Intervistë eksluzive e z. Kastriot Frashëri, President i Institutit të Çështjeve Kombëtare në Tiranë dhënë Tribunës Shqiptare
Intervistoi Ajet Nuro
Të nderuar lexues të Tribuna Shqiptare. Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kur më shumë se kurr flitet për çështjen kombëtare, kam kënaqësinë t’u paraqes një mendim intelektual dhe të specializuar siç është mendimi i z. Kastriot Frashëri (lexoni në fund një biografi të këtij personaliteti…) Ndërkohë që ne ishim duke përgatitur intervistën e mëposhtëme, z. Frashëri u paraqit si kandidat i shoqërisë civile në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ju ftoj t’a lexoni, komentoni dhe t’a shpërndani këtë intervistë, sigurisht nëse do t’u pëlqej.
Ajet Nuro – Tribuna Shqiptare
Kastriot Frashëri
EKSKLUZIVE- Tribuna Shqiptare
Tribuna Shqiptare: Z. Frashëri! Së pari, faleminderit që na dhatë mundësisë për të bashkëbiseduar me lexuesit e Tribunës Shqiptare. Ju jeni i njohur për lexuesit tanë, sidomos për artikujt mbi Kanadanë. Sidoqoftë do të dëshironim pak fjalë për Ju dhe institucionin që Ju drejtoni?
Kastriot Frashëri: Faleminderit! Është kënaqësi të komunikoj me lexuesit e për me tepër me ata të një vendi mik e të dashur për mua si Kanadaja. Kam lindur më 11 gusht 1969, në Ersekë. Studimet e larta i kam përfunduar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Kam ndjekur Gjuhën Angleze në “Derby Multicultural Center”, Derby, në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2004 kam fituar titullin “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë. Jam krenar që kam lindur në një trevë që identifikohet me djepin e Rilindjes sonë kombëtare…
Instituti i Çështjeve Kombëtare që drejtoj është një ent (Think Tanks) kërkimor dhe studimor i pavarur, i cili synon të konsolidojë parimet demokratike të zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve, sigurinë kombëtare, zhvillimin social-ekonomik të vendit, të drejtat e njeriut dhe integrimin europian të Shqipërisë. Ai u shërben interesave kombëtare, duke përmirësuar bërjen e politikave dhe strategjive kombëtare dhe për të gjetur zgjidhje publike dhe private për probleme të përbashkëta. Që nga themelimi i tij në vitin 2001, instituti ka nxitur kërkimin, analizën, zgjidhjen dhe diskutimin e çështjeve, fenomeneve dhe problemeve kryesore të brendshme dhe atyre ndërkombëtare. Në ushtrimin e funksioneve të tij INA, mbron në çdo rast interesin publik dhe të drejtat ligjore dhe kushtetuese të shtetasve.
Tribuna Shqiptare: Zoti Frashëri, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, shumë flasin për çështjen kombëtare, nga e majta, nga e djathta, njerëz që në fakt deri dje ishin për internacionalizmin dhe sot janë për nacionalizmin… Dëshiroj një opinion nga një “Dekan” i cështjeve kombëtare, pra nga një autor i njohur që kryeson një organizëm si institucioni Juaj. Si e shikoni çështjen tonë kombëtare sot?
Kastriot Frashëri: Në jetën e një kombi, padyshim që dita më e spikatur është dita e pavarësisë së tij. Kjo ditë është një nga ngjarjet më kulmore e më të rëndësishme në historinë e tij, sepse ka të bëjë me vetë identitetin dhe prosperitetin e tij kombëtar.Meqënëse shqiptarët kudo në botë po përgatiten të festojnë 100- Vjetorin e Pavarësisë, lutjeve të mia për kremtimin e tij, do të dëshiroja t’ubashkohen edhe aktivitetet e organizatave dhe rretheve patriotike e shkencore brenda e jashtë vendit, ashtu siç e meriton ky eveniment. Por me keqardhje më duhet të them se përkundër kësaj fryme konstatojmë se nuk ka asnjë përpjekje serioze nga qeveria për të përkujtuar një jubile të përmasave të tilla dhe për më tepër vlen të theksohet që këtë eveniment e ka privatizuar kryeministri për merita dhe lavdinë e tij personale, duke mos krijuar asnjë hapësirë për institucionet apo organizatat e tjera në vend. Duke u rikthyer tek pyetja juaj do të theksoja se sot, karta e patriotizmit është kthyer në një profesion për të mbijetuar. Nuk do të dëshiroja që në këtë intervistë të analizoj veprimet e disa individëve të cilët këto kohët e fundit, krejt papritmas dhe pa asnjë lidhje kanë veshur xhaketën e ‘patriotit’, por do të ndalem tek mënyra se si i trajton qeveria dhe institucionet e vendit interesat kombëtare apo më gjerë faktin nëse Shqipëria zhvillon një politikë kombëtare për çështje të caktuara. Unë do të përgjigjem se Tirana zyrtare deri më sot, nuk ka ndjekur dhe as ndjek ndonjë politikë kombëtare, si në aspektin politik, ekonomik apo kulturor. Shëmbuj të shumtë me privatizimet e shumta në sektorin strategjik si në telekomunikacion, banka, burimet minerale, sektorin e naftës etj., dëshmojnë qartë se gjithë ekonomika kombëtare është tjetërsuar tek ato vende të cilat tradicionalisht kanë patur pretendime teritoriale dhe kanë qenë pushtuesit dhe agresorët e këtij vendi. Në këtë kontekst do të theksoja se shërbimi që mund ti bëjë qeveria çështjes kombëtare është pothuajse i kritikueshëm. Institucionet e pavarura, siç është dhe instituti ynë, janë në mëshirë të fatit për shkak të mungesës së fondeve dhe indiferencës së qeverisë. Nëse do të ekzistonte kjo përkrahje, sigurisht që shumë prej këtyre problemeve edhe pse të krijuara artificialisht do të neutralizoheshin ose shpresa për zgjidhje do ishte evidente. Së fundi, për sa i përket pyetjes tuaj se si e shikoni çështjen tonë kombëtare sot, kam përshtypjen se në rrethanat e reja të krijuara për shqiptarët në këtë fillim mijëvjeçari të ri, çështja shqiptare në tërësinë e saj ka avancuar duke njohur një dimension të ri, që as që nuk mund të imagjinohej dy apo tre dekada më parë. Në këtë kontekst do të theksoja se Kosova, falë ndërhyrjes ushtarake të trupave të NATO-s në vitin 1999 u shkëput nga thundra e egër shtypës serbe dhe më vonë me mbështetjen e fuqishme të Komunitetit Ndërkombëtar me në krye SHBA, Britanine e Madhe, Kanadanë, Gjermaninë, Francën dhe vende të tjera të BE, ngriti institucionet e saj dhe arriti të krijohet si shtet i ri, i pavarur dhe sovran. Po ashtu shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Republikën e Maqendonisë për gjatë këtyre dy dekadave të fundit me gjithë vështirësitë e krijuara kanë aritur të konsolidojnë pozitën e tyre në shoqërinë maqedonase, kanë organizimin e tyre politik, gjuha shqipe është futur si gjuha e dytë zyrtare në këtë shtet. Kanë institucionet e arsimit të cilat lejojnë arsimimin në gjuhën amtare, si dhe marrin pjesë në jetën social-shoqërore nëpërmjet organizimit në partitë politike, ku disa prej tyre janë në një koalicion qeverisës që udhëheq drejtimin e vendit dhe institucioneve të tij. Kam mendimin se si shoqërisë shqiptare të Kosovës, ashtu edhe shoqërisë shqiptare në Maqendoni, e në veçanti elitave politike të tyre, u bie barra të emancipohen drejt një shoqërie të hapur perëndimore. Sigurisht që ky mision është i vështirë, po të mbahet parasysh vështirësitë e shumta të tyre në drejtim të arsimimit, të përfaqësimit në jetën publike etj, por pa përpjekje nuk mund të arrish asgjë. Nga ky koncept dhe kjo filozofi nuk mund të përjashtohen as edhe shqiptarët e Malit të Zi. Por, në se popullsia shqiptare dhe shtetformuese në këto vende është në lëvizje dhe evoluim të pandërprerë e kundërta ndodh me shqiptarët e Greqisë, të njohur si popullsia çame, e cila është dëbuar me forcë nga pronat dhe trojet e tyre nga qeveria greke pas Luftës së Dytë Botërore. Dihet se mijëra njerëz për shkak të atij genocidi dhe dëbimi kolektiv me dhunë nga qeveria greke përfunduan në Shqipëri. Të gjithë këta njerëz kanë një të drejtë legjitime, e cila nuk mund t’ju mohoet kurrë- e drejta për tu kthyer në shtëpitë dhe në pronat e tyre. Se si mund të realizohet kjo, mendoj se ekzistojnë shumë opsione, por mungon vullneti politik dhe juridik nga qeveritë e të dy vendeve tona. Është e pakuptueshme se si përgjatë këtyre njëzet viteve kur nga ana e politikanëve tanë trumbentohet me të madhe deri në delir marrëdhëniet e mira dhe miqësore shqiptaro-greke, nuk kemi parë asnjë përpjekje serioze nga ana e diplomacisë shqiptare për të gjetur nje modus vivedi për zgjidhjen jetike të mijëra qytetarëve të ardhur nga Çamëria të cilët kërkojnë të kthehen në trojet e tyre. Ky është një problem madhor kombëtar që kërkon zgjidhje dhe i përket qeverisë, e cila ka detyrim ligjor të përdorë të gjitha instrumentet ligjorë për realizimin dhe finalizimin e të drejtës ligjore të anëtarëve të këtij komuniteti të rikthehen në vendin e tyre.
Tribuna Shqiptare: Z. Frashëri, një pyetje edhe më konkrete. Si e shikoni Ju bashkimin kombëtar të shqiptarëve?
Kastriot Frashëri: Shpesh herë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në përpjekje për të argumentuar idetë e tyre mbi bashkimin kombëtar dhe për t’ju kundërvënë pikëpamjeve të ndryshme mbi këtë aspekt janë të prirur të përmendin fjalën “bashkim” në mbrojtje të ideve të tyre. Mirëpo duket qartazi se kjo nuk është shumë shqetësuese për shumicën pasi ky term është futur në fjalorin e politikës së ditës për shkak të debateve të mbarsura me interesa politike të caktuara. Pyetja në thelbin e saj transmenton një aspiratë kombëtare përballë zhvillimeve globale në të cilat janë drejtuar shoqëritë e sotme. Rjedhimisht përkundër këtyre zhvillimeve identiteti kombëtar në marrëdhëniet ndërkombëtare ka njohur një dobësim, duke u orjentuar drejt globalizimit.Në këtë kontekst, duke njohur dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, aktorët dhe Fuqitë e Mëdha në gjeopolitikën globale mund të themi me siguri se faktorët më me ndikim në gjeopolitike janë elementët e fuqisë të cilët shërbejnë për t’i dhënë formë skenarëve gjeopolitikë. Fuqia kombëtare e një vendi është relative, dhe jo absolute. Një komb (shtet) nuk ka fuqi abstrakte në vetvete, por vetëm fuqi në lidhje me një ose disa aktorë të tjerë të arenës ndërkombëtare. Së bashku ato përbëjnë burimet për arritjen e objektivave dhe qëllimeve kombëtare. Nisur nga perceptimet më të fundit të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve në të cilën për ditë e më shumë po reduktohen barrierat kufitare drejt një lëvizjeje të lirë mund të themi pa hezitim se hapësirat e komunikimit të shqiptarëve në Ballkan janë rritur. Është e vërtetë që shqiptarët sot, nuk janë të bashkuar në një shtet administrativisht shqiptar dhe jetojnë të ndarë në 4 shtete të ndryshme për shkaqe që dihen, por kjo nuk do të thotë se për ato janë pakësuar, por përkundrazi janë shtuar hapësirat e tyre të lëvizjes dhe komunikimit. Sot, promotor i këtij bashkimi shpirtëror është bërë media, ku valët e saj depërtojnë, jo vetëm në hapësirën mbarëshqiptare, por edhe në të gjithë botën. Sot, njerëzit nuk mund ti ndajnë kufijtë apo territoret, por janë dallimet social- kulturore, gjuhësore, arsimore, ekonomike, fetare ato që shpesh kanë vështirësuar komunikimin midis tyre. Në këtë kontekst gjykoj se bashkimi kombëtar do të arrihet atëhere kur të jenë shkrirë të gjitha barrierat që përmenda më sipër dhe ata do ta ndjejnë më afër njeri-tjetrin.
Tribuna Shqiptare: Një pyetje që më vjen në mendje tek sa flasim për çështjen kombëtare. Si e shikoni ju gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë? Pas vitit 2001 duket se ata do të ecnin përpara në konsolidimin e të drejtave të tyre falë edhe marrëveshjes së Ohrit. Por, realiteti është ndryshe. Keni ndonjë mendim rreth asaj se çfarë nuk funksionon atje?
Gjatë promovimit të librit të z. Frashëri “Crazy Republic”

Kastriot Frashëri: Pak kohë më parë kam lexuar një libër interesant, të cilin kam mendimin se duhet ta lexojnë sidomos ata që kanë vendosur të merren me politikë. Ai quhet “Përse dështojnë kombet” dhe është një studim interesant nga Daron Acemoglu dhe James Robinson që analizon, krahason, komenton dhe konkludon në lidhje me arsyet se përse disa kombe përparojnë dhe pse disa të tjerë dështojnë. Udhëheqës egoistë, të pangopur dhe që nuk njohin historinë janë arsyeja kryesore përse kombet dështojnë, ky është përfundimi i librit. Pikërisht kur mendon se kontrollon çdo gjë dhe ke pushtet absolut, ky është momenti kur në fakt fillon të humbasësh gjithçka. Ndaj i përket lidershipit të shqiptarëve të Maqendonisë të gjejnë gjuhën e përbashkët jo vetëm mes tyre, por edhe me pjesën tjetër shtetformuese maqendonase për të punuar dhe konsoliduar së bashku institucionet politike dhe administrative të shtetit të tyre dhe demokracia të jetë sa më funksionale. Sigurisht që gjendja dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë vend nuk janë më ato që ishin në vitin 2001, në kohën e marrëveshjes së Ohrit, por edhe pse ato janë përrmirësuar dukshëm këto vitet e fundit, mendoj se duhet të punohet më shumë nga ana e shumicës etnike për reduktimin sa më shumë të këtyre dallimeve që çdo komunitet të ndihen të barabartë mes tyre. Gjithashtu do të inkurajoja lidershipin shqiptar në këtë vend që nëpërmjet dialogut, urtësisë dhe pragmatizmit të punojnë më shumë jo vetëm për emancipimin e shoqërisë, por edhe të vendosin ura komunikimi më të mira, të jenë më bashkëpunues me etnitetet e tjera në shërbim të sigurimit të paqes sociale dhe begatimit të vendit.
Tribuna Shqiptare: Si e shikoni perspektivën e çështjes sonë kombëtare?
Kastriot Frashëri: Ashtu si dhe theksova më sipër ky shekull ka ardhur i mbarë për shqiptarët. Sot marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera apo Fuqitë e Mëdha nuk janë të njëjta, sikundër karakterizoheshin një shekull më parë. Është fat i madh që këto vitet e fundit në përpjekjet tona për anëtarësimin në strukturat Euro-Atlantike dhe të BE ne kemi patur në krah për realizimin e objektivave tona kombëtare USA, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë e vende të tjera të rëndësishme Perëndimore. Kjo është një arritje që duhet vlerësuar. Por nga ana tjetër i përket lidershipit të vendit të punojë me shumë maturi për të krijuar urra të reja bashkëpunimi, për ti thelluar më tej marrëdhëniet miqësore me këto vende. Integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian janë dhe duhet të jenë sfidat më të mëdha për shqiptarët. Pa një lartësim si komb europian, ne jo vetëm që nuk mund të përparojmë, por nuk do të mundemi të ecim përkrah kombeve të qytetëruar. Si rrjedhim perspektiva e interesave kombëtare do të kushtëzohet nga këto faktorë. Në vitet që do të vijnë kam përshtypjen se faktori shqiptar në Ballkan do të jetë një zë i konsiderueshëm. Shqiptarët jashtë trevave të Shqipërisë nuk do të jenë më pjesë e konflikteve ndëretnike. Të vetmin problem të vështirë për t’u zgjidhur shoh realizimin e të drejtës së qytetarëve çamë për tu kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre në Greqi. Përmbushja e këtij detyrimi gjykoj se duhet të jetë misioni kryesor i diplomacisë shqiptare në vijim.
Tribuna Shqiptare: Ku mendoni se kemi nevojë të korrigjojmë veprimet tona?
Kastriot Frashëri: Kam mendimin se shoqëria shqiptare për të ecur përpara ka nevojë sot më shume se kurrë të punojë për emancipimin, konsolidimin e institucioneve të saj, zbatimin e ligjit, si dhe forcimin e marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar dhe ridimesionimin e tyre me ato vende që udhëheqin lidershipin e botës Euro-Atlantike.
Në këtë kuptim do të doja të theksoja se shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz që duan ta lartësojnë veten e vet dhe kombin, duke u ngritur përmbi logjikën dhe politikën e ditës, për njerëz që dinë ta kuptojnë kohën, që njohin fund e krye nevojat e saj e që kanë guximin të marrin përgjegjësipër të ndryshuar këtë realitet që na identifikon me shoqëritë primitive. Kam besimin se ekziston gjithmonë momenti që në këtë vend të shfaqen njerëz të një dimensioni të madh me vizione dhe kurajo në luftën e Qytetërimit, në luftën e rrënjosjes së themeleve kombëtare, në betejën e fitimit të vlerave morale, pasurimit të shpirtit dhe përqasjes europiane.
Tek varfëria jonë shpirtërore, duket që sundon e kaluara. Mbi të qëndron kapadaillëku, tribalizmi, dembelizmi, trishtimi, hakmarrja, melankolia, tek të cilat kanë zanafillën e tyre plagët tona sociale dhe shoqërore. Në problemet e shumta që kanë sot shqiptarët gjendet ende e rrënjosur hija e pushtimeve të huaja dhe fryma e keqe, që ata krijuan dhe na lanë si dhuratë. Era e rëndë orientale, që ka filluar të fryjë, në këtë mijëvjeçar të tretë, e nuk na shqitet, që nga epoka bizantine i ka bërë dhe vazhdon ti bëjë dëme të mëdha shpirtit shqiptar. Ky nuk është vetëm një sistem të menduari në shekullin e XXI, por edhe një ripushtim shpirtëror, ekonomik, politik dhe mbi të gjitha një mënyrë komunikimi dhe veprimi që prodhon krizë, që nga fjala deri te shprehja përditë me dhunë e predikimit fetar të islamit. Kjo nuk është vetëm një ndotje akustike, apo prishje e qetësisë publike siç njihet në gjuhën e ligjit, por një betejë e ashpër për të na larguar nga Europa që për fat të keq zhvillohet nën bekimin e qeverisë tonë.
Koha vërtet ka ecur përpara, por nga pikëpamja shoqërore koha shqiptare ka mbetur në vend. Problemet shqiptare, po përsëriten, po koklaviten dhe po bëhen të pamundura për t’u zgjidhur. Kompleksi i Kalasë së Rozafës, thelbi i moskuptimit, hipokrizisë dhe mosbashkimit, që në thelb do të thotë të mos gjendet një gjuhë e përbashkët mes njëri-tjetrit, është një nga dobësitë tona shoqërore dhe një nga pengesat kryesore të mospërparimitsi komb. Kjo është një gangrenë që duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe të mendojmë për të ardhmen. Lufta e egër që ka shpërthyer kundër njeri-tjetrit, egoizmi cmira dhe klientelizmi në të gjithë hapësirën e shtetit shqiptar, median dhe organizimin politik e shoqëror po e minimizojnë mundësinë për të zgjidhur problemet e mëdha social-ekonomike dhe kombëtare që ka Shqipëria. Plaga e vjetër e përçarjes kombëtare sot ka agravuar në konjuktura të ditës, ku e fundit për të cilën mendohet në këtë vend është kjo Republika jonë. Këto psikoza, përçarje, marrëzira i frymëzon një politikë që konfliktin e ka bërë një mjet shpëtimi, për të mbijetuar përjetësisht…
Tribuna Shqiptare: Një pyetje që në dukje ndoshta del pak nga tema. Keni (bashkë)shkruar një libër për Kanadanë dhe ç’do 1 Korrik që është dita e themelimit të Federatës Kanadeze, Ju ngrini flamurin në Tiranë. Çfarë u ka bërë të ndiheni kaq afër këtij vendi. A mendoni se iu shërben modeli kanadez si shembull për kombin tonë?
Kastriot Frashëri: Po është e vërtetë se së bashku me zotin Shpëtim Cami jemi autorë të një libri për Kanadanë. Qëllimi ynë ishte të prezantomim për publikun shqiptar një vend si Kanadaja dhe për ta bërë këtë vend sa më atraktiv tek shqiptarët dhe rezultati ishte surprizë të gjitha kopjet e librit u mbaruan brenda një muaj.

Z. Kastriot Frashëri duke ngritur flamurin kanadez në ditën e Kanadasë në Tiranë, 1 korrik 2012
Është fakt që prej disa vitesh ne kremtojmë Canada Day dhe ngrejmë flamurin e Kanadasë në Tiranë. Ky aktivitet është pjesë e veprimtarisë së Institutit për të promovuar dhe forcuar më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Një festë e tillë -jubile- vjen vetvetiu edhe si një ndërgjegjësim për rolin dhe fuqinë e Kanadasë në botë, për atë çfarë ajo mund të ofrojë ndaj vendeve të tjera; si një përçuese e mundësive investuese, vlerave demokratike. Shqipëria si një vend në tranzicion ka se çfarë të mësojë nga eksperienca e pasur kanadeze. Vizitat e fundit në Tiranë të personaliteteve të lartë të shtetit kanadez, zhvillimi i forumeve të biznesit tregojnë më së miri nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira midis dy vendeve tona. Nga ana tjetër rritja e investimeve kanadeze në Shqipëri, organizimi i kontakteve politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, diplomatike, shtron si impenjim të domosdoshëm aktivizimin e strukturave të qeverisë, shoqërisë civile, të biznesit në vendin tonë për të patur një prezencë më të madhe kanadeze. Ndaj nuk mund të mos evidentojmë në këtë rast prezencën e disa kompanive të rëndësishme kanadeze që operojnë në treg dhe kontribuojnë fuqishëm në ekonominë shqiptar si “Bankers Petroleum”-Ltd; “Petromans”-Inc., “Tirex Resources”-Ltd; etj., të cilat me aktivitetin e tyre të njohur kanë dëshmuar fuqinë kanadeze në botë.
Tribuna Shqiptare: Mesazhi Juaj për lexuesit e Tribuna Shqiptare
Kastriot Frashëri: Do të dëshiroja t’Ju uroja jo vetëm lexuesve Tuaj, por gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen suksese e begati në jetë dhe në familjet e tyre. Nga ana tjetër, duke përfituar nga rasti do të theksoja rëndësinë e ekzistencës së mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, si shprehëse të opinionit publik dhe ente komunikimi të komunitetit shqiptar me mbarë botën. Ndaj do të dëshiroja t’Ju tërhiqja vëmendjen të gjithë lexuesve kudo që ndodhen të mbështesin “Tribunën Shqiptare” si mjet i domosdoshëm i informimit publik, e cila me ekzistencën dhe veprimtarinë e saj, do t’i japë një peshë më të madhe komunitetit shqiptar në Kanada.
Po ashtu do të dëshiroja të inkurajoja ju zoti Ajet Nuro, si botues, që, me gjithë vështirësitë e shumta që ndeshen përditë në këtë mision të vështirë, të bëhen të gjitha përpjekjet për përmirësimin, pasurimin dhe vazhdimësinë e saj, si i vetmi zë në gjuhën shqipe në Kanada.
BIOGRAFI E Z. KASTRIOT FRASHËRI

Kastriot Frashëri, Drejtor i Përgjithshën i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Tiranë
Veprimtaria e tij është kontribuese në disa fusha si shoqëria civile, në publicistikë, kulturë dhe studime të ndryshme në histori dhe jurisprudencë.
Ka qënë dhe mbetet aktivist i njohur i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i konsolidimit të parimeve demokratike të zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve në Shqipëri. Zoti Frashëri është angazhuar që ditët e para të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste, duke kontribuar në themelet e pluralizmit në Shqipëri.
Është pjesëmarrës i shumë forumeve, aktiviteteve dhe konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare. Në krye të Institutit të Çështjeve Kombëtare dhe forumeve të tjera, brenda dhe jashtë vendit ka mbrojtur interesat kombëtare.
Ai është ekspert i njohur në përgatitjen e raporteve për Pushtetin Gjyqësor dhe Sistemin e Drejtësisë, Sigurinë Kombëtare, Zgjedhjet, Median dhe Shoqërinë Civile në Shqipëri, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organizatat ndërkomëtare për problemet shqiptare.
Është autor, bashkëautor, redaktor dhe recensent i disa librave. Ka botuar librat “Mary Edith Durham-Një Zonjë e Madhe për Shqipërinë”, Geer, Tiranë 2004, “Kanada”, INA, Tiranë 2008, dhe “Crazy Republic”, MediaPrint, Tiranë, 2011.
Është editor i “The National Interest”-Albanian Political Science Quarterly .
Është anëtar i International Peace Research Association (IPRA).
Prej vitit 2001 është Drejtor i Përgjithshën i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Tirane
Për më shumë informacion rreth autorit mund të vizitoni faqen e internetit të institutit: www.ina.org.al
Foto nga veprimtari të z. Kastriot Frashëri:
Canada Day , Tirana 2010
http://tribunashqiptare.net/?p=10712
Per “Alba – Dansk “Shkodrani




Leave a Reply