Befasisht, pas një agonie dyditore, u nda nga jeta një ndër ndihmëtarët më të mëdhenj të zhvillimit dhe përhapjes së pasionit të koleksionimit e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në vendin tonë, kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, i ndjeri Nikolla Xharo. Ai ishte nga ata të paktët e shumë të rrallët koleksionistë të mirëformuar e me veprimtari që shfaqej dukshëm në dijet dhe vlerat që ruante në artin e koleksionimit në filateli, në numizmatikë dhe faleristikë. Niko njihej në mjedisin e koleksionistëve si mishërimi i mirësisë, mirëkuptimit e tolerancës dhe ndarja e parakohshme e tij nga jeta ka lënë në dëshpërim pjesëtarë të familjes, të afërm e miq të koleksionimit. Lindur në Boboshticë në nëntor të vitit 1946, i arsimuar në inxhinieri elektronike, Nikolla Xharo, krahas punës, iu përkushtua fillimisht pasionit të filatelisë. Shumë shpejt, sidomos pas viteve ’80, ai u bë një nga ata specialistë njohës që me veprimtarinë dhe praninë e tij ndikoi së tepërmi në zhvillimin e hobit të koleksionimeve. Prania e Nikos në mjedisin e koleksionistëve ishte me shumë ndikim në formimin e një aradhe të rinjsh plot dëshirë e pasion. Me mirësinë e tij të jashtëzakonshme, ai u pa tërë kohën të ndihmonte, dhuronte ose jepte pothuaj falas pulla poste për të rinjtë në formim, me synim për t’ua futur atë në gjak.
Me miqtë e tij të pasionit të koleksionimit, Vasil Xhitomi, Ferik Ferra dhe Artan Lame, u bë e mundur që të bëjnë funksionale një kioskë-dyqan, e cila brenda pak kohe u shndërrua në një “seli”, në pikë referimi takimesh, shkëmbimesh filatelike e numizmatike. Nga kioska e Nikos mori rrugë numizmatika shqiptare, e cila deri në vitin 1994 nuk ekzistonte. Ai u shfaq bindshëm në koleksionet e tij që në vitin 1996, kohë kur mori pjesë në konkurrimet ndërkombëtare të filatelisë me klasën Kartamaximum, “Kostumet në pullat postare të Shqipërisë”. Nuk do të vononte, që pak vite më pas, me shtrirjen dhe formimin e koleksioneve në klasat “Histori Postare” dhe “Filateli Tradicionale” të merrte vlerësime sipërore me fitimin e medaljeve argjend e Vermeil në konkurrimet e Luoyang – Kinë, Romë, Anversë – Belgjikë, Maribor – Slloveni, Sofje dhe para dy muajsh në Paris.
Poetesha dhe koleksionistja e talentuar, Luljeta Dano, tregon se ende nuk e kish idenë e xhubletës, kur te zyra e Nikos i tërhoqën vëmendjen dy të tilla. Ishte këmbëngulja e Nikos, pasi pa mahnitjen e saj në dizajnin dhe format e veshjes, që ajo t’i merrte; ishte përpos se fillimi i një ecurie të pazakontë të kësaj zonje, që nuk vonoi me nxitjen e Nikos, ta shndërronte veten në zotëruesen e koleksionit më të njohur të trashëgimisë kulturore të shpalosur në fushën e etnografisë, padiskutueshmërisht si vegimtare në llojin e koleksionit dhe shpirtin e thellë të njohurive historike të veshjes së spikatur të shqiptarisë femërore. Në statusin e saj ajo shkruante: Faleminderit Niko! Kush e ka njohur të ndjerin edhe si kryetar i Rotary Club, ishte në gjendje të prekte dhe kuptonte natyrën e tij, të një shpirti demokrat të formuar në botëkuptim si filantrop. Niko kulmonte me natyrën e qeshur në aftësinë për të mbajtur të bashkuar një grup heterogjen koleksionistësh, ku secili prej tyre ishte i ndryshëm në pëlqimet dhe jetën e trazuar politike shqiptare. Pavarësisht nga bindjet e tyre, Nikua gjente gjithnjë argumente për t’i mbajtur rreth shoqatës të bashkuar, sepse, me paqen që shpërndante, me natyrën tërë kohën të gëzueshme dhe shpirtin e tij të pastër llagar, ua bëri më të pranueshëm dëshirën për koleksionim. Ai ishte rrënja e të gjitha marrëdhënieve në shtresën e kufizuar shoqërore, por elitare, të koleksionistëve. Edhe praninë e tij si drejtor i revistës “Koleksionisti” e kish vënë në shërbim të këtij qëllimi, dije profesionale e shkencore për të gjithë, në shkëputje nga komente e dallime politike.
Për dijet, njohuritë, koleksionet dhe përvojën e gjatë, Nikolla Xharo ishte anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës Postare dhe anëtar i Komisionit Qendror të Emetimit të Monedhës, pranë Bankës së Shqipërisë. Kolegët dhe dashamirësit e tij i shprehin familjes që humbi bashkëshortin dhe babanë shembullor, mirënjohjet më të thella për të ndjerin Nikolla Xharo. Humbja e një kolegu të tillë është shumë e dhembshme! Do të na mungojë fytyra përherë e qeshur, fryma pozitive dhe puna e madhe e plot dashuri për koleksionet, shoqëria gazmore dhe prania e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, që kurrë nuk do të vyshket!
Bajram Peçi
Ish-kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë
Anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës Postare
Gazeta Shqip




Leave a Reply