Festivali Europian i Këngës, Eurovizioni ka një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe këtë vit u ndoq nga rreth 111.5 milionë njerëz në të gjithë botën. Po ashtu, ai është edhe një nga transmetimet më të veçanta në planet. Fituesja e Eurovizionit të këtij viti të zhvilluar në Kopenhagë, austriakja Conchita Wurst, ose “Vajza me mjekër”, ishte padyshim fituesja më e veçantë, por edhe më e debatuara.
Tom Neuwirth ishte pjesëmarrës në “Starmania”, një shfaqje talentesh në Austri, e ngjashme me “American Idol” në ShBA. Ai u shfaq me alter-ego-n, Conchita Wurst, në vitin 2011 në një tjetër konkurs talentesh në televizion “Shansi i Madh”, ku u rendit e para. Tani, Conchita Wurst ka triumfuar në Eurovizon me 290 pikë.
Me këngën e saj “Ngrihu si një feniks”, Conchita arriti të rrëmbente zemrat e Europës, me pamjen e saj dramatike në skenë, kontaktin e pandërprerë me kamerat, fustanin me shkëlqim të artë dhe sigurisht, me mjekrën e saj. Në fakt, Conchita ishte deklaruar si fituese e Eurovizon 2014 para finales së të shtunës, kur ishin bërë të dukshme rezultatet për 34 nga 37 shtete pjesëmarrëse.
Megjithatë, Conchita nuk po konkurronte thjesht me këngëtaret dhe këngëtarët nga 25 vende pjesëmarrëse në festival. Asaj iu desh të përballej me debatet lidhur me pjesëmarrjen e saj në këtë festival. Kur u njoftua në shtator 2013 se ajo do të përfaqësonte Austrinë në Eurovizion 2014, brenda 4 ditëve, më tepër se 31 mijë protestues kishin “pëlqyer” faqen anti-Cochita në Facebook. Më vonë, qarkulluan peticione në Bjellorusi, Armeni dhe Rusi, të cilat kërkonin që performanca e saj ofenduese të përjashtohej nga transmetimi në vendet e tyre.
Të shtunën në mbrëmje, Conchita deklaroi: “Kjo natë i kushtohet kujtdo që beson në një të ardhme me paqe dhe liri. Ju e dini kush jeni. Ne jemi bashkim dhe jemi të pandalshëm.”
Duke marrë parasysh se Eurovizioni, si fillim u krijua për të bashkuar Europën pas Luftës së Dytë Botërore, fjala e Cochita-s ishte aq e kohës, sa edhe e vlefshme për të gjitha kohërat.
Shekulli


Leave a Reply