![]()
Ati i Shenjtë, Papa Françesku pritet të zhvillojë një vizitë në Shqipëri vjeshtën e këtij viti.
Ftesës së Kryeministrit Edi Rama për të vizituar vendin tonë në një të ardhme të afërt, gjatë takimit të zhvilluar në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku i është përgjigjur pozitivisht dhe siç duket do të jetë fundi i shtatorit, koha e realizimit të kësaj vizite në vendin tonë.
Më 24 prill, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga bashkëshortja Linda Rama, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u pritën në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore.
Kryetari i Partisë Demokristiane, deputetit Nard Ndoka nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur datën e vizitës në vendin tonë të Atit të Shenjtë.
“Një lajm shumë i mirë për besimtarët katolikë dhe Shqipërinë.Më datë 21 shtator, Papa Françesku do të vizitojë vendin tonë.Vëmendja e gjithë botës do jetë tek Shqipëria, bekimi i Papës së Shenjtë do të jetë për ne”, shkruan deputeti Ndoka
Korresp. 24-ore


Leave a Reply