Festivali “Femmes Fatales” për të dytin vit hap siparin më 27 maj në Prishtinë
Artiste nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia sjellin në art atë çfarë ndodh sot me femrën
“Varfëria e madhe e bën gruan si eshkë, i ashpërson fytin, e rrudhos, e mbledh, e forcon, përsëriti nëna vrasëse, duke vështruar me përçmim në memorien e saj imazhet e burrit të saj…Tani shpirti më thotë të fal për atë që kam bërë. Kam kryer një krim makabër, kalova në pavetëdije, jam një mëkatare, por para dhunimit dhe përdhunimit të tij do ta kisha bërë përsëri këtë krim. Këtu në qeli kupton se asgjë nuk ka ndryshuar. Ne i lindim djajtë tanë, ata, burrat janë skllavopronarët e shpirtit tonë, ata na e sëmurin atë, na e histerizojnë ndjeshmërinë, na kthejnë në fatkeqe, na trajtojnë si skllave, na nënvleftësojnë, na zvetënojnë, na poshtërojnë dhe na rrisin dellin e krimit”. Kështu ka shkruar kuratorja Suzana Varvarica në tekstin shoqërues për ekspozitën me titull “Kështu nuk vritet një grua” që bën bashkë artistet femra Suzana Varvarica Kuka, Greta Dhaskali Lami, Marta Zadrima dhe Gia Kuka. Ajo e mbyll tekstin kuratorial mbi dëshminë e një të burgosure në Burgun 325 në Tiranë. “…Edhe unë u bëra mëkatare dhe e këtillë mbeta…Ata, fëmijët e mi, me barkun bosh, me duart akull, të lemerisur u fshehën nga ulërimat e babait të tyre, pijanecit kronik, ulërima ka një forcë të madhe ankthi e frike. Ajo të poshtëron, të trondit…Shumë kohë më vonë, kur e mora veten më kujtohet ai çast i ftohtë kur u rraha me grushte e shqelma për të 100-ën herë, i mora kazmën nga duart e dehura përbindëshit, m’u errën sytë, u çmenda dhe nuk di ç’bëra, i rashë me kazmë në kokë, e shtyva tej dhe kur pashë se çfarë kisha bërë klitha: “Unë e vrava atë”. E burgosura P. M e tregon kështu momentin e saj fatal që i ndryshoi tërësisht jetën dhe e ndau nga fëmijët. “Femmes Fatales” festivali i cili synon të sjellë në vëmendje gjendjen e femrave në hapësirat shqiptare vjen për të dytin vit në Prishtinë në datat 27-31 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqja teatrale, filma dokumentarë dhe të shkurtër, lexime skenike, ekspozita, promovime librash, diskutime e prezantime do të sjellin konceptet e artit nga gratë në Kosovë dhe në rajon (Maqedoni, Serbi, Shqipëri dhe Bosnjë dhe Hercegovinë). Festivali hapet me performancën “Trëndafilit n’Elbasan”, nga artistet Arta Gashi dhe Fikrete Miftari. Gjatë ditëve të tij do të prezantojnë punimet e tyre artistet Besa Neziri Rugova, Natasha Ljubinković, Serbi, Valdete Osmani, Eliza Hoxha etj.
Gazeta Shqip



Leave a Reply