Një nga mitet më të mëdhenj të propagandës së Enver Hoxhës ishte ai i Reformës Agrare, domethënë se toka iu mor latifondistëve dhe pronarëve të tjerë të mëdhenj dhe të mesëm, për t‘ iu dhënë fshatarëve pa tokë ose me pak tokë. Reforma Agrare u bë dy herë, herën e parë në 1945, por kjo reformë u quajt e gabuar, e paplotë, ndonëse mbi bazën e saj në nëntor 1945 Enver Hoxha bëri vizitën e famshme në fshatin Gore të Myzeqesë ku iu dha fshatarëve aktet e para të pronësisë mbi tokën. Në maj 1946, gjashtë muaj pasi Enver Hoxha iu drejtua fshatarësisë shqiptare nga katundi Gore i Lushnjës, duke i folur për një epokë të re që hapej me reformën agrare, regjimi iu rikthye përsëri reformës agrare, sepse ajo e vitit 1945 kishte përfunduar në një komedi. Për këtë gjë u fajësua Sejfulla Malëshova dhe në maj 1946 ndryshoi ligji për reformën agrare. Ligji i ri kishte si synim të shpallur që të bënte rindarjen e tokës në fshat sipas parimit të barazisë, pa iu bërë asnjë privilegj pronarëve të para reformës. Është domethënëse kritika që i bën më vonë Reformës Agrare të vitit 1945 historiografia zyrtare regjimit komunist: «Por edhe pronarëve që punonin tokën me mjete moderne iu lanë nga 40 hektarë, enteve fetare deri në 20 hektarë, ndërsa pronarëve që nuk merreshin fare me bujqësi iu dhanë deri në 7 hektarë tokë, me kusht që brenda dy vjetësh ta administronin ose ta punonin vetë».(«Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1983, Vol. IV, f. 39)
Duke konsideruar numrin e paktë të pronarëve të pasur, të cilët qenë prekur nga reforma agrare, nuk është se edhe sikur t’ u merrej diferenca e tokës këtyre pronarëve, do të kishte ndonjë gjë të madhe për t’ u ndarë. Zbatimi i ligjit përfundoi brenda gjashtë muajsh dhe solli padrejtësi të mëdha për popullsinë fshatare. Sipas shifrave që dha vetë Enver Hoxha në Kongresin I të PKSH, kjo fazë e dytë e reformës agrare konsistoi së pari në atë që u shpronësuan plotësisht 8714 pronarë tokash, të cilëve iu morën 54499 ha tokë.(«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 120)
Shpronësimi tërësor bëhej ndaj atyre të cilëve u konfiskohej pasuria me vendim të gjyqeve politike, ose me vendime administrative, që sipas modelit sovjetik kishin efektin e të parëve. Këtyre 8714 familjeve iu hoqën tërësisht mjetet e jetesës dhe sigurisht që anëtarët e këtyre familjeve, të cilët nuk u pushkatuan ose burgosën, u internuan. Këtë praktikë nuk e kishte përdorur kaq masivisht as regjimi fashist ndaj kundërshtarëve të tij në Shqipëri. Regjimi fashist shpronësoi plotësisht vetëm një numër të vogël njerëzish kryesorë të regjimit të Zogut. Nga reforma agrare gjithashtu u shpronësuan pjesërisht 10.641 familje të cilave iu morën 64.497 ha tokë.(po atje: f. 120)
Pra, reforma agrare preku me shpronësim gjithsej vetëm 19.354 familje, nga 133681 familje fshatare që zotëronin tokë në pronësi, prej numrit të përgjithshëm prej 155225 familjesh fshatare. Familjeve të shpronësuara tërësisht ose pjesërisht iu morën 118996 ha tokë, ose mesatarisht më pak se 10 ha tokë për familje. Kjo supozohej të ishte klasa shfrytëzuese në fshat?! Derisa Reforma agrare, duke shpronësuar 118996 ha tokë nga 340292 ha tokë bujqësore që zotëronin pronarët privatë (prej 393353 ha që kishte vendi), shpronësoi jo më tepër se rreth 35% të tokës së zotëruar nga pronarët privatë, del se kjo «klasë shfrytëzuese» zotëronte më pak se një të tretën e tokës bujqësore të vendit. Kjo tregon se problemi agrar në Shqipëri ishte një proces që kishte qenë duke shkuar spontanisht drejt zgjidhjes, në dy dekadat e fundit. Regjimi komunist në vend që ta zgjidhte e ndërlikoi atë në një formë të re. Shpronësimi u bë pa shpërblim, në kundërshtim me Kushtetutën e porsamiratuar të vendit.
Nga shifrat e mësipërme duket qartë se ajo që bëri reforma agrare ishte se shkatërroi fshatarësinë e mesme. Shpërbërja e pronës latifondiste, të papërfillshme në raport me sasinë e përgjithshme të tokës, si dhe shpronësimi masiv i shtresës së mesme, nuk e zgjidhte problemin e fshatarësisë shqiptare, që konsistonte në kombinimin fatkeq të një popullsie të madhe fshatare me një sasi të vogël toke të punueshme. Kjo kuptohet nga shifrat që dha Enver Hoxha në Kongresin I të PKSH, se nga reforma agrare përfituan 48667 familje të varfra dhe 21544 familje pa tokë, të cilat morën gjithsej 155559 ha tokë bujqësore. Kështu, nga reforma agrare përfituan 70211 familje fshatare, nga 155225 familje fshatare që kishte vendi, pra më pak se gjysma e familjeve agrare, të cilat përfituan mesatarisht jo më tepër se 2.1 ha tokë për familje.(po atje: f. 121) Në nëntor 1948, dy vjet pas Reformës agrare, gjendja e pronësisë së tokës do të ishte kështu, sipas të dhënave që jep vetë Enver Hoxha. Në fshat kishte 139.994 ekonomi individuale që kishin 369068 ha tokë (nga 398500 ha që kishte vendi), ose 2.6 ha për çdo familje.(po atje: f. 121) Pra, ishte e qartë se rezultati i reformës agrare ishte se zhduku fshatarin e mesëm dhe i bëri të gjithë fshatarë të varfër. Pjesën e mbetur të tokës bujqësore prej 29432 ha e zotëronin 56 kooperativat bujqësore (2428 ha), fermat shtetërore (17.500 ha) dhe entet fetare (1062 ha). («Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 121)
Enver Hoxha, pasi jep pasqyrën përmbledhëse të shifrave të përmendura më lart, thotë me sinqeritet prej komediani: «Këto shifra flasin vetë».(po atje: f. 121)
Shifrat me të vërtetë që në këtë rast janë eksplicite dhe elokuente në kulm! Reforma agrare në Shqipëri ishte shembull i zbatimit të utopisë agrare leniniste të pas Revolucionit, në një vend si Shqipëria që nuk kishte asnjë ngjashmëri me Rusinë sovjetike në këtë çështje. Kështu që në Shqipëri utopia do të rezultonte edhe më shkatërruese se në Rusi. Reforma agrare i barazoi të gjithë fshatarët në varfëri. Por reforma agrare bëri edhe një gjë tjetër të keqe, dhe në kundërshtim me Kushtetutën, dhe që Enver Hoxha e kaloi me një fjali në raportin e vet në Kongresin I të PKSH: «Përveç 172 659 ha tokë të shpronësuar (Sipas të dhënave që jep Enver Hoxha këtu hynë edhe 50 000 ha të çifligjeve shtetërore- K.M.) që iu nda fshatarëvet të varfër dhe fshatarëvet pa tokë, reforma agrare mati dhe ndau edhe 147 341 ha që, në bazë të ligjës, u takonte pronarëve bujq që e posedonin dhe e punonin vetë».(po atje: f. 121)
Pra, iu mor toka që zotëronin disa fshatarëve dhe iu dha e njëjta sasi toke në një vend tjetër. Kuptohet se i vetmi motiv për këtë rindarje ishte ai politik. U merrej toka e mirë fshatarëve të papëlqyeshëm për regjimin dhe u jepej atyre që qenë të besuarit e regjimit. Sipas shifrave që jep Enver Hoxha më lart, në këtë mënyrë u nda 46% e tokës që zotëronin të gjithë fshatarët veç latifondistëve. Enver Hoxha kishte thënë në Gore të Lushnjës, në nëntor 1945, kur ndau tapitë e reformës agrare: «Gëzimin që ndiejmë ne sot të gjithë së bashku këtu, e ndjen edhe i tërë populli i Shqipërisë, pse sot në këtë ditë mbyllet një herë e mirë një faqe e zezë dhe e trishtuar, plot vuajtje e mjerime, plot gjak e lot».(Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.191)
Faqja që u hap do të ishte tmerrësisht e zezë dhe e trishtuar. Reforma agrare shihej si një interval deri tek kolektivizimi i bujqësisë. Prandaj fshatari privat nuk duhej lënë të prosperonte, në mënyrë se kështu cenohej imazhi i ndritur i kolektivizmit, që shërbente propaganda zyrtare. Intervali mes dy epokave do të ishte një periudhë detyrimesh të rënda. Nisur nga ato që ndodhën më vonë, fjalët e mëposhtme që Enver Hoxha tha në Gore, qenë një humor i zi me fshatarët: «Ato që themi ne i mbajmë. Unë dhe shokët e mi të qeverisë ju urojmë nga zemra për tokën që morët. Rrofshi dhe e trashëgofshi brez pas brezi».(po atje: f.195)
Në fakt tokën nuk do ta gëzonte gjatë as brezi që e mori, se do të vinte kolektivizimi, pra shtetëzimi. Revolucioni agrar që bëri regjimi komunist në 1945-46 ishte gjëja më e keqe që mund ta gjente fshatin shqiptar që ishte në një proces evolucioni prosperizues që prej dy dekadash, proces ky që u përshpejtua me pushtimin italian të vendit në 1939. Ajo që kishte nevojë së pari fshati shqiptar ishte që krahët e tepërta të punës në ekonomitë e vogla fshatare me pak tokë, të largoheshin drejt qytetit, gjë që u mundësua me zhvillimin ekonomik që solli Italia në 1939 dhe sidomos me punët e shumta publike që filluan. Në fakt që në vitet tridhjetë dhe më tepër në fillim të viteve dyzet, me zhvillimin e ekonomisë në vend, ishte duke u vënë re rritja e popullsisë urbane me njerëz të ardhur nga fshati. Në anën tjetër, bankat filluan t’ u japin kredi fshatarëve për të blerë farëra të zgjedhura, plehra kimike, traktorë. Veç kësaj fshati shqiptar kishte nevojë që shteti të bënte për të punë të mëdha publike, siç qenë ujëmbledhësat, kanalet e mëdha ujitëse, bonifikimi i kënetave, gjë që filloi të bëhej sidomos që nga viti 1939 deri në 1943. Nëse ky evolucion do të kishte vazhduar pas luftës, me ndihmën e projekteve të mëdha perëndimore si Plani Marshall etj., fshati shqiptar do të kishte prosperuar. Prosperimi i bujqësisë do të kishte ndihmuar zhvillimin e industrisë së përshtatshme në qytete dhe do të stimulonte rritjen e popullsisë urbane me prurje nga fshati, çka do të zgjidhte problemin demografik të këtij të fundit. Zgjidhja afatgjatë për problemin e varfërisë në fshat që vinte nga sasia e vogël e tokës në raport me popullsinë ishte që një pjesë e mirë e popullsisë fshatarë të zhvendohej në qytete, duke u shndërruar në popullsi urbane. Regjimi komunist me reformën agrare e ndërpreu në mënyrë të dhunshme këtë proces në të dy linjat e tij. Një nga pasojat e këqija imediate të reformës agrare ishte se u godit rëndë ajo pjesë e fshatarësisë që kishte filluar të punonte më tepër për modernizimin e bujqësisë, duke përfituar nga zhvillimi që kishte sjellë pushtimi italian. Në Konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në shkurt 1946 u tha:
«Me politikën tonë në bujqësi luftojmë çdo tendencë për zhvillimin e kulakëve».(«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 273)
Kulak quhej fshatari i cili donte të pasurohej duke punuar tokën që kishte. Goditja e padrejtë e kësaj pjese të popullsisë fshatare, e çoi bujqësinë në prag të katastrofës në vitet në vazhdim. Toka ra në duart e fshatarëve të varfër që nuk kishin as kapital dhe as aftësi për të punuar tokën e tyre siç kishin bërë pronarët e mëparshëm. Enver Hoxha, në përfundim të tablosë së tij për reformën agrare, tha në Kongresin I të PKSH: «Ndarja e tokës nga reforma agrare mori fund më 17 nëntor 1946 me habitjen dhe tronditjen e armiqvet».(«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 122)
Ai mund të kishte thënë fare mirë se reforma agrare mori fund me habitjen dhe tronditjen e fshatarëve. Fshatarëve iu dhanë tapitë e tokës dhe iu tha se qenë pronarë, por ata nuk kishin të drejtë ta shisnin dhe ta blinin tokën, se kjo ndalohej me ligj. Ky ishte një veprim tipik i despotizmave agrare orientale. Në fakt regjimi komunist e shikonte reformën agrare si një gjë të përkohshme, si një aspekt të propagandës, një fazë të ndërmjetme para kolektivizimit të bujqësisë.
Enver Hoxha, në ceremoninë e ndarjes së tapive të para të reformës agrare, në Gore të Lushnjës, në 25 nëntor 1945, tha: «Ju duhet ta dini si bukën që hani se fati juaj është i lidhur ngushtë me fatin e këtij pushteti. Rrëzimi i këtij pushteti do të ishte skllavërimi për popullin tonë».(Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.194)
Kjo ishte ajo që do të donte regjimi të mendonin fshatarët, por verën e vitit 1946, ata shikonin fatkeqësinë e tyre të lidhur ngushtë me regjimin në fuqi. Në qershor 1946 hyri në fuqi një tjetër masë e Komunizmit të luftës, sipas modelit të Rusisë bolshevike, famëkeqja Prodrazvyorstka, ose rekuizimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nga ana e shtetit. Në Shqipëria kjo u quajt sistemi shtetëror i blerjes e grumbullimit të drithit dhe të prodhimeve blegtorale, që ishte llogaritur që të zbatohej që në korrjet e drithrave të verës dhe vjeshtës vjeshtës. Sipas ligjit fshatarit i merreshin të ashtuquajturat teprica të prodhimit të drithit, mishit, bulmetit, vezëve, duke u llogaritur të lihej një sasi për t’ u ushqyer ai dhe për të shitur në treg sa për të plotësuar nevojat e tij për të blerë në treg produkte industriale. Historiografia zyrtare e regjimit komunist shkruan mbi këtë çështje: «Kushtet e vështira që kalonte vendi në atë periudhë shtruan si një nevojë të domosdoshme që fshatarësisë prodhuese t’ i merreshin të gjitha tepricat e drithrave në formën e detyrimit, duke i lënë pjesën e nevojshme për sigurimin e ushqimit familjar dhe për riprodhimin. Kjo u realizua nëpërmjet sistemit të grumbullimit të detyrueshëm të drithrave të bukës (grurë, thekër, misër, oriz, elb, tërshërë). Dorëzimit të detyrueshëm iu nënshtruan edhe ullinjtë dhe duhani».(«Historia e Shqipërisë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, Vol. IV, f. 78)
Se cila ishte e vërteta e kësaj mase të regjimit, pohohet në një dokument të regjimit të 18 janarit 1949, një Instruksion i Komitetit Qendror të PPSH për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit, ku thuhet për sistemin e mëparshëm, të përdorur nga viti 1946 e tutje: «Sistemi që u përdor pas çlirimit të Shqipërisë, ja merrte fshatarit të gjithë drithin, duke i lënë vetëm racionin e bukës, gjë që ishte jo e drejtë. Duke kërkuar të grumbullonim gjithçka që i tepronte fshatarit kemi rënë në konflikt me të, kemi rënë në burokratizëm, u kemi lënë vend hatëreve dhe akraballëqeve dhe së fundi nuk ka qenë kurrë e mundur të sigurohet fondi i grumbullimeve të shtetit. Por mbi të gjitha ky sistem ka thyer vullnetin e fshatarit për të prodhuar sa më shumë drithra. Por me gjithë këto gabime, kjo urdhresë në atë kohë ishte e nevojshme dhe solli shërbime».(«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 16)
Regjimi i Enver Hoxhës filloi kështu luftën kundër fshatarëve, që përbënin 85% të popullsisë. Me këtë fshatari që kishte marrë tokën, mbi të cilën nuk kishte vërtet të drejtën e ponësisë, derisa nuk kishte të drejtë as ta shiste dhe as ta blinte, dhe të cilit i duhej të paguante detyrime kaq të rënda, ishte në fakt një bujkrob i tillë që nuk ishte parë as në ditët më të errta osmane. Me ligjin e rekuizimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, shteti i trajtonte fshatarët edhe më keq se bujkrobërit, se bujkrobërit paguanin detyrime të rënda, por nuk u lihej vetëm aq sa për të mbajtur frymën gjallë. Ishte e qartë se në Shqipëri qe ngritur një despotizëm agrar, ku kreu i regjimit mund të quhej si latifondisti total i vendit.
Ligji i grumbullimeve ishte provë e dështimit të regjimit për të menaxhuar ekonominë e vendit sipas premtimit që kishte bërë Enver Hoxha në raportin e mbajtur në emër të qeverisë para Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar (parlamenti partizan) në 26 shtator 1945, kur kishte thënë: «Tatimet dhe taksat indirekte, që në buxhetet e regjimeve të kaluara ishin burimi kryesor i të ardhurave shtetërore ua lanë sot vendin e parë tatimit dhe taksave direkte, të cilat nga natyra e tyre synojnë një drejtësi më të madhe në ndarjen e peshës së shpenzimeve të përgjithshme të shtetit».(Enver Hoxha: Vepra, vol 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 99)
Ishte një gjë shumë sinjifikuese që regjimi nuk arriti që ta bënte këtë në fshat, në mbi 80% të ekonomisë së vendit, më tepër se në vitin e parë të tij, dhe kjo gjë për fajin e tij. Që të funksiononte sistemi i tatimeve dhe taksave direkte duhet të funksiononte tregtia, në mënyrë që tregtari t’ ia akaparonte prodhimet fshatarit dhe pastaj ky i fundit të mund të paguante tatimet dhe taksat. Por në kushtet kur regjimi e kishte paralizuar tregtinë sistemi fiskal nuk mund të funksiononte, kështu që regjimi ishte i detyruar që të zbatonte Prodrazvyorstkën. Vendosja e sistemit të grumbullimeve ishte një përgënjeshtrim i asaj që kishte thënë Enver Hoxha, në raportin e mbajtur në emër të qeverisë para KANÇ në 26 shtator 1945:
«E dhjeta, xhelepi dhe anakronizmat e tjera të sistemit fiskal otoman, të mbetura trashëgim nga kohërat më të errëta të sundimit të huaj, u zhdukën një herë e mirë nga jeta ekonomike e Shqipërisë, duke lënë në këtë mënyrë bujkun dhe blegtorin shqiptar të marrin frymë lirisht dhe të zënë vend si një faktor i parë ekonomik».(po atje: f. 99)
Nuk kaloi as një vit dhe mbi fshatarësinë shqiptare rëndoi një detyrim shumë më i rëndë se ato otomane që përmendi Enver Hoxha. Në fjalimin e vet të 26 shtatorit 1945 Enver Hoxha u premtoi fshatarëve dhe gjithë banorëve të vendit se tash e tutje ata do të paguanin tatime dhe taksa sipas një sistemi të drejtë. «Komunizmi i luftës» i zbatuar në Shqipëri në vitet 1946-48 çoi në shkatërrimin edhe të blegtorisë së vendit. Enver Hoxha dha në Kongresin I statistika për shifrat e bagëtisë dhe të kafshëve të punës në Shqipëri, para dhe pas luftës. Sipas tyre del se në 1938, Shqipëria kishte 418 mijë gjedhë (lopë dhe qe), ndërsa në 1945 kishte 393 mijë gjedhë, në 1938 kishte 1 milion e 850 mijë dhen, ndërsa në 1945 kishte 1 milion e 650 mijë dhen, në 1938 kishte 1 milion dhi, ndërsa në 1945 kishte 900 mijë dhi, në 1938 kishte 123 mijë njëthundrakë (kuaj, mushka, gomerë), ndërsa në 1945 kishte 113 mijë njëthundrakë. («Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 143)
Siç shihet dëmtimi i bagëtisë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore është minimal. Në vend që regjimi i ri të stimulonte zhvillimin e blegtorisë në vend, ai bëri të kundërtën me sistemin e grumbullimeve që vendosi. Këtë do të detyrohej që ta pohonte vetë regjimi në dokumentet e veta konfidenciale. Në 18 janar 1949, në Instruksionin e Komitetit Qendror të PPSH për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit, thuhej për sistemin e mëparshëm të përdorur nga regjimi komunist nga viti 1946: «Sistemi i deritanishëm i grumbullimit të mishit në bazë të kokëve të bagëtisë jo vetëm që nuk ka mundur të sigurojë grumbullimin e sasive të duhura për plotësimin e nevojave të popullit tonë, por, ç’ është më keq, ka goditur zhvillimin e blegtorisë dhe e çonte atë drejt shkatërrimit të saj. Sistemi i ri i grumbullimit të mishit për hektar dhe për kokë do të sigurojë grumbullimin e sasisë së nevojshme të mishit për plotësimin e nevojave të masave punonjëse të qytetit».(«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 17-18)
Për fshatarësinë shqiptare, shumësinë e popullsisë së vendit, vendosja e sistemit të grumbullimit në vitin 1946 ishte një agresion brutal nga ana e shtetit, me synim grabitjen. Fshatarësia i bëri rezistencë sa mundi këtij banditizmi shtetëror. I përballur me këtë rezistencë të fshatarësisë, regjimi arriti deri atje sa ta shpallte krejt fshatarësinë e vendit si armike. Enver Enver Hoxha tha në Kongresin I të PKSH: «Lenini ka thënë më 1921 se:gjer sa ne rrojmë në një vënt mikro-fshatar, për kapitalizmin në Rusi është një bazë ekonomike më e fortë se sa për komunizmin, sepse prodhimi i vogël lind kapitalizmin dhe borgjezinë vazhdimisht, çdo ditë, çdo orë, spontaneisht dhe në një shkallë të gjerë».
Dhe pastaj nga modeli i Rusisë së vitit 1921, Enver Hoxha nxorri përfundime për Shqipërinë e vitit 1948: «Nga rreziqe të mbëdha munt të kërcënohemi ne Komunistët shqiptarë në rast se nuk i kemi kurdoherë parasysh këto principe të mbëdha të leninizmit, pse vëndi ynë është një vënt bujqësor, ku mbretëron prona private e katundit në një shkallë shumë të prapambetur dhe ku ekzistojnë në fshat mentaliteti i vjetër, injoranca, fanatizmi etj.(«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 264-265)
Kështu, fshatarësia, që përbënte 85% të popullsisë, shpallej zyrtarisht armike e regjimit, që e quante veten «demokraci popullore». Se çfarë dëmi dhe sa viktima i kushtoi fshatarësisë shqiptare agresioni ndaj saj i shtetit në vitet 1946-48, kur u zbatua sistemi i përshkruar më lart i grumbullimeve, kjo është një gjë që nuk do të merret vesh kurrë. Grumbullimi i drithit dhe prodhimeve blegtorale u krye me operacione policoro-ushtarake, ku merrnin pjesë dhe të ashtuquajturat brigada të grumbullimit, të çuara nga qyteti dhe që ishin milici politike e regjimit. Metodat e përdorura në këtë operacion vinin drejtpërdrejt nga tradita e hajdutëve, banditëve të kohërave të mëparshme, të përjetësuar në këngë. Në këto operacione teprimet qenë një rutinë. Grabitësit shtetërorë nxirrnin dhe përfitime për vete, si për të ngrënë dhe pirë, ashtu dhe për të çuar në shtëpitë dhe tyre dhe për të shitur në tregun e zi. Dhunën ndaj fshatarëve në procesin e grumbullimit e pohon në gjuhë eufemike edhe historiografia zyrtare e regjimit komunis, e cila shkruan: «Organet e pushtetit nga ana e tyre, për të grumbulluar detyrimet kishin qenë të shtrënguara të merrnin shpeshherë masa administrative ndaj fshatarit.(«Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1981, f. 250)
Në gjuhën orëelliane të regjimit me këtë kuptohet ushtrimi i dhunës policore për t’ i marrë prodhimet fshatarit. Detyrimet për fshatarin erdhën duke u bërë më të rënda në vitin në vazhdim. Në maj 1947 doli një urdhëresë shtetërore për të cilën në botimin zyrtar të regjimit, mbi dokumentet partiake, thuhet: «Është fjala për urdhëresën e Ministrisë së Tregtisë Nr. 21 dt. 29 maj 1947. Me këtë urdhëresë prodhuesit e drithit detyroheshin t’ i shisnin shtetit gjithë tepricat e grurit, thekrës dhe miellrat e tyre, duke mbajtur për vehte vetëm 17 kg drithë në muaj për frymë dhe vetëm për tre muaj (korrik-gusht-shtator). Shteti merrte përsipër që t’ u kthente prodhuesvet sasinë e tërhequr, në masën që nevojitej për plotësimin e nevojave ushqimore të familjes».(«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 482)
Ky veprim i regjimit tregonte katastrofën ekonomike në të cilën gjendej ai. Është domethënëse se në botimin zyrtar të dokumenteve të partisë, të bërë më vonë, ky vendim nuk qortohet si i gabuar. Madje në 14 dhjetor 1947, në «Udhëzime të KQ të PKSH mbi masat politike të Partisë në fshat në lidhje me grumbullimin e drithit», urdhëresa e mësipërme merret përsipër nga Komiteti Qendror i PPSH: «Me qëllim që t’ i sigurohet buka popullit pushteti tonë mori masën e shpallur me anë të urdhëresës të Ministrisë së Tregtisë».(po atje: f. 341)
Vendimi u anulua sepse u pa që ishte thjesht i pazbatueshëm. Asnjë fshatar nuk mund të bindej që ta nxirrte nga shtëpia drithin që i duhej për bukën familjes gjatë vitit, duke i besuar premtimit se do t’ ia kthenin përsëri! Regjimi nuk kishte aspak kredenciale të mira për këto gjëra. Atëherë regjimi e anuloi vendimin e parë dhe në vend të tij nxorri një tjetër, drastik, por më të zbatueshëm, për të cilin në botimin e dokumenteve zyrtare të partisë, gjatë regjimit komunist, thuhet: «Kjo urdhëresë u zëvendësua më vonë me urdhëresën Nr. 1 të Kryeministrisë të dt. 2 korrik 1947, me anë të së cilës prodhuesit e drithit detyroheshin gjithashtu t’ i shisnin shtetit gjithë tepricat e drithit, duke mbajtur për nevojat familjare vetëm 250 kg grurë, misër apo thekër për frymë në vit».(po atje: f. 482- 483)
Urdhëresa përcaktonte kështu një kuotë fikse minimale për drithin që do t’ i lihej fshatarit, duke ia marrë gjithë sasinë tjetër. Zbatimi i sistemit të grumbullimeve çoi urinë e viteve 1946-1948 në fshat, e cila në fakt ishte një shkallëzim i urisë së vitit 1945. E veçanta e kësaj urie ishte se ajo përfshiu masivisht edhe fshatin veç qytetit. Numri i vdekjeve prej saj nuk do të merret vesh kurrë, edhe sikur të bëhen kërkime mbi vdekshmërinë në ato vite në regjistrat e gjendjes civile. Regjimi komunist kishte praktikën që nuk i çregjistronte të vdekurit nëse këtë gjë nuk e bënin familjarët, dhe në fshat në atë kohë të vështirë, jo të gjithë vdekjet regjistroheshin aty për aty. Me kalimin e viteve e vërteta është mbuluar nga shpërthimi demografik.
Zbatimi i komunizmit të luftës në fshatin shqiptar, në kohë paqeje, rreth dy vjet pas përfundimit të luftës, në vitet 1946-48, nuk ishte thjesht tregues i zbatimit dogmatik të utopisë, sipas modelit bolshevik rus. Studiuesit e komunizmit rus kanë diskutuar gjatë për atë nëse politika e Komunizmit të luftës e zbatuar në Rusi, sidomos në rastin e fshatit, ishte një politikë e ndjekur nga forca e rrethanave, apo rrethanat u panë si konvenuese për të zbatuar agjendën bolshevike të përmbysjes shoqërore. Rasti i Shqipërisë jep një përgjigje interesante për këtë pyetje. Në Shqipëri rrethanat për zbatimin e komunizmit të luftës në fshat u krijuan nga regjimi, si rezultat i politikës së tij ekonomike në qytet. Rasti i Shqipërisë tregon se komunizmi i luftës ishte një politikë e natyrshme për një regjim si ai bolshevik i pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, apo si ai që erdhi në fuqi në Shqipëri, në nëntor 1944. Do të ishte shkatërrimi i infrastrukturës private të ekonomisë së vendit, ajo që do të çonte në zbatimin e politikës së Komunizmit të luftës në Shqipëri. Pra, Komunizmi i luftës në Shqipëri do të ishte i arsyeshëm në rrethanat e luftës që regjimi i ri i shpalli shoqërisë shqiptare. Dy fushata të kësaj lufte, reforma agrare dhe sistemi i grumbullimeve që e pasoi atë, do t’ i sillte fshatarësisë shqiptare më shumë dëme se Lufta e Dytë Botërore. Në kohën që regjimi merrte vendimin për ta çuar fshatarësinë në gjendjen e shoqërive despotike agrare, ai i përcaktonte vetes si sfidë ndërtimin e utopisë agrare. Enver Hoxha do të thoshte në raportin e mbajtur në Plenumin V: «Në lidhje me bujqësinë dhe me perspektivat tona, ne duhet të ecim në krijimin e disa fermave modele, përveç këtyre që janë, ku të punohet me kujdesin më të madh, jo vetëm për një prodhim të përsosur, por që të bëhen dhe një nxitje për favorizimin dhe shpejtimin e kolektivizimit të tokave».(Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 279)
Në fakt ekonomitë bujqësore kolektive, të çdo lloji, u bënë model i dështimit dhe vetë Enver Hoxha deri në vdekje do të ankohej se parcelat e tokës personale që u qenë lënë fshatarëve kooperativistëve, jepnin më shumë prodhim se ekonomitë kolektive bujqësore.
Megjithë detyrimet e rënda me të cilat i ngarkoi fshatarët, regjimi nuk qe në gjendje që të furnizonte tregun, detyrë të cilën e kishte marrë përsipër vetë kur kishte ndaluar tregtinë private me shumicë, prandaj në shtator 1946 në vend u vendos sistemi i triskëtimit të ushqimeve, i cili, në forma të ndryshme, praktikisht do të vazhdonte deri në 1991.
Ishte ironi e madhe se Shqipëria komuniste do të kalonte nëpër karikaturën e atyre fazave të konfliktit që i përcaktonte marksizëm-leninizmi për shoqëritë me klasa. Kështu, vendi do të kalonte karikaturën e kryengritjes fshatare, me rebelimin masiv të fshatarësisë kooperativiste që vidhte produktin e punës së saj, do të kalonte karikaturën e revolucionit borgjez, me nomenklaturën komuniste që rebelohej ndaj sistemit të vet, duke i shndërruar ndërmarrjet që drejtonte, praktikisht në pronë private borgjeze të drejtuesve të tyre, dhe në fund do të kalonte karikaturën e revolucionit komunist, duke mësyrë të gjithë shtetin totalitar për ta shpronësuar atë./Kastriot Myftaraj
Burimi – Facebook


Leave a Reply