Këtë përshtypje e krijoje në mjedisin e brendshëm, por po të dilje jashtë, do të të binin në sy majat e çative që ndriçonin qiellin dhe do të dëgjoje ndonjë fjalë, ndonjë fëshfërimë, ndonjë kërcitje dere apo mjaullimë, – gjithçka gjallonte…
Nata tanimë s’është shurdh-memece, errësira s’është aq e dendur. Në çdo shtëpi sheh një dritë të zbehtë, njerëzit janë ngritur, përgatiten që me veshjet e reja të shkojnë në xhami për të falur namazin e Bajramit. Agimi është larg, por në minare dëgjohet zëri i muezinit duke kënduar salavate. Ndërkaq u zgjua edhe një grua e ve, e re në moshë, e në dhomën e saj të thjeshtë, akoma nuk kish dritë. Gruan e zgjoi zëri i muezinit (thirrësit për adhurim). Mendimi i parë ngazëllues ishte festa e Bajramit, por menjëherë shijoi mërzitjen të cilën e kish pasur bashkëudhëtare për qindra net e ditë. Të gjithë gëzohen, stolisen, gruaja përcjell burrin, nëna djalin, motra vëllanë, kurse ajo, ajo… ah… Ku ishte ushtari i saj? Larg në mërgim, mbase atje ka lënë kockat e tani prehet në gjirin e nënës tokë.
Ajo mbuloi fytyrën me duar e, ashtu duke u përlotur siç ka rënë në gjumë, ashtu edhe është ngritur nga shtrati tani.
Rrëmbimthi u ngrit, ndezi dritën dhe u afrua te vogëlushi i saj 6-vjeçar që po flinte ëmbël.
– Arif, biri im, – filloi ta zgjonte. – Çohu, ja zbardhi drita, sabahu, është Bajram sot, është festë për muslimanët.
Vogëlushi i hapi sytë, i fërkoi e i kapsalliti dhe, kur kuptoi fjalët e nënës, u ngrit me gëzim…
– Pse, erdhi Festa e Bajramit moj nënë? Ai fluturoi te dritarja nga ku dallohej vetëm errësirën e zezë, pus.
– Ja, dëgjoji salavatet e muezinit? Eja të lahesh, më pas nëna do të vesh me rroba të reja e të bukura e me to të shkosh për t’u falur në xhami.
Vogëlushi, me gëzimin e tij fëminor, s’dinte ç’të bënte më parë. Ndërkohë e ëma nxorri rroba të reja dhe, pasi e lau, filloi ta veshë dalëngadalë duke marrë pjesë shpirtërisht në gëzimin e djalit të vetëm. Vogëlushi që lumturohej në krahët e s’ëmës duke përjetuar gëzimin e rrobave të reja, i krekosur iu kthye asaj:
– A nuk i kam unë rrobat më të mira se të Muhamedit?
– Posi, ti i ke më të bukura,- iu përgjigj ajo me zë drithërues.
Ajo e mënjanoi fytyrën nga i biri, që ai të mos ia shihte lotët. Kur e veshi plotësisht e soditi ashtu në këmbë e iu shëmbëllye me të shoqin e paharruar.
Salavati mbaroi dhe filloi ezani… Jashtë po fekste drita… Nëna u magjeps duke soditur të birin, e përqafoi dhe ia njomi flokët e patharë mirë, me lot…
– Shpirti im, për çfarë do t’i lutesh të Madhit Zot sot në xhami? Çfarë do t’i kërkosh Atij? – i foli ajo me zë të mekur duke e përcjellë për në xhami…
– Që të na japë shëndet e jetë të gjatë.
– Po tjetër…çfarë?
– Për botën tjetër, parajsën, – plotësoi ajo.
– Dhe asgjë tjetër, nënë?
– Ke harruar diçka, mezi belbëzoi gruaja duke e përqafuar. Vogëlushi ra në të thella…
– Po, klithi i gëzuar, – po, po, të na kthehet babai.
– Pikërisht këtë harrove shpirti im, ia ktheu ajo.
I vogli i vuri re lotët e nënës, por s’deshi ta trazojë gëzimin e Bajramit, prandaj, i tha:
– Nënë, pse po loton?
– Nuk po lotoj nga hidhërimi, këto janë lot gëzimi sepse falenderoj Zotin që je kaq i zgjuar e i mbarë… dhe përsëri e përqafoi…
Nga porta e jashtme shikonte se si njerëzit, të qetë e të gëzuar nxitonin për në xhami (faltore). Nga kurmet (qenia) e tyre shpërndahej era e mirë e miskut dhe nëpërmjet ajrit të freskët të agimit jehonte fuqishëm thirrja e tekbirit (madhërimi i Zotit xh.sh.)
Zemra e gruas e ndjen veten ngushtë në kraharorin e saj, ajo gati sa s’shpërtheu. Iu kujtua, kur para 6 vjetësh, pikërisht kështu, në Bajram, e përcolli të shoqin, Mehmetin në xhami, të veshur krejt me të reja. Më pas atë e morën në ushtri dhe ajo mbeti e vetmuar me vogëlushin e saj dyvjeçar. Sa lot, sa trishtim e brengë kishte përjetuar, vetëm ajo e dinte, por në çdo adhurim i lutej të Plotfuqishmit që t’ia kthente të shtrenjtin e saj, Mehmetin. I dukej sikur kishte humbur tërë botën, asgjë s’i hynte në sy, çdo gjë i dukej bosh. Pasi i shterruan lajmet nga i shoqi e më s’dinte në jetonte apo jo, atë (gruan) e harruan edhe fqinjët. Qante, e përqafonte fort të birin i cili përpiqej të shkëputej për të shkuar në xhami. Më në fund e la të lirë. Ai u përzie me kalimtarët duke hyrë në xhami ashtu krenar, sikur të ishte i madh. Nëna e shoqëronte me sy… Pas pak, dolën gratë për të pritur adhuruesit që vinin nga xhamia… Duke dalë ata, dëgjohej thirrja lutëse: Amin, amin…
Adhuruesit (namazlinjtë) u jepnin lëmoshë lypësve… Në fund të gjindjes ecte Arifi i kapur për dore me Muhamedin. Ishin moshatarë. Nga hyrja e xhamisë doli një i moshuar e i ledhatoi të dy djemtë. Nënat duke e parë këtë skenë, gati sa s’fluturuan nga gëzimi… Gjindja e gëzuar (adhuruesit) shkoi për vizitë tek varrezat e për t’u lutur për ata që kishin në botën tjetër. Me ta ishte edhe Arifi. Kur po futej i lodhur në oborr, ia behu një i panjohur me një veshje të huaj (ndryshe).
Vogëlushi u tremb dhe nxitoi për të kaluar oborrin, por i panjohuri e ndoqi pas… I vogli çuditej se si e shikonte njeriu i huaj me ëmbëlsi e dashuri. Arifi u shtang kur i “huaji” e thirri në emër…
– A e ke emrin Arif ti, – e pyeti i huaji. Vogëlushi pohoi me kokë duke vënë gishtin e vogël në gojë.
– I kujt je ti?
– I nënës,- iu përgjigj ai.
I huaji sa s’u përlot nga përgjigja e djalit. E pa për një moment dhe zemra iu drithërua nga gëzimi e shqetësimi bashkë. Pas katër vitesh ai kthehej nga bota e largët. Ja, u takua me të birin, por nuk u njohën. Çfarë s’i shkoi nëpër mend!… Iu afrua të birit, e përqafoi dhe iu përlotën sytë… Kështu duke e marrë para avash, e mbajti nëpër oborr. Kur u hap dera e shtëpisë dhe gruaja e vetmuar e pa të birin të përqafuar nga ushtaraku i saj i dashur, sa s’i plasi zemra nga gëzimi. Nuk u besoi syve, por kur i shoqi i foli me zë të përmalluar e me lot në sy, ajo fluturoi tek ata.
– Biri im, – foli ajo, duke e përqafuar të birin, – ja, të erdhi babai. Aty në prag të shtëpisë të tre falënderuan të madhin Zot, për këtë gëzim që u solli.
Vizitat nuk pushonin kurrë. Njerëzit shpërndanin kudo gëzimin e harenë për festën e Bajramit.
Edhe Mehmetit i erdhën fqinjët e të vetët… Në shtëpinë e tij gëzimi ishte i dyfishtë….
Përktheu nga boshnjakishtja
Ismail Dizdari, Drejtor i Medresesë, “H. Mustafa Varoshi” – Durrës
Leave a Reply