër, të kësaj ideje kanë qenë edhe të gjithë ata burra shqiptarë, që e sollën vendin deri te shpallja e pavarësisë, me në krye Ismail Qemalin. Pra shpallja e pavarësisë nuk ishte një veprim në shkretëtirë por ka pasur një qëllim, një mision dhe një vizion. Po sot, a është i përfaqësuar si duhet ky ideal nga ata që drejtojnë shtetin? Kjo mbetet për t’u parë, (4) por nga pikëpamja e mbijetesës kombëtare mund të jetë e dobishme që ky qëllim të mishërohet brenda synimit të vendit për t’u integruar në BE.
Nëse qasja e Mithat Frashrit ka natyrë idealiste, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, sipas Fan Nolit përzgjedhja e rrugës për shpalljen e pavarësisë ka qenë disi edhe me inteligjente. Në fjalën e tij me rastin e 80 vjetorit të lindjes, Fan Noli do të theksonte faktin se shpesh herë punët e mëdha nuk kanë nevojë për angazhimin e shumë njerëzve, por mjafton të bëhen bashkë njerëzit e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. “Shumë nga tanët thonë që Shqipërinë e krijoi një pakicë. Shumë e vërtetë ! Po, kjo është historia e gjithë kombeve të botës. Merrni, për shembull Hindin, me 400 milionë. Kush e çliroi ? Mahatma Gandi. … Pra e fitoi lirinë e Hindit pa armë. Dhe me sa veta, thoni ? … Atë bëmë edhe ne. Ishim të pakët këtu. Numëroheshim me gishtërinj…”. (5)
Inteligjenca e nxjerrjes së mësimeve
Nga ky kumt i Fan Nolit, në kontekstin e tanishëm shqiptarët mund t’i thërrasin mendjes se nuk ka nevojë vetëm të dëgjojnë se çfarë mund të thonë politikanët ose ambasadorët. Por t’i flasin edhe zemrës. Ndoshta, vetëm kur të bëjnë atë që u thotë zemra, do mund të jetë edhe momenti kur Shqipëria të rilindë vërtetë. Nuk ka nevojë për shumë njerëz, mjafton që edhe vetëm dy veta të komunikojnë sa për të vendosur një synim të përbashkët, për diçka të mirë dhe të veprojnë për ta arritur atë.
Natyrisht, synimi duhet t’ia vlejë dhe të ketë nevojë për angazhimin e të dyve. Le të mos vendosin synime të mëdha, por të ndjekin ato synime që mund të realizohen me aq pak njerëz sa kanë rënë dakord. Dhe, nëse bëhen më tepër se dy, le të përzgjedhin dhe autorizojnë një të tretë, për t’i përfaqësuar; që përfaqësuesi të lidhet me përfaqësuesin. Nuk ka nevojë të mendojnë se çfarë po bëjnë dhe mendojnë të tjerët, por të qetësojnë vetveten, duke bërë vërtetë maksimumin e asaj që do mundnin. Përderisa nuk mund ta falin që Shqipëria të humbë. Duke bërë diçka që do t’i qetësonte vërtetë, atëherë ka shumë mundësi që qetësinë e tyre do arrijnë ta shikojnë edhe te fytyra e tjetrit. Kështu, me siguri do qetësohej e gjithë shoqëria, sepse do arrihej të bëhej shumë e shumë herë më shumë.
Inteligjenca e skanimit të realitetit dhe paralajmërimit.
Një tjetër shqiptar i madh i ditëve tona, Dritëro Agolli, i ka qartësuar shumë mirë pikat më kyçe të Sistemit në tranzicion. Ja si është shprehur gjatë një interviste në janar 2010: “Edhe politika është inteligjencë, madje më e kualifikuar…”. Por “Vetëm pjesa e emancipuar e inteligjencës, pjesëmarrëse në politikë, deputetë, ministra, etj, që janë të lidhur shpirtërisht me fatet e këtij vendi, pra që janë atdhetarë, vetëm ata kanë mundësi të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe zbutjen e klimës politike…” (6)
Pra përzgjedhja e Dritëroit konsiston në faktin, se problemi, ose mundësia qëndron jo te gjithë sistemi, ose populli, intelektualët, punonjësit e thjeshtë të administratës publike, etj., por vetëm te ato nyje (a node) të sistemit, që zotërojnë “paketën kontrolluese” dhe kanë fuqinë e nevojshme të vendim-marrjes. Por çështja është se, që të ndodhë kjo, ata duhet të jenë “të emancipuar”, “të lidhur shpirtërisht me fatet e vendit” dhe “atdhetarë”. Në fakt, në qoftë se edhe BE, do që të mbështesë një sistem të përshtatshëm integrimi, atëherë duhet që t’i këshillojë, t’i mbështesë, dhe t’i verifikojë edhe këto cilësi.
Por cili është problemi ynë? Ose, së paku, çfarë perceptohej nga poeti gjatë intervistës në fjalë? Duke folur për shpirtin rebel të poetit, të cilët, sipas Dritëroit, veçanërisht ata “s’mund të jetojnë dot të pushtuar”, poeti vazhdon: “Ka dy lloj pushtuesish: të jashtëm, kur vendin tënd e pushtojnë të huajt dhe ti detyrohesh të luftosh me armë në dorë, dhe të brendshëm, kur diktaturën e instalojnë njerëzit e tu, të popullit tënd. Kjo është më e rrezikshmja dhe më e rënda peshë që mund të durojë njeriu, aq më tepër krijuesit. Shumica e krijuesve provojnë pushtimin e brendshëm…” (7)
Më tej, Dritëroi vazhdon: “Kur klasa politike e një vendi i tradhton interesat e popullit, i cili e ka vendosur në krye, atëherë diktatura ka lindur. Kur ndarja mes politikës dhe popullit vazhdon të thellohet pa ndërprerje, diktatura është ligjëruar. Kur popullit i ka vajtur thika në kockë dhe zëri i tij s’dëgjohet, atëherë diktatura është kurorëzuar. Këto gjendje të ndera, mjerisht, i kanë provuar shumë vende, kryesisht ato të varfra dhe të tjera në zhvillim. Evropa dhe Ballkani, ende luftojnë për t’i shëruar të tilla sëmundje të rrezikshme.” (8)
Rilindje, …ose Rilindje !
Pra, Dritëroi i jep lexuesit disa shenja, a indikatorë, për t’u orientuar dhe krahasuar nëse fenomene të tilla janë shfaqur ose mund të shfaqen edhe në Shqipëri, ndërsa lexuesit i takon të vendosë… Veçse gjërat kanë evoluar në kohë dhe faza fazës nuk i ngjan.
Bie dakord me faktin, se qeverisja aktuale ndodhet përballë një sfide të jashtëzakonshme. Jo vetëm pse ka premtuar për rilindje, në kontekstin e vështirësive të trashëguara nga qeverisja e mëparshme, por edhe sepse, në vlerësimin tim, nuk ka mbetur më rrugë tjetër veç rilindjes, me hir ose pa hir. Ndryshimi qëndron vetëm te kostoja: me çfarë kostoje? Prandaj zgjidhja inteligjente kërkon përzgjedhje inteligjente dhe këto mundësi sërish i janë deleguar qeverisjes. Mendoj se është e vetmja mënyrë, që gjërat të mos i lihen rrugës dhe shqiptarët t’ia nisin nga e para.
5. Disa përfundime
Fokusi i punimit është tepër i përgjithshëm, sepse synon të harmonizojë kulturën anglo-saksone të mendësisë analitike me kulturën euro-kontinentale të mendësisë sintetike. Megjithatë, pavarësisht rezultatit, shtysa ka rrjedhur nga perceptimi im për interesat shqiptare të mbijetesës. Prandaj, në kontekstin e këtyre interesave, përfundimet kryesore mund të renditen si vijon:
1.-Standardet shpesh kanë formalitetin e vet dhe, sidokudo, ato mund të përmbushen. Por ne (njerëzit dhe institucionet) duhet të bindim që kombi shqiptar duhet dhe i ka potencialet për të qenë pjesë e domosdoshme e BE. Kjo bëhet me mendim dhe inteligjencë krijuese. Pikë së pari, duhet investuar dhe kontribuar fort për gjuhën dhe kulturën shqiptare (çfarë është dhe në programin e qeverisë), në mënyrë që të zgjohen dhe nxiten ndjesitë e vetvetishme dhe vatrat e kujtesës kudo ku ka shqiptarë dhe te kushdo që ndihet i afërt me ta.
2.-Gjithashtu, mendoj se ka vend të ndërtojmë një bazë të re kontraktualiteti për anëtarësimin e vendit në BE. Ne si aspirues dhe institucionet e saj si nxitës – me përgjegjësi, kompetenca, pritshmëri dhe shtytje të dyanshme. Hierarkia e marrëdhënieve me vendet e veçanta anëtare të BE t’i nënrenditet ose të rrjedhë në harmoni nga ato të përcaktuara prej institucioneve përgjegjëse të BE, duke përfshirë këtu edhe çështjet e gjuhës dhe kulturës shqipe – që nga ana e vet të ofrohen në harmoni me diferencimet dhe ngjashmëritë historike me gjuhët dhe kulturat e tjera, duke ruajtur dhe pasuruar më tej natyrën sintetiko-analitike të gjuhës sonë.
3.-Të përgatitemi vetë dhe të propozojmë që BE të mendojë për një strukturë përgjegjëse të inteligjencës së përgjithshme në funksion të misionit integrues të BE,(9) me përfaqësim të përbashkët nga të dyja palët. Gjithashtu, të përgatitemi vetë dhe të ndajmë më tepër bashkëpërgjegjësi me institucionet përgjegjëse të BE, lidhur me çështjet e sigurisë në nivelin e BE.
4.-Në aspektin e brendshëm, të tregohet kujdes dhe realizohen investimet e duhura në drejtim të formimit të burimeve njerëzore, duke i kategorizuar sipas disa prioriteteve: së pari, në drejtim të stafeve teknike të mbështetjes që afrojnë aftësi procedurale në inteligjencën e përgjithshme, përfshirë edhe atë që mbështet synimin e integrimit në BE; së dyti, në drejtim të funksionarëve kyçë në sferat e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes, si dhe të punonjësve të tjerë në institucionet e sigurisë, përfshirë çështjet e sigurisë në nivelin e BE; së treti, në drejtim të integritetit moral dhe kualifikimit profesional të çdo punonjësi të administratës publike.
5.-Gjithashtu, të investohet në zgjerimin e autonomisë lokale në përputhje me filozofinë, objektivat dhe qëllimet mbi të cilat zhvillohet hapësira evropiane, por duke respektuar me sa të jetë e mundur, pritshmërinë dhe psikologjinë e popullatave, se me kë ose ku ato do ndiheshin më mirë. Popullatat lokale ta konfigurojnë vetë rrethin, qarkun apo rajonin në përputhje me ndjenjën e tyre unike të krenarisë, por pa e përcjellë atë në dëm të tjetrit (se këtë shqiptarët e kanë problem), ose pa cenuar ndjenjën e unitetit që kemi si shtet dhe si komb. (Angazhimi si duhet me zgjidhjen e problemeve të brendshme, do të precipitonte prej tyre një udhëheqje lokale më të përgjegjshme e seleksiononte përfaqësues më të kulturuar, që nuk do t’i kërkonin rrugët e zgjidhjes përmes dominimit me klane në “kryeqytet”.)(10)
6.-Së fundi, mendoj se duhen reformuar procedurat e konkurrimit dhe zhvillimit të karrierës politike, duke përfshirë më pak biznes dhe më tepër moral; njësitë politike lokale ta kenë vetë përgjegjësinë për njerëzit që zgjedhin t’i përfaqësojnë në nivel qendror, pa diktat nga lartë, madje duke inkurajuar krenarinë dhe ndjenjën e konkurrencës për të zgjedhur më të mirët edhe në raport me njësitë e tjera.
Pra këto ishin disa përfundime, ose një lloj “inteligjence e përgjithshme” dhe “kombëtare”, në se ka arritur ta shprehë aspiratën tonë mbarë-popullore për shkëputjen e vendit nga tranzicioni dhe çuarjen e tij përpara, drejt integrimit të BE.
(1) Ky material është paraqitur në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të Universitetit “Marin Barleti”, me titull “Demokracia pjesëmarrëse – sfidë e integrimit në BE”, mbajtur në Tiranë më 30 – 31 maj 2013.
(2) Termi “qeverisja” përdoret duke nënkuptuar qeverisjen nga pozita dhe opozita, bashkë.
(3) Frashri, Mithat. Cituar sipas Gjegji, Mihal, Tiranë, 2010. Në “Kujtesa kombëtare dhe mendimi intelektual shqiptar”. “Ngjyrat e mendimit”. Ese dhe shënime kritike. ISBN: 978-99956-90-62-5. (f, 149).
(4) Pavarësisht shtrimit të kësaj pyetjeje në maj 2013, mendoj se kjo pyetje është mirë të qëndrojë deri atëherë, kur të ketë marrë një përgjigje konkrete dhe pa ekuivok.
(5) Qesari, Vasil. 2004. ( Duke dëgjuar zërin e Fan S. Nolit: Shënime rreth dy audiokasetave me fjalën e Fan S. Nolit mbajtur në 80 – vjetorin e lindjes së tij.) http://amarus.over-blog.com/article-13790706.html
(6) Gjergji, Mihal. Tiranë, 2010. Rexhep Qosja, një mal i lartë në letërsinë shqiptare. Intervistë me poetin Dritëro Agolli. “Ngjyrat e mendimit”. Ese dhe shënime kritike. ISBN: 978-99956-90-62-5. F. 155.
(7) Gjergji, Mihal. Tiranë, 2010. Rexhep Qosja, një mal i lartë në letërsinë shqiptare. Intervistë me poetin Dritëro Agolli. “Ngjyrat e mendimit”. Ese dhe shënime kritike. ISBN: 978-99956-90-62-5. F. 155. f. 156.
(8) Po aty, f. 156-157.
(9) Përdoret “të BE” dhe jo “në BE”, pasi integrimin e shoh si një marrëdhënie reciproke që shtrihet në kohë dhe të dyja palët integrohen dhe rriten duke përfituar së bashku në një nivel më të lartë.
(10) Me “kryeqytetin” këtu kihen parasysh institucionet e qeverisjes qendrore të shtetit.
Bujar Abedinaj
Burimi – Facebook


Leave a Reply