![]()
Kartelet meksikane të drogës po e përmbysin Amerikën me një dallgë heroine të lirë. Ajo konsiderohet si arma e vërtetë e shkatërrimit në masë për familjet dhe shoqërinë. Varësia në SHBA është sot në nivelin më të lartë në histori
Ian Pannell, BBC
Abuzimi me heroinën në SHBA është përhapur shumë përtej asaj që ka qenë duke krijuar një rritje të shpejtë të varësisë dhe vdekjeve. Çikago është një qendër për heroinë të lirë, të pastër dhe të bollshme, shumica e të cilës furnizohet nga kartelet meksikane të drogës.
![]()
Linja e trenit “L” në Çikago të çon drejtpërsëdrejti në tregun e drogës në qiell të hapur në pjesën perëndimore të qytetit. Ndërsa ne udhëtojmë me një nga njerëzit e drogës, Xhezon, ai telefonon kontaktin e tij. Ai kërkon dy qese me heroinë, secila kushton vetëm 10 dollarë. Shitësi na takon dhe brenda pak sekondave dorëzon dy qeset.
![]()
Kjo pjesë e Çikagos ka mbetur e lënë pas dore, droga dhe krimi është i gjithëpërhapur dhe banorët flasin hapur për këtë gjë. Nga të katër njerëzit që na ndaluan dhe na pyetën se çfarë po xhironim, të gjithë thanë se ata kanë marrë heroinë.
Policia është këtu, por ata duket se përballen me pamundësi për shkak të përhapjes së madhe të abuzimit me heroinën. Gati gjysmë milioni amerikanë mendohet se janë nën varësinë e heroinës. Një grua që ne takuam në një burg të kontesë – tha se qe burgosur për vjedhje që kishte bërë për të ushqyer vesin e saj. Ajo e quan heroinën “epidemi”.
![]()
“Unë nuk mendoj se këta oficerët e policisë e dinë se sa keq është atje jashtë”, thotë ajo.
Kur kthehemi në një lagje të varfër të Çikagos, pesë të droguar po injektojnë drogën te një nënkalim. Disa gjakosen ndërsa përpiqen dëshpërimisht të gjejnë venën për të injektuar lëngun lehtësisht të kuqërremtë në trup.
![]()
Greg nuk mund të gjejë një venë dhe e injekton drejtpërsëdrejti në bicepësh – diçka që ai e quan “injektim në muskul”.
“Krahët i kam të lodhur”, thotë ai. “Kjo është çfarë më duhet të bëj nëntë në çdo dhjetë herë për shkak se krahët i kam të dobët”. Greg dhe Stejsi po bien të flenë.
Stejsi e mori heroinën për herë të parë kur qe 11 vjeç. Tashmë të dy jetojnë si burrë e grua në këtë botë të nëndheshme, partnerë në varësi dhe janë prindër të tre djemve të rinj.
“Gjëja më e rëndë është fakti që nuk jemi të disponueshëm për ta”, thotë Greg. “Unë mendoj për ta çdo ditë. Dhe përpiqem të kufizoj dozën, por është shumë e vështirë”.
Prindërit Greg dhe Stejsi thonë se heroina “ua ul dhimbjen” e humbjes së fëmijëve të tyre. Shumica e heroinës vjen nga Meksika, ku prodhimi është rritur me më shumë se 600 për qind përgjatë dhjetë viteve të fundit.
![]()
Heroina është shpesh më e lirë dhe më e lehtë në përdorim sesa drogat me recetë, të cilat janë bërë më të shtrenjta dhe më të vështira për t’u gjetur.
Muajin e kaluar autoritetet e Meksikës arrestuan Joakuin “El Çapo” Guzman, i dyshuar si bosi i kartelit Sinaloa. Komisioni i Krimit të Çikagos e shpalli atë vitin e kaluar Armiku i Popullit Numër Një.
Agjencia e antidrogës vlerëson se ky kartel furnizon 70 për qind të të gjitha drogave ilegale të shitura në rrugët e Çikagos. Por nuk është e qartë se arrestimi i tij do të ndalojë apo jo lumin e heroinës, veçanërisht në rast se kërkesa në SHBA mbetet e fortë.
Gjithnjë e më shumë, droga nuk u përket më vetëm të varfërve të qytetit. Vdekja e fundit e aktorit Filip Sejmor Hofman (Philip Seymour Hoffman) nga një mbidozë aksidentale e një miksi drogërash përfshirë heroinë, tërhoqi vëmendjen për diçka që policia e di prej ca kohësh – heroina gjendet gjithkund.
“Varësia nga droga është ndoshta në nivelin më të lartë në të gjitha kohërat”, thotë agjenti special, Xhek Rilej (Jack Riley), kreu i DEA-s për rajonin.
“Unë e kam bërë këtë për 30 vjet virtualisht në çdo cep të këtij vendi dhe nëse ka ndonjë gjë që mund të konsiderohet armë e shkatërrimit në masë për familjet apo bashkësitë, apo të gjithë shoqërinë, kjo është heroina. Thjesht nuk i kuptoj njerëzit që nuk e shohin këtë rrezik. Shërbimet sociale janë të mbingarkuara me punë, shërbimet e kujdesit shëndetësor janë të mbingarkuar, megjithatë krimi i organizuar i Meksikës dhe bandat e rrugës bëjnë miliarda”.
Rritja më e madhe e përdoruesve është mes të rinjve.
Kërkuesit sugjerojnë se rreth 34 mijë njerëz mes moshës 12 dhe 17 vjeç tashmë po provojnë për herë të parë heroinën çdo vit, ndërsa droga bëhet më e lirë dhe më e disponueshme.
Shumë prej konsumatorëve jetojnë përtej qyteteve të mëdha, në qytete të vogla apo në fshatra.
Ja dy viktima të reja të heroinës: Stiven (Steven) Lunardi ka hequr dorë për më shumë se një vit, por Stefani Çiakas (Stephanie Chiakas) vdiq nga mbidoza në moshën 17 vjeç. Lunardi është rritur në një lagje të shtresës së mesme në periferi të Çikagos.
Ai filloi të përdorë heroinë kur qe 18 vjeç dhe thotë se “çdo gjë ndryshoi” kur filloi ta injektojë. “Shëndeti, pamja, miqtë, qejfet dhe posedimet u vyshkën”, thotë ai.
Ai ikte nga universiteti për të blerë drogë në anën perëndimore, duke e injektuar atë gjatë pushimit në banjë. Ai thotë: “Përgjatë kohëve më të këqija, shpenzoja disa qindra dollarë në ditë”, rreth 25 qese.
Pasi kaloi rehabilitimin, Lunardi ka qenë i pastër për më shumë se një vit. Por jo të gjithë përdoruesit gjejnë rrugën e daljes.
Stefani Çiakas (Stephanie Chiakas) qe vetëm 17 vjeç kur vdiq nga mbidoza. Babai i saj, Ken, thotë se ai qan çdo ditë. “Nuk po kërkoj simpati”, thotë ai “është thjesht diçka që nuk e kontrolloj dot. Ndjeja është e pabesueshme.
Familja e Stefanisë bëri një film në kujtim të saj. Fotot e saj shkrihen, fillimisht si një vajzë e vogël dhe pastaj si të gjitha adoleshentet amerikane.
“Unë thjesht dua të flas dhe të edukoj njerëzit”, thotë Çiakas. “Ata nuk duan të flasin për këtë. Ata nuk duan ta besojnë. Nuk është më panorama e zakonshme e dikujt që jeton nën urë dhe është i droguar. Shiko njëherë te fqinji yt. I droguari mund të jetë edhe fëmija yt”.
Gazeta Shqip


Leave a Reply