![]()
Gretna Green ka qenë që prej shekullit të 18 një destinacion i preferuar i anglezëve për t’i lidhur këmbët me martesë. Por përse njerëzit parapëlqejnë akoma të ecin drejt altarit të tij?
Tradita
Esther Webber, BBC
Fshati skocez i Gretna Green, me popullsi 2700 banorë, mirëpret rreth dy dasma për frymë çdo vit. Janë përllogaritur se 5000 martesat që ndodhin çdo 12 muaj janë një numër i madh krahasuar me 3000 dasmat që mbahen në Cumbrian fqinje me popullatë 500.000 banorë.
![]()
Statusi i Gretna-s si një destinacion i nxehtë për t’u martuar është edhe falë pozicionit në veri të kufirit skocez. Në vitin 1754, një ligj anglez e ndaloi martesën e personave nën 21 vjeç pa lejen e prindërve. Por në Skoci, kufiri i moshës për vajzat ishte nga 12 vjeç ndërsa për djemtë, nga 14 vjeç. Për më tepër, çdo njeri në Skoci mund të martonte një çift nëpërmjet një “deklarate”.
![]()
Të rinjtë anglezë kalonin kufirin dhe vetëm dy milje matanë tij arrinin në fshatin e Gretna-s. Me iniciativën e tyre, farkëtarët u shpallën priftërinj, duke mbajtur ceremonitë martesore në këmbim të një pijeje apo të disa qindarkave. Një farkëtar shkroi për “Times” në vitin 1843, duke specifikuar se vetëm ai kishte kurorëzuar rreth 3500 martesa brenda 25 viteve.
![]()
U bënë disa përpjekje për ta zhvlerësuar fenomenin, ku njëra prej tyre ishte citimi i ceremonisë si e ulët, dëmtuese e karakterit dhe e moralit të njerëzve të Anglisë së Veriut. Në vitin 1856, një akt kërkoi që çiftet të rrinin 21 ditë në vendin ku do të martoheshin përpara se të kryenin zyrtarizimin.
![]()
Në vitin 1940, institucioni i “martesës me deklaratë” u bë i paligjshëm në Skoci dhe në 1977, çiftet angleze mund të martoheshin pa miratimin e prindërve në moshën 18-vjeçare.
Ka ende një boshllëk të vogël për Gretna-n në dy sistemet ligjore. Martesa është e ligjshme në moshën 16-vjeçare dhe pa miratimin e prindërve në Skoci. Por është e lejueshme në moshën 18-vjeçare në Angli dhe Uells. Megjithatë, lajmërimi 15-ditor është akoma i nevojshëm për t’u martuar në Skoci, pa qenë nevoja e banimit në të.
![]()
Pavarësisht favorizimit ligjor që ka Gretna, martesa në këtë fshat bëhet edhe për arsye romantike. Shprehja “po ia mbathim për në Gretna Green” është edhe sot e kësaj dite një frazë që përdoret shpesh. Çiftet vazhdojnë të vijnë. Por ata nuk janë adoleshentë në ditët e sotme.
Është ndërtuar një industri e tërë rreth traditës së Gretna-s, me shumë hotele, fotografë, dyqane dhuratash dhe sallone bukurie, pavarësisht se fshati nuk është aq i madh sa për të pasur një supermarket të vetin.
Adie dhe Sarah Miles, 52 dhe 49 vjeç, janë fotografuar jashtë ndërtesës së quajtur Dyqani i Famshëm i Farkëtimit. Ata kanë ardhur prej Bogner Regis në gjirin jugor anglez pa u thënë gjë familjeve dhe planifikojnë t’i befasojnë kur të kthehen. “Të dy kemi qenë të martuar më parë dhe nuk donim ta përjetonim edhe një herë stresin. Zgjodhëm Gretna-n për shkak të romancës dhe historisë – ky është vendi ku shumë njerëz ia kanë mbathur përgjatë viteve”.
Fjalët histori dhe romancë lidhen pafundësisht me Gretna Green. Shumë vajza e zgjedhin këtë fshat për këtë arsye. Hoteli “The Mill Forge” mirëpret rreth 600 dasma në vit, ku 80 për qind janë çifte angleze. Njerëzit e preferojnë vendin posaçërisht për historinë e gjatë të martesave dhe dashurive që janë kurorëzuar në të. Disa prej atyre që martohen në Gretna janë nga Afrika e Jugut, Uruguai, Kili, SHBA dhe Zelanda e Re.
Problemi i banorëve dhe sipërmarrësve të zonës është mënyra sesi do të ndikojë pavarësia e shumëkërkuar e Skocisë në biznesin e martesave. Megjithatë, disa prej tyre shprehen optimistë për faktin se Gretna Green, kryeqyteti skocez i martesave, ka një traditë që e tejkalon politikën.
I.D
Gazeta Shqip


Leave a Reply