
Nga Zenepe Luka
Ka ardhur nga Gjermania me të birin, Timin, për t’u bërë pjesë e gëzimit të nënës, Vllasovës, që me rastin e 65- vjetorit të lindjes, ka një event të rëndësishëm. Të mërkurën, në orën 11.00 në sallën e Ministrisë së Kulturës, Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, promovohet libri me poezi i Vllasovës titulluar “Më thuaj diçka të bukur”. Po kështu, do të transmetohet një dokumentar me pasazhe nga 100 filmat me skenarë të shkruar prej saj, në shumë prej të cilëve ka fituar çmime. Për kontributet e Vllasova Mustës në krijimtarinë artistike dhe si skenariste për gjatë 35 viteve në Kinostudio, do të flasin emra të njohur si Drejtorja e AQFSH, aktora Elvira Diamanti; shkrimtari Enver Kushi, Klara Kodra, Pandeli Koçi, Agim Xheka etj. Mjeshtrja e Madh, Roza Anagnosti, do të recitojë disa poezi nga libri i sapodalë nga shtypi. Në këtë ditë të gëzuar të jetës së saj, Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” e nderon me medaljen e “Mirënjohjes” me motivacionin: Për gjithçka të bukur dhe me vlerë që ka dhënë në krijimtarinë e saj, si poete dhe kineaste, për disa dekada. Për nivelin e lartë të krijimtarisë është vlerësuar me çmime dhe kupa në konkurset kombëtare dhe festivalet e filmit shqiptar. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Ani Spahivogli flet dhe për të atin e saj, aktorin dhe krijuesin e spikatur të skenës shqiptare. Një rrëfim i veçantë, për veten dhe familjen e saj…
Një vizitë e zakonshme e juaja në Tiranë. Pas sa kohësh ktheheni nga Gjermania?
Në verën e 2012-tës, kam qenë për herë të fundit në Shqipëri. Është kohë relativisht e gjatë.
Ta nisim bisedën me pyetjen: Kush është Ani Spahivogli, cila është jeta juaj në Gjermani?
Unë jam një njeri që si shumë të tjerë jetojnë larg vendit ku kanë lindur e janë rritur. Jeta ime private më solli në Gjermani dhe më bëri të jem një vajzë Shqipërie, me familje gjermane. Jetoj me bashkëshortin tim dhe djalin tonë, Timin 11-vjeçar, në Bamberg, një qytet i bukur dhe shumë piktoresk, në Bavari të Gjermanisë. Punoj në një kompani me traditë mbi njëqindvjeçare në qytetin ku jetojmë dhe drejtoj atje zyrën e grafik-design-it. Jeta ime është e mbushur me punë, me rritjen dhe edukimin e djalit, si dhe me aktivitete familjare e shoqërore.
Si e keni pritur këtë event të nënës tuaj Vllasova Musta dhe si do ta përjetoni. Keni rastisur herë tjetër mes miqsh të nënës dhe të babait tuaj?
Unë e kam pritur këtë ngjarje me po aq emocion sa mamaja ime dhe jam e gëzuar që çdo gjë përkoi dhe eci në drejtimin e duhur, botimi i librit, muaji prill, ditëlindja e mamit, pushimet e Pashkëve. Gjithçka u akordua kaq mirë për të realizuar aktivitetin. Kam qenë shpesh mes miqsh të familjes sonë, në promovimin e para disa viteve të vëllimit poetik të mamasë sime, si dhe në shumë aktivitete të tjera, që janë organizuar si për nënën, ashtu dhe për babain tim. Megjithëse nuk është hera e parë që gjendem mes miqsh, unë gjithmonë iu gëzohem shumë miqve.
Çfarë përfaqëson për Anin nëna, poetja, skenaristja?
Unë jam shumë e lidhur me mamanë time, Vllasovën, mendoj çdo vajzë ka një lidhje të ngushtë me nënën, por në rastin tim është ndoshta diçka më ndryshe. Jam rritur vetëm me mamanë time, kemi kaluar bashkë kohë të bukura dhe të dhimbshme. Ajo më ka dhënë përgjigje për pyetjet që kisha si fëmijë, kur ende nuk kuptoja, përse gjërat ishin ashtu siç ishin, ajo më ka mësuar çfarë është familja dhe sa e rëndësishme është të kesh sigurinë dhe ngrohtësinë e saj edhe pse familja jonë, përbëhej vetëm nga ne të dyja.
Në fëmijërinë time, falë saj kam marrë ngrohtësinë dhe sigurinë, që të jep një familje e madhe. Ajo nuk është vetëm nëna e përkushtuar; me të për dore, unë kam hyrë në botën e letërsisë e të kinematografisë, jam rritur mes vargjesh e sinopseve të skenarëve, kam diskutuar gjithmonë me të për poezinë, letërsinë e kinematografinë. Lidhja ime me mamanë, është shumë speciale dhe e vyer.
Jeni në dijeni për një memorial të babait tuaj Kujtim Spahivogli në një fshat të Fierit, keni planifikuar një vizite atje?
Po, para disa muajsh mësova për memorialin e ndërtuar për babanë tim. Për fat të keq nuk munda të vij, pasi e mora vesh shumë vonë dhe rastësisht. Do të kisha qenë e lumtur të isha atje, në ditën e përurimit dhe nëse organizatorët e kësaj ngjarjeje, do të më kishin lajmëruar në kohë, do të vija patjetër. Rrjedha e jetës së babait tim ka qenë dhe mbetet një plagë e thellë për mua dhe çdo aktivitet i këtij lloji është një lloj balsami, sado i vogël. Në një nga këto ditë do ta vizitoj patjetër memorialin.
Sidoqë ju keni ardhur për një festë që ka nëna juaj, por kurrsesi nuk mund të anashkalojmë pyetjet, që kanë të bëjnë me babanë tuaj, regjisorin dhe aktorin e madh Kujtim Spahivogli. Çfarë kujtimesh ruani?
Babai im është dhimbja dhe krenaria e jetës time. Për mua ai ka qenë njeriu i shtrenjtë që recitonte aq bukur dhe këndonte duke luajtur në kitarë. Suksesin e tij në regji, aktrim dhe në edukimin e brezave, që më vonë bënë karrierë në skenat e teatrit, unë e kam vetëm të treguar nga mamaja ime e njerëzit tanë të dashur, ndërsa anën e tij njerëzore, shpirtin e tij prej artisti dhe zemrën e tij të jashtëzakonshme, unë pata mundësinë dhe fatin t‘i kisha të pranishëm në jetën time, për 15 vjet me radhë. Babai u nda nga ne, kur unë isha ende shumë e re, dhe edhe pse kanë kaluar kaq vite, unë e kujtoj me shumë mall. Në jetën time kam pasur shumë momente, kur do të kisha dashur kaq shumë ta kisha pranë. Ai ishte babai i mirë dhe i përkushtuar, që konservonte gjithë fuqinë e tij, gjithë buzëqeshjet dhe humorin e mirë, që i kish mbetur për ato orë që kalonim së bashku. Ai mundohej gjithmonë të krijonte për mua një atmosferë sa më të këndshme e normale gjatë ditëve kur unë qëndroja pranë tij. Sa do të kisha dashur, që të kish jetuar në periudhën e ndryshimit të sistemit politik e të kish përjetuar kthimin e tij dinjitoz në teatër!
Por fati deshi ndryshe….
Të dielën e fundit m’u dha rasti të shoh shfaqjen e komedisë “Djemtë gazmorë” me aktorët Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti. Një inskenim i bukur me dy aktorë të mëdhenj, që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit dhe hedhin e presin dialogët e të bëjnë të harrosh, që janë duke interpretuar; dy aktorë, që të lënë pa frymë dhe bëjnë që koha të mbetet pezull, për sa kohë që je duke i ndjekur. Dola nga shfaqja e lumtur që pashë një inskenim kaq të bukur, në të cilin të dy mjeshtrit e sipërpërmendur, janë ish- studentë dhe më vonë, miq të tim eti. Akoma më e lumtur isha, kur i tregoja tim biri, që teatri në të cilin ishim, mban emrin “Kujtim Spahivogli”. Do të doja këtu të falënderoja nga zemra kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, për këtë vendim që morën, duke realizuar kështu kthimin simbolik të babait tim në ndërtesën e jetës së tij, ku unë e mbaj mend të kalonte përditë dhe ku gjithmonë, deri në ditën e fundit të jetës së tij shpresonte të kthehej. Faleminderit!
Përveç emrit, mendoni se djali juaj në të ardhmen do të jetë një artist si gjyshi i tij?
Timi ka shumë talente dhe është djalë tepër inteligjent. Tani është në klasën e pestë, që në Gjermani njëkohësisht është dhe klasa e parë e gjimnazit. Në gjimnazin e tij është regjistruar në grupin e teatrit dhe njëherë në javë bën prova me shumë dëshirë. Nëse Timi do të eci në gjurmët e gjyshit, është shpejt për të thënë, më e rëndësishme për mua është që ai edhe pse nuk e ka njohur kurrë babanë tim, ka dëgjuar për të kaq shumë nga unë, mamaja ime dhe nga njerëzit tanë të afërt, saqë ndihet mirë të thotë që është nipi i tij dhe natyrisht në grupin teatror nuk lë pa përmendur lidhjen e tij gjenetike me teatrin.
Cili do të ishte mendimi juaj për gjendjen në Shqipëri 23 vjet pas rënies së regjimit?
Shqipëria ka ndryshuar shumë, ka marrë tjetër pamje dhe ndryshon përditë. Mendoj se kjo periudhë ndryshimesh do të vazhdojë për shumë vite që vijnë dhe jam e sigurt që dikur do jemi dhe vetë më optimistë për gjithë sa kemi arritur. Deri para 23 vitesh, kemi qenë krejtësisht të izoluar dhe e kemi njohur botën nëpërmjet syzave rozë të revistave e reklamave televizive. Me naivitet, ndoshta, shumë prej nesh menduan se me ndryshimin e sistemit politik do të teleportohen të gjitha të mirat e vendeve të zhvilluara. Por as bota nuk është ashtu siç mendonim në (çdo vend ka problematikat e tij) dhe as ndryshimet nuk mund të bëhen brenda një kohe të shkurtër. Edhe pse Shqipëria ka nevojë për më shumë strukturim dhe kulturë pune, unë kam besim se do ia dalim. Jam optimiste kur mendoj se qeverinë e drejton Edi Rama dhe besoj shumë tek puna e tij.
Qeveria shqiptare ka bërë thirrje të kthehen djemtë dhe vajzat, që kanë ikur jashtë, për të dhënë kontributin e tyre për demokracinë në Shqipëri. Ju do të ishit njëra nga të ikurit?
Unë kam marrë pjesë aktive në lëvizjen studentore, që solli demokracinë në Shqipëri, kam qenë pjesëmarrëse e grevës së urisë dhe më vonë kam punuar në disa gazeta të porsahapura në Shqipërinë e pluralizmit të brishtë. Jam gjithmonë e gatshme të kontribuoj për demokracinë e Shqipërisë dhe angazhohem vazhdimisht me projekte, që kanë të bëjnë me vendin tim. Ju faleminderit!


Leave a Reply