
300 të ftuar , ndër ta ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa zëvendës ministra të qeverisë aktuale, politikanë dhe deputetë të të dy kaheve, personazhe të njohur të televizionit e medias, një pritje e veçantë në oborrin presidencial dhe një bekim nga Presidenti Nishani u dha nisje festimeve që zgjatën deri në orët e para të mëngjesit, artistë nga cirku që performuan me zjarr dhe xhama dhe një trupë baleti, bashkë me nusen dhe dhëndrin që kërcente valle tradicionalë indiane, e kthyen martesën e Besart Kadisë dhe Amarda Canos në dasmën më të rëndësishme të vitit… Ja të gjitha detajet e ceremonisë

E kishin ideuar muaj më parë dhe e kishin vendosur që dasma e tyre me nuanca vintage të sillte pak aromë provincash angleze- shteti që e bëri dashurinë e çiftit të sprovohet dhe forcohet edhe më në gjashtë vite largësi -e të kishte gjallërinë e natyrës në çdo detaj.
Ndaj i drejtuan të 300 të ftuarit në një prej vilave stil fshati në dalje të Tiranës, në fshatin Ndroq, ku Besi dhe Amarda ishin kujdesur për më të voglin detaj të mirëseardhjes, mbulesa me qëndisma dantellash të qepura enkas për dasmën e tyre, shandanë të bardhë në çdo kënd të oborrit të gjelbëruar e hijeshuar me lule natyrale, një ndriçim i ulët në sintoni me dritën e hënës dhe një ujëvarë në mes , e cila shpërtheu sapo çifti u shfaq në skenë për të përshëndetur.
Ishte ky momenti i tyre, momenti i kurorëzimit të një dashurie që mbushte 14 vjeç, në moshën adoleshente, tamam si mosha e tyre kur lindën edhe ndjenjat për njëri-tjetrin. “Ne jemi njohur kur unë mbylla klasën e tetë dhe Besi vitin e dytë të gjimnazit dhe u lidhën kur unë hyra në vit të parë dhe ai në vit të tretë” –rrëfen Amarda, ndërsa sapo kanë përfunduar një set tjetër me foto artistike në kopshtin botanik dhe po nxiton drejt ceremonisë së dasmës që organizon familja e saj dhe ndryshe nga zakonet e vjetra, është Besi ai që e shoqëron te lokali, ku presin njerëzit e nuses. Megjithatë pret jashtë, kur të vijë momenti i krushqve ( vetëm këtu kanëvendsour të shkojnë pas zakoneve të vjetra të martesave shqiptare).
Nuk kanë preferuar vetë të ndjekin ritet tradicionale dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur të jenë origjinalë. Ashtu si kërcimi indian ku nusja, Amarda ishte e veshur me “Sari” dhe mbante në ballë një nishan tipik të vajzave hindu , ndërsa Besi me një veshje që në kulturën indiane ka emrin “Dhoti kurta” . Për t’i shoqëruar në koreografinë gazmore që dukej si e shkëputur nga ndonjë prodhim Bollivudi ishin një trupë balerinësh profesionistë që u kishin mësuar të sapomartuarve të gjitha lëvizjet. “E veçanta ishin dy artistë nga cirku i Tiranës që ndërsa unë kërceja një performonte me zjarr, duke e gëlltitur dhe një tjetër shkelte mbi xhama të thyer” .
Pas atmosferës orientale, çifti u rikthye sërish në idenë e parë të evokimit të stilit “english country” dhe i kënaqën dasmorët me valsin klasik, shoqëruar nga kënga e tyre e preferuar, që ishte përzgjedhur me kujdes bashkë me listën e këngëve që shoqëruan ceremoninë, ndërsa nusja dhe dhëndri hoqën petkat indiane dhe veshën ato ceremoniale- Amarda një fustan Elie Saab nga Geraldina Sposa me një lule të madhe në kokë, që evokonte disi stilin e nuseve të viteve ’20, ndërsa Besi smokingun klasik.
Gjithçka u zhvillua jashtë, në mjedis të hapur, me aromën e barit të freskët dhe duket se moti kapriçoz i këtij fund korriku, u tregua bujar me ta. “Amarda na doli një parashikuese e mirë moti!”- tha Besarti në mes të dasmës, duke bërë shaka me optimizmin e nuses së tij, se për dasmën e tyre do të mbante kohë e bukur. Dhe ashtu mbajti vërtet duke kënaqur të 300 të ftuarit, ku mes familjarëve, miqve, kolegëve kishte edhe të ftuar VIP si ish- kryeministri Sali Berisha, disa zëvendës ministra të qeverisë aktuale, politikanë dhe deputetë të të dy kaheve, personazhe të njohur të televizionit e medias.
I ftuar në dasmë ishte edhe Presidenti, i cili më herët i priti në gazebo-n e vogël në oborrin presidencial, ku nën shoqërinë e shampanjës zhvilloi një bisedë të ngrohtë me ta dhe i uroi jetë të lumtur, duke i postuar fotot në faqen e tij zyrtare. Megjithatë për shkak të protokollit nuk mundi të ishte i pranishëm në dasmë.
“Takimi me presidentin ishte momenti më i bukur. Biseduam ngrohtë mbi familjen, të ardhmen. Ishte një ogur i mbarë i fillimit”- rrëfen Amarda.
Pas dasmës çiftin e pret një muaj mjalti, që në vend të ishte nga ata relaksuesit në bregdet, do të jetë një tur i gjatë me makinë, që do të nisë me Toskanën romantike e do të vijojë me Francën e Spanjën. “ Do të vizitojmë chateu-të e vogla ku shijohet verë. E deshëm një muaj mjalti më aktiv e më të larmishëm” –zbulon nusja e re. Gjatë udhëtimit do të kenë kohë për të kujtuar të gjitha momentet e rëndësishme të jetës së bashku, nga ditët e para të dashurisë, te lidhja në distancë për 6 vite ku Besi mundohej t’i shpeshtonte vizitat në Tiranë pasi aty e priste e dashura e tij, “vite të shoqëruara me lot, me buzëqeshje, me shumë dashuri” –pranon Amarda e do të kujtojnë ditën sesi Besi i propozoi në Mavrov, nën flokët e borës dhe pranë pemës së qershisë dhe do të shoqërohen nga kënga e tyre, drejt së famshmes shprehje fundlumtur “dhe jetuan të lumtur përgjithnjë”, ndoshta nuk do të harrojnë të vendosin ndonjë kanoçe që bën zhurmë pas makinës me mbishkrimin “Just married!”.







MAPO


Leave a Reply