Armand Mero
Në Shqipëri, anëtarët e shumicës në komisionet e Ligjeve dhe atë të Sigurisë votuan sot kundër dekreteve të presidentit Bujar Nishani, me anë të të cilave ai ktheu pas, 5 ligje të rëndësishme të miratuara në seancën e fundit të sesionit të kaluar më 31 korrik. Gjatë mbledhjeve të komisioneve nuk munguan edhe akuzat e forta ndaj zotit Nishani. Dekretet pritet të votohen në seancën e së hënës. Opozita e ka cilësuar si një shkelje të kushtetutës procedurën e ndjekur nga shumica
Vendimi i sotëm i shumicës, nuk përbënte asnjë surprizë, jo vetëm prej marrëdhënieve të tensionuara që ekzistojnë prej kohësh mes presidentit Bujar Nishani dhe qeverisë, por edhe pse ishte paralajmëruar qartë pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama: “Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por duhet ta dijë se do t’i kthehet mbrapsht cdo dekret”.
Pesë ligjet e kthyer nga presidenti janë ai për policinë e Shtetit, për Reformën administrativo territoriale, si dhe ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Gjykatën administrative dhe Shkollën e Magjistraturës. Presidenti kishte arsyetuar se në këto ligje kishte vërejtur aspekte që binin ndesh me kushtetutën. Por për përfaqësuesit e shumicës një pretendim i tillë nuk qëndron. Dhe në të dy komisionet, si në atë të ligjeve dhe në atë të sigurisë, nuk munguan edhe komentet e ashpra ndaj kreut të shtetit, për një pozicionim politik të tij. “Mos ta zgjasim shumë këtë komedi. Presidenti shpërdoron detyrën. Është i ngarkuar të kthejë vetëm ato ligje që shkelin kushtetutën dhe jo të tallet kështu si po tallet me parlamentin”, u shpreh deputeti i LSI-së Spartak Braho.
Mbledhja e dy komisioneve u zhvillua pak pasi konferenca e kryetarëve njoftoi thirrjen e sesionit të ri të parlamentit të hënën e ardhshme, ku parashikohet dhe votimi i dekreteve. Një ditë më parë opozita e kishte kundërshtuar procedurën e ndjekur nga shumica duke e konsideruar si antikushtetuese. “Neni 74 i kushtetutës parashikon se parlamenti i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit, dhe sesioni i dytë të hënë e parë të shtatorit. Duke qenë se parlamenti mblidhet për herë të parë në këtë sesion, të hënën më 1 shtator, atëherë në këtë seancë nuk mund të shqyrtohet asgjë tjetër vecse miratimit të programit të punës dhe kalendarit të punimve të parlamentit”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.
Por sot kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj tha se procedura ishte konform rregulloreve dhe se mbledhja e komisionit ishte thirrur “në respekt të nenit 75 paragrafi 2 i kushtetutës, dhe neni 32 i rregullores të parlamentit, por dhe të një sërë precedentëve të ngjashëm që lidhen me funksionimin e komisioneve edhe në sesionet e legjislturave të mëparshme”.
Shumica ka kujtuar në fakt raste të ngjashme të ndodhura në kohën kur parlamenti kontrollohej nga e djathta. Opozita nuk mori pjesë në komisione, duke respektuar vendimin e marrë që në muajin korrik pas incidentit të përplasjes fizike mes një deputeti të saj dhe dy përfaqësuesve të shumicës. Të hënën pritet të shihet nëse bojkoti i parlamentit do të vazhdojë ose jo edhe në këtë sesion.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply