
(tregim)
Nuk di sa kohë kishte kaluar në atë kalofoni këngësh, zhurmash e të qeshurash, kur autobusi me maturantë të sapo diplomuar po gjarpëronte kthesat e shumta në aksin Librazhd-Elbasan, e herë-herë, nga shpatet thikë të maleve përballë njëri-tjetrit depërtonte ndonjë rreze dielli. Pikërisht, në një moment që zhurmat u qetësuan e ne ishim pothuaj në këmbë në sheshin mes sedileve, kur sytë më shkuan në fund të autobusit pashë Linditën, shoqen tonë që rrinte e përhumbur me kokën e mbështjellë mes pëllëmbëve. Ishim nisur nga Korça për një ekskursion në Gjirokastër, e kishim bërë mjaft udhë, por asnjëri nga ne nuk e kishte konstatuar inaktivitetin e Linditës në këtë ekskursion që ishte dhe i fundit i klasës tonë të shkollës së muzikës, “Tefta Tashko Koço” para se të nisnim rrugë tjetër në jetë. Ju afrova, u ula në të majtë të saj dhe pashë që nga sytë, rrjedha e lotëve që kishte depërtuar mes gishtërinjve të pëllëmbëve, kishte lënë shenja në fytyrë…
-Çfarë ke Lindita, pse nuk këndon me ne, është udhëtimi i fundit si maturantë e pas tre ditësh do ikim nëpër shtëpitë tona e më pas, nuk kemi për t’u takuar më kështu siç jemi.
-Nuk kam gjë jo, por se si po ndjehem, por do vij, do këndojmë bashkë se kemi kohë, rruga është e gjatë… -ma ktheu ajo…
Insistova ta çoja nga vendi e të bashkoheshim me grupin që nisi një këngë për Elbasanin, por dikush më thirri dhe unë nxitova nga fillimi i autobusit. Ishte një nga autobusët e mëdhenj, ndër të paktët që kishte qyteti, të cilin mezi e kishim faturuar për këtë ekskursion në qytetin jugor të vendit. Papritur, në sedilen në krah të shoferit, vështrimi mu kryqëzua me Sotirin, babanë e Linditës. Ai ishte punonjës në administratën e shkollës, që bashkë me profesor Andonaqin dhe Shpëtimin dhe mesuesin time të dashur Lidën, vinin me ne në ekskursion.
-Ku është Lindita se nuk po ma zënë sytë, çfarë po bën- më pyeti ai.
-Aty është, me shokët e shoqet andej nga fundi- ja ktheva dhe bashkohem me shokët duke kënduar këngën që sapo kishin filluar…
* * *
Në hotelin e qytetit të gurtë, u akomoduam nëpër dhomat që i kishim prenotuar që më parë. Unë, Lindita dhe dy shoqe të tjera ishim në një dhomë në katit e tretë, dritarja e së cilës ishte nga ana lindore e qytetit me një gjelbërim të dukshëm që niste menjëherë pas trotuarit me kalldrëm. Kishim vizituar shtëpinë e Enver Hoxhës, disa banesa muzeale dhe muzeun etnografik të rrethit. Të nesërmen do të vizitonim kalanë e lashtë dhe muzeun e armëve. Ashtu të lodhur fizikisht por me plot mbresa, rreth mesnatës u futëm në dhoma për të fjetur. U shtrimë mbi krevate dhe nisëm bisedat. Lindita rrinte e heshtur, me gjithë ngacmimet e këmbënguljen tonë për të qënë pjesë aktive e kësaj nate të veçantë rinore. Me bisht të syrit pashë se sytë i kishte të bunavitur e rreth tyre, poshtë rrathëve të zinj, dukeshin gjurmët e lotëve të fshirë nxitimthi e vazhdimisht… U krijua një qertësi e nga dritarja vini tingujt e muzikës së një dasme fare pranë. Dolëm dhe po shikonim së bashku… Nën projeksionin e një drite të madhe pamë një nuse teksa po e fusnin në valle në oborrin e një lokali aty pranë… Pashë nga Lindita dhe i thashë: Ti Lindita do të dalësh një nuse e bukur… Hezitoi pak e ma ktheu. :’E ndjej se kurrë nuk do të vesh vellon e nusërisë! Dinim që Lindita që ishte nga një fshat periferik kishte një lidhje me një djalë nga qyteti, por asnjëherë nuk na kishte folur gjatë për të.
Ndërkohë, Klodit, nuk i rrihej dhe na u drejtua: Ika unë, nuk vonohem, kthehem shpejt… E dinim se poshtë e priste Iliri, me të cilin tashmë ajo nuk e fshihte dashurinë e mbajtur “sekret” për gati dy vite… Na ftuan të shkonim në katin më poshtë, por Lindita tha se nuk do të vinte pasi ndjehej e lodhur dhe i flihej… Mbeti e vetme në dhomë….
* * *
Duhet të kishim bërë rreth dy orë gjumë, kur papritur, disa trokitje ritmike e të forta në derë, shoqëruar me thirrjen urdhër “Hapeni! Jemi policia!”, na trembën. Unë hapa dritën, më pas derën e shtanga tek këmbët e krevatit.
-Mos lëvizni, një kontroll për verifikim dhe nuk ju shqetësojmë- foli një nga policët që duket se ishte shefi i tyre. Ashtu bëmë… Ishin 5-6 vetë. Mes tyre dhe dy gra, njëra me uniformë policie dhe tjetra pastruesja e hotelit . Hoqën mbulesat e krevatit tim, më pas i lanë shuk mbi dyshek. Kështu bënë dhe me dy krevatët e tjerë.. I fundit ishte krevati i Linditës. Sapo gruaja police ngriti shtresat, vështrimet tona u fiksuan në njollën e madhe të gjakut që skuqte në mes te çarçafit të bardhë … Të trembura nisëm të qanim. Vetëm sytë e Linditës nuk lotonin… Lotët e saj ishin tharë…
-Kjo do të vij me ne. Na falni për shqetësimin- tha polici që na urdhëroi kontrollin në fillim. Ikën siç erdhën, bashkë me ‘ta dhe Lindita…
Ndoshta, ishim banorët e parë në atë qytet që bëmë zgjimin ende pa zbardhur mirë. U grumbulluam të gjithë, të traumatizuar e në ankth…
Ndonëse ditë vere, mes heshtjeve e lotëve, ndjeva një rrënqethje, një të ftohtë që më shkoi deri në palcë…
Çfarë kishte ndodhur?!…
Dikush, ndoshta pastrueset e qytetit të gurtë, teksa kryenin ritualin e përnatshëm, kishin gjetur mes shkurreve të vogla anës trotuarit një masë mishi amorfe e të përgjakur, pikërisht poshtë dritares sonë.
…Kur Lindita kishte mbetur vetëm në dhomë, kishte ndërmarrë vendimin më të rëndë të jetës së saj. Dashuria e fshehtë e saj, formëzuar në shtatëzani të padëshirueshme, pasuar me braktisjen e djalit që ajo i fali virgjërinë dhe pasionin, e kishte bërë protagoniste të dramës së dhimbshme. E vetme, mbas një dhimbjeje të madhe ajo ishte futur në banjë, ku me një thikë të rastësishme, kishte bërë një lindje të parakohshme duke ndërhyrë në krijesën e sapo formëzuar në trupin e saj. Dhe ishte shtrirë në krevat, ndoshta me mendimin dhe dëshirën për të mos u zgjuar kurrë edhe pse quhej Lind -dita. Këto, ne shoqet e shokët e saj, i mësuam gjatë orëve të ankthit të ditës që sapo kishte zbardhur… Dhe erdhi ashtu siç nuk e dëshironte askush… Në autobus, në një heshtje varri, në rrugën e kthimit duke ndërprerë axhentën në mes, mungonin dy vetë, Lindita dhe babai i saj…
* * *
… Kishin kaluar afro 40 vite nga ajo ngjarje e rëndë. Kthehesha në Korçë, në shkollën time të dikurshme, tashmë e ftuar si poete për të bashkëbiseduar me krijuesit më të rinj vendas. Isha bashkë me dy kolegë… Shkolla ishte po ajo, por nxënës të tjerë… Edhe mësuesit ishin të tjerë… Koridoret mbushur plot me nxenës që studionin me vegla të ndryshme muzikore dhe nje sinfoni tingujsh që dëgjohej çdo sekondë, me bëri të më dridhen gjunjtë e të ndjeja emocjonet e viteve te atëhrshme sikur spati kaluar asnjë ditë… U ngjitëm në katin e tretë dhe hymë në një klasë me krijuesit e dashamirësit e poezisë, të cilët i kishin lexuar librat tanë, gjë që konstatohej dhe në disa pyetje konkrete…
Pas dialogut e përgjigjeve tona, krijuesit vendas kërkuan të recitonin dhe disa prej krijime të tyre… Më tërhoqi vëmëndjen një vajzë me flokë gështenjë që menjëherë më solli imazhin e shoqes sime të dikurshme, Linditës. Por ishte një imazh që tentova të largoj menjëherë duke qortuar veten se rashë “rob” i një mjedisi ku pata kaluar dikur katër vite, me shokë e shoqe, me ngjarje të adoleshencës që nuk harrohen lehtë… Kur nuk duhej dhe shumë, e takimi po shkonte drejt fundit, vajza brune u prezantua:- Jam Edlira, dua të recitoj një poezi-tha dhe nisi recitimin…
… Nëse diçka në jetë ty të ndëshkoi rëndë
Ti vrau e përgjaku ëndrrat e dlira
Qëndro, merre dhe fuqinë time
O nëna ime e shtrenjtë Lindita.
… Nuk mbaj mend më, por tashmë, m’u duk se para kisha shoqen time të dikurshme. E pyeta? Çfarë e keni Lindita S.?
-Është nëna ime –m’u përgjigj ajo.
-Si është Lindita-nxitova menjëherë.
-Nëna? ! Pyeti vajza dhe sytë e saja u lëngëzuan si të donin te flisnin , heshtur, dhimbshëm.
-Çfarë ka- pyes une me nje zë lutës ..
-Është e paralizuar që nga lindja ime- vazhdoi Edlira.
Më shpërthyen lotët. E përqafova fort… Nuk di sa ndenjëm ashtu…
Tashmë, rrugëtimi im ndryshoi kahje, nga aeroporti drejt shtetit fqinj, për në qytetin ku jetonte Lindita… Me një nga autobusët e linjës u nisëm drejt qytetit të vogël juglindor… Më bëhej sikur kisha në krah Linditën, shoqen time të dikurshme.. Por në fakt, isha me vajzën e saj, dy dekada më e vogël se unë…
@ Mimoza Cekici Rista Pogradec Gusht 2014.


Leave a Reply