
Nga Alfred Lela
Dom Gjergj Meta është një publicist katolik, një njeri i Kishës dhe një aktivist i së drejtës. Në këto role ai shpesh edhe shigjetohet, kryesisht nga anonimët online dhe kryesisht jo për idetë sesa për atë se i përket fesë së krishterë. Në këtë bisedë ai shpjegon çfarë ndjen në kësi rastesh, flet për vizitën e Papës në Shqipëri, por edhe për sfidat e Kishës Katolike përballë modernitetit. Për gjërat të cilat duhen përballur, si martesa, divorci, homoseksualizmi e të tjera.
Papa viziton Shqipërinë në shtator. Pse Shqipëria e para në turin e vizitave të tij në Europë, dhe ç’do të thotë kjo për vendin tonë?
Udhëtimi Apostolik i Papës Françesku në Shqipëri është një çështje tërësisht baritore, pavarësisht ngjyrimeve politike që kanë kërkuar t’i japin kësaj vizite, sidomos duke qenë se shpallja e saj përkoi me vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Vetë natyra e Institucionit papnor është thelbësisht, kryesisht dhe tërësisht e tillë. Kur them baritore e kam fjalën që ai vjen këtu më së pari si Bariu Universal i të krishterëve katolikë. Nga përmasa baritore e misionit të Papës rrjedh edhe karakteri politik që mund të mveshë një vizitë e tillë. Në këtë prizëm, ai takon edhe personat që përfaqësojnë institucionet politike të vendit ku është Kisha dhe ku jetojnë të krishterët. Aq e vërtetë është kjo saqë një Papë mund të shkojë të vizitojë një vend vetëm nëse ka një Kishë që e pret, vetëm nëse merr ftesë nga kisha lokale.
Françesku është pasardhës i shën Pjetrit, atij të cilit ne besojmë se Zoti Ynë Jezu Krishti i ka lënë nën kujdes grigjën e besimtarëve e sidomos që të shërbejë si një shenjë e dukshme e unitetit të besimtarëve. Një bari shkon dhe i viziton të gjithë. Po pse në Shqipëri? Ky Papë ka një parapëlqim për ata që janë më të vuajtur dhe më në periferi të vëmendjes së “të fortëve”. Kjo nuk është tekë e një pape, por ky është vetë Ungjilli. Në fakt, Jezusi në Ungjillin e Lukës thotë, duke cituar Besëlidhjen e Vjetër, se ka ardhur t’u shpallë ungjillin të vobektëve. E kjo është detyra e Kishës, kjo është detyra e misioni i një pape. E ky është një sinjal i qartë se vuajtja dhe dhimbja njerëzore kanë një rëndësi të veçantë për të dhe se pikërisht duke u nisur nga kjo, ai vjen në Shqipërinë tonë të vuajtur. Duke zgjedhur Shqipërinë të parin vend në Europë, ai tregon se Kisha ka përparësi të veten ato realitete që kanë nevojë më shumë. Është një sinjal për Europën e luksit, por edhe për të tanët, vëmendjen ndaj situatave të mënjanuara të shoqërisë si një rrugë për zhvillimin integral të vendit dhe zhdukjen e hendekut ndërmjet atyre që notojnë në luks e atyre që diskutojnë bukën e gojës.
Sigurisht duke qenë një figurë me autoritet në botë, por edhe shumë e dashur, ai do të pritet nga të gjithë shqiptarët, përveç ndoshta kush është më shumë pre e paragjykimeve të tija sesa e mirësisë që sjell kjo vizitë.
Ju keni shkruar kohë më parë një shkrim që bëri bujë, thelbi i të cilit ishte, nëse Europa nuk e do shqiptarin mysliman, unë preferoj më mirë me shqiptarin mysliman jashtë Europe sesa pa të në Europë. Te një politikan kjo do të ishte marrë si populizëm, te ju, po themi, përunjësi e krishterë. Megjithatë, nuk mund të mos vësh re se shumë komentues online ju fyejnë, lehtë apo rëndë, dhe ndalen posaçërisht te besimi juaj. Janë po ata myslimanë shqiptarë pa të cilët nuk do të jetoje dot, të cilët ju shajnë…
I qëndroj gjithmonë asaj që kam thënë, jo vetëm për myslimanët, pasi para çdo dinamike gjeopolitike qëndron një dinamikë njerëzore, afrimiteti dhe afeksionesh, pa të cilat ne nuk mund të jetojmë. Nëse kërkojmë shoqëri homogjene, ato nuk ekzistojnë dhe nuk duhet të ekzistojnë se ndryshe kthehen në integraliste dhe fondamentaliste. Përvoja religjioze e tjetrit nuk e rrezikon timen, përkundrazi mund ta pasurojë. Megjithatë, unë nuk mund ta rrezikoj faktin njerëzor përballë faktit gjeopolitik. Ka një logjikë në këtë mes, që jam i bindur nuk e kërkon as Europa, e cila është ndërtuar mbi ekzistencën e të ndryshmëve, madje ajo zë fill në aktin pajtues të dy shteteve armike, Gjermanisë dhe Francës. Nuk duhet ta harrojmë këtë fakt. Europa homogjene nuk ekziston, sikurse nuk ekziston një planet homogjen. Ëndrrat me racë të pastër mendoj se i kemi lënë pas në vitin 1945. Po mundohen të na i risjellin në kujtesë përbindësha modernë si ISIS në Irak apo spastrimet etnike që ndodhin në vendet afrikane, por Europa nuk është ajo.
Sa për ata që më fyejnë sepse jam i krishterë, sinqerisht më vjen keq për ta. Ky po që është mjerim i vërtetë. Unë mendoj se ata janë një pakicë, pasi brenda njeriut banon e mira më shumë se e keqja. Por edhe ata janë një pakicë e cila duhet të dëgjohet për ta ndihmuar, për të kuptuar pse ndodh, pse gjithë ky agresivitet. Ne mund të jetojmë bashkë edhe pse të ndryshëm, të ndihmojmë njëri-tjetrin, madje të jemi xhelozë për lirinë e njëri–tjetrit.
ISIS ka botuar një hartë të përbotshme të Kalifatit mysliman, ku futet edhe Shqipëria. A gjendet në hapësirën shqiptare gjeografia, historia dhe kultura e përshtatshme për shtrirjen apo përparimin e një koncepti të tillë të shtetit?
ISIS është një turp i modernitetit, por duhet të kemi kujdes që të mos jetë edhe frut i indiferencës sonë të globalizuar, sikurse ka thënë Papa Françesku. Nuk e dija këtë punën e hartës, por kam ndjekur me vëmendje situatën e të krishterëve në Mosul. Është një turp që heshtet përballë fenomenit të zhdukjes së të krishterëve në këtë pjesë të Irakut. Franca ka dënuar e vetmja këtë gjë dhe ka hapur dyert e saj për refugjatët e krishterë të Irakut, por kjo nuk mjafton. Duhet një përpjekje ndërkombëtare që ata të ndihmohen për të qëndruar aty si qytetarë të lirë të Irakut duke mbajtur besimin e tyre të krishterë. Duhet thënë se ISIS është frut i një logjike integraliste, ku një interpretim i besimit islam bëhet totalizues për të gjithë islamin në përgjithësi e atëherë çdo person apo ide ndryshe ose kundër ka vetëm një rrugë, të mos ekzistojë. Në këta njerëz apo shoqëri përjetohet një lloj nazizmi me ngjyrim religjioz. Dyert e të krishterëve të shenjuara me shkronjën n (naser – i krishterë) rievokuan në shumë njerëz pikërisht yllin me të cilin shënoheshin hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Por sot nuk flet njeri për këtë gjë, janë pak zëra që flasin. Në rastin e Irakut ka një heshtje fajtore të institucioneve ndërkombëtare.
Unë nuk mendoj se Shqipëria është në ato kushte, por mendoj dhe e kam thënë se nuk duhet të mjaftohemi duke i mbushur mendjen vetes se kemi një harmoni fetare. E kemi, por kjo nuk garanton imunitet nga dukuritë integraliste. Duhet të rrimë zgjuar të gjithë, myslimanë e të krishterë, nga këto turpe që bëhen kinse në emër të Zotit. ISIS është një turp që duhet ta dënojnë më së pari vetë myslimanët, pasi i vendos një njollë atyre që besimin e jetojnë në përditshmërinë e jetës dhe që gjejnë frymëzim për të jetuar në paqe me gjithkënd. Në Shqipëri do të doja shumë të dëgjoja në një prononcim të ministrit tonë të Jashtëm që të ngrinte zërin për të krishterët në Mosul, fëmijët në Gaza, të krishterët në Libi, Sudan, apo të thoshte dy fjalë për objektet e kultit që shkatërrohen në Irak, kisha dhe xhamia, si mohim i të drejtës së religjionit, e drejtë Ndërkombëtare që edhe shteti ynë ka nënshkruar e sanksionon me Kushtetutë. Shpresoj të njëjtën gjë të bëjnë edhe komunitetet fetare apo Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Ju keni zgjedhur të besoni, pra misterin në vend të absurdit, për të cituar një Kardinal francez. Ç’ndjeni dhe çfarë ndodh me ata që kanë zgjedhur absurdin? Blez Paskal thotë se ata të paktën kanë fituar një karakter…
Nuk jam fort i qartë se çfarë ka dashur të thotë Paskal me këtë gjë. Unë ndjej që edhe pse dikush ka zgjedhur absurdin në jetën e tij, është bashkudhëtar i imi në këtë botë. Diku dhe dikur do të takohemi. Nëse në të dy ekziston sinqeriteti i kërkimit, diku do të ndodhë që të takohemi patjetër. E bërë kështu pyetja në fakt zhvendoset nga një rrafsh teorik në një rrafsh ekzistencial. Misteri dhe absurdi nuk prekin vetëm arsyen time, por prekin edhe jetën time konkrete, pasi në bazë të kësaj zgjedhjeje unë jetoj jetën time të përditshme. Dikush që beson në mister pret diçka apo dikë në jetën e tij, është në një lloj pritjeje dhe zgjedhjet e tij të përditshme e bëjnë që të shpresojë. Zgjedhja e absurdit, çka do të thotë e një lloj logjike se unë gjendem rastësisht në këtë botë e atëherë më duhet të gjej një mënyrë për ta jetuar botën dhe jetën, sipas këndvështrimit tim çon në një situatë permanente ankthi ekzistencial pasi horizonti është i mbyllur. Megjithatë edhe brenda këtij horizonti nuk rresht kërkimi i një kuptimi të jetës. Nuk është e prerë me thikë. Nuk janë zgjedhje të cilat nuk mund të rishikohen në harkun e jetës.
Në rrafsh botëror, personalitete të mendimit apo kulturës kanë zgjedhur ndërkohë anët: ca janë me Palestinën, e ca të tjerë me Izraelin. A nuk ju duket se kombi të cilin nazistët ia nënshtruan ‘zgjidhjes përfundimtare’ është sërish para një kërcënimi të tillë po të kujtosh se asnjë vend arab në Lindjen e Mesme ku strehohet shteti i Izraelit nuk e mbështet ekzistencën e tij? A mos të vrarët dhe plagosurit e fshehin pamjen e madhe të zhdukjes së një shteti e kombi? A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për ekzistencën e kombit palestinez? Ju, a mund të merrni anë?
Në këtë pikë ndaj të njëjtin mendim me atë të Selisë së Shenjtë, e cila është për dy shtete me kufij ndërkombëtarisht të njohur. Një orë e më parë ai konflikt duhet të mbyllet e të kërkohet paqja për ata popuj.
Ju nuk druheni të komentoni edhe ngjarjet e së përditshmes shqiptare, qofshin ato politike dhe sidomos sociale. Ndërkohë Kisha është më e heshtur, më mistike. Si ndodhi që e patë apo e shërbyet veten si ‘prift publik’ ?
Kam folur edhe herë të tjera për angazhimin tim publik sidomos në media. Disa e shohin me sy të mirë e disa jo. Për mua është gjithmonë objekt reflektimi kjo gjë. Më së pari, një prift është gjithmonë publik për vetë faktin se është pjesë e një komuniteti, por edhe sepse është shuguruar publikisht para të gjithëve dhe se të gjitha detyrat e tija janë publike. Vetëm pushimet mund të jenë private. Çdo njeri duhet të vërë në shërbim të të tjerëve atë që mund të bëjë. Unë vendos në shërbim të Kishës këtë dhunti të komunikimit e jo vetëm në shërbim të Kishës time, por ndjej të them, në shërbim të të gjithëve.
Komentet e mia mbi aktualitetin fillimisht kanë qenë të një natyre reaguese. Është interesant ky fakt, pasi trajta reaguese shpesh fsheh edhe probleme. Një nga problemet është pikërisht fakti se reagon ndaj personit dhe jo ndaj asaj çfarë ai ka thënë. Personi duhet të ruhet gjithmonë e unë nuk e kam bërë gjithmonë këtë gjë. Personi, kushdo qoftë ai, duhet dashur, kuptuar, ndihmuar, shpëtuar, anipse idetë e tij, mendimet, qëndrimet mund të kritikohen e kundërshtohen. Por fsheh shpesh edhe dëshirën për protagonizëm apo thjesht reagimi nuk është ndaj asaj çka ka thënë personi, por ndaj vetvetes. Ka pasur raste që shkrimet e mia kanë qenë më shumë një rragatje me vetveten sesa me idetë e tjetrit. Këto gjëra ndodhin, duhen vetëm vënë në shoshë, kuptuar e përmirësuar me kalimin e kohës.
Tani më duket vetja në një fazë tjetër të angazhimit tim mediatik në rrafshin social. Mundohem të gjej e të dalloj të mirën kudo ajo është, duke ruajtur autonominë time të mendimit që mund të përkojë ose edhe mund të ketë një rreze të ndryshme vështrimi nga Kisha zyrtare, por asnjëherë në kundërshtim me të, të paktën në çështjet themelore. Kisha në Shqipëri ka nevojë sigurisht të jetë më e pranishme në jetën mediatike e në çështjet sociale një zë më i fortë bashkëpunues, por edhe akuzues. Kohët e fundit kemi parë Papën Françesku që ka akuzuar mendësinë mafioze në Itali pa mëdyshje. Çfarë tjetër është në Shqipëri korrupsioni, informaliteti ekonomik, konfliktualiteti politik? Kisha duhet të jetë më e pranishme. Por Françesku e porosit Kishën në enciklikën e tij Evangelii Gaudium gjithashtu që të mos jetë vetëm një zë akuzues bosh, por edhe bashkëpunues në ato nisma të mira për qytetarët e një vendi.
Çfarë është bjerrë sipas jush te shqiptarët këta 22 vjet tranzicion dhe sa nga kjo bjerrje vjen në fakt e trashëguar nga trysnia otomane dhe komuniste?
Ka shumë gjëra, por ajo që më duket më urgjente është shpirti komunitar. Shpirtin komunitar e shoh si një emërues të përbashkët që vërtitet rreth orbitës së konceptit të së mirës së përbashkët. Shqiptarët në thelb nuk janë të sinqertë dhe janë mosbesues. Prandaj shqiptarët nuk arrijnë të bëjnë gjëra bashkë, në bashkësi. Ky shpirt komunitar qëndron në themel të traditës europiane dhe Europa është ndërtuar mbi këtë aset kaq të rëndësishëm. Në vendet nordike shpirti i iniciativës komunitare, përfshirja dhe angazhimi janë gjërat më normale. Rikuperimi i këtij shpirti komunitar është një fakt shpirtëror që duhet të edukohet qysh në familje e më pas në shkollë e në jetën e përditshme.
Ka edhe diçka tjetër që është pak më e gjerë sesa Shqipëria. Sot mungesa e shpirtit komunitar ka prodhuar shfaqjen e një lloj vetmie ekzistenciale. Jemi gjithnjë e më të vetmuar. Puna, stresi, lodhja, tjetërsimi si pasojë e stërmundimit çon drejt vetmisë. E mendoj veten si një person që duhet të qëndrojë afër personave të vetmuar dhe janë shumë që kanë nevojë të dëgjohen. Nuk janë larg. Gjenden në mes të bllokut në Tiranë, te Vollga në Durrës, te shëtitorja e Kafes së Madhe në Shkodër, janë kolegë pune, misioni, familjarë që ndjehen të vetmuar. Ndjenja e solidaritetit, e bjerrë për shkak të konjukturave të trashëguara nga kolektivizmi komunist e tani nga individualizmi i shfrenuar, është shëruese për këtë plagë sikurse është vetmia. Shpesh edhe vetë e përjetoj këtë gjë. E nuk e kam fjalën për atë vetmi të natyrshme për të cilën kemi nevojë në çaste reflektimi, për të nxjerrë bilancet, apo për të dëgjuar zërin e Hyjit e të zemrës sonë. E kam fjalën për vetminë frustruese e cila të izolon. Në këtë rast janë miqtë e mirë që janë pranë meje. Miqësia e sinqertë, oazet e miqve janë vërtet shëruese të vetmisë.
Keni shkruar diku më duket se në Shqipëri ka një padurim ndaj feve, një afetarizëm të trashë (fjalët e mia këto të fundit). Na e shtjelloni?
Kam shkruar konkretisht për një lloj religjionofobie kur jam pyetur në lidhje me shkrimet e Ben Blushit, për të qenë i saktë. Është një religjionofobi që i ka rrënjët në ateizmin militant me matricë marksiste, me vetëdije apo pa vetëdije, por që nuk është e vetmja matricë. Religjionofobia lind shpesh edhe si reagim ndaj formave ekstreme të shfaqjes fetare që rrezikojnë në shumë raste laicitetin e shtetit apo të drejtën e personit edhe për të mos besuar. Por qoftë laikofobia e qoftë religjionofobia janë të dëmshme. Është interesant fakti që i pari TV ateist në botë ka lindur këto ditët e fundit në USA, në një vend ku statistikat tregojnë se ka një ndërgjegje fetare mjaft të zhvilluar. Si ka mundësi? Po ka mundësi, pasi pikërisht në Amerikë ka forma të fondamentalizmit fetar të sekteve të ndryshme edhe të krishtera, që shfaqen me pretendimet e të vërtetave përjashtuese (shiko Pastorin që dogji publikisht Kuranin). Atëherë ja pse lind edhe një lloj reagimi kundërshtues. Përveç faktit se këtu kemi të bëjmë edhe me komercializëm.
Sikurse nga ana tjetër, një organizatë terroriste si Boko Haram lind si një kundërpërgjigje e gabuar ndaj modernizmit ekstrem të Perëndimit e kështu me radhë.
Unë mendoj gjithashtu se ateizmi dhe religjioni mund të dialogojnë në emër të kërkimit të së vërtetës dhe terreni i dialogut është pikërisht e mira e përbashkët për të cilën fola më sipër, pa pasur nevojë të jenë fobikë ndaj njëri-tjetrit. Por ka edhe një faktor tjetër përbashkues e kjo qëndron në kërkimin e arsyeve. Një besimtar duhet të japë arsyet pse beson, por këtë duhet ta bëjë edhe një ateist. Kjo gjë nuk është një opsion, është një obligim që lind nga natyra e arsyes njerëzore.
A është Zoti një fakt shpirtëror, një shpikje e intuitës njerëzore për të kërkuar edhe shelbimin edhe shpagimin te një forcë madhore përtej njerëzores?
Shën Tomë Akuini thotë në Summa Theologica që për Zotin mund të themi vetëm atë çka ai nuk është. E sigurisht mund të them që Zoti nuk është ai i atyre që përzënë të krishterët në Mosul, i atyre që vrasin fëmijët e pafajshëm në Gaza, i atyre që dhunojnë gratë e fëmijët në emër të religjionit apo në emër të egos së tyre. Me të gjitha këto gjëra Zoti nuk ka punë edhe pse ai në mënyrë dramatike dhe të mistershme bëhet pjesë e vuajtjeve njerëzore. Zoti që unë besoj është një Person, me P të madhe, që do të thotë se me të mund të hysh në marrëdhënie, ai dashuron dhe ti mund ta dashurosh, mund të dialogosh me të. Ai flet e ti mund të dëgjosh zërin e tij dhe Fjalën e tij. Ai na ka folur nëpërmjet Birit të Tij, na ka komunikuar vetveten duke u bërë njeri si ne. Zoti që unë besoj është një Zot i gjallë dhe veprues në jetën e njeriut dhe të bashkësisë njerëzore, në jetën e kozmosit. Në mënyrë paradoksale ai është i pranishëm kudo dhe në të njëjtën kohë krijon marrëdhënie personale me secilin prej nesh. Unë besoj në një Zot që flet jo vetëm në fjalën e tij në Bibël, por edhe në jetën e përditshme të shumë njerëzve, na flet nëpërmjet tyre, nëpërmjet gëzimeve dhe hidhërimeve. Vuajtjet e njerëzve janë vërtet një tempull ku njeriu mund të takojë Zotin, pasi ai preferon të qëndrojë me ata që vuajnë, aty mund ta takojmë sikurse bëri Nënë Tereza e Kalkutës.
Cilat ide që vijnë nga feja juaj e Krishterë, jo 10 Urdhëresat, do të mund ta shpëtonin Shqipërinë? Apo një zgjidhje fetare do të ishte një robëri e re, edhe më e rëndë për Shqipërinë?
Feja nuk mund të ofrojë zgjidhje politike e as ekonomike. Ato i përkasin një rendi tjetër e në këtë pikë duhet të jemi të qartë e të vendosur. Jam dakord që një zgjidhje fetare do të ishte një robëri e re. Unë besoj se mesazhi i krishterë i dashurisë, ishte ai që pati impaktin më të fortë mbi kohën kur jetoi Jezusi dhe nxënësit e tij: duaj armikun tënd! Dashuria është ajo që shpëton botën e dy format e dashurisë janë e bukura dhe e mira. Dashuria për armikun nuk është një sadomazokizëm, por është ilaçi më i mirë shërues i një shoqërie. Kjo është vetë logjika e Hyjit, i cili fal edhe mëkatet më monstruoze. Nuk është e lehtë të falësh armikun, sidomos kur ai ka prekur gjërat më të shtrenjta, por është e mundur. Këtë e tregoi vetë Jezusi mbi kryq e këtë e kanë treguar edhe shumë burra e gra në histori. Më vjen të përmend martirët e Kishës Katolike në Shqipëri gjatë komunizmit të cilët pranuan pushkatimin e vdekjen duke thënë: fali ata që po më pushkatojnë e që më kanë dënuar. A ka dashuri më të madhe se kjo?
Nëse feja e shqiptarit është shqiptaria, po feja e shqiptarisë cila mund të jetë? Apo një fe nuk mund të ketë një fe tjetër?
Unë e kam thënë edhe më parë në faqet e gazetës tuaj që shqiptaria nuk është fe dhe unë nuk kam fe shqiptarinë. Unë jam një shqiptar katolik. Atdhedashuria për mua nuk është fe, por është një ndër dashuritë e jetës sime, tipologji e të vetmes Dashuri që njeriut i është vënë në zemër prej Zotit në aktin e krijimit. Si i krishterë unë jam me atë që thotë një shkrimtar i krishterë i shekujve të parë: “për një të krishterë çdo atdhe është i huaj e çdo vend i huaj është atdheu i tij”. Shën Pali thotë që Atdheu ynë është në qiell, në kuptimin që plotësia ekziston vetëm nëse përjetoj të gjitha llojet e dashurisë në një përmasë shpirtërore, pasi vetëm kjo përmasë u jep kuptim të tjerave. Në këtë prizëm atdhedashuria kthehet edhe në dashuri për të afërmin, të ngjashmin dhe të ndryshmin, për të gjithë ata që janë afër apo larg teje, për të mirën e përbashkët, për ligjin, një dashuri universale. Edhe Jezusi ka qarë për Jerusalemin dhe e ka dashur atë, por ka dhënë jetën për të gjithë njerëzimin. Kështu e konceptoj e mundohem ta jetoj jetën time edhe unë.
Në një shoqëri postmoderne cili është roli i Kishës; a nuk mbetet ajo prapa me konservatorizmin e saj? A mos ‘ngrirja në kohë’ e largon prej grigjës e cila është zhvendosur teknologjikisht, por edhe shpirtërisht?
Reflektimi i një të krishteri rreth Kishës në të vërtetë është gjithmonë një reflektim mbi vetveten. Unë mendoj që Kisha ka bërë shumë për t’i qëndruar kohës. Gjithmonë Kisha mbetet në një tension reformues ndërmjet vazhdimësisë, si besnikëri ndaj Traditës, dhe shkëputjes, si besnikëri ndaj aktualitetit. Më pëlqen të citoj Kardinal Martinin i cili në shtratin e vdekjes fliste për një kishë të lodhur të vjetër 200 vjet mbrapa, por fliste edhe për një Kishë e cila poshtë hirit ka ende thëngjij të ndezur. Po! Në shumë aspekte Kisha ka nevojë të shkundet, të çlirohet nga vargonjtë e një lloj tradicionalizmi apo konservatorizmi sikurse e quan ti, që e mban të ngërthyer, ka nevojë të gjejë freskinë e kohëve të para, entuziazmin e kumtimit të Fjalës së Mirë të Ungjillit. Papa Françesku po e bën këtë gjë, me gjeste konkrete të vogla e të mëdha. Shpresoj shumë t’i shkojë deri në fund një reforme të tillë duke nisur nga Kuria Vatikanase. Kisha ka nevojë të çlirohet nga logjikat e rolit si pushtet e të jetë në shërbim. Kjo është detyra e saj, kjo është detyra e jonë. Ka nevojë të kalojë nëpër një proces purifikimi të domosdoshëm, ka nevojë për energji të reja të ripërtërira. Por kisha ka edhe asistencën e përhershme të Shpirtit të Hyjit që nuk e braktis kurrë. Është si thëngjijtë nën hi që ndezin në momentin e duhur.
Ja një shembull. Duhet zbuluar roli i laikëve në Kishë, jo si një dorë e zgjatur e klerikëve, e ipeshkvinjve, i veshur me një pushtet klerikal që e bën më keq se klerikun, por si një realitet që jeton e zbulon thirrjen e tij si i krishterë e punon për përhapjen e Fjalës së Bukur të Ungjillit, për mbretërinë bashkë me të gjithë të tjerët.
Po ashtu Kisha duhet të vetëdijesohet akoma më shumë ndaj situatave konkrete të personave e duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve që moderniteti nxjerr në pah. Në dy vitet e ardhshme Kisha do të përballet me dy Sinode mbi çështjen e familjes dhe të martesës. Pyetjet janë shumë të mëdha, martesa e familja në vetvete si një njësi e pandashme, të divorcuarit, fëmijët e adoptuar të personave homoseksualë, lidhjet “martesore” homoseksuale, bashkëjetesa etj., etj. Kisha sigurisht do të merret me dogmat, por ajo duhet të merret kryesisht me personat. Jezusi e thotë qartë në Ungjillin e Markut “E shtuna, (pra ligji) është bërë për njeriun dhe jo njeriu për ligjin”. Ne nuk mund t’i sakrifikojmë vuajtjen njerëzore, dhimbjen, njeriun në tërësinë e tij ligjit. Ka vetëm një ligj dhe është ai i dashurisë. Jezusi vetëm këtë ligj na ka lënë.
MAPO


Leave a Reply