![]()
Shikim pas 100 vjetësh i dramës së shtetit të parë shqiptar
BAJRAM PEÇI
Midis Shibës dhe Karibës
Një plak me një inteligjencë e me një shpirt atdhetar, Ismail Bej Vlora, me një grusht të vogël njerëzish të idealit kombëtar, sapo filloi Lufta I Ballkanike, që synonte grabitjen e tokave shqiptare, kishte shpallur Qeverinë Provizore të Shqipërisë së lirë nga Perandoria Otomane. Grekët, serbët, austriakët, malazezët dhe italianët, na shikonin si një territor të cilin e donin nën zotërim. Nga tokat shqiptare, Mali i Zi donte Shkodrën; Greqia jugun dhe Serbia Durrësin, port që i siguronte korridorin e saj në Adriatik, një ëndërr kjo e qëmoçme. Turqit, ish-sundimtarët, nuk na dilnin më për zot.
![]()
U bë e domosdoshme që Fuqitë e Mëdha të mblidhen e të vendosin në Konferencën e Londrës. Kohë më parë, në vigjilje të Kongresit të Berlinit, Princi Bismark dhe Konti Derbi ia kishin paraqitur Shqipërinë Kryeministrit Kripsi, si një kompensim për Italinë, në këmbim të pushtimit austriak të Bosnjë-Hercegovinës. Kripsi e kish refuzuar sepse, si me origjinë shqiptare, besonte në mundësinë e saj për të jetuar si një komb i lirë, i dallueshëm nga cilado racë tjetër ballkanike.
Po kështu, dhe Austro-Hungaria, e shihte krijimin e Shqipërisë si një mënyrë për të larguar sllavët nga Adriatiku. Austriakë dhe hungarezë e dinin më mirë se të tjerët që Shqipëria nuk ishte sllave, por është një komb që ka gjuhë e zakone të veçanta. Duke qenë e tillë, do të kuptohej fare mirë se, duke u nisur nga një trashëgimi e gjatë mijëravjeçare, Shqipërisë duhet t’i lejohej shpallja e pavarësisë së saj dhe do qe një gabim i rëndë të orvateshe ta trupëzoje atë me vendet sllave të Europës.
Para 102 vjetësh, kur status quo–ja politike në Ballkan po shpërbëhej, afroheshin vetëm dy zgjidhje: ose ndarje italo-austriake e territorit shqiptar, ose Shqipëria e pavarur. Dokumentet arkivore flasin se Italia dukej miqësore ndaj zgjidhjes së parë, që do t’i kish dorëzuar bashkë me atë territor të Vlorës dhe pjesë të Shqipërisë Jugore. Austria, në këtë ide mendonte, së pari, zotërimin e Shkodrës e të gjithë Malësisë dhe, pse jo, territorin deri në Vjosë. Italia, aneksimin e Shqipërisë nga Austria, nuk do ta lejonte, sepse do të shihte kështu të fshirë çdo lloj gjurme të ndikimit të saj në Adriatik.
![]()
Ardhur nga anonimati
Delegatët austriakë dhe italianë në Konferencën e Londrës arritën të mbizotërojnë, natyrisht me një sërë lëshimesh dramatike në kurriz të tokave shqiptare, duke lënë të kënaqur Rusinë dhe Francën. Shqipëria e pavarur, së cilës i duhej zgjedhur një princ, u shpall. Mirë apo keq, e plotë apo jo – ajo kishte lindur! Të caktuar si dy kujdestarët e pavarësisë shqiptare, Austro-Hungaria dhe Italia i mbrojtën kërkesat për territorin që donin të zhvatnin, ndërsa Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë shqiptarë, me dhimbje shihnin që pjesë të Epirit shqiptar po i jepeshin Greqisë; tokat në veri të liqenit të Shkodrës, Malit të Zi dhe Kosova e Shqipëria Lindore, Serbisë.
Pashmangshëm filloi rivaliteti italo-austriak për zgjedhjen e princit. Për Italinë ishte i pranueshëm Princi Fuad, me origjinë shqiptare dhe nip i Mehmet Aliut, kurse për Austrinë Princi Urach, kont i Vurtembergut. Kandidaturat partizane të Princit Napoleon, Aladro Kastriotit, Princit Burhanedin dhe të Dukës së Montpensierit qëndronin në sfond. Befas doli prej hijes një emër që konsiderohej neutral, kapiteni i Ulanëve të kajzerit, Princi Vilhelm Vid. Të qenët neutral ishte shumë e rëndësishme në luftën për zotërim territoresh. Italia e pëlqeu, Austria e pranoi dhe fuqitë e tjera ishin të painteresuara për zgjedhjen. Princ Vidi, më 28 nëntor 1913, u shpall Princ i Shqipërisë. “Që nga ajo ditë – shkruan Italo Suloti – çështja shqiptare që pat provuar edhe vetëtima të tragjedisë, degjeneroi në operetë: i diktohej racës më krenare, më kryengritëse dhe më komplekse të Europës, figura më e zbehtë dhe më mediokre e fisnikërisë. Aty ku do të nevojitej, për të mbërthyer frerët e qeverisjes, elasticiteti mendor i një latini, dërgohej të mbizotëronte ashpërsia burokratike e një gjermani, madje e një gjermani të mangët nga energjia dhe inteligjenca”.
Me caktimin e Vidit provohej edhe njëherë supremacia vendimmarrëse e Gjermanisë në Europë. Vazhdonte kështu tradita e caktimit të monarkëve nga aristokracia gjermane për vendet ballkanike që i largoheshin Perandorisë Otomane, si Greqia, Rumania dhe Bullgaria. Njeriu që kishte arritur të ngjitej në fron, u pa më pas nga historianët si një instrument i verbër në duart e Qeverisë së Vjenës. Ata e përdorën, duke i dëmtuar pamëshirë fronin, duke e vënë në kushte herë qesharake dhe herë tragjike, derisa u detyrua ta braktiste përgjithmonë kurorën e Skënderbeut. Rolin e sabotatorit të shtetit shqiptar, nën mbretërimin e Vidit e luajti më së miri edhe Italia, duke mbështetur turkoshakun Esat Pasha. Gjashtë muaj i zgjati mbretërimi, nga 7 marsi 1914, kur ai arriti në Durrës me anijen Taunis, deri më 3 shtator 1914.
![]()
Ai që i shpalli botës lirinë shqiptare u përzu
“Çështja shqiptare, që pat provuar edhe vetëtima të tragjedisë, degjeneroi në operetë: i diktohej racës më krenare, më kryengritëse dhe më komplekse të Europës, figura më e zbehtë dhe më mediokre e fisnikërisë. Aty ku do të nevojitej, për të mbërthyer frerët e qeverisjes, elasticiteti mendor i një latini, dërgohej të mbizotëronte ashpërsia burokratike e një gjermani, madje e një gjermani të mangët nga energjia dhe inteligjenca”
Fuqitë e Mëdha ia kishin pastruar rrugën Vidit. Ismail Bej Qemali, kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u largua nga Shqipëria, i detyruar prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pikërisht njeriu mes shqiptarëve me më shumë përvojë politike dhe diplomatike; njeriu që nuk i kish përkrahur kurrë xhonturqit; njeriu që asnjëherë nuk bëri propagandë për osmanlinjtë, siç bënte Esat Pasha, u akuzua për intriga turkofile. Akuza, e ndërtuar me ndihmën e Syrja dhe Eqerem Vlorës, zgjodhi për përzënien e “plakut të urtë” Komisionin e Kontrollit, përmes dorës së kolonel Tomsonit. Një pëlqim i I. Qemalit për një pjesëmarrje të qeverisë së tij për t’iu bashkangjitur organizimit të trupave vullnetare, siç iu tha në bisedë me Beqir Grebenenë, “…për luftën e tërësisë tokësore shqiptare, për tokat në Kosovë e Çamëri”, u përdor për ta akuzuar si proturk?! Dhe kush? Ismail Qemali, për të cilin xhonturqit kishin dërguar dy herë me radhë njerëz për ta vrarë. Ai u largua pas 14 muajsh qeverisje, me pushtetin e marrë nga Asambleja Kombëtare. Më 22 janar 1914 dha dorëheqjen, duke mbështetur ardhjen e Vidit dhe duke u bërë thirrje bashkëkombësve që t’i bindeshin autoritetit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Bib Doda, kryetar i fisit katolik të krahinës së Mirditës, i premtoi Princ Vidit mbështetje dhe Esad Pashë Toptani u detyrua ta bënte dorëheqjen nga krijesa e tij e “Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme” më 12 shkurt. Ai e pranoi vullnetin e Europës, vetëm pasi u grabiti premtimin për të shkuar në Neuwied si kryesues i delegacionit shqiptar për t’i dhuruar kurorën. Siç shihet, të gjitha vështirësitë ishin shmangur. Nga Princ Vidi, për forcimin e shtetit të ri shqiptar, nevojitej vetëm energji dhe vullnet i mirë, çka atij i munguan.
Miti i rremë i Tomsonit ende mbahet në këmbë
Ishte pikërisht ky kolonel që ndikoi për largimin e Ismail Qemalit nga skakiera politike shqiptare. Posaçërisht, për mitizimin e veprimtarisë së kolonelit holandez, Tomson, ndikoi jo pak te Noli me vargjet e “Tomsoni dhe kuçedra”. Ai, si dhe shumë historianë të tjerë, u mjaftuan me njoftimin se u vra në fushë të betejës për mbrojtjen e Princit, nga rebelët turkoshakë shqiptarë. Por e vërteta nuk vdes. Sado vonë, nga përshkrimet e betejës dhe kujtimet e botuara, doli se vdekja e tij ishte veçse pjesë e rivalitetit Austri-Itali për sundim në Shqipëri. Përgjatë viteve 1870-1914, Italia ish ngritur në dinjitetin e një fuqie me ndikim në Mesdhe dhe me pretendime të mëdha në Adriatik. Ministri i Italisë, baroni Aliotti, e ndiqte nga afër situatën. Ishin njerëzit e tij që e vranë.
Akuza që i hodhi mbi shpinë themeluesit të shtetit të ri, I.Qemalit, përpos tij (dhe De Ver) dhe rivalëve shqiptarë të familjes Vlora dhe Libohova që i morën të mirëqena, atdhetarët shqiptarë të kohës kurrë nuk i besuan. Sa u përket mëkateve të tjera të qëndrimit pro-grek dhe cenimit të interesave shqiptare, i kanë shpjeguar në mesin e këtij qershori më së miri historiani, prof. Gazmend Shpuza dhe publicistja e njohur Flutura Açka.
Një mbretërim plot me gabime dhe keqkuptime
Madhëria e Tij, Princ Vidi, Skënderbeu II, (Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied) dhe shpura e tij e këshilltarëve e zyrtarëve austriakë, të rrethuar e mbrojtur nga roje të besimit katolik, nuk e njihnin aspak shpirtin e popullit që ishte caktuar të sundojë. Kabineti i parë shqiptar është vlerësuar si një bashkim spontan i njerëzve të pangjyrë, të udhëhequr nga ngathtësia tipike e Turhan Pashës. Ata të huaj që jetuan në Shqipëri përgjatë muajve të turbullt të mbretërisë së Vidit, si dëshmitarë të ngjarjeve, shkruan e botuan plot kujtime, ku krahas pak qëndrimeve kritike, të shumtat e tyre u mbushën me glorifikime e vetëlëvdata. Një ushtri e tërë që e shoqëruan: kuzhinierë, karrocierë, varkëtarë, fotografë, ushtarakë, dama shoqëruese, administratorë oborri dhe, madje, edhe aventurierë, botuan kujtime, ku besonin se përfaqësonin në oborrin e mbretërisë shqiptare ndonjë lloj force.
Politika austriake, në lojën e saj, e mbështeti në fillim Princin, ndërkohë që punoi deri në ditën e fundit ta hiqte qafe atë. Të njëjtën gjë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, bëri dhe Italia kundër Vidit, duke përkrahur, siç thuhet, revoltën e fanatikëve të Haxhi Qamilit, duke ndihmuar pa dashur forcimin e interesave dhe aspiratave të botës sllave, që synonte me këmbëngulje të zbriste gjer në Adriatik, me kërkesat e tyre idiote mbi Detin Mesdhe. Ndërsa sllavizmi kërkonte të zbriste, helenizmi e dëshironte largimin e princit, sepse kërkonte të ngjitej me synim zotërimin e Kanalit të Otrantos. Princi, më 3 shtator 1914, kish ikur për të mos u kthyer më, ndërsa shqiptarëve, si një popull ende pa ndërgjegje kolektive, s’u mbetej përpos se të bëheshin viktimë. Kataklizma historike gjiganteske që tronditi Europën, Lufta I Botërore, ndryshoi rrjedhën në të mirë të Shqipërisë. Shkaku ishte faktori i ri politik, SHBA, me Presidentin e saj Uillson dhe garancinë që dha për pavarësinë e shteteve të ndryshme ballkanike.
Gazeta Shqiptare


Leave a Reply