![]()
Nëse fëmijët tuaj hasen me probleme të moshës në internet, një mënyrë shumë familjare për t’i ndihmuar është ngrënia e darkës me ta. Studimet tregojnë se vaktet familjare janë ndihmesë e madhe
Tradita
Lajme të mira për familjet që kanë kënaqësinë e të ngrënit bashkë vaktin e darkës: fëmijët ndihen më pak të stresuar nga presioni shoqëror dhe paragjykimi në internet. Një në pesë adoleshentë kanë pasur eksperienca të shqetësimit nga tallja apo vënia në lojë në rrjetet sociale.
Një tjetër arsye për të ngrënë drekë si familje është edhe ulja e depresionit që shkaktohet nga paragjykimi apo injorimi në internet.
Një studim nga universiteti McGill në Kanada tregon se komunikimi familjar dhe mbështetja gjatë kohës së darkës mund të zvogëlojë depresionin, ankthin, abuzimin me substancat narkotike, mendimet për vetëvrasje dhe hidhërimin e ardhur prej paragjykimeve dhe talljeve në rrjetet sociale.
Ky është një lajm i mirë për 20 për qind të adoleshentëve që kanë eksperienca jo të mira me internetin.
“Ngacmimet dhe abuzimet online janë të vështira për t’u kontrolluar nga prindërit dhe kujdestarët, kështu që është e rëndësishme që të identifikohen faktorët mbrojtës për të rinjtë, të cilët janë të ekspozuar ndaj presionit të paragjykimeve”, tha autori kryesor i studimit, Frank Elgar, një profesor në McGill.
Studimet e mëparshme kanë treguar se fëmijët, të cilët kalojnë darkën me familjen kanë nota më të mira, më pak gjasa të jenë mbipeshë dhe janë më pak të prekur nga abuzimet me drogën dhe alkoolin.
Studimi i ri u publikua në revistën JAMA të Pediatrisë.
Hulumtimi mori në shqyrtim 20.385 adoleshentë në Wisconsin. Kërkuesit matën sa shpesh ndodhin ngacmimet te një person dhe sa ndikojnë këto ngacmime në shëndetin mendor.
“Ne kemi gjetur probleme 2.6 – 4.5 herë më të mëdha te viktimat e ngacmimeve dhe të paragjykimeve, krahasuar me adoleshentët e zakonshëm”, tha Elgar. Këto rezultate ishin të veçanta për adoleshentët që tallen online.
Adoleshentët që nuk frekuentojnë shpesh darkën familjare kanë tendencën të ndihen më keq, duke pasur parasysh se ndikimi familjar luan një rol pakësues të efekteve ngacmuese.
Por ka dhe mënyra të tjera mbështetjeje, përveç asaj familjare, shton Elgar.
“Shumë adoleshentë nuk hanë një vakt të rregullt me familjen, por marrin mbështetje në mënyra të tjera, siç është koha e shkurtër gjatë konsumimit të mëngjesit teksa nxitojnë për në shkollë. Bisedat me adoleshentët rreth kohës në rrjetet sociale u jep prindërve mjetet e duhura për të menaxhuar ngacmimet dhe presionet e paragjykimit të cilat lehtësisht mund të kalojnë pa u vënë re”.
Statistikat
Një nga tre studentë raporton të jetë vënë në lojë gjatë vitit shkollor 2013 në Amerikë. Sipas Institutit Urban Amerikan, 17 për qind e studentëve raportojnë të jenë viktima të talljes online, 41 për qind të vënies në lojë fizikisht dhe 45 për qind janë përçmuar nga ana psikologjike.
•17.6% raportojnë se janë tallur dhe u janë vënë pseudonime.
•18.3% kanë dëgjuar thashetheme për ta.
•5.0% janë kërcënuar fizikisht.
•7.9% janë shtyrë apo rrëzuar nga të tjerët.
•3.3% janë detyruar të bëjnë gjëra që nuk donin
•5.5% janë përjashtuar nga aktivitete
•2.8% kanë përjetuar shkatërrim të sendeve me qëllim
Në rast vënieje në lojë:
•71% u kanë kërkuar ndihmë prindërve
•56% u janë ankuar miqve
•38% u janë drejtuar këshilltarëve të shkollës
•35% u kanë treguar mësuesve.
Gazeta Shqiptare


Leave a Reply