Fejzula Abdulai
KALENDAR JULIAN APO GREGORIAN?
Në një shkrimin tonë të mëparshëm, të publikuar në këtë vebsajt, kemi dhënë disa hollësira mbi kalendarin lunar ose, siç quhet ndryshe në botën islame, kalendar hixhër. Tani do bëjmë fjalë mbi kalendarin tjetër që është në përdorim (kalendari solar ose diellor). Vall ky kalendar është julian apo gregorina? Madje, kalendari që është në përdorim, veç që quhet gregorian, quhet edhe kalendar i ri. Pse? Përgjigjen e këtyre pyetjeve do ta japim në tekstin në vazhdim.
PAK FJALË MBI TË KALUARËN E KALENDARIT
Qysh në kohët më të vjetra njerëzit kanë qenë të interesuar që të llogaritin kohën. Të dinë se ç’është dita, sa zgjat dhe kur mbaron; madje, të dinë për stinët e vitit, kur fillojnë dhe kur mbarojnë dhe sa zgjatin; për motin, kur fillon dhe kur mbaron dhe sa duhet të zgjatë, e kështu me rradhë. Prandaj mund të thuhet se, kalendari si krijesë e njeriut është mjaft i vjetër.
Në Lindjen e Mesme (për Evropën është Lindje e Afërme) popuj më të vjetër që kanë formuar kalendarin e vet kanë qenë Asirët. Kalendari i tyre bazohej në fazat e Hënës. Muaji sipas tyre pat filluar me paraqitjen e parë të crezen-it (dukja e hënës në formë të drapërit) hënor që mund të vërehet më mirë në mbrëmje, menjëherë pas perëndimit të Diellit, kur fillon dita tjetër. Ata e kanë ditur se lunacoin-i ka zgjatur 29 ditë e gjysëm, kurse viti lunar ka zgjatur 354 ditë, duke qenë për 11 ditë më i shkurtër prej vitit diellor.
Egjyptjanët e vjetër kanë pasur kalendar tradicional dhe mjaft të saktë, i cili ka pasur 12 muajë me nga 30 ditë. Në çdo fund viti kanë shtuar nga pesë ditë ekstra. Në kohën e Eratosten-it është bërë reformë e kalendarit të vjetër egjyptjan, kështu që viti tani ka pasur 365 ditë dhe çdo vit i katërt 366 ditë.
Kalendari i Romak.- Për këtë kalendar gjerësisht do të bëhet fjalë në tekstin në vazhdim.
Kalendari mysliman (Islam) ose hënor, sikurse ai i Asirëve, bazohet në fazat e Hënës (kalendar lunar). Më vonë ky kalendar, për shkak të kushteve shoqërore-historike që qenë paraqitur në kohën e Profetit Muhamed (a.s.) e merr emrin Kalendar Hixhër.
KALENDARI DHE TIPAT E KALENDARIT
Kalendari është mënyra e përcaktimit të kohës duke u bazuar në dukuritë natyrore, përkatësisht lëvizjeve të trupave qiellorë, të cilat periodikisht për kohë të caktuar përsëriten (rrotullimi i Tokës rreth boshtit të vet, rreth Diellit dhe rrotullimi i Hënës rreth Tokës).
Ekzistojnë tre tipa kalendari: diellor (solar), hënor (lunar) dhe hënor-diellor (lunar-solar). Se çfar emri do ketë kalendari varet se në cilën lëvizje bazohet, të hënës, të diellit, apo të të dy trupave qiellorë. Në pjesën më të madhe të botës sot është në përdorim kalendari hënor-diellor (lunar-solar). Ky kalendar bazohet në vitin tropik dhe muajin sinodik të Hënës (rrotullimit të Tokës rreth Diellit dhe Hënës rreth Tokës). Kalendari hënor (lunar) është në përdorim në botën muslimene (Islame). Në vazhdim do bëhet fjalë për kalendarin diellor (solar).
KALENDARI DIELLOR
Kalendari diellor, ose bashkëkohor që është në përdorim, bazohet në rrotullimin e Tokës rreth Diellit, dhe daton qysh prej romakëve të vjetër. Siç përmendëm më lart, ky kalendar është shumë i vjetër, por me kalimin e kohës është përsosur. Romakët e patën huazuar nga egjiptjanët (sipas disa autorëve nga grekët e vjetër), pasi i tyrja pat qenë më i saktë. Kalendari i vjetër romak daton prej vitit 738 p.e.re. Pat numëruar 304 ditë të ndara në 10 muajë. Në kohën e Jul Cezarit, mangësitë e këtij kalendari pjesërisht qenë shmangur.
Ky kalendar me një vjetërsi mbidymijëvjeçare, ndryshime të theksuara pat në dy periudha kohore. E para është koha e Jul Cezarit dhe e dyta e papës Gregori i XIII. Kalendari i periudhës së parë quhet kalendari julian, kurse i dyti quhet kalendari gregorian. Në vazhdim do të japim shpjegim mbi kalendarin julian, e pastaj mbi atë Gregorian.
REFORMAT E KALENDARIT
Kalendari bashkëkohor prejardhjen e ka prej kalendarit të vjetër romak, i cili vitin e pat të ndarë në 10 muajë dhe 304 ose 305 ditë. Për shkak të mangësive që i pat, në vitin 46 p.e.re, J u l C e z a r i bëri reformimin e kalendarit të gjeratëhershëm duke e implementuar atë egjiptjan, të cilin ia pat propozuar astronomi i Aleksandrisë, Sosigin. Sipa këtij kalendari viti ndahej në 12 muaj e 365,25 ditë. Emrin e pat marrë Julian, sipas Cezarit. Sipas tij viti ka 365 ditë, dhe çdo vit i katërt quhej i brishtë me 366 ditë duke i shtuar shkurtit një ditë. Shpesh quhet edhe “kalendar i vjetër”. Në kalendarin julian vite të brishtë janë të gjitha ato vite që janë të plotpjestueshme me katër, si bie fjala viti 2000, 2004, 2008, 2012 e kështu me radhë. Kalendari julian, pra, ka 365 e 6 horë. Këtu viti, prej atij tropik (diellor) që zgjat 365 ditë, 5 horë, 48 minuta e 46 sekonda, është më i gjatë për 11 minuta e 14 sekonda. Edhe pse në dukje dallimi është i vogël, por për 128 vjet kjo është një ditë e plotë, kurse për 384 vjet plot tre ditë. Kjo kohë është e mjaftueshme që dukuritë astronomike të mos përputhen me datën e paraqitjes sipas kalendarit.Kështu,p.sh. dita e pranverës pas 128 vjet do paraqitet një ditë përpara se dita e parashikuar me kalendar. Me kalimin e kohës ndryshimi është akoma më i madh.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVI ekuinaku i realtë i pranverës paraqitet 10 ditë përpara, përkatësisht më 11 mars, e jo më 21 mars të ekuinakut kalendarik. Me qëllim që të shmangen dallimet e këtilla, papa G r e g o r i i XIII, në vitin 1582 bëri reformimin e kalendarit julian. Ndrryshimet janë këto:
Pas 4 tetorit 1582 data që vijon nuk do të jetë 5 tetor, por 15 tetor (10 ditë përpara).
Që të mos përsëritej gabimi i njëjtë në të ardhëshmen, pas çdo 400 vjet prej kalendarit duhet të hiqen 3 ditë, kështu që në kalendarin e vjetër julian në 400 vjet i ka 100 vite të brishtë, kurse në atë gregorian 97.
Në kalendarin e ri gregorian vite të brishtë janë vetëm vitet e shekujve që mbarojnë me dy zero dhe shuma e tyre është e plotpjestueshme me 400. Kështu, p.sh., viti 1600 është i brishtë për të dy kalendarët pasi është i plotpjestueshëm me 400. Vitet 1700, 1800 ose 1900 janë të brishtë vetëm për kalendarin julian sepse janë të plotpjestueshëm me katër, por jo edhe me 400. Ndaj, dallimi i mëparshëm prej 10 ditësh ndërmjet kalendarit të vjetër julian dhe atij të ri gregorian, rritet në 13 ditë sepse viti 2000 është i brishtë për të dy kalendarët.
Kalendarit gregorian prej 5 Tetor 1582 gjer më 28 Shkurt 1700 i janë bashkangjitur 10 ditët e kalendarit julian; gjer më 28 Shkurt 1800 i bashkangjiten 11 ditë; gjer më 28 Shkurt 1900 12 ditë; gjer më 28 shkurt 2100 13 ditë, d.m.th shtohet një ditë çdo 100 vjet. Pas vitit 2100 dallimi do të jetë për 14 ditë.
Nga të dhënat e mësipërme shihet se kalendari gregorian është më i saktë se ai julian. Megjithatë, edhe kjo nuk do të thotë se ky kalendar është i përsosur. Nga ky kalendar duhet çdo 384 vjet të hiqen 3 ditë. Mirpo pas kalimit të 3300 vitesh ekuinaku i vërtetë pranveror do të jetë më 20 mars. Edhe tani shihet një mossaktësi, për këtë shkak prej kalendarit gregorian pas kalimit të kësaj kohe duhet të hiqet një ditë. Këto mossaktësi janë aqë të parëndësishme sa mundet thjesht të ignorohen.
Edhe pse më vonë pasukses qe bërë tentativë për një kalendar të ri, mund të thuhest lirisht se mangësitë e kalendarit të sotëm në saktësinë e logaritjes së kohës në raport me atë të dukurive astronomike janë të pakuptimshme, dhe nuk ka nevojë që të bëhet kurfarë korekcioni. Në kalendarin pra, gregorian, muajët fillojnë në ditë tëndryshme të javës dhe kanë numër jo të barabartë të ditëve, prej 28 gjer më 31. Numri i ditëve në një kuartal të vitit sillet prej 90 gjer më 92. Në gjysmën e parë të vitit ka 181 ose 182 ditë, kurse në të dytën 184 ditë. Tabela e kalendarit ndryshohet çdo vit. Fillimi i vitit dhe datat nuk bijen çdo herë në ditë të caktuara të javës.
MUNDËSIA PËR NJË KALENDAR TË PËRSOSUR
Me qëllim që të shmangeshin disa mangësi të kalendarit të sotëm, në shekullin e 20 u bënë tentativa për korigjimin e tij. Në vitin 1923 Shoqata e Kombeve formoj komitet special për reformimin e kalendarit. Pas Luftës së Dytë Botërore për reformimin e kalendarit u angazhua edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Prej mbi 200 kalendarësh, sa qen propozuar, si më i mirë qe shpallur kalendari i shkencëtarëve të Indisë. Ky kalendar u quajt “Kalendar botëror”. Sipas këtij kalendari moti ndahej në katër kuartalë me gjatësi të barabartë. Çdonjëri ka pas 91 ditë e 13 javë. Madje, kuartali përbëhej prej tre muajëve, i pari ka pasur 31 ditë, kurse dy të fundit nga 30 ditë. Çdo kuartal e çdo vit fillonin të djelën dhe mbaronin të shtunën. Çdo muajë ka pas 26 ditë pune. Në çdo kuartal ditët e njëjta të javës në vitet vijuese do të kishin datat e njëjta. Sipa këtij kalendari, katër kuartalë kanë 364 ditë, kurse dita e 365 është pa datë dhe nuk i përket asnjë kuartali. Kjo ditë është dita e Vitit të Ri, ose Dita Ndërkombëtare e Paqës dhe Miqësisë (DNPM). Kjo ditë vendohet ndërmjet 30 dhjetorit dhe 1 janarit. Çdo vit të katërt (vit i brishtë) ndërmjet kuartalit të dytë e të tretë (ndërmjet 30 qershor dhe 1 korrik) shtohet dita e dytë e “Ditës ndërkombëtare” ose “Dita e vitit të brishtë”.
Projekti i këtij kalendari qe pranuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1954. OK të Bashkuara të gjithë shteteve u rekomandoj që kalendarin e ri botëror ta vene në përdorim prej 1 janar 1961. Mirpo shumë shtete për shkaqe religjioze nuk ishin në gjendje që të përdorin një kalendar të këtillë, ndaj edhe mëtutje mbeti në përdorim kalendari gregorian.
NJËSITË MË TË VOGLA TË KALENDARIT
Viti i kalendarit që është në përdorim, përkatësisht kalendari gregorian numëron 365 ditë 5 horë, 48 minuta dhe 46 sekonda. Ndahet në katër njësi me gjatësi jo të barabartë. Njësitë më të mëdha të vitit të quajtura stinë, janë: pranvera, vera, vjeshta dhe dimri. Dy stinët e para jan më të gjata se dy të fundit. Për një pasqyrë më të mirë, këtë po e paraqesim tabelarisht:
Emri i stinëve Nr. i dative
Pranvera 92.76
Vera 93.65
Vjeshta 89.84
Dimri 88.99
Nga tabela e paraqitur shihet se dy stinët e para janë më të gjata se dy të funit për 7.58 ditë. Pranvera prej vjeshtës është më e gjatë për 2.92 ditë, kurse vera prej dimrit për 4.66 ditë. Tash parashtrohet pyetja: Pse stinët e para janë më të gjata se dy të fundit, përkatësisht pse vera është më e gjatë se dimri? Përgjigjja e pyetjes mund të shihet në lëvisjet astronomike, përkatësisht në rrotullimin e Tokëd rreth Diellit. Gjatësia jo e barabartë e stinëve është përshkak se orbita e Tokës rreth Diellit është në formë të elipsës. Ndaj Toka në Janar kur është më afër Diellit, përshkak të gravitacionit më të madh, lëvizjen e ka më të madhe dhe nuk ka mundësi që të pranojë nxehtësi të duhur nga Dielli. Në stinën e verës është e kundërta, edhe pse Toka është më lark shpejtësia është më e vogël, ndaj edhe koha është më e gjatë për të pranuar nxehtësi më të madhe nga Dielli.
Stinët e vitit fillojnë me dukuritë astronomike. Pranvera fillon rreth 21 Mars në ekuinakun e pranverës. Kjo do të thotë në kohën kur dita është e barabartë me natën. Në këtë kohë rrezet e Diellin bien pingul (në kënd prej 90º gradë) në Ekuator dhe në mënyrë të barabartë i ndriçojnë të dy hemisferat e Tokës (veriore e jugoren). Vera fillon prej solstikut të verës më 21 ose 22 Qershor (dita është më e gjatë se nata) dhe zgjat gjer në ekuinakun e vjeshtës rreth 21 Shtator (dita me natën janë të barabarta) kur fillon vjeshta. Vjeshta vazhdon gjer në solstikun e dimrit rreth 21 ose 22 Dhjetor (nata është më e gjatë se dita) kur fillon stina e dimrit. Më poshtë po e paraqesim fillimin e stinëve të vitit në disa vite kalendarike:
Viti Pranvera Vera
1996 20 Mars 21 Qershor
1997 20 Mars 21 Qershor
1998 20 Mars 21 Qershor
1999 21 Mars 21 Qershor
2000 20 Mars 21 Qershor
Viti Vjeshta Dimri
1996 22 Shtator 21 Dhjetor
1997 22 Shtator 21 Dhjetor
1998 23 Shtator 22 Dhjetor
1999 23 Shtator 22 Dhjetor
2000 22 Shtator 21 Dhjetor
Madje, kalendari ndahet në 12 muajë me gjatësi jo të barabartë. Prej tyre 7 muajë kanë nga 31 ditë (Janari, Marsi, Maji, Korriku, Gushti, Tetori dhe Dhjetori), 4 muajë kanë nga 30 ditë (Prilli, Qershori, Shtatori dhe Nëntori) dhe një muajë ka 28 ose 29 ditë (Shkurti). Muajët fillojnë dhe mbarojnë në ditë jo të njëjta të javës. Muajët ndahen në javë me nga 7 ditë. Java prejardhjen e ka nga kalendari Babilonas, ku pas gjashtë ditë pune, dita e shtatë qe caktuar për pushim. Në muajët pra, do kish pushim çdo ditë të shtatë (gjithsej katër javë nga një ditë pushim).
Si e kanë marrë emrin muajët?
Emrat e muajëve në kalendarin gregorian prejardhjen e kanë nga gjuha latine-romake (disa janë të përkëthyer në gjuhën shqipe dhe disa janë të përshtatur sipas të folmes shqipe). Në vijim po e shpjegojmë prejardhjen e tyre:
Janar (Junarius) do të thotë Janus ose perëndi me dy faqe, njëra faqe shikon në të kaluarën, kurse tjetra në të ardhshmen.
Shkurt (Februarium), prej latinishtes Februare do të thotë spastrim. Romakët në ritet fetare preferonin spastrimin e mëkatave.
Mars (Martius) është mirënjohja e Marsit, perëndia e luftës.
Prill (Aprilis) prej fjalës latine Aperio, që do të thotë “hapje”. Në këtë muajë bimët hapin.
Maj (Maius) sipas hyjnisë Romake Maia, gjithashtu edhe prej fjalës latine Maiores që do të thotë “moshëri e thyerë” dhe kremtohej në fund të këtij muaji.
Qershor (Junius) prej hyjnisë Juno dhe fjalës latine iuniores që do të thotë njerës të rinj.
Korrik (Julius) së pari prej latinishtes është njohur si Quintilis që do të thotë pesë, sepse ka qenë muaji i pestë i kalendarit të parë të romakëve të vjetër. Më vonë emri iu ndërrua në Jul në mirënjohje të Jul Cezarit.
Gusht (Augustus) në mirënjohje të perandorit Oktavia,perandorit të parë Romak i njohur si Augustus Caesar. Në fakt muaji qe njohur si Sextilis, muaji i gjashtë i kalendarit të parë të Romakëve të vjetër.
Shtator (September) po ashtu ka kuptimin e muajit të shtatë të kalendarit të parë të Romakëve të vjetër (“seven”).
Tetor (October) rrjeth prej fjalës octo (tetë) dhe ka qenë muaji i tetë.
Nëntor (November) rrjeth prej novem (nëntë), muaji i nëntë.
Dhjetor (December) rrjeth prej decem (dhjete), muaji i dhjetë i kalendarit të Romakëve të vjetër.
Në sajë të kësaj çka u fol më lartë, mund të sillen disa përfundime:
Kalendari si krijesë e njeriut është mjaft i vjetër.
Kalendari është mënyra e përcaktimit të kohës duke u bazuar në dukuritë natyrore.
Ekzistojnë dy lloj kalendarë: julian dhe gregoria. I pari quhet kalendar i vjetër, kurse i dyti kalendar i ri.
Në përdorim është kalendari i ri ose gregorian.
Kalendarin e vjetër Romakët e huazuan nga egjyptjanët e vjetër dhe e quajtën kalendar julian sipas perandorit Romak, Jul Cezar.
Reformim të kalendarit të vjetër (julian) bëri papa Gregori i XIII në vitin 1582 dhe u quajt kalendar i ri.
Ky kalendar prej atij të vjetrit shkon përpara për 13 ditë dhe, bazuar në vitin tropik, numëron gjithsej 365 ditë, 5 horë, 48 minuta e 46 sekonda.
Në shekullin XX, OK e Kombeve të Bashkuara solli vendim për formimin e një kalendari botëror,i cili për shkaqe ndonëse objektive, nuk pati dot mundësi të realizohet.
Viti ndahet në katër stinë me gjatësi jo të barabartë, ku dy të parat janë më të gjata se dy të fundit.
Pranvera e vjeshta fillojnë në ekuinakun e pranverës, përkatësisht të vjeshtës, kurse vera e dimri fillojnë në solstikun e verës, përkatësisht në solstikun e dimrit.
Viti, po ashtu, ndahet edhe në 12 muajë me gjatësi jo të barabratë. Muajët fillojnë e mbarojnë në ditë jo të njëjta të javës.
Muaji ndahet në javë me numër të barabartë të ditëve (7 ditë).
http://geoprespa.wordpress.com



Leave a Reply