•Bashkëshortët Luljeta Lleshanaku dhe Lazër Stani shprehen për qëndrimin e tyre ndaj komunitetit LGBT. E keqja e familjes shqiptare vjen nga gjendja e rënduar ekonomike. Mbështesim çdo thirrje që apelon vlerat e saj
Neritan Gjergo
“Një familje e fortë, një familje e ndërtuar mbi vlerat dhe dashurinë është garancia më e fuqishme për një shoqëri të fortë, të qëndrueshme, për një shoqëri të vlerave”. Bashkëshortët, Luljeta Lleshanaku dhe Lazër Stani bien në të njëjtin mendim kur i referohen familjes dhe vlerave që ajo mbart për shoqërinë.
Të kontaktuar nga “Shekulli” ata kanë sqaruar dhe argumentuar mesazhin e një peticioni, për të cilin pranojnë se kanë dhënë “firmën” e tyre. Duke iu referuar ndodhive tragjike dhe dramës që një pjesë e familjeve shqiptare po përjetojnë gjatë viteve të fundit me hakmarrje, inceste apo përdhunime, poetja Lleshanaku shprehet se, nuk ka vend për paragjykime ndaj komunitetit homoseksual. Lleshanaku sqaron se, mënyra sesi është pleksur familja dhe komuniteti LGBT në një peticion, i cili synonte të merrte aprovimin e intelektualëve shqiptarë është keqkuptuar nga opinioni publik, madje është keqpërdorur. Ndërsa bashkëshorti i saj, shkrimtari Lazër Stani shprehet se është kundër çdo forme persekutimi apo përbuzjeje për prirjet seksuale që kanë individët, duke shtuar se kthimi në model shoqëror imponues i një pakice me prirje të caktuara seksuale, për çfarëdolloj preteksti nuk mund të jetë i pranueshëm.
“Përpjekjet e tanishme për të imponuar modelin e një pakice kanë marrë tiparet e një agresioni kundër familjes dhe vlerave të saj, një teprim që nuk sjell asgjë të mirë dhe është tërësisht e papranueshme”. Vetëm tri ditë më parë intelektualët shqiptarë janë njohur me peticionin për mbrojtjen e familjes shqiptare nëpërmjet një e-maili të dërguar në adresat e tyre. Nisur nga parada e fundit e komunitetit homoseksual, mesazhi i dërguar në adresë të personazheve publikë të vendit, shpreh hapur kundërshtinë dhe deri në një farë mase edhe indinjatën, duke e cilësuar këtë komunitet si shkatërrues të familjes dhe normave shoqërore. Por, një mesazh i tillë ka lënë vend për diskutime dhe interpretime nga një pjesë e intelektualëve që e kanë aprovuar, madje jo të gjithë e kanë pranuar që janë njohur dhe e kanë firmosur atë. I kontaktuar nga “Shekulli”, prof. Xhevat Lloshi shprehet se nuk ka qenë në dijeni të një fakti të tillë dhe emri i tij është vendosur në padijeninë e tij. Edhe pedagogët Agron Tufa e Agron Gjekmarkaj e gazetari Alfred Lela kanë shprehur habinë për një mesazh të tillë, kur e kanë gjetur emrin në shtypin e ditës.
Lleshanaku: Më shumë se një bashkim biologjik, familja është një përgjegjësi
Duke shtruar një sërë pyetjesh që lidhen me anët e errëta të familjeve shqiptare, që për fat të keq janë kaq evidente dhe të përsëritura, Lleshanaku ngre një sërë shqetësime që duhen parë me përparësi, qoftë nga politika, qoftë nga institucionet, por edhe nga shoqëria. E pyetur nëse vlerat e familjes shqiptare po shkatërrohen nga komuniteti LGBT, ajo shprehet se familjeve shqiptare nuk i vjen e keqja prej tyre, por nga krizat e thella ekonomike duke shtuar se shoqëria jonë nuk është e përgatitur për të mbështetur apo aprovuar nisma apo kauza që ky komunitet kërkon të ligjërojë. “E gjitha ka qenë ose një keqkuptimi im ose një keqpërdorim i peticionit. Unë nuk kam asgjë kundër martesave “gei”. Në peticion nuk përmendet konkretisht asgjë e tillë: as “martesat brenda gjinisë” dhe as marrëdhëniet homoseksuale.
Unë e kam lexuar mesazhin e atij peticioni (ndoshta gabimi im) si një mbrojtje të familjes nga gjithë ato përçudni që po shfaqen kohët e fundit, dhe që natyrisht nuk janë në traditën tonë: bashkëshorti që vret gruan, nusja që vret vjehrrën, biri që vret nënën, incesti, droga, përdhunimi, futja në masë e një lloj pragmatizmi të egër, që zëvendëson raportet emocionale me raportet e interesit, të cilat, nuk kanë ekzistuar më parë në modelin tonë. Nëse martesat brenda të së njëjtës gjinie janë jo natyrale, atëherë sa natyrale është që një baba i lë fëmijët e tij biologjikë në mes të katër rrugëve? Që një nënë vret fëmijët e vet e shtyrë nga hakmarrja ndaj të shoqit? Unë mendoj se më shumë se një bashkim biologjik, familja është një përgjegjësi. Dhe gjatë përvojës sime, më ka rënë rasti të takoj shumë individë homoseksualë, dhe pjesa më e madhe e tyre, janë njerëz shumë të mirë, të respektuar e shumë të përgjegjshëm, aq sa mund t’i besoje lirshëm rritjen dhe edukimin e një fëmije Një pjesë i kam edhe miq. Nuk kemi të drejtë t’i paragjykojmë. Nuk i vjen e keqja familjes shqiptare nga homoseksualët, por, nga gjendja mjaft e rënduar ekonomike, që bëhet shkak për këto lloj krizash, traumash dhe ekstremitetesh. Apo e gjithë kjo zhurmë bëhet qëllimshëm për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi, meqenëse nuk i japim dot zgjidhje varfërisë? Madje para pak javësh, në një intervistë, jam shprehur se miratimi i ligjit të martesave brenda gjinisë, tregoi zhvillime të shpejta sociale, në kuptimin pozitiv të fjalës, pavarësisht se shoqëria shqiptare nuk duket akoma e përgatitur për diçka të tillë”.
Stani: Jo modeleve që shkallmojnë familjen
Lazër Stani i mëshon idesë se familja është institucioni unik që siguron vijimësinë e vlerave njerëzore. E gjendur mes “4 rrugëve”, për një sërë rrethanash që lidhen kryesisht me kushtet e vështira dhe të drejtat themelore, Stani shprehet se është e udhës që familja të fitojë tipare të reja dhe të mbështetet fuqimisht nga të gjithë. “Shoqëria njerëzore është shoqëri e vlerave dhe s’ka dyshim se një ndër vlerat themelore të shoqërisë njerëzore është familja. Një familje e fortë, një familje e ndërtuar mbi vlerat dhe dashurinë është garancia më e fuqishme për një shoqëri të fortë, të qëndrueshme, për një shoqëri të vlerave. Familja, jo vetëm është njësia bazë që siguron vazhdimin e llojit njerëzor, por është edhe institucioni që transmeton, siguron vazhdimësinë e vlerave njerëzore, të krijuara gjatë gjithë historisë së ekzistencës tonë mbi këtë tokë. Rrënimi i familjes është shkallmim i themeleve të shoqërisë, çon në degradim të llojit njerëzor. Kështu që është normale të firmosësh një peticion që apelon për vlerat e familjes, aq më tepër që në këto kohë familja shqiptare është e tronditur, jo thjesht nga vesi dhe anormaliteti, por së pari nga rrethanat e vështira në të cilat mbijeton, nga pamundësia për të realizuar disa të drejta themelore, siç janë e drejta për jetë, e drejta për ushqim të mjaftueshëm, e drejta për punë.
Është normale që edhe institucioni i familjes të ndryshojë, të fitojë tipare të reja, por familja e krijuar midis burrit dhe gruas, midis Adamit dhe Evës, e ndërtuar mbi dashurinë dhe harmoninë, mbi respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, është institucion që duhet mbështetur fuqimisht nga të gjithë. Pa familje nuk ka të ardhme. Për fat të keq një mbështetje e tillë ka munguar gjatë këtyre viteve, nuk i kemi pasur dhe as kemi politika që e vendosin familjen dhe forcimin e saj në qendër të vëmendjes. Përkundrazi, në emër të liberalizmit, tolerancës, snobizmit, kemi mbështetur dhe mbështesim me manifestime publike, fjalime, deklarata e ligje, pakica me prirje të caktuara seksuale, edhe pse unë nuk di raste, të linçimit, refuzimit, përjashtimit nga puna të individëve për shkak të orientimit seksual, kur diçka e tillë ngjet çdo ditë me qindra e mijëra individë për shkak të orientimit të tyre politik, të përkatësisë së tyre politike, apo thjeshtë, mungesës së besueshmërisë politike. Unë mendoj se asnjë individ, nuk mund të persekutohet, të përjashtohet apo të përbuzet për prirjet e tij seksuale, por jam kundër kthimit në model shoqëror dhe imponues të një pakice me prirje të caktuara seksuale për çfarëdo lloj preteksti, që mund të përdoret: jeta moderne, qytetërimi perëndimor, liria e individit etj. Përpjekjet e deritanishme për të imponuar modelin e një pakice kanë marrë tiparet e një agresioni kundër familjes dhe vlerave të saj, një teprim që nuk sjell asgjë të mirë dhe është tërësisht e papranueshme”.
Shekulli


Leave a Reply