Riza Lahi ka qene dhe do mbetet miku yne i perhershem. Ai do jete perhere i pranishem me vepren e tij dhe me ate buzeqeshjen qe na la pas. Pra ai jeton dhe eshte gjithnje ne rrugetimin tone ne kete jete,perkrah te gjithe miqve dhe shokeve te tij ,qe i deshi dhe e deshen. Ndaj dhe ne sot po sjellim dicka te shkruar nga Rizai per te gjithe ju miq e kolege te tij dhe per te gjithe ata qe e ndjekin Alba – Dansk ne te gjithe globin. Shen. nga Redaksia
Esse
Nuk e di se përse, tani që po e ndjej se po më rrëshqet rinia , me të njëjtat prurje, sikur po më grish përditë e më shumë muzika popullore. Sikur të isha I dashuruar me persianen më të bukur të Horasanit e të banoja me të në një pallat vetëm prej floriri e I rrethuar nga një kopësht I madh me lule katër stinëshe e ku të silleshin vetëm vajza të veshura me ngjyra lulesh , pikërisht në njërin prej mëngjeseve si ky i sotmi, do t’I isha lutur me lotë në sy persianes : “Të lutem. Harro gjithëcka. Më ka ardhur dita e vdekjes këtë mëngjes. Më lër të shkoj të vdes tani. Është një vënd shumë larg që këtej. Dua të jap frymën e fundit atje ku kanë lindur këngët që këndoj unë kur jam duke bërë dush. Apo edhe nëpër gjumë, e ke vënë re?”
Unë shtrihem në darkë për të fjetur dhe, në ata caste tek më nanurit gjumi, kam gjetur mënyrën që, unë, Riza Lahi, të jem njeriu më I lumtur I rruzullit: fus në manjetofon kasetën më këngë popullore të vëndlindjes sime. Kjo vëndlindje, për fat, quhet Shkodër. Në Shkodër, dasmave, këndojnë vetëm këngë dashurie. Ato janë këngë shkodrane, ulqinake, gjakovare;është edhe një takëm I argjentë me këngë korcare. Ndërsa këto këngë më vijnë njëra pas tjetrës si të qenë basma të mëndafshta, mua nis të më rrekë gjumi. Gjumi më nanurit…sikur po më tundin në djep …Befas e ndjej veten të pafejuar…Kam parkuar aeroplanin tim në një lëndinë shkodrane dhe, ja, po flë , kur, bashkë me rrezet e mëngjesit, mu mes tyre – flokët e thinjur të nënës sime. Ajo më pëshpërin se cilën vajzë më ka zgjedhur për nuse….
Muzika popullore më rri përqark tavolinës sime të punës – dhe jam duke shkruar gjëra të mëdha, të rënda, sic janë mizore shtëllungat e trasha të duhanit nëpër aromën e luleve të dhomës – si të jetë nusja ime në ditët e para të martesës. Ajo I ndërronte fustanet disa herë gjatë një dite, dhe më ngacmonte me vështrime se, e përse, nuk po e vija re lojën e saj nusërore.
Muzia popullore është sikurse ilacet popullore. Ilacet popullore nuk bëjnë keq për asgjë. Për asgjëasgjëasgjë. Ata vetëm të shërojnë ose, së paku, të qetësojnë. Sic të qetëson një dallëndyshe që ka hyrë befas në dhomën tënde të përmbytur me tym duhani apo avuj alkooli.
E di? E ke vënë re se sa herë e futin këmesën mes këngëve popullore? Haj, të them dicka unë, për tekstet…
Njerëzit u thonë shpeshherë aeroplanëve “kacatorr” ( gjuajtës). Populli ynë nuk kishte parë kurr më parë kaq shumë aeroplanë sëbashku nëpër qiellin e tij sesa atë 6 prill 1939. Kacatorrët erdhën qënga deti, nga kish ardhur dikur këmbësori baloz, dhe u dershën përmbi sytë e popullit tim të varfër, fshatar, të pashkollë, të tradhëtuar, të shushatur nga teknika e kohës dhe që mbante në kuletën e tij të shpirtit traditën e tij të lashtë, si një cipë vajzërie. Kacatorrët mbanin poshtë krahëve bomba , të cilat, nën këmishat e tyre prej hekuri, kishin mbështjellur vdekjen dhe qefinin e tij. Ah!!! Ama, kur “kacatorri” është I yti? I popullit? I këngëtarit, pra? Ai dallohet lehtë, se e ka një shqipe në krah dhe “shoferi I kacatorrit” flet dhe këndon këngë shqip. Edhe një pëllëmbë mustaqe t’I ketë një “malok”, ai kthehet në një kolopuc lutës para “shoferit të kacatorrit” që këndon shqip që, eeeehhhh, sikur ta mirrte edhe atë një herë nëpër qiell… Mirëpo, tanimë po kemi përditë e më pak pilotë. Ka njerëz të shtresave të ulta që, vërtetë, nuk kanë parë pilotë ndonjëherë, por, sigurisht, “kacatorrë”, po. Ata sikur guidohen nga aliene. E… Ja një “këngë jevgjish”. Mbase është këngë vulgu e I thonë jevgjish. Gjithsesi…Krijuesi I fjalëve të saj e ka quajtur të vluarën e tij “kacatorre”. Ndërkohë, sigurisht ndonjëri prej kollarexhinjve që kanë pasion, aftësi, kohë dhe mimikë t’u imponohen komshinjve dhe kushurinjve, ka bërë që, tani, në vënd të “kacatorrja e lalës”, të kemi “bojesmerja e lalës”. Vlen të theksojmë që, këtë ndryshim idiot, nuk e ka pranuar asnjëherë një yll I quajtur Eli. Eli Fara.
…Befas, nusja e sapokthyer në pasi pas tër asaj dasme të bërë në derën e vajzërisë , nxjerr një shami nga mënga. Një “faculetë”. Përqark ka fëmijët e shtëpisë që e kanë përcjellur si harabelët atëheë, ndërsa ajo zbriste shkallët duke qarë. Befas shamia, “faculeta”, nis të poetizohet . ajo nuk ka dalë nga mënga, oh, jojo, për të fshirë hundët apo djersët. Palët e saja u ngjajnë fletëve të kerubinit. Nusja ka futur në shami dicka. Mbase ndonjë dupe floriri të ruajtur nga e ëma. Mbase ndonjë sasi mijëlekshash që don t’ua falë fëmijëve përqark që janë të kunatës. Mbase ka ndonjë myhyr të vecantë që ia ka dhuruar motra e pamartuar e të shoqit. Nusja është kaq e bukur, sa I përngjet faculetës që ajo e mban në mëngë dhe ka të fshehur dicka që mrekullon përqark. Kjo nuse që I përngjet asaj faculete magjike, fsheh dicka që, nga bota mashkullore, e ka privilegjin ta shohë vetëm I ati.
Ball e faqe me nishana
Portofol në faculetë
– thotë kënga, e cila, e masakruar, kë këtë pamje:
Ball e faqe me nishana
Portofol varur në degë.
Dashnorët, në tër botën e të gjallëve, janë të guximshëm. Dashnorët dhe dasmorët shqiptarë shkojnë ndër dasmat e tyre klasike me armë. Ata nuk kanë asnjë pasion t’u tregojnë të tjerëve se mbajnë armë me vete.
Në mëngjes dole tuj qendisë
Thanë se je e bija e efendisë….
Bobooo! Ky djalosh I cmendur ulqinak ka shtënë dashuri pikërisht me të bijën e atij që mund të ta marrë frymën. Vajza e efendiut rri majë ballkonit si një yll I varur në qiell dhe që nuk lëviz. Poshtë yllit – një langaraq nga pasuria dhe me shpirt të përvëluar për circen . e vetmja gjë që mund të bëjë ai, është të këndojë një këngë. Ta këndojë nën ballkon duke u larguar, le të bëjë efendiu cfar të dojë. Pinjolli I ujqërve të detit, këndoi si më lart. Kasapi ndërhyn kafshërisht kështu:
“…Thonë se je e bija e kojshisë”. O “përpunues”! a ke pakëz turp të dalësh në rrugë paskëtaj? A nuk janë ngritur ndonjëherë gurët e kalasë së ulqinit qënga kalldrëmet e të ta bënin kokën gunga – gunga?
Askush nuk mund ta ndjejë rëndimin e jetës së jabanxhiut apo emigrantit, si ai qe e ka provuar në kurriz. Edhe hasmin nuk donte ta shihte shqiptari “jaban”, ku të goditet me të tëra municionet e njohura gjer tani krenaria personale dhe kombëtare. Poeti shkodran, I Shkodrës që nuk e ka njohur e as e ka honepsur emigracionin në traditën e saj, këndon:
Në dac më duej, a në dac mos më duej
Jam jabanxhi në mëhallën tuaj
Një sahat më bahet një muaj.
Korrektori ynë, që është pak t’I thuash budalla, fut putrën e tij në vargun më tronditës , në të dytin, duke e revizionuar në “ dashurinë për ty s’ia kallxoj kurrkujt”.
Kënga shkodrane “Me pak rreshta” ka marrë një plagë në ije. Për fat të keq, nga goja e atij që nxjerr nga goja vec fllad nga lulishtja e këngëve popullore shkodrane, Bujar Qamilit.
‘Do t’u ikë dhe mes jush nuk do ta keni më
atë që po e përgojoni
vesh më vesh më s’do të thoni
duke qeshur nënë zë
desh të ikte… E kishim një’’
– thotë Rumiu I madh I orientit.
‘Kish t’I kisha krahët si pëllumbi
e me dalë tuj fluturue
e me ardhë kur të mmarrin gjumi
në cep të penxheres, moj me pushue”
Imagjinoje veten, I dashuri im, të kthehesh në një pëllumb; me krahë sic I kanë ëngjëjt e të gjithë religjioneve. Të fluturosh e të ulesh në parvazin e një dritareje të celur në verë. E…Jojo, të mos bësh asgjë tjetër, vecse të kundrosh qepallat e mbyllura të një vajze që të con “do letra të ftofta”, të cilat sikur “anë për anë ma ngul ka’I thikë”. Mirëpo, “korrektuesi”, ka marrë bisturinë për të bërë një operacion në fytyrën e dikujt, dhe e ka ditur pasigurinë e tij. Ai është përpjekur gjatë operacionit të tij pesë minutësh, ta cajë kokën aq sa mundet ta cajë babai I mushkës. E pra :
“ Tuj mendue më zuri gjumi
në cep të dritares , moj tuj pushue
Edhe ndodhem mes tallazitjeve të këngëve popullore . Valët po më bien tani dashurinë e nënës sime për Ulqinin e saj ku e ka kaluar vajzërinë duke parë detin qënga kalaja.
“O ti detë, o ujë I njelmët
qi gjith ditën gjindesh plot
ti ke kadër me m’përpi
ku do të jetë mbarimi jot?!”.
“ Si nji peshk, moj, du me u ba
e në detë , moj, du me hi
të tanë peshqit, moj me I përzi”
“Tuj iu ngjitë Bunës përpjetë
ndër mendime tuj mendue
jalla, dush, ti , ku do t’jeshë
a po të bjen ndër mend për mue
…u shkrina si bora në shkamb …”
Jam duke mbyllur kompjuterin; më duhet të largohem nga kjo botë e vetmisë së mëngjesit për të hyrë nëpër vorbullën e ditës . Kur…
“Ti, moj kumbulla majoshe
pse s’më theshe, moj, kur më dojshe”
Medet, o tragjeditë e popullit tim! “Ai”, sigurisht që është martuar e mbase ka fëmijë, kurse “Ajo” ka refuzuar kaq e kaq unaza e shoqet e saja vënë të kuq ndër buzë tani.Eh!!! Majoshja e atëherëshme nuk I kish lënë askujt të kuptonte se nuk ishte bash “majoshe”. Ka vendosur të bëlbëzojë tani, por…ah!!!
“U mbajt mënd kjo dita e hane
deshte, moj me më helmue”
Në Shkoder është një këngëtar,. kaseta e cilit shitet me të shpejtë. Media e Tiranës asqë do t’ia dijë për të; as ai për median muzikore të kryeqytetit.
Si një “playboy” ai kënaqet me dashnoret e tija në qytetin e liundjes – këngët e tija, dhe asqë do t’ia dijë për “haremin’ në Tiranë. Agim Molla këndon këngët ashtu sic kanë qënë origjinale nga teksti. Ai , me kryenecësi këmbëngul vetëm “ashtu si kanë kenë fjalët së pari”.
Ja, le të shikojmë se c’del nga historia e njërës prej teksteve të gërmuara prej tij – këngës së Kicit. Kici është emër femre I përdorur në Shkodrën klasike.
Për helmimin e ditës së hane, viktima fajson Kicin. Përse ka dashur ta helmojë ajo Nuh Selmanin?
Këngëtari popullor nuk ka paraqitur as edhe një interes për këtë.
Se c’I ka bërë ai Kicit që ka dashur ta helmonte – asgjë. Ama…
Si e ka kërcënuar, sigurisht, më së fundi, te dera e kiciot është ndalur një kalë i ngarkuar me dru. Nuh Selmani ia ka dërguar Kicit, që ajo ta falë atë. Pikërisht ajo që ka dashur që ta helmonte.
Oh, gjithcka ka marrë fund në mënyrë fatale.
Trak e truk po ban kalldrami
Vjen kali me dru
Nuh Selmani, moj ta ka cue
Kici, moj, me u maretue
Nuh Selman, more Nuh Selman
Unë jam feju
Jam, feju në Elbasan
Kam marrë nji kapidan.
Sigurisht që edhe Kici ka kujtimet e saja me Nuh Selmaninm.
Por ka vendosur t’i varrosë.
C’bën kështu, moj bijë e mamasë
Gjith bota flasin keq për ty
Gjithmonë i kanë ezagjeruar fjalët për vajzat, por, në këtë këngë korcare, ka një mrekulli që të mahnit . Nuk ka asnjë figurë artistike, për be. Po c’i duhen figurat këtyre dy vargjeve? Për t’i përcudnuar? E shkreta vajzë! E shkreta dhe nëna e saj , e vetmja shoqe e saj, e vetmja qënie në botë që nuk e ka braktisur, që nuk e përflet, që i dhimbset shumë. Ende ajo është një vajzë që nëna e saj e ka mbajtur në pëqi, e ka përkëdhelur, e ka veshur bukur dhe i ka vënë dicka pas veshit, një të djegur tigani, që të mos ta marrin më syshë. Mirëpo, tani ka ngjarë dicka që nëna e shkretë nuk di c’të bëjë. Ajo nuk e qorton për asgjë, nuk di se për se ta qortojë. Vecse e pyet me dhëmbje se cfar ëhstë duke bërë ashtu, i bëftë nëna për rininë e saj. Korcarka e re , kjo sfiante , nga sfisantet që rrit vetëm Korca e vajzave të bukura i jep zëmër nënës së përgjëruar me këto fjalë:
Le të flasin
Sa të pëllcasin
Atë që dua unë do ta marr
Po unë, c’I lashë projektet e mia këtë mëngjes ; kam ngrënë nga orët e gjumit për të ushqyer dicka tjetër, e po shkruaj si djalosh I pëpirë në dashuri. Tamam kështu do të kisha vepruar po të qe përplasur dera dhe , me krahët hapur, prej krevatit të saj, të më ishte sulur përmbi tavolinën e punës duke bucitur si lum, qënia që dua më shumë në këtë botë, ime bijë, Ledia.
O burra, shpejt! Shpejtshpejtshpejt. Më pret rruga e kaltër , mua duke vërshëllyer dhe bicikletën time të shpejtë. Unë I përshëndes të gjithë, u uroj mëngjesin të gjithëve andej – këndej. Askush nuk e di se unë jam ngritur 2 – 3 orë pas mesnatës. Në punë më dijnë të ngopur me gjumë , ndryshe…e si mund të jetë njeriu në mëngjes me këtë humor të mrekullueshëm? Hehe…Asnjeri nuk e di sekretin tim…që, ja sa u besova të gjithëve.
Kam shaluar bicikletën tani dhe , nëpër asfalt, kur….Celulari… Është një zë…I një mikut tim të shtrenjtë…Është zë I pikëlluar…I pikëlluar shumë….si kurr ndonjëherë…Ai ka kompozuar mbi 300 këngë…shumicën e të cilave e këndojnë nëpër dasma. Unë e di. Ai ka qënë duke përgatitur për festivalin tonë nacional në Tiranë një këngë. Kënga I kushtohet një hajduti. Është një poet që I luet një hajduti që të vjedhë dicka.
– Xake! Nuk mund ta paraqes këngën për festival. Duhen para shumë për ta orkestruar. Ja, ta zëmë se I mora borxh. Po, c’të bëj, poqese nuk e pranojnë? Ti e di…për korrupsionin po flasin të gjithë në Shqipëri. Të gjithë dhe ngado…
Bicikleta tani po ecën si e xhindosur, pa pyetur për trafikun e tmerrëshëm të mëngjesit.
RIZA LAHI
Botuar te gazeta “Koha Jonë” me9 korrik 2005
Marre nga “Arkivi Rizai”


Leave a Reply