
Në tokën e dashurisë nuk banon njeri!
Venera është motra e Tokës
por e vetmuar, e shkretë, e braktisur,
është varri kozmik i dashurisë!
Dashuria u bë varr në tokën e saj
Varr pa lule, pa epitaf, pa shenjë
varr i zjarrit dhe i akullit,
ku ose mërdhinë ose digjesh flakë
në planetin e plakur, të rrudhur dhe të vdekur të dashurisë dhe bukurisë
Nga Dielli që e ngroh perendinë e dashurisë nuk rilind dashuria
Në legjendë, meshkujt erdhën në Tokë nga Marsi, e femrat nga Venera!
jashtë legjendës, në Tokë, meshkujt ende vdesin në luftëra e femrat ende digjen e vdesin për dashuritë e tyre të humbura
Është zor
Shqiptarët nuk të lënë të jesh femër
Kur je e urtë dhe e butë,
të mashtrojnë, të nënçmojnë, të tradhtojnë,
urtësia jote është pafuqi,
I urtë bëhesh vetëm nga zori
je askushi kur frikësohesh
prandaj të shkelin, të gjuajnë, të lënë të vetëm në rrugë
Asgjë nuk përbuzet më shumë se pafuqia
Për të mbijetuar këtu në tokën tonë
duhet të flasësh vetëm gjuhën e luftës,
gjuhën e armës së ftohtë, gjuhën e tehut të thikës,
gjuhën që eshtra thyen
Lufta mes nesh kurrë nuk përfundon
ose përfundon vetëm nëse ti e çon lart dhe për çdo ditë shaminë tnde të bardhë
Nëna të mëson të jesh e urtë e duruar dhe e mençur
E Bota nuk të do të urtë,
të kujdesshme, e të qetë
Kur je e urtë, të marrin për shërbëtore
Kur je e kujdesshme-të marrin për nënë dhe për plakë
Kur je e brengosur dhe e frikësuar – të marrin të dobët dhe pa vlerë
Të urrejnë,
nuk ndalen derisa të bëjnë të sillesh si burrë
vrazhdtë, egër, rrezikshëm
pa ndjenja, si mashkull i fortë
të shkelin e ta mbyllin gojën si qengjat kur i sakrifikojnë
sepse s’ka heshtje më të madhe sesa heshtja e qengjave
Ku janë heroinat e urta,
heroinat e qeta,
heroinat e kujdesshme,
heroinat e brengosura?
Gjej një heroinë që nuk ka qenë luftëtare, si Shotë Galica,
që nuk e ka vra armikun
Gjej një heroinë që shëron plagë, e që nuk shkakton plagë!
Që lind fëmijë, e që nuk vret burra të një fisi tjetër
Ma gjej një heroinë që fal e që nuk vishet si mashkull
Ku janë heroinat e harruara që kanë duruar, kanë sakrifikuar, kanë dashuruar dhe janë djegur në zjarrin e dashurisë së tyre
Heroina bëhen vetëm ato femra që sillen të forta, si burrat,
që flasin gjuhën e tyre dhe që përdorin armët e tyre!
Heroinë nuk të bën dashuria
Asnjë burrë nuk u bë hero për shkak të dashurisë së tij ndaj gruas
Dashuria e bën burrin t’i duket vetja i marrë dhe i mashtruar, tradhtar i gjinisë së tij
Dashuria mashkulli ia humb burrërinë
e burrërimi femrës ia humb bukurinë
Ndjenja ta humb fuqinë
të zbut
E kam provuar vet
Sa herë kam folur butë dhe urtë me gjuhën e mësuar nga nëna,
përpara më është shfaqur një pengesë e madhe mashkullore
Bota është e meshkujve sepse kështu duan femrat
jo sepse duan meshkujt që bota të jetë e tyre
prandaj mashkulli e përbuz femrën që pret nga ai shpëtimtarin
bota s’do të jetë e meshkujve në momentin kur nuk do të duan femrat
Vajzës i pëlqen një krah i fortë, edhe nëse krahu është i ftohtë
si gur varri i ngrirë nga akulli
e do pranë vetes një djalë trim
që çohet ia hap derën mysafirit të papritur që troket në mesnatë
Shihni qysh durojnë
rrahen, vriten, përdhunohen, i hanë për së gjalli, i qethin si delet
por nuk lypin shpëtim
Femra i lind
Femra i bën ushtar
sundues të femrave
Sepse femra ka nevojë për një armë që e ruan nga vetmia
Përton të bëhet vet armë që e mbron veten nga mysafiri i papritur që mund të shfaqet në mesnatë
Vajzat që shesin kukulla, lypin leje për ta bërë shurrën.
Ato shesin edhe bukë, edhe tambël edhe kripë të trashë deti, shesin çdo gjë: gjilpër me penjë, ve thëllënze me mjaltë, syze për të parë larg.
Ata ua japin 5 minuta kohë.
Nëse qëndrojnë në nevojtore më gjatë se 5 min. ua tregojnë derën për t’u kthyer në shtëpi.
Nëse qajnë për fatin e tyre- i këpusin si trëndafilat, i hudhin pa u marr erë!
I përzënë nga puna nëse nuk duken bukur,
e kur fillojnë të plaken të duken keq i përbuzin
Femrat nuk kanë të drejtë të plaken
Në atdheun tonë asnjë femër nuk guxon të plaket.
Pleqëria merret si sëmundja më e neveritshme
I përzënë,
nëse vajzat e bukura, kur fillojnë punën në mëngjes i gjejnë duke ia treguar njëra-tjetrës ëndrrën që e kanë parë mbrëmë.
Ato s’guxojnë të flasin as me nënat e tyre kur në dyqan i takojnë.
Kur janë të bukura-nuk qetësohen derisa t’i nënshtrojnë
Sapo i nënshtrojnë-i përbuzin dhe i urrejnë
Kur janë të urta, luajnë me to si me kukullat pa zë
Kur ngihen me lojë- ua nxjerrin këmbët, duart, ua këpusin kokën si kukullave, dhe i hudhin në bërllok
kur janë të vështira-i largojnë nga puna ose dashurohen në to
i marrin për nuse
Edhe më zi vuajnë vajzat e vogla të dyqaneve të mëdha,
ku çdo ditë e humbin dhe e gjejnë rrugën e tyre për në shtëpi.
Një ditë në dyqanin e luleve e gjeta shitësen e re të luleve duke qarë
Ajo punon edhe ditëve të fundjavës,
shet lule pa pushim, nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Nuk ka Zot që e mbron nga shefi i saj që sa herë do e pikëllon
Edhe unë e kam një punëtor timin.
Ai është një djalë i ri, që e ka për detyrë ta mbaj pastër varrin e mikut tim.
Asnjëherë nuk e kam shikuar në sy, deri dimrit sivjet, kur më pyeti ‘sa vjet i ke’.
I kish sytë e zi si korbi.
Mes meje e tij varri.
Ai është i vetmi djalë që njoh në këtë botë që mendon se dashuria vdes.
Prandaj, nuk i urren dashnorët e vdekur.
varri për të është një gur i ftohtë dimrit, gur që e ngroh vetëm dielli.
Kur i tregova sa vjet i kam, e pashë në sy kur u zhgënjye.
Ka pritur nga unë që të jem e re sa ai, 19 vjeç
Në atdheun tim
Duhet të dukesh si femër e të sillesh si mashkull
Nuk të lënë të jesh femër
Burimi – Facebook


Leave a Reply