Fatmir TERZIU
Në përmasat e një skandali reagimi në faqen zyrtare të Gramoz Ruçit në rrjetin social facebook. “Ata (regjimi diktatorial) nuk ju ka persekutuar kot”, shkruan Ruçi duke iu hakërryer një prej përfaqësuesve të shtrresës së ish-të përndjekurve politikë. Bëhet fjalë për ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit. Nuk ka mundur të ndryshojë lëkurën edhe pas demagogjisë së përdorur në parlament, ku ai foli me pathos për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Ka mjaftuar vetëm një reagim i Anton Kooll Kaçubaj që i ka kujtuar atij mënxyrat e diktaturës dhe Ruçi nuk ka duruar dhe është kthyer në origjinë duke iu hakërryer me fjalët, “ata nuk i’u kanë persekutuar kot”. Ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit sëbashku me të birin e Kristaqit nuk i kanë kërkuar kurrë ndjesë shqiptarëve për krimet e tyre, por me pak përballje reale me shtresën e ish-të përndjekurve politikë në forumet virtuale, ata nxjerrin sërish dhëmbët.
Ndërsa në Parlamentin e Shqipërisë, numri dy i socialistëve shqiptarë, zoti Gramoz Ruçi, interesohej duke debatuar me Kryeministrin shqiptar, për të përndjekurit politikë të diktaturës, në rrjetin social Facebook rreth 63 komente vinin rresht në faqen e qytetarit shqiptar, zotit Anton Kooll Kaçubaj. Ky i fundit, një djalë nga një familje e persekutuar shqiptare nga regjimi komunist, shkruante në hyrje të komenteve se: “Gramoz Ruçi, më thotë që regjimi komunist, nuk i ka persekutuar kot të parët e mi (lexoni fjalinë e fundit të komentit të tij, replikës)”. Dhe ne u interesuam të lexonim pikërisht atë që sugjeronte zoti Kaçubaj. Fjalë për fjalë, nga komunikimi i zotit Gramoz Ruçi me zotin Kaçubaj thuhej “Anton ti duhet të jesh i pakënaqur me Partinë Komuniste të asaj kohe dhe jo të më ofendosh mua se të kanë persekutuar… Në atë kohë kështu u është dukur atyre që kanë qenë në krye dhe ata nuk ju kanë persekutuar kot, pasi një arsye është… (Gramoz Ruçi në Facebook).
Më pas janë sërish debate dhe sharje, që vijnë si “rëndomtë” në rrjetet sociale, debate që përfshijnë edhe kërcënime. Në tërë këtë rrjedhë, ajo që mbetet apriori mes këtij debati dhe rreth 63 komenteve që dënojnë hapur mendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, zotin Gramoz Ruçi, del qartë ajo që analisti Mujo Buçpapaj shkruante para disa ditëve se, “Socialistët në mënyrë të egër dhe hakmarrëse u janë kundërvënë nismave ligjore të PD-së, me pretendimin se, ‘dëmshpërblimi ndaj ish-të dënuarve politikë krijon pabarazi sociale’, se, ‘shoqëria shqiptare nuk mban përgjegjësi për atë faturë të krijuar nga regjimi i kaluar’ dhe akoma më tej, duke përkufizuar vendimet për dëmshpërblime si ‘luftë e re klasash’, si ‘faturë financiare për fushatën elektorale të demokratëve’ etj.”.
Duke parë qartë fushatën fejsbukore apo edhe atë tuitërore të socialistëve, natyrshëm kuptohet fare qartë se terreni, të cilin duan të kapin socialistët tashmë është virtual dhe plotëson edhe më tej atë postulat të origjinës së tyre, ku thuhej se, “s’ka majë që s’kapin komunistët”. Pra, mes një debati të hapur del dhe kuptohet qartë se cila është fasada e kësaj “mbrojtjeje” për atë shtresë të përvuajtur politike në burgjet më të egra të komunizmit. Por, ndërsa debatet në rrjetin social, pikërisht në faqen e zotit Kaçubaj vazhdonin e ashpërsoheshin, nga “pala” tjetër del njëfarë arsyetimi mohues, se Facebook-u “është rrjet social dhe nuk dihet se kush flet pas atyre fjalëve”.
E lehtë. Nuk do koment. Edhe ai që fshihet, edhe ajo apo ai që fsheh…, bëjnë të njëjtën detyrë. Fakti është publik. Është në rrjetin social, është me adresë të saktë e tejet publike. Atëherë? Ç’rëndësi ka këtu “mbrojtja” e vonuar? Zoti Kaçubaj është i qartë, por vonesa nga “mbrojtja” duket e qartë, e kuptueshme…
Zoti Kaçubaj, mos prit të gjesh karar nga etër dhe bij dinakë, … mos prit sado kanë kaluar plot njëzet e ca vite. Koha është po ajo për ta, edhe pse duket se ka ndryshuar për Ju e disa të tjerë. Mirë keni bërë që e keni publikuar këtë koment-këmbim me një nga figurat e politikës së majtë shqiptare, zotin Ruçi.
Le të besojmë se nuk është ai, por si të besojmë kur shefi i tij, zoti Edi Rama, mbush rrjetin tjetër social Twitter. Atëherë më falni, pra gjithmonë është një “dikush” pas këtyre duarve…., jo vetë ata që i zgjatën, zgjasin këto duar…, ndërsa sot luan rolin e engjëllorëve për të persekutuarit nga ish-nëna parti e tyre e origjinës.
Dhe teksa kupton qartë ndërhyrjen e zotit Ruçi se, “nuk ju kanë persekutuar kot”, kupton më së miri edhe atë heshtje të gjatë të socialistëve në pushtet ndaj kësaj shtrese politike. Vetë kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se, ” PS t’u kërkojë falje ish-të përndjekurve”. Sipas saj, zonjës Topalli “Gjatë 8 viteve që ishit në qeveri pse nuk i dhatë asnjë mundësi, bursë, të drejtë studimi, asnjë lekë këtyre njerëzve? Nuk po flas për partinë nënën tënde që i burgosi, pushkatoi, masakroi. Një parti që nuk u dha mundësi duhet të turpërohet sot, ose së paku kërkojuni të falur”.
Por edhe pse debati në Parlamentin shqiptar përhapej anembanë dhe në këtë debat ishte edhe njëri prej ish-kryeministrave të PS-së, pjesë e debateve sipas medias “u bë edhe Gramoz Ruçi, ministri i fundit i regjimit hoxhist”, i cili luante anën tjetër të medaljes në këtë debat.
Në anën tjetër, Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, priti të premten në një takim një përfaqësi të grevistëve ish-të përndjekur politikë dhe dëgjoi me vëmendje kërkesat e tyre. Në këtë takim, Presidenti Nishani shprehu respektin ndaj institucionit të grevës si institucion i së drejtës së fjalës. Kreu i Shtetit shprehu vlerësimin për kontributin e pazëvendësueshëm që shtresa e ish-të përndjekurve politikë ka dhënë në historinë e Shqipërisë, në ardhjen e demokracisë, si dhe kontributin e rëndësishëm përgjatë këtyre viteve. Presidenti i Republikës shprehu shqetësimin e thellë për pasojat fizike dhe psikologjike të grevistëve dhe familjarëve të tyre. Në vlerësimin e Kryetarit të Shtetit, rrezikimi i jetës jo vetëm i dy pjesëtarëve të grevës, por edhe gjithë grupit të grevistëve dhe dhembjes që shkakton, duhet të shmanget në respekt të vlerës që jeta ka. Presidenti Nishani i bëri thirrje përfaqësisë së grevistëve që të kontribuojnë në shmangien e akteve ekstreme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të grevistëve dhe familjarëve të tyre. “Çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar”, tha Presidenti.
Kjo pamje nga dy këndvështrime sjell në këndin e duhur atë që duhet rikuptuar mirë edhe nga kjo stinë grevore me “prapaskena politike”, siç është deklaruar në Parlamentin shqiptar, duke konsideruar me dhembje vuajtjet dhe hallet e të përndjekurve që meritojnë të gjithë pa përjashtim respekt e përkushtim.
rilindjademokratike.com
Per”Alba – Dansk “Shkodrani


Leave a Reply