Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, do të jetë e qetë dhe normale. Sekretari i Shtetit në Vatikan, Kardinali Pietro Parolin, siguron se nuk ka asnjë alarm për sulme terroriste të mundshme gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në vendin tonë.
“Nuk jemi aspak të shqetësuar për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator. Ai do ta zhvillojë të gjithë agjendën normalisht. Neve nuk na rezulton asnjë element rreziku”, – theksoi funksionari i lartë i Vatikanit.
Shtypi italian ka paralajmëruar së fundmi rrezikun e mundshëm në Shqipëri, mbi krijimin e organizatave xhihadiste, që kanë lidhje me celulat e militantëve islamikë të ISIS-it në Irak dhe Siri.
Ndërkohë prej tre muajsh, Shërbimi Informativ Shqiptar dhe shërbimet sekrete të disa vendeve evropiane, kanë shtuar masat e sigurisë në lidhje me vizitën e Papës më 21 shtator, duke mbajtur nën vëzhgim të gjithë ata persona që janë kthyer nga luftimet e Sirisë në vend.
“Theksojmë që s’jemi aspak të shqetësuar, sepse neve nuk na rezulton ndonjë rrezik që mund të na kanoset në atë vend, – vazhdon Kardinali Karolin. – Papa nuk ushqen frikë për personin e tij. Do të shkojë në Tiranë në paqe dhe qetësi”.
(gazeta-Shqip.com)
Leave a Reply