Krimi
Vrasja për nder është vrasja e një anëtari të familjes ose e një grupi social nga anëtarë të tjerë, prej besimit të autorit të krimit se viktima ka turpëruar apo çnderuar familjen apo komunitetin. Arsyet mund të jenë të shumta, që nga refuzimi për tu martuar me shkuesi, lidhjet që mund të cilësohen si zhgënjyese për të afërmit, seksi jashtëmartesor, të qenët viktimë e përdhunimit deri te veshja jo e përshtatshme apo marrëdhëniet homoseksuale. Gjinia e shënjestruar e vrasjeve për nder janë përgjithësisht femrat, por nuk përjashtohen edhe personat homoseksualë. Në shumë shtete, vrasjet e kryera për nder nuk ruhen sistematikisht dhe shumica raportohen nga familjarët si vetëvrasje dhe si të tilla regjistrohen. Pavarësisht se ato lidhen shpesh me vende të kontinentit aziatik, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore, vrasjet për nder ndodhin në të gjithë botën. Në vitin 2000, Kombet e Bashkuara vlerësuan se 5000 femra ishin viktima të vrasjeve për nder çdo vit. Sipas BBC, grupet që mbrojnë të drejtat e femrave dyshojnë se kjo shifër është 20 mijë femra në të gjithë botën.
Perceptimi i femrës
Vrasja për të ruajtur nderin është shpesh rezultat i një këndvështrimi patriarkal për femrat dhe për rolin e tyre në shoqëri. Në këto shoqëri tradicionale të dominuara nga meshkujt, femrat janë të varura fillimisht nga baballarët dhe më pas nga bashkëshortët, ndaj të cilëve pritet të binden. Femrat shiheni si pronë dhe jo si individë të pavarur. Për këtë arsye, mendohet se duhet t’i binden autoritetit të figurës mashkullore në familje. Dështimi në përmbushjen e kësaj detyre, ndiqet nga dhuna ekstreme dhe ndëshkimet. Dhuna në këtë rast shihet si një mënyrë për të siguruar bindje dhe për të parandaluar rebelimin.
Kultura
Sharif Kanaana, profesor i antropologjisë në Universitetin Birzeit thotë se vrasja për nder është një çështje e ndërlikuar që i ka rrënjët në historinë e shoqërisë arabe. Meshkujt e familjes, klanit apo fisit kërkonin ta mbanin shoqërinë në kontrollin e vijës patriarkale. Femrat konsideroheshin si një “fabrikë” për të bërë burra. Sipas tij, vrasja për nder nuk ka të bëjë me kontrollin seksual apo sjelljen. Pas saj fshihet çështja e pjellorisë apo fuqia e riprodhimit.
Një deklaratë e Amesty International shton se regjimi i nderit nuk i fal gratë, mbi të cilat ka rënë dyshimi dhe që nuk mund të mbrohen. Për këtë arsye, familjarët e tyre, të cilët nuk kanë alternativa të pranimit social, vendosin ta ruajnë nderin duke sulmuar femrën.
Edhe shkaqet ekonomike ndikojnë në këtë çështje. Femrat në shoqëritë e mëdha i kanë devijuar kulturës patriarkale dhe duke qenë të pavarura ekonomikisht nga familja nuk mund të dominohen nga meshkujt. Studimet tregojnë se dalja nga kontrolli i femrave mund të shkaktojë edhe sjellje të dhunshme për të rimarrë autoritetin.
Nderi dhe turpi
Koncepti i nderit të familjes është shumë i rëndësishëm në shumë komunitete. Familja konceptohet si burimi kryesor i nderit dhe komuniteti i vlerëson shumë lidhjet mes nderit dhe familjes. Veprimet e anëtarëve të familjes, që mund të konsiderohen si të padenja, sjellin turpërimin e familjes në sytë e komunitetit. Në këto veprime shpesh përfshihen sjellje femërore të lidhura me seksin jashtë martesës, mënyrën e veshjes, por mund të përfshijnë edhe homoseksualitetin te meshkujt. Nëse familjes i “nxihet fytyra” në komunitet dhe tallet nga të njohurit, atëherë vrasja duket se e fshin këtë turp.
Në histori
Siç është cilësuar nga shkrimtarja arabe, Norma Khouri, vrasjet për nder e kanë origjinën nga besimi se sjellja seksuale dhe morale e femrave është pronë e familjes, një normë kulturore që vjen prej Kodit të Hamurabit dhe fiseve të vitit 1200 para erës sonë. Matthew A. Goldstein, ka cilësuar gjithashtu se vrasjet për nder u nxitën edhe në Romën e lashtë, kur anëtarët meshkuj të familjes që nuk reagonin ndaj tradhtisë së femrave të tyre persekutoheshin.
Origjina e vrasjeve për nder dhe kontrolli i femrave është i evidentuar përgjatë historisë në shumë kultura, tradita dhe rajone. Ligji romak i paterfamiljes i dha kontroll të plotë meshkujve të familjes mbi gratë dhe fëmijët. Nën këto ligje, jetët e fëmijëve dhe të grave ishin në dorë të burrave. Ligji i lashtë romak i dha të drejtë meshkujve të vrisnin femrat që kryenin tradhti. Përdhunimi në atë kohë shihej si një ngjarje që e shkatërronte jetën dhe nderin e gruas, ndaj vrasja për nder ishte një “akt i mëshirshëm”. Edhe në Greqi, jetët e grave diktoheshin nga burrat meqenëse ato konsideroheshin një shkallë më poshtë meshkujve. Edhe tek aztekët dhe inkasit, tradhtia ishte e ndëshkueshme me vdekje.
Lidhja me Kodin e Napoleonit dhe trashëgimia në ish-kolonitë franceze
Një nga origjinat e faljes ligjore në lidhje me vrasjen për nder është Kodi i Napoleonit i vitit 1804, i hartuar nën qeverisjen e Napoleon Bonapartit. Ky kod ligjëroi “krimet e pasionit”. Sipas tij, një burrë që e vriste gruan që kishte kapur duke bërë tradhti nuk do të dënohej me vrasje të paramenduar, por do të dënohej për një shkelje më të vogël. Kjo mbrojtje ishte e mundur vetëm për bashkëshortin, jo për bashkëshorten. Kodi i Napoleonit ka qenë shumë influencues për vende të tjera, duke rritur pabarazinë për krime të tilla. E njëjta gjë duket edhe në ish-koloninë e Francës.
Gazeta Shqip
Leave a Reply