![]()
Cigaret elektronike ndihmojnë në lënien e duhanit. Studimi zbulon se janë 60 për qind më të dobishme se çamçakëzët apo ngjitëset prej nikotine
Studimi
Nëse po kërkoni të lini vesin e duhanpirjes, cigaret elektronike janë 60 për qind më shumë efikase sesa ngjitëset e nikotinës, çamçakëzët apo dëshira e thjeshtë për ta lënë, ka zbuluar një studim i ri.
Zbulimi, i publikuar këtë javë, ka ardhur pas një studimi të 5863 duhanpirësve në Britaninë e Madhe, të cilët ishin në kërkim të lënies së duhanit pa ndihmën e recetave mjekësore apo personave profesionistë.
Nga ata që përdornin cigare elektronike, një në pesë raportuan se kishin hequr dorë nga cigaret e vërteta në fund të kohëzgjatjes së studimit.
Kërkimi, që u publikua në revistën Varësia, këshillon se cigaret elektronike mund të luajnë një rol pozitiv në uljen e numrit të duhanpirësve, thonë ekspertët.
Drejtuesi i studimit, profesor Robert Uest (West) nga Universiteti i Londrës, tha: “Cigaret elektronike mund të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin publik, për shkak të përhapjes së tyre të gjerë dhe të përfitimeve shëndetësore të lënies së duhanit”.
Metoda e cigareve elektronike e trefishonte mundësinë e lënies me sukses të duhanit, krahasuar me metodat e tjera.
![]()
E njëjta skuadër, e financuar nga Kërkimi i Kancerit UK, zbuloi gjithashtu se shumica e cigareve elektronike përfshinin produkte të gjeneratës së parë të ngjashme me cigaret, më tepër sesa pajisje të reja që përdorin përmbajtje që mund të rimbushet dhe një gamë më të gjerë përzgjedhjesh nikotine dhe shijesh.
Bashkautori i studimit, Xhemi Braun (Jamie Brown), gjithashtu nga Universiteti i Londrës, tha: “Do të vazhdojmë të monitorojmë shkallën e suksesit te njerëzit që përdorin cigaret elektronike për të hequr dorë nga duhani, për të parë nëse do të keni përmirësime, kur pajisjet të bëhen më të përparuara”.
Profesor Uest pranoi se disa prej atyre që lënë duhanin mund të duan të vazhdojnë të përdorin cigare elektronike dhe nuk është e qartë nëse kjo gjë paraqet rreziqe afatgjata për shëndetin.
Por ai shtoi: “Nga ajo që dihet rreth përmbajtjes së cigareve elektronike, ato mund të jenë më pak herë të rrezikshme sesa duhani i vërtetë. Disa ekspertë të shëndetit publik kanë shprehur shqetësimin se përdorimi i madh i cigareve elektronike mund të rinormalizojnë duhanpirjen.
Megjithatë, shkencëtarët shprehen se ata po e ndjekin këtë çështje me shumë interes dhe nuk kanë gjetur prova që e mbështesin plotësisht.
Numri i atyre që vendosin të lënë duhanin është në rritje, falë metodave të reja të marrjes së nikotinës.
![]()
Alison Koks (Cox), kreu i Kërkimit të Kancerit në Britani në lidhje me politikat e duhanpirjes, tha: “Duhanpirja është shkaku më i madh për kancerin dhe një në katër vdekje në Britani vjen prej duhanit.
Cigaret elektronike mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndihmën për të lënë duhanin, por përtej rritjes së shpejtë të popullaritetit të tyre, provat që i vërtetojnë këto hipoteza janë akoma jo të shumta.
Britania e Madhe do të financojë gjithnjë e më shumë kërkime që do të informojnë publikun mbi efektet e ‘duhanpirjes elektronike’.
Gazeta Shqip


Leave a Reply