Aty janë zhdukur edhe rrethimet me tela, kapanonet, birucat e akullta. Sheh ca hireoglife të të burgosurve që kanë ngrysur jetën aty
Kanë mbetur si kujtesë e presionit ideologjik, vetëm parullat ideologjike të komunizmit
Ardit Rada / Gjergj Marku
Dy italianëve në pension, u kanë referuar burgun-minierë të Spaçit për ta vizituar. Arsyeja më së pari lidhet me natyrën e burgjeve politikë në Shqipëri, ndërtuar jo vetëm si vende të vuajtjes për shkak të mendimit të kundërt me regjimin, por si burg-minierë, ku detyrimisht çdo i dënuar politik, duhej të punonte në kushte mesjetare, si skllevërit e dikurshëm. Me Giorgio Faraggiana e Dino Clemente i biem përmes Mirditës, luginës së Fanit, ndërsa në afërsi të Repsit, ku duket fabrika në gërmadhë e Repsit në demolim e sipër, marrim udhën në të majtë përroit të Seftës për në Spaç. Malet e ashpra dhe me kodra në të kuqërremtë, krijojnë një luginë akoma më të mbledhur deri sa shfaqet Spaçi me një “saç qiell” mbi krye. Kaq ishte qielli mbi krye të mbi 1000 burrave të burgosur para 90-s që punonin këtu në tre turne në nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe të piritit të zi.
Nga sa u shpjegojmë rrugës, dy miqtë italianë pritnin të shihnin një muze të mirëfilltë ku jeta e ish të burgosurve të Spaçit, të shpalosej si dikur. Por habia e tyre, shkon deri në trishtim, kur shohin se aty janë veç ca ndërtesa skelet, me tulla të rrjepura gjithandej, galeri të braktisura, ku është marrë ç’mund të jetë marrë. Do donim një vagon të asaj kohe me të cilin kanë punuar të burgosurit, dhe nuk e besojnë kur u themi se nuk ka mbetur asgjë. Aty janë zhdukur edhe rrethimet me tela gjembi (tre të tillë ishin dhe fortifikatat e shumta te rojave), kapanonet, birucat e akullta. Sheh ca hireoglife të të burgosureve që kanë ngrysur jetën aty, por dhe ato thuajse të shuajtura, kanë mbetur si kujtesë e presionit ideologjik, vetëm parullat ideologjike të komunizmit.
Historia e këtij burgu nis aty nga viti 1967, kur Mehmet Shehu me një grup shoqëruesish, duke inspektuar minierën e Spaçit, që asokohe punohej me punëtorë të lirë të zonave përreth e më gjerë, pasi i hedh një sy terrenit perfekt që të kujtonte ishujt izolues të romaneve me personazhe ku ngujohen të rrezikshmit e mbretërive a tjetër, duhet të ketë thënë me vete: “Po, këtu e meritojnë armiqtë e Partisë dhe të Popullit!”.
Dhe kaq u desh që miniera të shndërrohej në kamp riedukimi prej punës njëvjeçare të të burgosurve ordinerë.
Revolta e Spaçit
“Kur thika na shkoj në kockë, nuk mund të duronim më tej: – shprehet një dëshmitar i majit 1973, kur dhe shpërtheu fuqishëm Revolta e Spaçit. Grevat e urisë individuale dhe kolektive njiheshin dhe në atë kohë edhe pse publiku nuk e merrte kurrë vesh se çfarë ngjet atje. Madje disa greva përfundonin dhe me të vdekur siç është rasti i prof Xhevat Korça, Ing. Zef Curri etj. Edhe në kampin-burg të Spaçit në këtë vend të tmerrshëm ku temperaturat në dimër shkonin 10 gradë nën zero, dhuna mbi të burgosurit ishin diçka rituale. Mbi 1000 të burgosur të moshave të ndryshme punonin në kushte te tmerrshme në thellësitë e nëntokës për të nxjerrë pirit dhe bakër. Ata që nuk realizonin normën rriheshin nga gardianë dhe jo pak prej tyre lidheshin me kavo çeliku nëpër shtylla betoni në pikë të dimrit. Kush kundërshtonte urdhrat e gardianëve, dënohej keq. Fatos Lubonja kujton se tortura më e madhe psikologjike ishte fakti kur për 2 kilometra shpatit të Spaçit, burra-çift të lidhur për dore duhej të “sfilonin” që nga galeritë për tek fjetoret. Tetë orësh-it të punës i shtoheshin dhe tre orë vuajtje për numërim, ecje, hyrje e dalje në kamp. Pak vetë mund të shpresonin se mund të dilnin të gjallë që andej. Për shkaqe absurde birucat e burgut ishin të mbushura gjithnjë ku e mbanin frymën gjallë me bukë thatë dhe një batanije.
Të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë komandës, MP të Brendshme dhe organeve më të larta të Partisë-shtet për ndalimin e dhunës që ushtrohej mbi ta., por gjithçka binte në vesh të shurdhët. Dëshmitarë okularë të asaj kohe shënojnë se preludi i revoltës së Spaçit, fillon pikërisht me shpërthimin e birucave nga ish i burgosuri guximtar, Hulusi Pashollari duke lëshuar prej tyre 12 bashkëvuajtës, që vuanin dënimin. Atje filloi edhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën të tmerruar nga të burgosurit dhe u detyruan të dilnin jashtë kampit. Protesta mori karakter të shpejtë politik, në mjediset e kampit shpërthyen thirrjet: Rroftë liria! Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Në mesin e kampit u ngrit flamuri i kuq me shqiponjën e zezë, pa yllin e komunizmit, kompozuar nga piktori Mersin Vlashi.
Byroja Politike, e zënë në befasi nga kjo revoltë, e padëgjuar deri atëherë, për madhësinë dhe karakterin e saj politik, urdhëroi shtypjen e saj me çdo mjet, sa më parë që të ishte e mundur. Më datë 23 maj 1973 disa qindra forca speciale, të pajisura me shkopinj hekuri dhe të mbrojtur nga repartet e MP të Brendshme dhe Korpusi ushtarak i Burrelit, që qëllonin me zjarr në hapësirën e kampit, u vërsulën brenda kampit, duke rrahur mizorisht të burgosurit e rraskapitur që rezistuan heroikisht pa bukë dhe pa ujë. Operacionin për shtypjen e Revoltës së Spaçit e drejtonte drejtori i Sigurimit të Shtetit, gjeneral Feçor Shehu, i cili për ironi të fatit do të ekzekutohej me plumb pas koke pikërisht nga regjimi të cilit i kishte shërbyer me zell për 3 dekada me rradhë.
Kjo revoltë në “Kongresin për Llogaritjen e Krimeve të Komunizmit”, që u mbajt në Vilnius të Lituanisë, në qershor të vitit 2000, është konsideruar si revolta unikale dhe më e madhe me karakter politik, që ka ndodhur në vendet e Evropës Lindore nga të burgosurit antikomunistë.
Gjashtë vjet mbas kësaj revolte, me të burgosurit e Spaçit u inskenua edhe një gjyq tjetër, ku u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan intelektualët: Vangjel Lesho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka.
Projekti për muze, thjeshtë në letër
Ministria e Kulturës prej më se 5 vite e ka shpallur muze të kategorisë së dytë, dhe pretendon se ka hartuar një projekt restaurimi. Sipas projektit kriteri i restaurimit është i njëjti si i të gjitha monumenteve të kulturës që gjenden në Shqipëri. Ky burg do të kthehet i vizitueshëm me infrastrukturën që ka pasur gjatë kohës që ai funksiononte si i tillë. “Gjithë infrastruktura, akomodimi, kampi i burgut, mensat, galeritë do të bëhen të përshtatshme për t’i vizituar”.
Zona ku gjendet burgu dhe “kompleksi” i tij është një zonë e thepisur malore, por arkitekti tregon se ajo do të krijojë mundësi punësimi për banorët e zonës dhe duke qenë se ai do të funksionojë si muze normal, do të ketë edhe një staf njerëzish që do të kujdesen për të. Ato godina të mbledhura së bashku do të shërbejnë si dëshmi e gjallë e persekutimit çnjerëzor të bërë gjatë komunizmit. Pas realizimit të këtij projekti, njerëzit do të shohin nga afër se si kanë mbijetuar dhe jetuar ata që ishin “banorë” të kësaj “shtëpie” të madhe e të padëshiruar. Kthimi i saj në një pikë turistike do të tërheqë mjaft vizitorë. Krahas restaurimit të objekteve ekzistuese, projektit, në një nga godinat, do të ndërtohet edhe një muze. Në këtë të fundit, ish-të burgosurit që ruajnë relike nga jeta aty do t’i sjellin për t’i ekspozuar. Rroba, enë, gjëra të shkruara, piktura apo skulptura, objekte këto që janë mjaft interesante për ata që nuk e kanë njohur kohën dhe ato çfarë kanë ndodhur aty. Në muze, ndër të tjera do të ketë edhe një monitor ku vazhdimisht do të shfaqen skena nga xhirimet dhe filmimet nga koha kur ambienti funksiononte si burg.
Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës. Ka qenë një kompleks minierash ku punonin jo vetëm të dënuarit. Birucat ku të burgosurit futeshin janë komplet të shkatërruara, por ato do të ringrihen. Ideja është se godinat do të rindërtohen, do të kenë përforcime që të mos dëmtohen më tej, por nuk do të bëhen të reja. Muret e rëna, tarracat e shkatërruara të godinave do jenë pjesët ku do të bëhen ndërhyrje.
Ish-të burgosurit prej kohësh kanë kërkuar që ai burg të ribëhet për të qenë një dëshmi e gjallë, por deri tani asgjë nuk është bërë aty. Pamja e zymtë të shoqëron nga do të hedhësh hapin, por për një vizitor që nuk e njeh atë vend, thjeshtë jep idenë e një kampi të “bombarduar” nga vjedhjet e plaçkitjet dhe jo të një “Aushvici” të mirëfilltë shqiptar.
Shifra
1000 burra ishin të dënuar dhe punonin me detyrim në kampin e Spaçit para viteve 1990.
400 të dënuar ishte prurja e parë në Spaç, kryesisht nga Reparti 307 i Valasit të Elbasanit, në vitin 1968.
115 të burgosur u arrestuan pas “Revoltës së Spaçit”, 4 prej të cilëve: Hajri Pasha, Pal Zefi dhe Skënder Daja, Dervish Bejko, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan brenda pak ditëve.
110 të tjerë u dërguan në burgun e ri të Tiranës, ku iu nënshtruan torturave nga më mizoret. Mbas dy muajsh, ata i nxorën në gjyqin e inskenuar, në Rrëshen të Mirditës, të ndarë në katër grupe, duke i dënuar, në total, me 1700 vjet burgim!
Shekulli
Per”Alba – Dansk “Shkodrani


Leave a Reply