Nga: Mr. BASHKIM ALIU
PËRCJELLJA E RAMAZANIT
Sot është dita e Bajramit, dita e kremtimit të asaj periudhe të bujshme një mujore të Ramazanit me adhurim, veprim konstruktiv, aktivitete produktive, pastrim të shpirtit dhe ngritje në piedestalet më të larta të botës morale dhe shpirtërore.
Pa kufij e falenderojmë Allahun e madhërishëm i Cili na mundësoi që muajin e Ramazanit ta kalojmë me agjërim, adhurim intenziv dhe aktivitet të bujshëm fetar. Krahas pesë kohëve të namazit, e falëm edhe namazin e teravisë, poashtu edhe namaze të tjera vullnetare-nafile, e në veçanti në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit e falëm namazin e natës; e kemi shpjeguar Kur’anin më tepër se çdo herë, i kemi çuar salavate edhe më tepër të dërguarit të Allahut-Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], kemi qenë më të bashkuar se çdo herë, kemi qenë unik në veprimet, mendimet dhe ndjenjat tona. Në të gjitha anët e botës, muslimanët janë ngritur në syfyr, kanë bërë iftar, kanë falë teravi, xhamitë kanë qenë përplotë me xhemat, dhe kjo flet për begatinë e unitetit në muajin e bekuar të Ramazanit.
Kështu, pas gjithë këtyre veprimeve dhe aktiviteteve në muajin e bekuar të Ramazanit, vjen dita e kurorëzimit të gjithë kësaj veprimtarie me kremtimin e festës së fitër Bajramit duke e madhëruar Allahun dhe falenderuar Atë për të mirat e panumërta që na i fali.
Me rastin e përcjelljes së Ramazanit dhe kremtimit të festës së Bajramit, muslimani përshkohet përnjëherë nga ndjenjat e gëzimit dhe brengosjes.
Nga njëra anë, brengoset për kalimin e këtij muaji të madhërishëm , muajit të pastrimit shpirtëror, humanizimit të shpirtit dhe pasurimit të njeriut me vepra të mira, muajit të solidaritetit, humanitetit, begative të shumta dhe sukseseve të shumta të muslimanëve si në të kaluarën, poashtu edhe sot.
Nga ana tjetër, besimtari përshkohet nga ndjenjat e gëzimit me atë që kremton fitoret e veta në këtë muaj të bekuar, mburret me sukseset e veta në mposhtjen e epshit, edukimin e shpirtit dhe pastrimin e zemrës, gëzohet për ndihmën që ia dha Allahu i Madhërishëm që ta kalojë këtë muaj të bekuar me ibadete të shumta dhe në mënyrë të denjë.
BAJRAMI, DITË E SHPËRBLIMEVE
Është e ditur mirë se punëtori kur e kryen punën e vet, e pret edhe pagesën apo kompensimin për punën e kryer. Allahu xh.sh. nuk e la njeriun duar thatë, por për punën dhe mundin e tij në muajin e Ramazanit, i përgatiti shpërblime të veçanta në ditën e Bajramit dhe këtë ditë e quajti ditë të shpërblimeve për besimtarët e devotshëm të cilët iu përgjigjën thirrjes së Allahut të Madhërishëm dhe iu përmbajtën porosive të Tij dhe të dërguarit të Tij që çdo çast të Ramazanit ta shfrytëzojnë maksimalisht, dhe ja tash, pas gjithë asaj pune të frytshme, pason shpërblimi i Allahut dhe gëzimi i muslimanëve për suksesin e arritur në këtë muaj të bekuar.
Taberaniju transmenton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Në Bajramin e Ramazanit melekët rreshtohen rreth rrugës dhe thërrasin: Zgjohuni o musliman, shpejtoni te Zoti juaj fisnik i Cili jep të mira dhe i dyfishon ato: Unë ju kam urdhëruar që netët t’i kaloni në ibadet dhe e kryet atë; u kam urdhëruar që ditën të agjëroni dhe keni agjëruar dhe kështu e keni dëgjuar Zotin tuaj. Për atë, pranoni shpërblimet tuaja”.
E kur ta falin namazin e Bajramit, një thirrës thotë: “Dëgjoni mirë! Allahu juaj me të vërtetë ua ka falur mëkatet. Tash kthehuni të kënaqur në shtëpitë e juaja! Kjo është ditë shpërblimi, dhe kjo ditë thirret në qiell ditë shpërblimi”.
Bejhekiju transmenton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu iu drejtua melekëve me pyetjen: Si shpërblehen ata të cilët e kryejnë obligimin e vet? Melekët u përgjigjën: O Krijuesi ynë, ate e pret shpërblimi. Do t’iu thotë Allahu: Më bëheni dëshmitar se Unë do t’i shpërblej për agjërimin dhe namazin me kënaqësi dhe falje. Pastaj i Lartësuari, duke i shikuar të gjithë falësit në Bajram me një shikim mëshirues dhe mëshirëplotë tha: Më luteni Mua, robët e Mi! Pasha Lartëmadhërinë Time, çdo kush që do të më lutet Mua sot për vendin e vet në ahiret, do të ia pranoj, edhe për këtë botë Unë do ta shikoj me kujdes; bëhuni të kënaqur me Mua, edhe Unë do të jem i kënaqur me ju. Shpërndahuni të falur me faljen Time!”.
FILOZOFIA E FESTAVE ISLAMEÇdo popull, etnitet dhe shoqëri i ka festat e veta të cilat i feston dhe me të cilat mburret për ngjarje të rëndësishme në historinë e ekzistimit të vet.
Edhe muslimanët i kanë festat e veta, e ato janë: Festa e fitër Bajramit dhe festa e Kurban Bajramit. Nesaiju dhe Ibn Hibbani transmentojnë prej Enesit i cili thotë: “Kur u shpërngul Muhamedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] prej Meke në Medine, banorët e Medinës i kishin dy festat e tyre ku argëtoheshin dhe dëfreheshin. Muhamedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] u tha: Allahu xh.sh. këto dy festa, jua ka zavendësuar me dy më të mira: Bajramin e ramazanit dhe atë kurbanit”.
Urtësia e festave Islame qëndron në atë se ato nuk paraqesin thjesht përkujtim të një date të rëndësishme që ka ndodhur në të kaluarën e popullit përkatës dhe tashmë nuk përsëritet me asgjë tjetër pos se me kremtim dhe përkujtim të saj, por festat në Islam janë reale, gjegjësisht festimi dhe kremtimi është real sepse pason pas punës dhe kontributit që e jep çdo besimtar, e nuk është thjesht përkujtim i një date që ka ndodhur në të kaluarën.
Kështu, në festën e fitër Bajramit, besimtari e feston mundin e vet që e dha në muajin e Ramazanit përmes agjërimit, namazit, ibadeteve tjera, ngadhnjimit mbi epshin dhe egon, humanizimit të shpirtit dhe pastrimit të zemrës. Pra, feston pasi ka arritur rezultate dhe ka shënuar suksese konkrete.
Poashtu, edhe në festën e kurban Bajramit, besimtari feston për therjen e kurbanit me të cilin gjest solidarizohet me të varfurit, poashtu disa muslimanë e festojnë edhe kryerjen e kushtit të pestë të Islamit – Haxhin, ndërkaq muslimanët e tjerë të cilët nuk e kanë mundësinë e realizimit të ndonjërës prej këtyre veprimeve, u bashkangjiten vëllezërve të vet në gëzim dhe shënimin e fitoreve e sukseseve të rëndësishme.
Shikuar nga një aspekt tjetër, muslimani këtë festë e feston edhe përmes një aktiviteti tjetër të rëndësishëm në veçanti për njeriun bashkëkohor, vizitën e të afërmve dhe vëllezërve të vet.
Me fjalë të tjera, në këtë kohë kur bota vuan nga shpërbërja e familjes dhe izolimin e njeriut e shtimin e ndjenjës së egoizmit, në ditën e Bajramit në veçanti preferohet vizita e të afërmve dhe vëllezërve musliman, e me këtë forcohen lidhjet mes muslimanëve, shtohet dashuria mes tyre, zbuten zemrat, vëhen tulla të shëndosha në ardhmërinë e umetit dhe luftohet aktivisht dhe energjikisht vetjakësia dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore.
MODEL PËR NDËRTIMIN E LIDERSHIPIT
Një nga çështjet më të rëndësishme dhe të ndieshme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, është ndërtimi i lidershipit i cili do të jetë i aftë dhe i denjë ta udhëheq popullin drejt progresit dhe zhvillimit si dhe do të jetë i aftë të marrë vendime të përgjegjshme në situata dhe momente vendimtare.
Muaji i Ramazanit dhe festa e bajramit, është një rrugë e qartë se si duhet të formohet lidershipi.
Me fjalë të tjera, kjo na mëson se të kremtosh suksese dhe rezultate, duhet të kalitesh dhe të punosh si duhet, të veprosh me konsekuencë në edukimin dhe përgatitjen intelektuale, morale dhe materiale. Festimi i Bajramit, pason pas një muaji punë aktive dhe intenzive, ibadet të shtuar si në sasi poashtu edhe në cilësi, ngritje shpirtërore dhe pastrim të zemrës, humanizim të qenies njerëzore dhe shtrim të dorës së afrimit.
Që të ndërtojmë lidership të shëndoshë dhe të aftë, duhet të punojmë shumë në edukimin dhe kalitjen e tij me kohë, e jo të na mbijnë si këpurdhat pas shiut, e pastaj të vuaj popullata nga veprimet e tyre kuturu.
PROBLEMI I HUMBJES SË RITMITNuk mund të flitet për muajin e bekuar të Ramazanit dhe festën madhështore të Fitër Bajramit, e të mos ndalemi seriozisht në problemin e humbjes së tempos dhe ritmit të adhurimit. Thënë më qartë, është mangësi e madhe që haset kryesisht në gjithë botën Islame që në muajin e Ramazanit xhamitë të jenë përplotë me xhemat, të ekzistojë një gjallëri e veçantë, të ketë aktivitete të nduarduarta, por me kalimin e Ramazanit, përfundon kjo atmosferë impozante dhe ndalet ky ritëm i adhurimit.Vallë, ku tretën gjithë ata të rinj e pleq që i mbushën xhamitë, i dëgjuan derset e Ramazanit dhe u interesuan aq shumë për aktivitetet fetare?!
Besimtari nuk guxon të jetë sezonal, i përkohshëm dhe jo konsekuent në adhurimin e tij. Ai nuk duhet të bëhet rob i Ramazanit, por duhet të jetë rob i denjë i Allahut të madhërishëm të Cilit duhet t’i tregojë nënshtrueshmëri jo vetëm në Ramazan, por edhe jashtë Ramazanit, apo thënë ndryshe në çdo frymëmarje të tij.
Për atë, le të jetë muaji i Ramazanit kthesë në jetën e besimtarit që t’i evitojë gabimet e veta, të jetë më i kujdesshëm në fe dhe të punojë që të jetë i devotshëm gjatë gjithë jetës së tij.


Leave a Reply