Nga: FATOS TARIFA
Në literaturën etnografike dhe antropologjike perëndimore shqiptarët e veriut janë portretizuar shpesh si një “racë malësorësh të vështirë, preokupimi kryesor i të cilëve ka qenë të luftonin mes njëri-tjetrit sa herë që nuk ishin të angazhuar në luftë me dikë tjetër” (Scriven 1918). Në mes të shekullit të 20-të, J. J. Hutton, i cili shkroi parathënien e librit të antropologes britanike Margaret Hasluck, E drejta zakonore në Shqipëri (The Unwritten Law in Albania), i përshkruante shqiptarët e veriut si “një popull me një kulturë shumë të veçantë dhe individualiste, të cilët, gjatë gjithë historisë së tyre, janë krenuar dhe vetkënaqur me izolimin e tyre” (Huttton 1954).
E drejta zakonore te shqiptarët e veriut dhe, veçanërisht, norma e gjakmarrjes, si aparati ndëshkimor i standardizuar i saj, vazhdojnë të jenë edhe sot subjekte historike, sociologjike dhe antropologjike me interes, të cilat janë trajtuar e trajtohen nga një varg këndvështrimesh teorike, duke filluar nga rryma dominuese në mendimin e shekujve të 18-të dhe 19-të, deri në teori të kohëve të sotme.
Është me interes të shtrosh, nga një perspektivë sociologjike-në një nivel të caktuar abstraksioni-se si gjakmarrja për të venë në vend nderin personal dhe atë të familjes u shndërruan nga një formë sjelljeje sporadike, e neglizhueshme, jorefleksive dhe shoqërisht e parregulluar, në një normë universalisht të detyrueshme, të pranueshme dhe të parashikueshme për shekuj me radhë ndër malësorët e Shqipërisë së Veriut, duke u bërë, pra, një sistemi kontrollues, siç ka qenë e sanksionuar ajo në Kanunin e Lekë Dukagjinit. A ka ndodhur kjo thjesht për shkak se, siç shkruante Milovan Djilas, irracionaliteti dhe ndjenjat që shtyjnë në gjakmarrje i ngjajnë “formës më të natyrshme, më tërheqëse të dehjes” (Djilas 1958: 107)? Apo, mos ndoshta kjo ka të bëjë me diçka tjetër dhe shumë më substanciale e më komplekse se kjo?
Një ekzaminim kritik i disa prej teorive dhe interpretimeve të bëra deri më sot mbi gjakmarrjen në Shqipërinë e Veriut vijon më poshtë. Duke marrë në konsideratë një numër interpretimesh-të vjetra e të reja-mbi gjakmarrjen, veçanërisht siç ka qenë kodifikuar ajo në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe siç është praktikuar për shekuj me radhë në malësitë e Shqipërisë së Veriut, unë nuk pretendoj këtu të jap ndonjë shpjegim alternativ; ajo çka unë përpiqem të bëj mund të konsiderohet një përpjekje për ta orientuar kërkimin dhe arsyetimin në një drejtim, i cili mund të ndihmojë për të arritur në një kuptim më të mirë të gjakmarrjes dhe, ndoshta, në një shpjegim më të informuar dhe më kompleks të saj.
Teoritë konvencionale
Gjakmarrja si një dukuri kulturore e dhënë
Nga të gjitha interpretimet që i janë bërë deri më sot gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut, ai që është më pak tërheqës për sociologët dhe antropologët është “teoria” sipas së cilës gjakmarrja te malësorët e Shqipërisë së Veriut është një karakteristikë pothuajse e natyrshme e tyre, një gjendje tipike natyrore, e cila pasqyron tribalizmin e tyre primitiv, madje një atribut primordial i racës së tyre “krejt të veçantë”. Siç shkruante William H. Cozens-Hardy më shumë se një shekull më parë, shqiptarët e veriut, ashtu si fqinjët e tyre malazezë, janë një popull për të cilin “çdo profesion tjetër, përveç të luftuarit, është nën dinjitetin e njeriut” (1894: 397). Nga këndvështrimi i kësaj “teorie”, lufta mendohej se ka qenë “profesioni kryesor dhe mendimi i parë” i malësorëve shqiptarë (ibid.), dhe se shoqëria e tyre ishte e tillë, që “burrat i kanalizonin energjitë e tyre në sjellje agresive vrasëse kundër njëri-tjetrit” (Schwartz 1955: 570). Për këtë shkak, pasioni për gjakmarrje në radhët e fiseve shqiptare konsiderohej se ishte një fakt kulturor i dhënë dhe një atraksion natyror, njëlloj si lidhjet dhe sentimentet fisnore. Ky pasion mendohej se kishte gjoja një cilësi emocionale dhe joracionale të pakontrollueshme. Për një burrë shqiptar, shkruante Carleton Coon, “besnikëria e tij e parë është ndaj ‘gjakut’ të tij, që do të thotë, ndaj familjes së tij të zgjeruar”, dhe “vetë akti i gjakmarrjes është një ritual, siç është edhe përsëritja konstante e nevojës për gjakmarrje” (Coon 1950: 37).
Argumenti se dhuna dhe gjakmarrja janë pasojë e tribalizmit, ose një kthim në të, është përdorur rëndom nga ata që kanë synuar e synojnë të shpjegojnë konfliktet dhe luftrat ndëretnike në Ballkan, veçanërisht atë midis serbëve dhe boshnjakëve, ose serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Në librin e tij Fantazmat ballkanike (Balkan Ghosts), Robert Kaplan (1993) e shpreh këtë pikëpamje në mënyrën më të qartë kur shkruan se: “këta popuj s’kanë bërë tjetër gjë veçse kanë vrarë njëri-tjetrin në luftra fetare dhe tribale për shekuj me radhë”.
Duke përshkruar malësorët e Shqipërisë së Veriut në fillim të shekullit të 20-të, George Scriven pohonte se “Jetët e tyre janë shuar në konflikt të vazhdueshëm me natyrën;…ata janë mësuar që në foshnjëri të luftojnë kundër njeriut po aq instiktivisht sa edhe kundër elementëve shkatërrimtarë të natyrës” (Scriven 1918). Edhe pse aspak më qartë se Scriven, Gabriele Annan shprehet po aq e sigurt përsa i përket këtij imperativi primordial në radhët e shqiptarëve të veriut. Kjo autore shkruan se “Malësorët e fiseve veriore kishin vetëm një interes dhe një hobi: gjakmarrjen. Pothuajse çdo gjë mund të merrej si fyerje dhe poshtërim që duhej hakmarrë vetëm me vrasjen e fajtorit apo të një anëtari të familjes së tij…Pothuajse çdo familje ishte në ‘gjak’ me dy apo tre të tjera” (Annan 1988).
Në kundërshtim me këtë pikëpamje, studimet e kryera deri më sot mbi dhunën kolektive dëshmojnë se sentimentet fisnore janë fakte sociale reale dhe mund të bëhen shumë të rëndësishme dhe emocionale por, në kohë të zakonshme, ato janë vetëm një ndër ato role dhe identitete që vërtetë kanë rëndësi. Përveç kësaj, afërsitë dhe identitetet fisnore variojnë nga një popullsi në tjetrën. Po të perifrazojmë dy ndër autorët më të njohur në shkencën politike të sotme, Juan Linz dhe Alfred Stepan (1996), identitete të tilla janë “më pak primordiale e të pandryshueshme, sesa janë të kushtëzuara e të ndryshueshme”. Ato janë të mundshme të krijohen e të ndryshohen përmes organizimit njerëzor dhe pëlqimeve politike.
Gjakmarrja si një mekanizëm kontrolli
Një tjetër interpretim i pasaktë i gjakmarrjes është ai neo-maltusian, i cili e konsideron këtë dukuri në malësitë e Shqipërisë së Veriut si një “mekanizëm karakteristik për të mbajtur nën kontroll shtimin e popullsisë” (Coon 1950: 40). Sipas Coon, midis fiseve të Shqipërisë së Veriut gjakmarrja dhe lufta ishin të vazhdueshme dhe shkaku i tyre kryesor ishte “presioni i popullsisë”. Po sipas këtij autori, gjakmarrja dhe vdekjet e shumta e të papritura, njëlloj si emigracioni, janë “valvula të domosdoshme mbrojtëse” për mbijetesën e një popullsie (ibid., ff. 32, 21). Stephen Wilson shpreh të njëjtën ide kur bën fjalë për Korsikën e shekullit të 19-të ku, sipas tij, “idioma e nderit përdorej për të justifikuar dhunën dhe spiralin fatal të gjakmarrjeve” midis familjeve, të cilat kishin për shkak konkurrencën për “resurset tepër të kufizuara” si një “imperativ ekonomik” (Wilson 1988a; 1988b).
Coon dhe Wilson nuk janë të vetmit që përpiqen të justifikojnë nga një këndvështrim neo-maltusian gjakmarrjen në kohët moderne. Duke studiuar dukurinë e gjakmarrjes në Malin e Zi, Christopher Boehm, gjithashtu, shprehet se gjakmarrja ka shërbyer dhe shërben si një formë për kontrollin e popullsisë (1987: 175-180). Argumenti bazë në të cilin mbështetet ky interpretim i tij është ai se gjakmarrja është një praktikë e tillë që i përshtatet mjaft mirë ekologjive në të cilat njerëzit konkurrojnë për resurset e kufizuara, si në Malin e Zi, në Shqipërinë e Veriut, në Apalachia, në malësitë Skocisë apo në kodrat dhe fushat vullkanike të Islandës-me fjalë të tjera, kudo ku, siç shprehet Boehm, “grupe të ndryshme viheshin rregullisht në kontakt me njëri-tjetrin në situata të tilla, në të cilat shmangia nuk mund t’i zgjidhte lehtë konfliktet midis tyre” (ibid., f. 240).
Një interpretim i tillë është krejt i pasaktë. Në malësitë e Shqipërisë e Veriut, në të cilat gjakmarrja është praktikuar më shpesh dhe në mënyrën më të ashpër, popullsia ka qenë gjithnjë e rrallë, pavarësisht resurseve natyrore që kanë këto zona. Përveç kësaj, ky interpretim injoron faktin gjerësisht të pranuar se imperativat demografikë nuk mund të kuptohen të izoluar, por veprojnë “gjithnjë të kombinuar me faktorë socialë dhe kulturorë” (Weinstein 2005: 55-56).
Gjakmarrja si tipar i varësisë njerëzore nga mjedisi
Një interpretim i tretë është që mbështetet në doktrinën e determinizmit gjeografik, të formuluar në shekullin e 18-të nga Monteskjë në veprën e tij Fryma e ligjeve (De l’esprit des lois). Coon (1950), për shembull, u referohet “relievit, klimës dhe pozicionit gjeografik larg rrugëve kryesore të udhëtimit e të migrimit”, si ata faktorë që i bënë malet dhe pyjet e Shqipërisë së Veriut të shndërroheshin në “një ndër rajonet më periferike dhe më të izoluara të Europës…të krahasueshme vetëm me Kaukazin dhe me lartësitë e Himalajës perëndimore.
Margaret Hasluck (1954: 1, 2), gjithashtu, u referohej “karakteristikave fizike fantastike, të cilat kanë përcaktuar mënyrën e jetesës së malësorëve [shqiptarë]”, duke argumentuar se tipare të tilla gjeografike kanë influencuar në organizimin fisnor që vazhdon të ekzistojë në popullsinë vendase, veçanërisht në malet dhe në luginat kryesore të Shqipërisë së Veriut, si në Shalë, në Shkrel dhe në Orosh.
Ky argument është i përhapur, por i dobët. Natyrisht, është e vështirë të mohohet se kulturat specifike të “traditës së vogël” (“little tradition” cultures), nëse përdorim gjuhën e antropologut të njohur të Shkollës së Çikagos, Robert Redfield (1947), kanë evoluar dhe mbijetuar në përputhje me mjediset e veçanta dhe unike, të cilat kanë bërë që ato të mbeten relativisht të pandikuara nga zhvillimi i kulturave të tjera. Sidoqoftë, vetëm kushtet e mjedisit nuk do të mjaftonin për të shpjeguar traditën “e vogël” e të izoluar të kulturës së gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut.
Gjakmarrja si sjellje
irracionale
Një ndër interpretimet që i bëhen kësaj dukurie është edhe ai, sipas të cilit, gjakmarrja është thjesht një sjellje irracionale dhe mund të shpjegohet vetëm përmes ndjenjave dhe gjendjes emocionale të individit që e kryen atë. Një “teori” e tillë është tepër sipërfaqësore. Edhe pse emocionet dhe ndjenjat luajnë, sigurisht, rolin e tyre, ato, në vetvete, nuk mund ta shpjegojnë dot vazhdimësinë e sjelljes gjakmarrëse dhe të vetë kësaj dukurie nga njëri brez në tjetrin. Sepse, si munden dhimbja ose zemërimi njerëzor të motivojnë vrasjen për gjakmarrje të dikujt që mund të ketë vrarë dike tjetër, ose që mund ta ketë fyer atë apo nderin e familjes së tij, ose si mund ta motivojnë ato, pra dhimbja dhe zemërimi, vrasjen e dikujt për gjakmarrje për shkak të një vrasjeje që mund të ketë ndodhur ose që ka ndodhur në dekada më pare, madje përpara se vetë vrasësi të kishte lindur? Në shumë raste, në Shqipërinë e Veriut gjakmarrja kryhej pas një kohe të gjatë që kishte kaluar nga vrasja paraardhëse. Koha ndërmjet një vrasjeje dhe marrjes gjak në emër të saj mund të ishte shumë e gjatë por kjo, sidoqoftë, nuk e zbehte kujtesën e malësorit për të dhe as nevojën për të marrë gjak. Ian Whitaker (1968) dëshmon se në vitin 1909, fisi i Shalës mori gjak duke vrarë një burrë nga Shkreli për një vrasje që kishte ndodhur 65 vite më parë.
Natyrisht, emocionet e forta të dhimbjes, të keqardhjes apo të urrejtjes që shkaktojnë vrasja e një anëtari të familjes, ose edhe e një të afërmi, nuk mund të mohohen. Emocione të tilla janë pjesë e eksperiencës sonë njerëzore. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, emocione të tilla dobësohen dhe e humbasin si intensitetin e tyre, ashtu edhe propensitetin për t’u hakmarrë, nëse ato nuk do të mbaheshin gjallë e nuk do të nxiteshin nga një ndjenjë e detyrimit moral dhe shoqëror, ose nga frika e trupit nëse dështon të marrësh hak. Pikërisht këtu, normat shoqërore, me autoritetin e tyre detyrues, luajnë një rol shumë të rëndësishëm duke na ndihmuar të kuptojmë botën durkheimiane të homo sociologicus në Shqipërinë e Veriut dhe në shoqëri të tjera mesdhetare, si Mali i Zi, Korsika apo Siçilia, në të cilat, konceptet mbi nderin dhe turpin historikisht kanë pasur dhe kanë një rëndësi shumë të madhe në kulturat e tyre (Peristiany 1966; Davis 1977:89-101).
Normat shoqërore nuk bëhen detyruese sa hap e mbyll sytë, as brenda një kohë të shkurtër, por në procesin e gjatë të ndërveprimeve shoqërore e të ngjarjeve të përsëritshme shpesh, të cilat u japin këtyre normave aq fuqi, sa ato të njihen, të pranohen e të respektohen thuajse nga të gjithë anëtarët e një komuniteti të caktuar, madje në atë shkallë, sa në rast se dikush i shkel ato, pasojat për të si individ bëhen jashtëzakonisht të padëshirueshme. Unë pajtohem me atë çka mendoj se është argumenti kryesor që ofron Jon Elster, se normat shoqërore respektohen dhe ruhen “për shkak të ndjenjave të poshtërimit, të ankthit, të fajit e të turpit që provon një individ nëse i shkel ato” (Elster 1989). Rrjedhimisht, siç vë në dukje Elster, sado impulsive ose irracionale që të duket gjakmarrja, si një formë sjelljeje njerëzore, ajo, në kultura të caktuara, është rezultat i pashmangshëm i asaj çfarë mund të ndodhë nëse do të shkeleshin normat tepër rigoroze dhe të detyrueshme për çdo anëtar të komunitetit, që motivojnë dhe kushtëzojnë këtë lloj sjelljeje-sanksione shoqërore dhe dënime tepër të pamëshirshme, nga poshtërimi publik e deri në dëbimin nga komuniteti. Këto, e bëjnë gjakmarrjen një sjellje racionale, që bazohet në një analizë specifike të kostos e të përfitimit. Me fjalë të tjera, racionaliteti i një sjelljeje të tillë që respekton normat dhe u nënshtrohet rregullave të sanksionuara tradicionalisht, kur vjen puna për të marrë gjak në emër të nderit personal ose të familjes, shpjegohet me domosdoshmërinë për të shmangur me çdo çmim poshtërimin dhe turpin që shkaktojnë mosrespektimi i tyre, si edhe për të evituar sanksionet ekonomike e sociale që lidhen me to. Sepse, siç argumenton Elster (1989), kurdoherë që ekziston një normë për të bërë një veprim X, ekziston, gjithashtu, edhe një “meta-normë” që ndëshkon me sanksione ata njerëz që nuk arrijnë të realizojnë këtë veprim X.
Gjakmarrja si një faktor parandalues
Një ndër interpretimet më të njohura mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe mbi gjakmarrjen, si pjesë qendrore e tij, është se ky korpus i së drejtës zakonore shqiptare kishte për qëllim të kufizonte numrin e madh të vdekjeve duke inkurajuar një gjakmarrje të kontrolluar dhe të pasuar nga një drejtësi e rreptë. Edhe pse unë nuk kam ndeshur deri më sot ndonjë pohim eksplicit të kësaj pikëpamjeje, disa autorë kanë marrë këtë qëndrim, duke besuar se Kanuni, edhe pse ai e instigon vrasjen, ka shërbyer, në fakt, për të rregulluar efektivisht gjakmarrjen duke evituar një kaos të përgjithshëm. Për shembull, Lord Broughton, i cili, në fillim të shekullit të 19-të, bashkë me mikun e tij të ngushtë, Lord Byron, ndërmorën udhëtimin e tyre të famshëm në Shqipëri, në Greqi dhe në Turqi, mendonte se gjakmarrja e menjëhershme në radhët e shqiptarëve të veriut kishte një efekt parandalues. Ai shkruante: Zakoni i mbajtjes së armës në mënyrë të hapur…në vend që t’i shtojë, i pakëson rastet e vrasjeve, sepse nuk është e mundur që një njeri të marrë nëpër këmbë nderin e dikujt duke e rrezikuar që për këtë, aty për aty, ai të humbasë jetën e tij” (Broughton [1813] 1858:134).
Për ata që mbrojnë një pozitë e tillë, argumenti i përgjithshëm është se rregullat e hakmarrjes kryejnë një funksion shoqëror që i shërben zgjidhjes së konflikteve dhe reduktimit të dhunës në një nivel më të ulët nga ç’do të ishin ato në mungesë të këtyre normave. Christopher Boehm (1984: 88), për shembull, mbron pikëpamjen se konfliktet janë më të pakta në ato shoqëri, normat e të cilave rregullohen nga kodi i nderit, për shkak se çdo individ e di se mosrespektimi i tyre mund të kenë pasoja shkatërrimtare. Por, siç vë në dukje Jon Elster (1989), nuk mund të thuhet me saktësi nëse në shoqëritë që aplikojnë normën e gjakmarrjes ka më pak konflikt sesa në gjendjen natyrore, pasi në gjendjen natyrore, për shkak se njerëzit nuk do të donin të dëmtonin njëri-tjetrin thjesht për të marrë hak, shkalla e dhunës mund të jetë me e vogël.
Edhe pse një teori e tillë “deterrente” është vështirë të vlerësohet, unë dëshiroj të ofroj tri argumente kundër saj: Së pari, një “teori” e tillë nuk arrin të shpjegojë se përse gjakmarrja ka lindur, në radhë të parë, dhe ka ekzistuar si një normë shoqërore për shekuj me radhë. Edhe nëse pajtohemi për një moment me idenë se gjakmarrja kryente një funksion parandalues për vrasje të mëtejshme, funksioni që kryen diçka, siç vë me të drejtë në dukje Emile Durkheim, nuk shpjegon ekzistencën e saj. Sipas Durkheim-it, “ne jemi në gjendje ta zbulojmë më lehtë funksionin [e një dukurie] nëse dimë më parë shkakun e [ekzistencës së] saj (Durkheim [1895] 1982: 124).
Së dyti, një “teori” e tillë nuk merr në konsideratë faktin që ndërsa gjakmarrja ka qenë një dukuri shumë e përhapur, madje një “ligj i maleve” në Shqipërinë e Veriut, ajo nuk ka ekzistuar në Shqipërinë e Jugut. Sa për vëzhgimet e Lordit Broughton, duhet thënë se, ndryshe nga udhëtarë të tjerë anglezë para dhe pas tij, ai vetë nuk krijoi një njohje dhe eksperiencë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë e Veriut. Broughton udhëtoi vetëm në një territor të kufizuar në pjesën më jugore të vendit, pranë kufirit me Greqinë-siç dëshmon, ndër të tjera, edhe pohimi i tij se “janë të paktë ata [shqiptarë] që nuk flasin greqisht” (Broughton [1813] 1858: 135)-dhe, po kështu, përshkrimi që ai u bënte malësorëve banditë të jugut nuk ka asnjë lloj ngjashmërie me malësorët e Shqipërisë së Veriut. Qoftë edhe për këto arsye, argumenti i tij mbi funksionin parandalues të gjakmarrjes është krejt i parëndësishëm për diskutimin në fjalë.
Së treti, nëse parandalimi ose kontrollimi i gjaqeve të pafundme ka qenë qëllimi i saj, si shpjegohen atëherë detyrimi dhe presioni shoqëror për të marrë hak sa më parë, si edhe poshtërimi universal nëse gjakmarrja vonohej? Numri shumë i madh i viktimave që shkaktonte gjakmarrja e kundërshton argumentin qendror të kësaj “teorie”.
Në Shqipërinë e Veriut, gjaku mund të merrej duke vrarë cilindo anëtar të familjes në gjak dhe gjaku i derdhur rishtas kërkonte përsëri gjak si kompensim. Rezultati ishte një tendencë natyrore drejt shtimit të rasteve të gjakmarrjes. Në fillim të shekullit të 21-të, konsulli francez në Shkodër, August Degrand, raportonte se vetëm gjatë një muaji, në një fshat të vetëm të krahinës së Mirditës ishin vrarë dyzet e dy burra (Degrand 1901: 159n). Don Ernesto Cozzi, nga ana e tij, në vitin 1910 vlerësonte se përqindja e meshkujve shqiptarë që vriteshin për gjakmarrje shkonte nga 5 për qind e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në Reç në 42 për qind në Toptanaj (Cozzi 1910). Po në të njëjtin vit, një ndër priftërinjtë françeskanë të Shoshit e informonte Ludwig Edlinger-in se 80 për qind e vdekjeve në radhët e meshkujve kishin si shkak gjakmarrjen (Edlinger 1910: 84). Noel Malcolm pohon se më 1912, viti që shënoi shkëputjen përfundimtare të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, 19 për qind e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në radhët e meshkujve të rritur në malësitë e Shqipërisë së Veriut kishin ndodhur për shkak të gjakmarrjes dhe se në një zone të Kosovës Perëndimore, e cila kishte vetëm 50 000 banorë, çdo vit vriteshin për gjakmarrjen rreth 600 vetë (Malcolm 1998:20).
Kaq të shumta e tragjike ishin vrasjet për gjakmarrje në disa prej zonave malore më të thella, saqë në to rrallë gjeje ndonjë burrë të moshuar, pavarësisht se malësorët shqiptarë, si rregull, jetonin gjatë. Burrat vriteshin përpara se ata të arrinin një moshë të thyer (Scriven 1918). Sipas Ronald Mattheës, në vitin 1934, vetëm 30 për qind e burrave në malësitë e Shqipërisë së Veriut kishin vdekur në shtrat (Mattheës 1937), ndërsa gjatë 40 viteve të para të shekullit të 20-të, 40 për qind e vdekjeve në radhët e meshkujve në ato zona i atribuoheshin gjakmarrjes (Sestini 1943:274). Pietro Quaroni, një diplomat i njohur Italian i cili shërbeu në Shqipëri në periudhën midis dy luftërave botërore, raportonte se, në prag të Luftës së Dytë Botërore, gjakmarrja, bashkë me malarien, ishin shkaqet kryesore për rënien e nivelit të lindshmërisë në Shqipërinë e Veriut (Quaroni 1966).
(Vijon numrin e ardhshëm)
(er.nu/MIlosao/BalkanWeb)
Leave a Reply